Mitropoliti Nathanail kremton vigjilje për Shën Marinën në Himarë
Në kishën e Shën Marinës në Himarë, Mitropoliti i Gjirokastrës kujtoi guximin dhe besnikërinë e martires së shekullit III deri në flijim.
Shën Marina, e nderuar në traditën orthodhokse si martire e shekullit III, u kujtua në vigjilje të festës së saj në qytetin e Himarës. Sipas Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës, Mitropoliti Nathanail drejtoi Shërbesën e Mbrëmësores Panigjirike në kishën e kushtuar Shën Marinës.
Shërbesa u zhvillua mbrëmjen e sotme, në prag të kremtimit liturgjik të shenjtores. Në përfundim të Mbrëmësores, Mitropoliti Nathanail iu drejtua besimtarëve, duke folur mbi jetën dhe martirizimin e saj. Ai theksoi se, megjithëse e re në moshë, Shën Marina dëshmoi një besim të palëkundur në Krishtin dhe tregoi guxim të jashtëzakonshëm përballë torturave. Sipas Mitropolitit, ajo qëndroi besnike ndaj vullnetit të Perëndisë deri në flijimin e jetës së saj.
Mitropoliti nënvizoi se shembulli i Shën Marinës mbetet një thirrje e përhershme për çdo të krishterë që të qëndrojë i patundur në besim. Ai u bëri thirrje besimtarëve të përballojnë me durim sprovat e jetës dhe të dëshmojnë me guxim të vërtetën e Ungjillit, ashtu si veproi shenjtorja në rrugëtimin e saj drejt martirizimit.
Nuk është hera e parë që Mitropoliti Nathanail kremton ngjarje fetare në rajonin e Himarës; kohët e fundit ai inauguroi kishën e të Gjithë Shenjtorëve në të njëjtin qytet.