Predikimi 'Mbi magjinë' i Mitilineos përkthehet për herë të parë në shqip

Foto ilustruese nga UGO.AL
Predikimi mbi magjinë, temë e trajtuar prej kohësh në traditën katekizmuese orthodokse, botohet për herë të parë i përkthyer plotësisht në gjuhën shqipe. Sipas tekstit origjinal në greqisht të kësaj ligjërate, pjesë e ciklit "Peri Mageias" (Mbi Magjinë) të Atë Athanasios Mitilineos, autori niset nga episodi i Apostull Pavlit dhe magjistarit Elimas në ishullin e Qipros, i përshkruar në Veprat e Apostujve, për të trajtuar më gjerë dukurinë e magjisë në Shkrimin e Shenjtë dhe në kohën tonë.
Mëposhtë paraqitet pjesa e parë e plotë e kësaj ligjërate, në përkthim shqip.
Atë Athanasios Mitilineos — Mbi magjinë (pjesa e 1rë)
«Këta pra pasi u dërguan nga Fryma e Shenjtë, zbritën në Selefki, edhe prej andej lundruan për në Qipro. Edhe kur erdhën në Salaminë, predikuan fjalën e Perëndisë nëpër sinagogat e Judenjve; dhe kishin edhe Joanin ndihmës. Edhe si kaluan ujdhesën deri në Pafo, gjetën njëfarë magjistari profet të rremë judeas, që e kishte emrin Barjisu, i cili ishte bashkë me guvernatorin Sergj Pavli, një burrë i mençur. Ky thërriti Varnavën dhe Saulin, dhe kërkoi të dëgjojë fjalën e Perëndisë. Po Elimas magjistari, se kështu përkthehet emri i tij, i kundërshtonte ata dhe kërkonte ta kthente guvernatorin nga besimi. Po Sauli, që quhej edhe Pavëll, u mbush me Frymë të Shenjtë, e si hodhi sytë mbi të, tha: O ti që je plot me çdo mashtrim e me çdo farë intrige, bir i djallit, armiku i çdo drejtësie, a nuk do të pushosh së prishuri udhët e drejta të Zotit? Edhe tani ja dora e Zotit tek është mbi ty; edhe do të mbetesh i verbër, e nuk do të shohësh diellin deri në një kohë. Edhe përnjëherë ra mbi të një mjegull e errësirë, edhe duke ardhur rrotull kërkonte njerëz që ta hiqnin prej dore. Atëherë kur pa guvernatori se ç'u bë, besoi, edhe çuditej për mësimin e Zotit».
Le ta shpjegojmë. Atëherë këta të dërguar të Shpirtit të Shenjtë zbritën në Selefki dhe prej andej lundruan për në Qipro. Kur arritën në Salaminën e Qipros, predikonin fjalën e Perëndisë në sinagogat e judenjve. Kishin edhe Joanin si ndihmës. Pasi kishin përshkuar mbarë ishullin deri në Pafë, takuan një magjistar, një profet të rremë judeas, me emrin Barjisu. Ky qëndronte pranë Sergj Pavlit, guvernatorit, një njeri i mençur, i cili thirri Varnavën dhe Saulin dhe kërkoi të dëgjonte fjalën e Perëndisë. Por Elimasi, magjistari —kështu përkthehet emri i tij— kundërshtonte dhe përpiqej ta largonte guvernatorin nga besimi. Atëherë Sauli, i njohur edhe si Pavëll, i mbushur me Shpirt të Shenjtë, e drejtoi vështrimin tek ai dhe i tha: «Ti që je plot me çdo mashtrim dhe intrigë, bir i djallit, që armiqësohesh me çdo të mirë, a nuk do të pushosh së shtrembëruari udhët e drejta të Zotit? Dhe tani dora e Zotit do të të godasë. Do të jesh i verbër dhe nuk do ta shohësh diellin për njëfarë kohe». Menjëherë mbi të ra një mjegullim dhe errësirë; sillej andej-këtej, duke kërkuar që dikush ta udhëhiqte për dore. Kur guvernatori pa atë që ndodhi, besoi dhe u mahnit nga mësimi i Zotit.
Me pak fjalë, të dashurit e mi, Apostull Pavlli me Varnavën kaluan përtej, në Qipro, dhe tashmë po ungjillëzonin në qytete e fshatra, nga njëri skaj në tjetrin, nga Salamina deri në Pafo. Atje ndodhej selia e guvernatorit, e drejtuesit romak, Sergj Pavllit. Ky njeri, i mençur, i arsyeshëm, i matur —dhe, siç duket, edhe mjaft i arsimuar— mbante në oborrin e tij një magjistar judeas. Emri «Elimas» nuk është përkthim i hebraishtes «Barjisu», domethënë «bir i Jisuit»; «Elimas» është një fjalë e përshtatur në greqisht që do të thotë «magjistar». Është ndoshta me rrënjë hebraike, e më shumë ndoshta arabe. Ky njeri bënte atje, në oborrin e Sergj Pavlit, çudira dhe shenja dhe, natyrisht, kishte njëfarë ndikimi mbi të. Kur u shfaqën Apostull Pavli dhe Varnava dhe Sergj Pavlli dëgjoi se shumë njerëz i ndiqnin dhe se mësonin diçka të re e të mahnitshme, i thirri që t'i dëgjonte. Ndërsa Apostull Pavlli i fliste Sergj Pavllit, magjistari pranë tij kundërshtonte: «Jo kështu kjo, jo ashtu ajo», pra në një mënyrë tmerrësisht shqetësuese. Përpiqej ta shkëpuste Sergj Pavllin nga mësimi i krishterë. Atëherë është domethënëse ajo që na thotë teksti i shenjtë: Apostull Pavlli u mbush me Shpirt të Shenjtë. Dhe ajo fjala «duke e vështruar ngultas» do të thotë se e pa drejt në sy, me një vështrim depërtues, dhe i tha: «Bir i djallit, që je plot me çdo mashtrim dhe çdo intrigë, dhe je armik i çdo drejtësie». Shikoni: «Bir i djallit, deri kur do t'i shtrembërosh udhët e drejta të Perëndisë dhe do të flasësh shtrembër?» Dhe i shkaktoi verbëri të përkohshme. «Ja», thotë, «dora e Perëndisë do të bjerë rëndë mbi ty, për të të ndëshkuar». Dhe menjëherë ai u verbua. Guvernatori e pa vërtet atë që ndodhi dhe, si njeri i mençur që ishte, me zemër dashamirëse, besoi te Perëndia.
Pikërisht ky pasazh që lexuam, të dashurit e mi, vjen të na ndriçojë një çështje shumë të rëndësishme, e cila, duhet ta pranojmë, është e pranishme edhe në kohën tonë, në çdo kohë: çështjen e magjisë, siç e kishim njoftuar edhe herën e kaluar. Magjia është po aq e lashtë sa edhe njeriu. Madje mund të themi se hasim mjaft raste si në Dhjatën e Vjetër, ashtu edhe në Dhjatën e Re, të cilat hedhin shumë dritë mbi këtë çështje kaq të rëndësishme. Duhet t'ju them që në fillim se magjia nuk është një çështje aq qesharake sa mund të mendonim, ose ndoshta diçka që nuk ekziston. Nuk është thjesht të thuash se këtu, diku në qytet, ka disa «magjistrica», siç i quan populli, disa që shohin filxhanin, disa që hedhin letrat e ku ta di unë çfarë tjetër, dhe prandaj: «Lëre fare, nuk ia vlen as të flasim për këtë çështje». Magjia është një realitet. Tjetër çështje është nëse ka një përqindje njerëzish mashtrues, të cilët gjoja ushtrojnë magji për të nxjerrë para nga naivët, domethënë nga njerëzit e pamend që u drejtohen atyre, burrave ose grave që merren me magji. Kjo është një çështje më vete. Fakti është se magjia është një realitet, një realitet i tmerrshëm, i lashtë sa vetë njeriu, siç ju thashë. Dhe Shkrimi i Shenjtë, e përsëris, na përmend shumë raste. Është një çështje serioze. Nga shqyrtimi që do të bëjmë —dhe, natyrisht, nuk do ta shterojmë sot temën— do ta kuptoni sa e thellë është kjo çështje.
Në Dhjatën e Re, përveç rastit që lexuam e shqyrtuam, kemi edhe të tjera. Kur Apostull Pjetri shkoi në Samari, takoi atje njëfarë Simoni magjistar. Nga më i vogli te më i madhi, na thotë teksti i shenjtë, ia vinin veshin fjalëve të këtij njeriu dhe çudirave e shenjave që bënte. Por, më në fund, Simoni magjistar e pranoi fuqinë e dhiakonit Filip dhe më pas të Apostull Pjetrit, dhe kërkoi që me para të fitonte edhe ai aftësinë për disa metoda të tjera të magjisë. Kishte menduar se edhe Apostull Pjetri, edhe Filipi ishin magjistarë. Dhe Apostull Pjetri e goditi drejtpërdrejt me fjalë shumë të rënda, ashtu si edhe Apostull Pavli. Të të quajë tjetri «bir të djallit», të të quajë «armik të çdo drejtësie», të të thotë se je plot me «çdo mashtrim» e me «çdo intrigë»! Kjo «çdo mashtrim», «çdo intrigë» dhe «çdo drejtësi», «çdo», «çdo», «çdo», kjo përsëritje në tekst nuk është gjë tjetër veçse një theksim se magjistarët ndodhen në një qëndrim krejtësisht armiqësor ndaj besimit. Gjithashtu, kur shumë veta besuan në Efes —dhe ishte, do të thoshim, një qytet ku magjia bënte kërdinë; deri sot janë ruajtur shumë papiruse magjike, të ashtuquajturat «Shkrime efesiane», kështu quhen, «Shkrime efesiane»— libri i Veprave të Apostujve na thotë se ata që besuan i sollën këto Shkrime efesiane, pergamenat, librat e magjisë, në një shesh dhe i dogjën. Dhe vlera e tyre u llogarit në pesëdhjetë mijë monedha argjendi të asaj kohe. Një rast tjetër është ai në Filipë, me të cilin do të merremi veçanërisht: rasti i asaj shërbëtoreje që merrej me parathënie (profeci). Kemi edhe një rast tjetër në Dhjatën e Re, me shtatë bijtë e njëfarë Skevai, kryeprift, të cilët ushtronin zanatin e ekzorcistit.
Pra, edhe në Dhjatën e Vjetër kemi shumë raste. Do të përmend vetëm një, shumë karakteristik. Kur Moisiu, me urdhër të Perëndisë, shkoi në oborrin e Faraonit për t'i kërkuar që ta linte popullin izraelit të largohej nga vendi i Egjiptit, Moisiu këmbëngulte, ndërsa Faraoni ishte i palëkundur. Dhe Perëndia i kishte thënë se përpara tyre do të bënte dy mrekulli. «Çfarë është ajo që mban në duar?» i thotë Moisiut. «Shkopi im, o Zot». Ky dialog —mos mendoni se u zhvillua në atë çast— kishte ndodhur përpara ferrës që digjej e nuk konsumohej. Atje ishte zhvilluar dialogu. «Këtë shkopin tënd do ta hedhësh përpara Faraonit dhe ai do të bëhet gjarpër, dragua, gjarpër i madh». Dhe, për t'ia dëshmuar këtë, i thotë: «Hidhe shkopin në tokë». E hodhi në tokë dhe u bë gjarpër. Moisiu u tremb dhe u tërhoq prapa. «Kape nga bishti». Ai e kap gjarprin nga bishti, e ngre dhe ai bëhet përsëri shkop. Dhe tjetra: i tha ta fuste dorën në gji, këtu, dhe ta nxirrte. Dhe ajo u bë e bardhë si bora, domethënë e lebrosur. E futi sërish dorën në gji, e nxori përsëri dhe u bë prapë dorë e shëndoshë, lëkurë e zakonshme. Meqë Moisiu kundërshtonte të paraqitej para Faraonit, sepse, siç thotë, ishte «me gjuhë të ngadaltë dhe me zë të dobët», kishte zë shumë të ulët dhe ishte dhe fliste me vështirësi, Perëndia lejoi që këto mrekulli t'i bënte Aaroni, vëllai i tij. Kur u paraqitën herën e parë, ndodhi kjo gjë e mahnitshme: natyrisht, Faraoni u çudit sapo i pa këto, por thirri magjistarët e vet, të urtët e oborrit të tij. «Yshtës» i quan teksti i shenjtë magjistarët e oborrit. Edhe ata bënë të njëjtën gjë: hodhën shkopinjtë e tyre në tokë dhe u bënë gjarpërinj. Por teksti i shenjtë thotë se gjarpri i Aaronit i gëlltiti të gjithë gjarpërinjtë e tjerë. Më pas, kur Moisiu dhe Aaroni shkaktonin plagët e njohura në vendin e Egjiptit, me ujin që u bë i kuq si gjaku dhe mbante erë të keqe, bretkosat, mushkonjat e kështu me radhë, errësirën, po të njëjtën gjë bënin edhe magjistarët. Prandaj ngurtësohej zemra e Faraonit dhe ai nuk i besonte Moisiut. Nga dhjetë plagët, disa magjistarët nuk mundën t'i bënin. Disa. Dhe diçka tjetër: nuk mund ta zmbrapsnin fuqinë shkatërruese që kishin shkaktuar, ndërsa Moisiu e zmbrapste fuqinë shkatërruese. Thoshte, për shembull, që uji i Nilit të bëhej përsëri i mirë dhe ai bëhej i mirë, ndërsa magjistarët atë që bënin nuk mund ta zhbënin. Madje tradita e hebrenjve na ruan edhe emrat e dy prej magjistarëve egjiptianë. Dhjata e Vjetër nuk na thotë asgjë, por i ruan tradita dhe i përmend Apostull Pavlli në njërën prej dy letrave drejtuar Timotheut. Quheshin Jani dhe Jambri. Jani dhe Jambri. Këta dy njerëz ishin krerët e magjistarëve brenda pallatit të Faraonit.
Siç e patë nga këto pak gjëra që përmendëm, magjia është një realitet. Magjia është një realitet dhe duhet, natyrisht, t'i kushtojmë vëmendje, përderisa nuk bëhet fjalë vetëm për një çështje të një epoke të shkuar, por, për fat të keq, për një çështje të nxehtë e tepër urgjente edhe në kohën tonë. Dhe vërtet, për ta vërtetuar, do të lexoj disa prerje revistash e gazetash. Revista «Zoi» 7 shtator 1967: «Në Gjermaninë Perëndimore ekzistojnë mbi dymbëdhjetë mijë magjistarë e magjistare të njohur, të cilët as nuk arrijnë t'i presin të gjithë vizitorët e tyre». Vetëm në Gjermaninë Perëndimore ka dymbëdhjetë mijë magjistarë e magjistare. Dëgjoni: vetëm në Gjermaninë Perëndimore. Dhe mund të themi se Gjermania, Franca, Anglia janë vende të qytetëruara. Janë vendet, do të thoshim, të dritës, të qytetërimit. E megjithatë kjo të kujton më shumë një Mesjetë të errët; e akuzonin Mesjetën se ishte e errët, plot me magjistarë e magjistare. 18 06 1968 e njejta revistë. Thuhet se në Paris për çdo pesë mijë banorë ka një prift. Pesë mijë parizianë, një prift. Për çdo pesëqind e katërmbëdhjetë parizianë të tjerë, një mjek. Dhe për çdo njëqind e njëzet parizianë, një magjistar. Një magjistar për çdo njëqind e njëzet parizianë! Të njëjtën gjë boton edhe revista "Sotir" 5.7.1968. 1 1 1968 Një prerje tjetër gazete: «Një kërkim i kohëve të fundit vërtetoi se çdo muaj shpenzohen dy milionë dhrahmi brenda Athinës për njerëz që përfitojnë nga të tjerët ose që vetëquhen mediume apo astrologë». Dy milionë dhrahmi shpenzohen brenda Athinës te magjistarët, ju lutem. Vetëm në Athinë ka dy mijë njerëz të tillë. Athina (në atë kohë) nuk ka 2000 klerikë as 2000 mjekë. Prandaj mund të themi se, ndonëse na mahnit ky përpjesëtim për Parisin, edhe Athina nuk mbetet prapa.
Ka njerëz të rëndësishëm, të dashurit e mi, që mbajnë poste të larta në politikë, në shkencë, në teknikë, si edhe njerëz me pasuri, të cilët u drejtohen magjistarëve e magjistareve. Nuk do ta harroj —natyrisht, nuk do të përmend emër— një politikan që arriti të bëhej kryeministër. Ndodhesha dikur në tryezën e këtij njeriu, diku, në [fjalë që nuk dallohet]. Dëgjova një grua që tregonte —edhe ajo ishte e ftuar në tryezën e këtij njeriu, ishte e ve— se shumë shpesh komunikonte me shpirtin e të shoqit. Do të flasim posaçërisht për këtë çështje në kapitullin «Spiritualiteti». Dhe thoshte se në këtë mënyrë ngushëllohej. Dua t'ju them se shumë njerëz i drejtohen spiritualitetit, astrologjisë, hedhjes së letrave, filxhanëve të kafesë, me qëllim që të gjejnë ngushëllim ose një mesazh nga të vdekurit e tyre; ose të mësojnë diçka që nuk e dinë, të gjejnë një send të humbur, të «lidhin», siç thotë populli, ose të zgjidhin magji, të bëjnë keq ose të zhbëjnë të keqen. Dhe meqë kjo praktikë është kaq shumë e përhapur, siç e kuptoni, ia vlen të flasim dhe të shpjegojmë se çfarë është magjia.
Çfarë është, pra, magjia? Nuk do të doja ta trajtonim këtë çështje me sipërfaqësi. Do të doja të thelloheshim në të. Do të doja të bënim një studim, jo një predikim. Qëllimi këtu nuk është të bëjmë predikim; qëllimi është të bëjmë një studim të të gjitha temave që marrim në shqyrtim, aq sa është e mundur. Kushtoni vëmendje. Natyra, krijimi, brenda të cilit gjendemi ne njerëzit, fsheh, sigurisht, të fshehta dhe fuqi të jashtëzakonshme. Nëse tani njeriu arrin t'ia zbulojë të fshehtat krijimit dhe t'i fitojë, t'i frenojë, t'i marrë në duart e veta këto fuqi, fuqitë e jashtëzakonshme të krijimit, atëherë arrin të bëhet jo vetëm zotërues, por edhe i lumtur. Do të ketë në shërbim të vet të gjitha të fshehtat e natyrës dhe fuqitë e saj. Por mënyra me të cilën do të dëshironte të arrinte sundimin mbi fuqitë e natyrës është një mënyrë më tepër e lehtë. Domethënë, që ta kuptoni këtë, kemi tri dukuri: magjinë, shkencën dhe fenë. Le ta marr për një çast shkencën në raport me magjinë; në raport me fenë do të shohim pak më poshtë. Çfarë bën shkenca? Shkenca përpiqet të zbulojë të fshehtat e krijimit, përpiqet t'i nënshtrojë fuqitë e tij dhe t'i vërë në dobi të njerëzve. Kur, për shembull, nënshtron elektricitetin, çfarë bën me të? Pasi e nënshtron, natyrisht, e përdor për hekurudhën, për sobën elektrike, për dritën dhe për çdo gjë tjetër që mund të realizohet në qytetërim. Edhe për energjinë bërthamore, po kështu, e me radhë. Por mënyra me të cilën shkenca përpiqet ta nënshtrojë natyrën është e lehtë apo e vështirë? Të dashurit e mi, është e vështirë, e mundimshme, kërkon edhe gjak. Sepse njeriu lufton prej shumë e shumë vitesh: nga koha kur pa zjarrin dhe mund t'ia mbathte sapo një rrufe ndizte zjarr —dua të them, largohej nga frika— deri kur shpiku rrotën, që konsiderohet shpikja më e madhe e njeriut, rrota; deri te energjia atomike e kohës sonë dhe nesër, nuk e di çfarë tjetër do të gjejë ende. Njeriu ka kaluar një periudhë përpjekjeje. Dhe pikërisht mbi këtë altar të shkencës janë flijuar jo pak njerëz, për të arritur zbulimin e të fshehtave të krijimit.
Pra, shkenca përpiqet të zbulojë të fshehtat e krijimit, dhe magjia, nga ana tjetër, po ashtu, por me këtë ndryshim: magjia përpiqet t'i fitojë të fshehtat e krijimit —kushtoni vëmendje, dhe e nënvizoj— me një mënyrë të lehtë e të shpejtë. Me një mënyrë të lehtë e të shpejtë. Siç e kuptoni, kjo mënyrë e lehtë dhe e shpejtë nuk është njerëzore, nuk është e natyrshme. Madje, nëse doni, nuk është mënyra me të cilën Perëndia do të dëshironte që njeriu, këtu mbi tokë, të zbulonte të fshehtat e krijimit. Gjithashtu, njeriu mbi tokën tonë është thirrur të bëhet i ngjashëm me Perëndinë. Është thirrur të bëhet perëndi: hyjnizimi i njohur për të cilin flisnim vitin e kaluar. Në këtë qëllim donin të arrinin të parakrijuarit, në hyjnizim. Por kjo rrugë është e vështirë, është e dhimbshme. Gjithashtu, njerëzit do të arrinin dalëngadalë, le të themi, një qytetërim; rruga është e ashpër. Nëse tani vjen dikush nga jashtë dhe ofron një metodë të shpejtë, të lehtë, pa dhimbje, kjo është jashtë planit të Perëndisë. Dhe, të dashurit e mi, u propozua edhe kjo rrugë e lehtë dhe pa dhimbje, kjo metodë. Kush ishte propozuesi? Me siguri e merrni me mend: djalli.
Kushtoni vëmendje më tej. Çështja e magjisë merr edhe thellësi teologjike. Merr edhe thellësi teologjike. Dhe ja, vjen djalli e thotë: «Gjëja është fare e thjeshtë. Doni të bëheni perëndi?» Ndërkohë që pikërisht ky ishte qëllimi i Perëndisë: të parakrijuarit të bëheshin perëndi. «Unë thashë: perëndi jeni». «Doni të bëheni perëndi? Doni të fitoni njohurinë? Doni të bëheni të gjithëdijshëm? Doni të bëheni zotërues të krijimit e të botës? Doni të jeni njerëz të lumtur? Është fare e thjeshtë. Këputeni atë fryt nga ajo pemë për të cilën Perëndia ju tha të mos e këputnit. Hajeni dhe menjëherë do të bëheni perëndi e të urtë». Por është një gjë shumë e lehtë që dikush të këpusë një fryt dhe ta hajë. Shumë e lehtë. Propozimi i djallit ishte, pra, propozimi që sot e quajmë me një fjalë: «magji». Domethënë, me një mënyrë magjike, me një mënyrë të lehtë, të parakrijuarit do të bëheshin perëndi dhe të gjithëdijshëm.
Doni edhe një pikë tjetër teologjike lidhur me magjinë? Kushtoni vëmendje. Kur Zoti, si njeri, Jisui, ishte në shkretëtirë, shfaqet djalli dhe i paraqet tri gjëra, tri propozime. I tha t'i bënte gurët bukë. I tha të hidhej nga maja e tempullit të Solomonit —oborri poshtë tempullit ishte gjithmonë plot— dhe në këtë mënyrë, nëse engjëjt do të vendoseshin poshtë si një rrjetë ose, sidoqoftë, po them tani, nëse nuk do të pësonte asgjë, atëherë njerëzit që do të ishin në oborr e do të shihnin dikë të binte nga atje lart pa pësuar asgjë, duke qëndruar në këmbë, do të shihnin diçka të mrekullueshme. Dhe e treta: kur i tha ta adhuronte atë, djallin, dhe ai do t'i jepte të gjitha pasuritë e mbretëritë e kësaj bote. Çfarë shohim këtu? Në tundimin e parë, ngopje të lehtë. Në tundimin e dytë, lavdi të lehtë. Në tundimin e tretë, pasurim të lehtë. Pra, kjo «e lehtë» është pikërisht magjia. Është metoda e magjisë: e lehta, e shpejta. Sepse Krishti ushqeu pesë mijë njerëz në shkretëtirë, por e refuzoi propozimin e djallit, sepse është metodë magjie. Krishti u lavdërua. A nuk tha: «Lavdëro Birin tënd», atje, «o Ati im»? Por lavdia do të kalonte më parë nëpërmjet kryqit, jo me mënyrën që propozon djalli. Po pasurimi? Perëndia është vërtet i pasuri. Gjithçka i përket Perëndisë. A ka nevojë Perëndia për mbretëritë e kësaj bote? Por e patë se çfarë propozon djalli? Pra, magjia ka një thellësi teologjike. Nuk është kaq e thjeshtë çështja e magjisë. Është një çështje së cilës duhet t'i kushtojmë vëmendje.
Magjia fut tri elemente. I pari, siç e patë nga shembujt që përmendëm, është lehtësia: e lehta, e shpejta. Së dyti, largimin nga Perëndia dhe egocentrizmin. Kur djalli u propozon të parakrijuarve të bëhen perëndi, perëndi pa Perëndinë, atëherë qendra e gjithësisë do të jetë njeriu. Dhe mos harroni se, për fat të keq, ky element mbizotëron tashmë në të gjithë shekujt. Ky është mëkati stërgjyshor: egocentrizmi njerëzor. Në qytetërimin tonë të sotëm teknik, pikërisht këtë përpiqemi të bëjmë: njeriu të bëhet zotërues i krijimit pa Perëndinë, ta flakë Perëndinë. Kështu, në këtë pikë të dytë, e shohim njeriun të largohet nga Perëndia, të bëhet egocentrik. Dhe elementi i tretë: adhurimi dhe nënshtrimi ndaj djallit. Djalli, me paturpësinë më të madhe, i tha vetë Jisu Krishtit: «Do të t'i jap të gjitha, nëse bie dhe më adhuron». Dhe Zoti i tha: "largohu prej meje satana". E shihni, pra, se magjia është vërtet diçka e frikshme.
Magjia shfaqet paralelisht me fenë. Sikurse më parë e shqyrtuam në raport me shkencën, tani e shohim paralelisht me fenë. Dhe magjia është rivalja e madhe e fesë. Pse është rivalja e madhe? Sepse, fare thjesht, ndërsa pas fesë është Perëndia, pas magjisë është djalli. Dhe ndërsa feja përpiqet ta ngrejë njeriun drejt Perëndisë, magjia përpiqet ta shkëpusë njeriun nga Perëndia. Dhe ndërsa feja krijon një botë me Perëndinë në qendër, magjia krijon një botë gjoja me njeriun në qendër dhe më pas me djallin. Me fjalë të tjera, magjia, të dashurit e mi, është feja e djallit. As më pak e as më shumë. Do ta them përsëri: është feja e djallit. Madje edhe djalli ka priftërinjtë e vet; magjia ka të iniciuarit e saj: janë magjistarët. Prandaj Apostull Pavlli është i pamëshirshëm përballë dukurisë së magjisë. Dhe na e thotë qartë, për t'u dukur pikërisht kundërshtia, sepse djalli mund të bëjë çudira, por këto çudira nuk janë nga Perëndia. A nuk na thotë libri i Zbulesës se antikrishti do të bëjë çudira, do të hyjë edhe në vetë tempullin e Perëndisë dhe njerëzit do t'i besojnë atij? Pra, pikërisht për këtë na thotë se «u mbush me Shpirt të Shenjtë», për të treguar se Apostull Pavlli nuk ka lidhje me magjinë. Përkundrazi, ai vjen nga Perëndia për ta goditur magjinë. Dhe çfarë i thotë Elimasit? Si e quan? «Plot me çdo mashtrim e me çdo farë intrige», «bir i djallit», «armik i çdo drejtësie», që shtrembëron «udhët e drejta të Zotit». Prandaj nxjerrim përfundimin: magjia është tërësisht një sajesë djallëzore. Është fryt i arrogancës djallëzore.
Sepse, nëse do të donim të shkonim pak më tej nga historia e të parakrijuarve, do të nxirrnim përfundimin që thamë: djalli kërkoi të qëndronte përballë fronit të Perëndisë, të bëhej perëndi vetëm sepse kështu donte vetë, të mënjanonte Perëndinë dhe të qëndronte vetë i barabartë me Perëndinë. Dëgjoni çfarë thotë libri i Isaisë: «Si ra nga qielli ylli i mëngjesit!» «Por ti the në mendjen tënde». Kjo shprehje e Isaisë: «Si ra nga qielli ylli i mëngjesit!» «Por ti the në mendjen tënde». Sepse, thotë, ti the në mendjen tënde, në mendimin tënd: «Do të ngjitem në qiell; përmbi yjet e qiellit do ta vendos fronin tim». Do të ngjitem, thotë, lart në qiell, përmbi yjet e qiellit, dhe atje lart do ta vendos fronin tim. «Do të ngjitem përmbi retë». Natyrisht, dihet se Perëndia është përtej këtij përshkrimi. Kjo është një shprehje, do të thoshim, antropomorfike. Një aeroplan shkon përmbi re. Nëse ngjitem në një mal, në një majë të lartë, retë ndonjëherë janë më poshtë se maja. Gjithsesi është një shprehje për të treguar lartësinë e Perëndisë: se Perëndia është Ai që «ecën mbi krahët e erërave», Ai që ecën mbi retë e qiellit e kështu me radhë. Është shprehje e madhështisë hyjnore. Këtu, pra, shohim se djalli kërkon, engjëlli i rënë, të ngjitet përmbi retë. «Do të jem i ngjashëm me të Lartin». Dhe do të jem, thotë, i ngjashëm me Perëndinë. Por menjëherë, prerë, libri i Isaisë thotë: «Por tani do të zbresësh në hadh dhe në themelet e dheut». Këto që mendoi, pra, tani, madje teksti i shenjtë as pikë nuk vë në këtë fjali, për të treguar sa e menjëhershme ishte: vetëm sa e mendoi ylli i mëngjesit, dhe ra. Dhe ra, zbriti deri në hadh, deri, thotë, në vetë themelet e dheut. Është, do të thoshim, astronomia hebraike e asaj kohe, kur flisnim për themelet e dheut, domethënë në skajin e kundërt të qiellit. Në skajin e kundërt të qiellit.
Dhe, pra, meqë djalli u ngulit përfundimisht në ligësi —sepse djalli, të dashurit e mi, nuk ra as në kurvëri, as në grykësi, as në argjenddashje; si shpirt nuk është e mundur të bjerë në këto— ai ra në një mëkat krejtësisht shpirtëror: në krenari. Dhe që atëherë, i ngulitur në krenarinë e tij, në mëkatin e tij, në shkallën më të lartë, përpiqet të krijojë, si rival i Perëndisë, një besim fetar; të ketë priftërinj, të ketë edhe ndjekës, besnikë, adhurues. Dhe, të themi të vërtetën, e vërteta është e tmerrshme, djalli ia del mbanë. Tjetër çështje është se, në fund, bashkë me të gjithë ndjekësit e vet, do të përfundojë në ferrin e zjarrit. Por, për fat të keq, ia del mbanë. Herë pas here kanë ekzistuar njerëz që e kanë adhuruar djallin: kainitët, një herezi e viteve të para të krishtërimit, satanistët e viteve të fundit. Madje dëgjoni çfarë justifikimi kanë satanistët. Dëgjoni dhe tmerrohuni, ju lutem. Thonë se Perëndia nuk ka nevojë për adhurim, sepse, duke qenë i mirë, nuk ka nevojë ta zbusim apo t'i lutemi. Ndërsa djalli, si i keq, duhet zbutur. Prandaj duhet t'i kushtojmë vëmendje, ta adhurojmë. Çfarë janë këta satanistë! E kuptoni, pra, se magjia ka këtë: domethënë, të shohim se ka një thellësi teologjike. Nuk është thjesht një gjendje sharlatanizmi, siç shfaqet te disa magjistarë të lagjes ose të qytetit tonë, por ka thellësi.
Magjia ndahet në dy degë: në magji të bardhë dhe në magji të zezë. Besoj se të gjithë do të keni dëgjuar për magjinë e zezë. Kur duam ta cilësojmë dikë që është zhytur thellë në mëkat ose që përdor metoda shumë të errëta për të arritur diçka, themi: «Ky njeri është i magjisë së zezë». Magjia e bardhë gjoja përpiqet t'u sjellë njerëzve diçka të dobishme, qoftë shpirtërore, qoftë materiale. Ndërsa në magjinë e zezë, magjistari, duke u përpjekur të ngopë pasionet e veta të pangopshme, përdor edhe vetë krimin. Përdor edhe vetë krimin. Pra, ndryshimi i magjisë së zezë nga magjia e bardhë është se e zeza përdor pa ngurrim edhe vetë krimin, domethënë vrasjen, krimin. Natyrisht, kufijtë midis magjisë së zezë dhe asaj të bardhë nuk janë gjithmonë të qartë. Sidoqoftë, ky është një tipar që i dallon.
Një prerje nga gazeta «Vradini», 16.6.67. Do t'ju lexoj të gjithë titullin: «Vranë një foshnjë dhe i hëngrën zemrën. Bashkëpunëtorë edhe prindërit e saj». «U zbulua kufoma e një fëmije trevjeçar, të vrarë gjatë një ceremonie fetare» —domethënë magjike— «në një fshat që ndodhet pesëqind kilometra në veri të Lomesë. Lajmin e boton gazeta The Press. Sipas korrespondentit vendor të gazetës, vrasësit, mes të cilëve përfshihen edhe prindërit e viktimës, pranuan se e hapën kufomën e fëmijës së therur dhe i nxorën zemrën. Gazeta shton se vrasësit spërkatën me gjakun e viktimës së vogël simbolet, ndërsa hoqën e hëngrën zemrën, pasi e poqën së bashku me bimë». Pra, magjia ndahet në këto dy lloje, në këto dy kategori.
Le të ecim pak më tej, që të marrim një ide se si dikush bëhet zyrtarisht magjistar. Natyrisht, jo të gjithë njerëzit mund të bëhen magjistarë. Ka, do të thoshim, njerëz të posaçëm për këtë punë. Disa individë neurotikë, disa njerëz me imagjinatë të sëmurë janë ata që përzgjidhen si viktima për t'u bërë një ditë magjistarë. Vjen një fshatar i mjerë nga një fshat, madje nga një fshat i yni. I mjerë. Dhe vjen e na thotë në Mitropoli se sheh ëndrra dhe vegime, se Hyjlindësja i tha këtë, i tha atë e kështu me radhë. Ky njeri është i pushtuar nga demoni. Ky njeri është i përshtatshëm, është i gatshëm, domethënë, edhe për magji. Fakti që nuk e ushtroi magjinë është çështje tjetër. Gjithsesi është një njeri i sunduar nga demonët. Çfarëdo që t'i thoni, nuk kupton. Do të thotë ato që thotë ai vetë. Pikë. Pra, çdo magjistar është viktimë e djallit, një njeri i sunduar nga demonët.
Përkushtimi i magjistarit në magjinë e mirëfilltë është i tmerrshëm. Magjia ka një tipiko shumë të ndërlikuar. Se është fe, e shohim edhe nga kjo pikë. Ashtu si çdo fe ka tipiko, adhurim: për shembull, në Liturgjinë Hyjnore, në këtë çast do të dal nga dera veriore, do të mbaj Ungjillin, do të bëj Hyrjen e Vogël, do të hyj brenda. Çfarë është kjo? Tipiko. Sot do të psalim këtë, nesër do të psalim atë: tipiko është kjo. Kështu, pra, edhe magjia ka tipikonë, rregulloren, radhën e vet. Brenda një tipikoje shumë të ndërlikuar, shihni si bëhet dikush magjistar. Duhet të qëndrojë në një gropë për disa ditë, i lidhur me kufomën e një njeriu që do ta ketë vrarë vetë, në magjinë e zezë, dhe duhet të jetë i lidhur drejtpërdrejt, trup me trup e gojë me gojë. Natyrisht, pas kësaj prove, ky njeri del me gjendje ekstaze, me një imagjinatë shumë të sëmurë. Këtu mund të themi që edhe një njeri normal do të çmendej patjetër. Nën ndikimin e këtyre gjendjeve, ky magjistar është tashmë gati të vijë në kontakt me djallin.
Duhet të themi edhe dy fjalë se si bëhet një ceremoni magjike. Së pari përcaktohet koha, pastaj vendi. Koha zakonisht është një ndërprerje e çdo veprimtarie profane. Çfarë është kjo ndërprerje e çdo veprimtarie profane? Kur njerëzit punojnë, kur lëvizin këtej e andej, kjo konsiderohet veprimtari profane. Duhet, pra, të ketë edhe qetësi. Kur gjendet kjo qetësi? Natën dhe veçanërisht në mesnatë. Ose edhe në agim. Ose në disa net të caktuara sipas hënës. Si vende zakonisht zgjedhin varrezat, ujërat e ndenjura, vende mbeturinash, ndërtesat e rrënuara, pyllin dhe, në përgjithësi, zonën e pabanuar.
Do të tregoj se çfarë bën më pas një magjistar ose një magjistare. Madje atë Vasilopulosi përmend një rast në një libërth të tij, «A ekzistojnë magjitë?» —ky është titulli— të cilin jua këshilloj ta lexoni; do të tmerroheni kur ta lexoni. Ka gjëra të frikshme aty brenda. Përmend se dikur një njeri që kishte shkuar tek ai për t'u rrëfyer i kishte treguar se shkoi te një magjistare dhe i foli për një çështje të vetën. Ajo pranoi sigurisht dhe se do të shkonte në mesnatë për të bërë magjitë e veta. Ai, mosbesues, i tha se do të shkonte edhe vetë për të parë. Ajo kundërshtonte, ai këmbëngulte. «Mirë», i thotë ajo. Shkuan në një vend atje, natën, në mesnatë. Bëri një rreth në tokë. Ky rreth quhet «shenjtërim». Domethënë, kufizohet në atë vend, sepse gjithë vendi tjetër konsiderohet profan. Natyrisht, ky vend, i «shenjtëruar» në mënyrë djallëzore, është tani për djallin. Atje do të bëhet takimi i njerëzve me djallin. U zhvesh krejt, hyri brenda rrethit dhe filloi të bënte lëvizje të ndryshme e magji. Ai qëndronte aty anash dhe qeshte me marrëzinë. Kur, befas, sheh disa hije të zeza si mace të binin nga lart brenda rrethit. Njeriu u tremb kaq shumë. Madje atje, siç e tregon Atë Vasilopulosi, thotë: «Thashë, mor njeri, të gjitha lutjet "Ati ynë", të gjitha lutjet që dija, që të shpëtoja nga kjo histori». Dhe u zotua që të mos shkonte kurrë më te ndonjë magjistar a magjistare.
Një rast tjetër ma tregoi një ushtar brenda dhomës së Spitalit 404. Ai ishte athineas; në një lagje, në një periferi të Athinës, ia kishin dhënë me qira katin e sipërm të shtëpisë së tyre një gjermani, i cili jetonte në Greqi që përpara luftës. Para viteve 40'. Dinte shumë mirë greqisht. Gjermani merrej me magji. Madje i kishte treguar mjaft gjëra edhe këtij greku, ushtarit që takova, dhe donte ta fuste edhe në spiritizëm. Sidoqoftë, një mbrëmje e mori me vete në një takim, do të thoshim, magjik. Dolën jashtë periferisë, në një përrua të thatë. Gjermani mbante në duar edhe librin e magjisë. Madje, meqë edhe unë mbaj një [libër] magjie —është ky që kam në duar, do t'jua tregoj më pas— ai e mbante në duar dhe shkuan atje, te shtrati i përroit të thatë, në breg, për ta lexuar. U ulën. E hapi dhe lexonte, pa u dëgjuar. Qetësi absolute. Dinak, e shihni. Pas pak i thotë: «A i sheh që po vijnë?» «Çfarë?» thotë ushtari. «Nuk shoh askënd». «Mirë, rri këtu». U ngrit dhe shkoi më tutje. Pas pak u kthye. «Hajde të ikim». U nisën, u kthyen në shtëpi. -Natën e mirë! -Natën e mirë! Pa shumë fjalë. Ditën tjetër në mëngjes e thërret këtë djalë të ri në katin lart. Ngre këmishën e tij dhe i thotë: «A ma sheh shpinën?» Ishte bërë blu. Shpina e tij ishte nxirë nga goditjet. Për ty i hëngra këto: «Mbrëmë, kur shkova atje ku të thashë, zotëria im, djalli, më tha: "Këtë pse e solle me vete?" Dhe më rrahu. Më rrahu». Të dashurit e mi, nuk janë përralla. «Si e ke emrin?» A nuk ia tha këtë Krishti të demonizuarit? Dhe i demonizuari u përgjigj: «Legjion». Dhe i demonizuari ishte nën pushtetin e djallit. Nën pushtetin e tij. Pra, shohim se një takim magjik, një ceremoni magjike, është diçka e tmerrshme, diçka e frikshme. Ndonjëherë bëhen edhe orgji.
Megjithatë, le t'ju them edhe dy fjalë për materialet që përdor magjia: thonj të prerë, jashtëqitje, mjaltë, dyllë, ngjitës, allçi, dhé nga të vdekurit, papastërti, gozhdë e gjilpëra, kockëz lakuriqi nate, gjak njeriu a kafshe, kockë gjarpri, lëkurë gjarpri, lëkurë bretkose e kështu me radhë.
E tregoja edhe në ciklin e vitit të kaluar, por do ta përsëris, meqë erdhi edhe kjo temë. Një vajzë më solli në kishën e Shën Stilianit një ikonë. Ishte Shën Pandeleimoni, ikonë e vogël prej letre, e shtypur me ngjyra, me kornizë e xham dhe nga pas letra e ngjitur mirë e mirë, siç e vendosin kornizuesit. Dhe meqë isha i zënë, i them: «Lëre sipër, te vendi i psaltit. Do ta vendos unë më vonë në altar ikonën». Ajo iku. Kur ikën ata që po rrëfeheshin, pas mesnatës, e mora ikonën për ta vendosur brenda në hierore, siç po e rregulloja, ndjeva diçka të fryrë nga prapa. Dhe meqë, t'ju them, më lindi dyshimi nga të gjitha këto gjëra —kam parë shumë gjëra— ia grisa letrën e prapme ikonës. Dhe gjeta një shami, brenda së cilës ishte mbështjellë një lakuriq nate i tharë, si edhe gjak. Natyrisht, jo nga lakuriqi i natës. Askush nuk mund të dijë prejardhjen e këtij gjaku. Dhe tani ajo kërkonte që unë ta vendosja këtë gjë brenda në hierore, që ikona të «qëndronte gjatë Liturgjisë». Do të themi më poshtë ç'do të thotë kjo. Pasi të kishte qëndruar gjatë Liturgjisë, ajo do ta merrte më pas këtë lakuriq nate. Asaj nuk i interesonte ikona. Ikona do të shërbente si mjet që lakuriqi i natës të hynte në hierore. Do ta merrte lakuriqin e natës dhe, siç duket, do ta përdorte për magji.
Siç kishte theksuar vetë Atë Mitilineos, rrëfimi i shpeshtë dhe vigjilenca shpirtërore mbeten mbrojtja kryesore e besimtarit kundër këtyre ndikimeve; për këtë arsye, udhëzuesi shpirtëror për pendimin dhe rrëfimin e mëkateve i botuar nga UGO vazhdon të jetë një pikë referimi për besimtarët orthodoksë.
Edhe një rast tjetër ndodhi në kishën e Shën Stilianit. Edhe këtë jua kam treguar, por meqë ndoshta nuk ua kam thënë të gjithëve, po e përsëris. Kisha mbajtur edhe datën. Shkova përsëri për rrëfim dhe gjeta dy gra që mbanin dy qirinj, të ndezur, atje pranë ikonostasit. Por kur hyra brenda, kisha ishte mbushur me tym. Dhe nuk kishte gjë më të neveritshme se ai tym, që vinte si erë pëlhurash të djegura. «Çfarë po bëni?» i pyes. «Ja, ndezëm një qiri». «Çfarë qiriu është ky, moj zonja? Pa të shoh çfarë është kjo gjë». U afrova më shumë. Sigurisht që nuk ishin qirinj. Ishte pëlhurë nga këmisha, nga pantallonat, kush e di; gjithsesi, pëlhurë nga një fustan. Dhe e kishin kapur me dyllë kështu. Kjo gjë, e madhe, ishte një send i trashë, i punuar pa kujdes. Dhe digjej si pishtar, si pishë, dhe nxirrte tym të zi. Doni të dini çfarë ishte ajo që digjnin? Me sa duket, pëlhura e ndonjë viktime. Domethënë, po ta themi shkoqur: «Siç shkrihet qiriu dhe digjet tani kjo copë». Nuk janë të paktë njerëzit që gjejnë diçka të prerë nga rrobat e tyre. Kështu të digjet edhe Jorgo, Maria dhe Petro etj. Bëhen këto, apo jo? Bëhen.
Natyrisht, për këtë çështje të magjisë do të flasim edhe herën që vjen, por le të themi ende diçka për magjinë e organizuar. Do t'u lutesha dy fëmijëve të sillnin shpejt dërrasën. Dy fëmijë. Ky që mbaj në duar është një libër që quhet «Shkencat e fshehta». «Shkencat e fshehta» është i Pol Zhagosë. Duhet t'ju them se shumë libra të Pol Zhagosë qarkullojnë në treg. Qarkullojnë në treg. Ato që flasin për fuqinë e vullnetit. Dhe ta dini se ai është okultist, duhet t'jua them, është magjistar. Pra, ky është një nga librat e tij. Siç do ta shihni ka nga njëra anë një skelet, nga njëra anë ka një magjistar dhe yllin me pesë cepa, pentagramin e njohur të përmbysur. Është ylli me pesë cepa, që quhet pentagram, i përmbysur, me një cjap në mes. Ky pentagram, i cili është hebraik, është simboli ndërkombëtar i okultizmit, por edhe i masonerisë. Dhe çfarëdo sajese tjetër të errët që ekziston në këtë botë e ka këtë pentagram si simbol. Ky pentagram ka këtu cjapin, brirët e tij. Çfarë do të thotë? Mbizotërimi i kafshës, i instinkteve, i forcave të errëta. Nëse vizatojmë në dërrasë pozicionin e kundërt të simbolit. Dallohen koka e njeriut gishtat dhe këmbët e tij. Pra e kundërta është njeriu llogjik. Pra bisha dhe instiktet janë të kundërta me njeriun llogjik, Magjia është e përbërë nga simbolet.
Në vitin 1876, në Bavari, atëherë kur Gjermania ende nuk ishte bashkuar, ekzistonin shumë organizata të fshehta, shoqata e të tjera. Policia donte gjithmonë të dinte çfarë ndodhte, sepse shumë herë ato kishin karakter revolucionar. Ende, e përsëris, Gjermania nuk ishte e bashkuar; ishin shtetet e vogla. Dikur, pra, policia ndërhyri kundër një organizate të tillë të fshehtë, veprimtaria e së cilës zhvillohej edhe brenda mjediseve universitare, dhe në shtëpinë e udhëheqësit të saj, mes shumë gjërave të tjera të çuditshme, zbuloi edhe një sallë të lyer krejtësisht në të zezë. Krejt e zezë, me bojë të zezë. Në murin e kësaj salle të zezë kishte një dorë, kishte një yll dhe këtu një dorë që mbante pentalfën, pentagrammën. Poshtë kishte shkronja të tilla. T'jua tregoj. Policia nuk mund të kuptonte asgjë nga shkronjat. Edhe disa anëtarë të tjerë të kësaj organizate të fshehtë asgjë, askush nuk tregonte. Pas disa vitesh, një magjistar okultist dha çelësin e interpretimit të atyre shkronjave të çuditshme të cilat formonin një frazë. Domethënë: «Lavdi dhe dashuri për Luciferin. Lavdi dhe dashuri për Luciferin. Urrejtje, urrejtje ndaj Perëndisë. Mallkim, mallkim, mallkim». Urrejtje, mallkim ndaj Perëndisë, lavdi dhe dashuri për Luciferin.
Por, siç e kuptoni, tema është shumë interesante dhe duhet të vazhdojmë edhe herën që vjen. Herën që vjen do të flasim më tej për mënyrën se si bëhet një marrëveshje satanike, siç na e përshkruan ky libër që quhet «Solomonika». Tani, ku i gjeta? I kërkova, i gjeta. Dhe do t'ju lexoj prej këtu disa gjëra. Më pas do të shohim edhe shumë të tjera, të cilat besoj se tani na interesojnë, sepse të shumë janë vëllezërit tanë, edhe duhet t'ju them se magjia është një mëkat kaq i rëndë, sa konsiderohet mosbesim i pastër dhe blasfemi kundër Perëndisë së vërtetë. Pra, herën që vjen, këtë do t'ju them në fillim.
Lexo gjithashtu
Atë Kosta Baxhaka, prifti i Zervatit që ruajti besimin në përndjekje
Dëshmia e Atë Kosta Baxhakës nga Zervati i Dropullit për frikën, varfërinë dhe rikthimin në kishë pas viteve të ndalimit.
Ish-pastori luteran shpjegon pse u bë prift ortodoks
Ai thotë se mungesa e vazhdimësisë apostolike në Luteranizëm e shtyu drejt Ortodoksisë, ku gjeti shpresën dhe qetësinë për shërbesën e tij priftërore.
Misticizmi dhe bashkimi me Perëndinë në mendimin e Kryepiskopit Anastas
Lutja, kthjelltësia shpirtërore, liria nga pasionet dhe dashuria në rrugën e njeriut drejt bashkimit me Perëndinë.
Jerond Efremi rrëfen kujtime për Kryepiskopin Anastas
Në Takimin e 5-të Ndërortodoks Murgëror në Lefkadhë, jerondi i Vatopedit kujtoi përulësinë, lutjen dhe shërbimin e Kryepiskopit Anastas të Shqipërisë.
Atë Kosta Kotnani, prifti i Korçës nga përndjekja te rihapja e kishave
Jetim që në fëmijëri, ai ruajti besimin gjatë përndjekjes dhe më 6 janar 1991 kreu Bekimin e Madh të Ujit në Korçë.
O At, ty të ndjekin mijëra, por ti kë ndjek?
Një reflektim mbi rrezikun e famës në rrjetet sociale dhe rëndësinë e dashurisë së vërtetë për Krishtin te priftërinjtë sot.