Mitropoliti Nathanail drejtoi Liturgjinë për Shën Llukanë në Gjirokastër
Shërbesat e Mëngjesores dhe Liturgjia Hyjnore u kryen në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në praninë e klerikëve dhe besimtarëve të shumtë.
Mitropoliti i Gjirokastrës, Nathanail, drejtoi të Dielën Shërbesat e Shenjta të Mëngjesores dhe Liturgjinë Hyjnore në kremtimin e Apostullit dhe Ungjillorit të Shenjtë Lluka. Sipas materialit të marrë nga Mitropolia e Hirshme e Gjirokastrës, shërbesat u kryen në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në qytetin e Gjirokastrës.
Në ceremoni merrnin pjesë klerikë dhe besimtarë të shumtë. Dita e së Dielës përkoi me të kremten e shenjtit, të cilin Kisha e kujton çdo vit me nderim.
Kisha e Shenjtë kremton me nderim dhe gëzim apostullin e shenjtë Lluka. Ai ishte bashkëpunëtor i Apostullit Pavlo, ungjillor dhe autor i Ungjillit të Tretë, si edhe i Veprave të Apostujve.
I pajisur me hirin e Shpirtit të Shenjtë, Lluka shpalli mesazhin shpëtimtar të Jisu Krishtit. Me jetën dhe shërbesën e tij ai dëshmoi përhapjen e Ungjillit në botë.
Mitropoliti Nathanail kishte qenë në qendër të vëmendjes edhe më parë, kur kremtoi Liturgjinë Hyjnore në Sarandë.
