28 katikumenë pagëzohen në kishën e Shën Nikollës në Flushing, Nju Jork
Kryepeshkopi Elpidhoforos i Amerikës kryesoi pagëzimin dhe mirosjen e fëmijëve e të rriturve, fryt i punës misionare në mesin e diasporës afrikane.
Njëzet e tetë katikumenë u pranuan të dielën e kaluar në Kishën Ortodokse përmes Pagëzimit të Shenjtë dhe Mirosjes, në kishëne e shenjtë ortodokse të Shën Nikollës në Flushing, Nju Jork. Sipas fjalës së plotë të Kryepeshkopit Elpidhoforos në faqen e Kryedioqezës Ortodokse Greke të Amerikës, shërbesën e kryesoi Kryepeshkopi Elpidhoforos i Amerikës.
Pagëzimet ishin kulmi i punës misionare të prirë nga At Samuel Davis dhe Arkimandriti Hrisostom Oniekakeiah, drejtorë të Misionit Apostolik për Diasporën Afrikane në Amerikë, Indisë Perëndimore dhe Karaibeve. Shërbesa e tyre synon t'u sjellë besimin ortodoks komuniteteve të ndryshme, sidomos pjesëtarëve të diasporës afrikane dhe emigrantëve afrikanë. Përmes kujdesit pastoral, katekizmit dhe punës me komunitetin, ata kanë ndërtuar rrjete misionare që mirëpresin kërkues nga prapavija të ndryshme.
Në fillim të shërbesës, dy priftërinjtë i prunë katikumenët në narteks, ku ata dëshmuan përkushtimin ndaj Krishtit. Kryepeshkopi thirri Frymën e Shenjtë mbi ujërat e pagëzimit, e vajosi ujin dhe zhyti çdo katikumen tri herë. Më pas e vulosi secilin me dhuratën e Frymës së Shenjtë në Mirosje, dhe të sapopagëzuarit morën Kungimin e tyre të parë. Të veshur me petka të bardha dhe me qirinj në duar, ata u mirëpritën në bashkësi të plotë me Kishën.
Në fjalën e tij, Kryepeshkopi tha se dita pasqyroi misionin themelor apostolik të Kishës: të shkojë dhe t'i bëjë dishepuj të gjitha kombet. «Para syve tanë, kaq shumë shpirtra të dashur u bashkuan me Krishtin dhe u përfshinë në Trupin e Tij të Shenjtë, Kishën», tha ai. Ai u drejtua te të sapopagëzuarit me fjalët: «Kjo është Kisha juaj. Kjo është familja juaj. Ky është shtëpia juaj.»
Shërbesa në Shën Nikollën, famullia e njohur për gjerësinë kulturore dhe rrënjët e thella në komunitet, është pjesë e një prirjeje më të gjerë të kthimit në Ortodoksi në Amerikë. Misioni arrin komunitete në Amerikën e Veriut, Indinë Perëndimore dhe pellgun e Karaibeve. Në Shën Nikollën ai bashkon njerëz të prejardhjeve etnike të ndryshme në një mbledhje të vetme eukaristike.
UGO kishte shkruar më parë për simbolikën e Pagëzimit Ortodoks: veshjen, dritën dhe kryqin, që shpjegon kuptimin e disa prej elementeve të pppamura edhe në këtë shërbesë.
