Kisha Ortodokse përkujton Shën Andrean e Kretës më 4 korrik
Kisha kujton edhe dëshmoret Kiprila, Aroa dhe Lukia, që vuajtën martirizim për besimin e tyre në Krishtin.
Kisha Ortodokse feston sot kujtimin e Shën Andreas së Kretës, një prej himnografëve më të shquar të traditës bizantine . Sipas kalendarit të shenjtorëve të Kishës Ortodokse, të shtunën, 4 korrik, përkujtohet Oshënar Andrea i Kretës, i quajtur edhe “jerusalemas”, së bashku me dëshmoret Kiprila, Aroa dhe Lukia.
Andrea lindi rreth vitit 660 në Damask, nga prindër të thjeshtë, dhe që në moshën 8-vjeçare tregoi shenja të jashtëzakonshme. Në moshën 15-vjeçare u rreshtua në Manastirin e Shën Savës pranë Jerusalemit, ku u arsimua dhe u qeth murg. Më vonë shërbeu si sekretar patriarkal dhe u dërgua në një mision zyrtar në Konstandinopojë, ku u dorëzua dhjak në Kishën e Shën Sofisë. Në vitin 712 u zgjodh kryepiskop i 12 episkopatave të ishullit të Kretës, me seli në Gortina, ku ndërtoi kisha e institucione bamirësie dhe udhëhoqi popullin gjatë kohërave të vështira.
Andrea njihet gjerësisht si autor i “Kanonit të Madh”, një vepër me 261 tropare që përfshin njohuri të thella të Shkrimit të Shenjtë dhe thirrje për pendim. Ai vdiq rreth vitit 740 në ishullin e Mitilinit, gjatë udhëtimit të kthimit nga Konstandinopoja, siç e kishte parashikuar vetë.
Në të njëjtën ditë kujtohen edhe dëshmoret Kiprila, Aroa dhe Lukia. Kiprila, me prejardhje nga Kirini, u shërua nga dhimbjet e kokës me lutjet e Shën Theodhorit dhe u vu në shërbim të tij. Pas vdekjes së episkopit, ajo u arrestua dhe, duke refuzuar të sakrifikonte idhujve, iu vunë thëngjij të ndezur në duar. Ajo vdiq mes torturave, ndërsa Lukia dhe Aroa u ekzekutuan më vonë, duke u bashkuar me të në korin e dëshmorëve.