Në Fier u prezantua monografia e Thoma Shkirës për periudhën komuniste
Në katedralen e Shën Gjergjit, studiues dhe klerikë diskutuan veprën për historinë e Kishës Orthodhokse në Shqipëri gjatë shek. XX.
Monografia historike e autorit Thoma Shkira, "Bashkësia Orthodhokse dhe Shteti Komunist Shqiptar (1944-1990)", u prezantua në ambientet e katedrales "Shën Gjergji" në Fier. Sipas njoftimit të marrë nga redaksia, aktiviteti u drejtua nga Hirësia e Tij, Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Nikolla.
Në prezantim ishin të pranishëm studiues, intelektualë, klerikë, besimtarë, përfaqësues të komunitetit dhe qytetarë. Për përmbajtjen e librit, vlerat e tij dhe punën studimore të autorit folën historiani Ilirjan Gjika, gazetari Mariglen Bita, specialisti i monumenteve të kulturës Thoma Tyto dhe arkeologu Florian Mino.
Në ligjëratat e tyre, referuesit prekën disa nga tematikat kryesore të veprës. Ato lidhen me historinë e Kishës Orthodhokse në Shqipëri gjatë shek. XX, përndjekjen e klerit dhe të besimtarëve dhe luftën e shtetit komunist ndaj Kishës. U përmendën gjithashtu likuidimi i KOASH, përpjekjet për mbijetesë të Bashkësisë Orthodhokse, Kisha e nëndheshme, monumentet e kultit dhe etika ortodokse.
Monografia prezanton para publikut disa nga objektivat e punës studimore të teologut dhe historianit Dr. Thoma Shkira. Të pranishmit dialoguan dhe shkëmbyen mendime me autorin. Në fjalën e tij përmbyllëse, ai u ndal te metodologjia e përdorur, bibliografia, dokumentet arkivore dhe intervistat e realizura në terren.
Nuk është hera e parë që katedralja e Fierit pret aktivitete kishtare e komunitare; kohët e fundit vëmendja ra mbi enorinë e Shën Gjergjit në Fier, e cila zhvilloi një pelegrinazh në Artë dhe Nafpaktos.
