Në Voskopojë u kremtua Lindja e Shën Joan Pagëzorit
Në Manastirin e Shën Joan Prodhromit në Voskopojë u kremtua me madhështi dita e kujtimit të lindjes së këtij shenjtori, të cilit i është dedikuar ky manastir historik.
Meshën e udhëhoqi Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij, imzot Anastasi, i cili për herë të parë meshoi në këtë manastir si Mitropolit.
Në fjalën e tij Hirësi Anastasi tha:
“Vëllezër dhe motra,
Në traditën e krishterë nuk është e zakonshme që të festojmë ditëlindjen. Në botën e mëparshme mbizotëronte një zakon i tillë. Siç e dimë edhe nga historia e prerjes së kryes së Shën Joan Pagëzorit, kjo ndodhi pikërisht në ditëlindjen e Irodit. Pra, një traditë e tillë ekzistonte, por në krishterim ajo nuk u rrënjos. Përkundrazi, nuk iu dha rëndësi e madhe.
Aq shumë filloi të zbehej kjo traditë, saqë arkeologët thonë se të krishterët e parë e quanin ditë të lindjes së tyre ditën e pagëzimit. Në arkeologji janë gjetur varre të hershme, ku ishin shënuar mosha si 12 vjeç ose 7–12 vjeç. Kur janë hapur ato varre, brenda janë gjetur eshtra njerëzish në moshë madhore, madje edhe në moshë të kaluar. Më pas, përmes krishterimit, u shpjegua kjo dilemë: njerëzit shënonin mbi varrin e tyre moshën që nga dita e pagëzimit. Pra, ata quanin lindje të tyre lindjen shpirtërore, lindjen në Mbretërinë e Perëndisë, lindjen brenda Kishës.
Më vonë, në kohën e përndjekjeve, të krishterët filluan të festonin një tjetër lindje: ditën e martirizimit të martirëve. Kjo ishte dita e kalimit të tyre nga kjo botë në Mbretërinë e Perëndisë. Edhe në ditët tona, kur kremtojmë shenjtorë si Shën Gjergjin, Shën Dhimitrin dhe shumë të tjerë, çfarë kremtojmë? Kremtojmë ditën në të cilën ata u martirizuan. Martirizimi i shenjtorëve quhej një lindje e re për ta. Quhej kalim nga jeta tokësore, mëkatare, me vuajtje, me dhimbje e psherëtima, në Mbretërinë e Perëndisë, atje ku, siç thotë Kisha, nuk ka më as vuajtje, as dhimbje, as psherëtimë, por vetëm jetë të pasosur dhe gëzim të pafund për të gjithë ata që jetojnë me Perëndinë dhe shikojnë shkëlqimin e fytyrës së Tij.
Por në traditën e Kishës sonë kremtojmë vetëm tri lindje. Kremtojmë lindjen e Zotit tonë Jisu Krisht, ashtu siç e festojmë në ditën e Krishtlindjes. Kjo festohet sepse, me plotësimin e kohës, ishte vetë Perëndia që lindi në formë njerëzore, mori trup njerëzor dhe erdhi për shpëtimin e botës. Pra, nuk është një lindje e zakonshme.
Kremtojmë gjithashtu lindjen e dy personave të tjerë, të cilët patën rol kyç në misionin e shpëtimit të njeriut, në ekonominë e Perëndisë për shpëtimin tonë. E para është lindja e Hyjlindëses së Tërëshenjtë, të cilën, siç e dini, e kremtojmë më 8 shtator. Ajo ishte personi përmes së cilës Perëndia mori trup njerëzor. Ajo ishte njeriu që i dha trup dhe emër Perëndisë. Ajo ndihmoi dhe përfaqësoi gjithë natyrën njerëzore në veprën e madhe të shpëtimit.
Ajo, në emrin tonë, në emrin e të gjithëve, në emrin e gjithë natyrës njerëzore, të atyre që kishin jetuar para saj dhe të atyre që do të jetonin pas saj, tha: “Ja shërbëtorja e Zotit, le të më bëhet sipas fjalës sate.” Në këtë mënyrë, përmes saj, edhe ne të gjithë pranojmë të bëhemi pjesë e ekonomisë së Perëndisë për shpëtimin tonë. Sepse secili prej nesh, nëse nuk e thotë këtë “po”, nuk bëhet pjesë e veprës së ekonomisë së Perëndisë. Pra, kjo është në dorën tonë.
Personi tjetër, lindjen e të cilit kremtojmë, është Shën Joan Pagëzori, lindjen e të cilit e kremtojmë sot. Pse e kremtojmë lindjen e tij? Sepse ai ishte njeriu që parapriu Zotin. Prandaj edhe e quajmë Pararendës. Ai ishte ai që e pararendi, ai që përgatiti udhën nëpër të cilën do të vinte Zoti Jisu Krisht.
Meqenëse kjo e kremte zakonisht nuk bie gjithmonë të dielave dhe nuk kemi mundësi të flasim gjatë Liturgjisë për të, ata që marrin pjesë në kishë në ditë jave mund të dëgjojnë diçka më shumë për këtë ngjarje. Le të flasim, pra, për personalitetin dhe figurën e Shën Joan Pagëzorit.
Ai ishte, siç thonë Etërit e Kishës, vula e Dhiatës së Vjetër dhe fillimi i Dhiatës së Re. Ishte profeti i fundit i Dhiatës së Vjetër dhe erdhi në një kohë kur, për rreth katërqind vjet, nuk kishin dalë më profetë në popullin e Izraelit. Ai është i fundit i profetëve të Dhiatës së Vjetër dhe, në të njëjtën kohë, i pari që qëndron në pragun e Dhiatës së Re. Ai është shenjtori i parë i Kishës, le të themi, sepse është ai që thërriste: “Pendohuni, sepse u afrua Mbretëria e Qiejve.”
Një nga karakteristikat e tij më të mëdha është përulësia. Shikoni si flet ai për veten e tij. Ai thotë: “Nuk jam unë ai që prisni. Ai që vjen pas meje është më i madh se unë, dhe unë nuk jam i denjë t’i zgjidh rripin e sandaleve të këmbëve të Tij.” Ai thotë: “Unë jam zëri që thërret në shkretëtirë.” Thotë gjithashtu se nuk është ai dhëndri; dhëndri është ai që ka nusen. Me këto fjalë i referohet Krishtit.
Ai nuk u quajt vetëm profet, por u quajt edhe Pararendës, sepse jetoi në të njëjtën kohë me Krishtin. Ai jo vetëm që e profetizoi Krishtin, por edhe e tregoi Krishtin: “Ja Qengji i Perëndisë, që ngre mëkatin e botës.” Ai e tregoi Krishtin në momentin e pagëzimit, kur Zoti u afrua në lumin Jordan për të përmbushur edhe Ai ligjin dhe rregullin e asaj kohe, sipas të cilit njerëzit shkonin tek Joani në Jordan dhe pagëzoheshin.
Shën Joani është gjithashtu modeli dhe tipi i gjithë etërve shpirtërorë që kemi sot në Kishë. Pse? Sepse, nëse e keni vënë re, njerëzit shkonin në lumin Jordan jo vetëm për t’u pagëzuar, por edhe për t’u rrëfyer. Futëshin në ujë dhe, në atë moment, fillonin të thoshin mëkatet e tyre: “Kam bërë këtë, kam bërë atë, kam shkelur këtë ligj.” Vetëm pasi i thoshin të gjitha këto, Joani i pagëzonte.
Nëse e keni vënë re, kur kremtojmë Theofaninë, ungjillori na thotë se kur Krishti hyri në ujë, doli menjëherë prej tij. Fjala “menjëherë” ka rëndësi. Kur i kushtojmë vëmendje fjalëve të Shkrimit të Shenjtë, mund të mësojmë gjëra të reja. Pse doli menjëherë Krishti nga uji? Sepse nuk kishte mëkate për të treguar. Nuk kishte mëkate për të rrëfyer tek Joan Pagëzori.
Kjo është një nga veçoritë e tjera të Shën Joan Pararendësit: ai është simbol dhe model mbi të cilin etërit shpirtërorë të Kishës kanë ndërtuar dhe vazhdojnë të ndërtojnë shërbesën e tyre. Ai nuk ishte një atë shpirtëror i butë në kuptimin e dobësisë. Ishte një zë që thërriste, një zë që qortonte, një zë që i tundte njerëzit dhe u thoshte se nuk jetonin ashtu siç duhej.
Një tjetër karakteristikë e tij ishte guximi që kishte. Ai ishte nga ata udhëheqës shpirtërorë që nuk stepen përpara të fuqishmëve të kohës së tyre. Nuk përpiqej të ishte “politikisht korrekt”. Nuk shikonte kush ishte përpara tij për të thënë: “Më mirë të mos flas, se mos më keqkupton filani apo tjetri.” Jo. Ai thoshte gjithmonë të drejtën dhe të vërtetën.
Edhe neve Shkrimi i Shenjtë na porosit të themi gjithmonë të vërtetën, por me dashuri. Këtë na e thotë Shën Pavli: të themi të vërtetën me dashuri. Dashuria nuk kuptohet nga sa e zbusim atë që themi, apo nga sa e rrotullojmë fjalën për të mos e thënë drejtpërdrejt. Dashuria duket te arsyeja përse e themi atë që themi. E themi për ta qortuar tjetrin, për ta kritikuar, për ta dënuar, apo për ta ndërgjegjësuar dhe për ta ndihmuar të korrigjohet?
Këtë duhet ta kemi gjithmonë në mendje sa herë që themi diçka për dikë tjetër ose ia themi vetë atij. Përse e themi? Kjo na e zbulon edhe brenda vetes sonë të vërtetën. Sepse shpeshherë nuk e themi për ta korrigjuar tjetrin, por sepse gëzohemi për mëkatin e tij dhe gjejmë rast për të bërë biseda të papërshtatshme me të tjerët, duke e gjykuar atë. Por e vërteta duhet thënë me dashuri. Dhe dashuria duket në faktin se e themi me dhimbje, ia themi tjetrit me dhimbje dhe në mënyrë që ai të ndërgjegjësohet dhe të korrigjohet si person.
Shën Joan Prodhromi ka edhe shumë karakteristika të tjera, por nuk dua të zgjatem, sepse edhe temperaturat janë të larta tani. Secili prej nesh le të gjejë te vetja mënyrën për ta marrë atë si shembull. Mbi të gjitha, do të doja që ta imitonim në faktin se ai ishte Pararendës i Zotit Krisht. Ashtu si ai ishte Pararendës i Zotit Krisht në kohën kur Krishti erdhi fizikisht në tokë, në një farë mënyre secili prej nesh mund të bëhet pararendës i Krishtit, në mënyrë që Krishti të vijë brenda nesh.
Duke ndjekur modelin e tij, duke ndjekur pendimin, këshillat e tij, rrëfimin dhe përulësinë që ai vetë e jetoi i pari, ne pastrojmë zemrën tonë. Heqim ferrat dhe shkurret e mëkatit që kanë zënë rrugën, nëpërmjet së cilës Krishti do të hyjë brenda nesh.
Kur të puthim sot ikonën e lindjes së Shën Joan Pagëzorit, nga ky moment le të kemi në mendje fjalët e tij: “Pendohuni, sepse u afrua Mbretëria e Qiejve.” Në këtë mënyrë, duke u penduar, duke ndryshuar rrugën tonë, duke shuar në zemrën tonë atë që pengon ardhjen e Krishtit, me shembullin e Shën Joanit, do të bëhemi edhe ne pararendës të Krishtit, që Ai të hyjë në zemrën tonë.
Gëzuar dhe për shumë vjet!”
Lexo gjithashtu
Nis Kampi Veror me temën "Krishti, Bariu i Mirë"
Fëmijët e ndarë sipas grupmoshave kaluan nëpër stacione mësimore ku zbuluan dashurinë e Zotit si Bari i Mirë, në një kamp pesëditor.
Kisha e Shën Aleksandër Nevskit në Odesa u mor më 23 qershor
Incidenti në Odesa nxiti akuza për dhunë, transferim të paligjshëm dhe sfida ligjore nga eparkia vendore
Në Voskopojë u kremtua Lindja e Shën Joan Pagëzorit
Mitropoliti i Korçës, imzot Anastasi, meshoi për herë të parë si mitropolit në Manastirin e Shën Joan Prodhromit. UGO ishte atje
Kisha ortodokse kremton Lindjen e Joan Pagëzorit më 24 qershor
Profeti i fundit i Dhiatës së Vjetër dhe pararendësi i Krishtit nderohet sot gjatë Kreshmës së Apostujve, që zgjat nga 8 deri më 28 qershor.
Mitropoliti Nathanail kremtoi Liturgji në Paraklisin e ri të Shën Joanit në Sarandë
Paraklisi i ri i kushtuar Shën Joan Pararendësit u inaugurua solemnisht në Sarandë dhe shërbesat u kremtuan aty për herë të parë më 24 qershor 2025.
Patriarku Teofil hap klinikë në Gazë për viktimat e luftës
Klinika e Urdhrit të Maltës, e hapur me mbështetjen e dy patriarkëve, do të shërbejë rreth 100 pacientë në ditë.