Mitropoliti i Beratit Asti: Gratë orthodhokse kanë rol vendimtar në Kishë

Sot 07:45
11
Mitropoliti i Beratit Asti. Foto: UGO Mitropoliti i Beratit Asti. Foto: UGO

Në konferencën e Lidhjes së Grave Orthodhokse, Mitropoliti foli për jetën shpirtërore, shërbimin dhe krijimin e këshillave të gruas në enori.

Mitropoliti i Beratit Asti mbajti një fjalë në Konferencën e Lidhjes së Grave Orthodhokse, ku foli për rolin e gruas në Kishë, jetën shpirtërore dhe mënyrën e organizimit në enori. Sipas videos së publikuar nga Media Ngjallja, e cila është shndërruar në një transkriptim të redaktuar, fjala u mbajt përpara pjesëmarrëseve që do të ndaheshin më pas në grupe pune.

Fjala e Mitropolitit të Beratit Asti. Konferenca e Lidhjes së Grave Orthodhokse. Transkriptim i redaktuar nga video publikuar nga Media Ngjallja.

1. Rigjallërimi i Lidhjes së Grave Orthodhokse

Të gjithë sa jemi mbledhur këtu kemi një rol brenda Kishës, siç edhe priftesha Theano¹ theksoi mjaft mirë rolin e gruas brenda Kishës, por edhe të bashkëpunëtoreve, dhe se kemi shumë gjëra për të bërë e për t’u shprehur në Kishë. Kisha ka lënë hapësirën e vet edhe për gruan. Gruaja në Kishën Orthodhokse mund të ofrojë shumë. Unë nuk do të përsëris pak a shumë mesazhet e shumta dhe të bukura, si edhe kuadrin e bukur që përcaktoi priftesha Theano. Materialin tim e keni të shkruar në një lloj forme skematike, për t’u përqendruar më tepër te pak mesazhe dhe te mënyra organizative: si mund të punojmë në enoritë tona, në famullitë tona, duke u lidhur përqark një këshilli organizativ.

2. Besimi si zbulesë hyjnore dhe jeta në përjetësi

Fillimisht, ajo që ne dimë është se besimi është një zbulesë hyjnore. Ne e besojmë këtë zbulesë hyjnore dhe ajo nuk është një përpjekje e mendjes njerëzore për t’iu afruar Perëndisë. Pra, Perëndia zbuloi Veten e Tij, krijoi botën, krijoi njerëzit, krijoi gjithçka dhe dha mesazhet e Veta. Ne njerëzit jemi ata që përpiqemi ta kuptojmë Perëndinë, këtë zbulesë hyjnore, dhe t’i bashkëngjitemi, ta bëjmë tonën këtë zbulesë dhe të shenjtërojmë veten tonë. Kështu të jemi të bashkuar me Perëndinë, në mënyrë që të jetojmë me Perëndinë. Kisha si familje u shtjellua shumë bukur edhe nga priftesha Theano. Por ne të gjithë jetojmë brenda një kohe, që është koha e tashme dhe ajo e ardhme. Patjetër, tek e tashmja ne jetojmë edhe të shkuarën. Pra, ne jemi në një lloj përmase kohore tredimensionale: e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja. E shkuara ikën vazhdimisht; e tashmja bëhet e shkuar, por është edhe e ardhmja. Ne jetojmë me këtë dimension. Duam apo nuk duam, jemi në ecuri e sipër. Duke marrë pjesë, duke u bashkuar me Perëndinë ose duke komunikuar me Perëndinë, atëherë ne marrim pjesë edhe në një përmasë të përjetshme. Për Perëndinë e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja janë një. Kështu që ne marrim pjesë në këtë përjetësi. Prandaj edhe shumë shenjtorë, siç keni dëgjuar në predikime të ndryshme ose keni lexuar, dinë çfarë është bërë më përpara, dinë çfarë po bëhet tani, por edhe çfarë do të bëhet, duke profetizuar. Pikërisht këtu është edhe roli që ne si njerëz kemi. Pra, ne nuk jemi të kufizuar vetëm në të tashmen. E jetojmë të tashmen, por e jetojmë edhe me një perspektivë drejt së ardhmes. Në fletën që keni marrë, këto janë trajtuar edhe më tepër dhe më mirë.

3. Përgjegjësia jonë brenda dhe jashtë Kishës

Roli që ne kemi brenda Kishës është një rol vendimtar, sepse jemi anëtarë dhe qeliza të Trupit të Krishtit. Trupi i Krishtit, Kisha, është çdo njeri i mbledhur së bashku në të njëjtin besim, duke pasur edhe një funksion brenda saj. Si çdo qelizë: çdo qelizë ka një funksion brenda trupit. Nuk është pa funksion; ka jetën e vet dhe është e lidhur me qelizat e tjera përqark. E njëjta gjë është edhe me besimtarin në Kishë. E njëjta gjë është edhe me gruan orthodhokse. Prandaj kemi një përgjegjësi përbrenda trupit të Kishës, por edhe jashtë saj. Kemi përgjegjësi përbrenda Kishës, për ata që na vijnë në kishë: për t’i mbledhur, për t’i aktivizuar, për t’i njohur më mirë me besimin, për t’i njohur më mirë me doktrinën e Kishës, për t’i ndërgjegjësuar, për t’i zhvilluar si shoqërisht, ashtu edhe familjarisht; për t’u njohur dhe për t’u lidhur miqësisht mes tyre, por edhe për të bashkëpunuar e për të ofruar ndihmën dhe talentet e tyre.

Por ekziston edhe një përgjegjësi tjetër, jo vetëm për ata që na vijnë në kishë, por edhe për ata që nuk po vijnë në kishë. Për ata që, mund të themi në thonjëza, «kanë humbur rrugën» ose, siç themi me një shprehje popullore, «s’e kanë parë derën e kishës», ose «s’e kanë gjetur derën e kishës akoma». Ndërkohë, duan të marrin pjesë kur ka aktivitete të Kishës dhe janë shumë të zellshëm për të marrë pjesë, por të dielave, kur mblidhet Kisha për të adhuruar e për të bashkëpunuar, nuk vijnë. Kemi gjithashtu përgjegjësi edhe për ata që vijnë për herë të parë dhe nuk e njohin besimin, apo për ata që ndodhen vetëm dhe nuk njohin njerëz. Kemi përgjegjësi edhe për ata. Është gabim koncepti që, herë pas here, ne jemi në kishë dhe thjesht duhet të presim. Pra, jemi në një lloj pozite pritjeje, duke pritur të na vijnë, se menjëherë sapo të na vijnë, ne do t’u flasim, do t’u predikojmë, do t’i miqësojmë e të tjera. Nuk është vetëm ky roli ynë. Roli ynë është edhe t’i gjejmë ata, si Krishti me delen e humbur. Nuk priti Krishti derisa të kthehej delja e humbur; shkoi dhe e kërkoi Vetë. Por, kuptohet, duhet të integrohemi, duhet ta njohim mirë besimin, të jemi të koordinuar me klerikët dhe të dalim t’i gjejmë: ku janë ata të krishterë që janë pagëzuar, që nuk po e gjejnë më derën e kishës, që kanë humbur? Ose vijnë vetëm për një interes, ose vetëm për Pashkë dhe Krishtlindje, ndezin një qiri dhe kaq. Apo kanë një zakon tjetër: vijnë ditën e diel në mëngjes, ndezin një qiri dhe ikin, dhe thonë: «Isha në kishë». Vijnë ose në mëngjes herët, ose gjatë Liturgjisë, ose pas Liturgjisë, ose në drekë dhe e quajnë se u bë detyra. E quajnë një lloj detyrimi ose obligimi shpirtëror përpara ndërgjegjes, gjoja për ta përgjumur ndërgjegjen se janë në rregull, sepse erdhën dhe ndezën një qiri.

4. Ecuria personale dhe ushqimi shpirtëror

Kemi gjithashtu përgjegjësi edhe për ecurinë tonë personale. Kuptohet, nga ecuria jonë personale shpirtërore do të burojë edhe fuqia për të vepruar përtej vetes sonë, në lidhje me të tjerët. Për këtë gjë, ne si qenie shpirtërore, si qeliza të Kishës apo të Trupit të Krishtit, duhet të ushqehemi. Për t’u ushqyer duhet të gjejmë ushqimin e duhur. Jo vetëm thjesht ta gjejmë, por duhet edhe të ushqehemi, të vëmë një program. Sepse si do të ushqehemi? Thjesht me një mendim dhe me një fantazi tonën? Nëse ne nuk jetojmë shpirtërisht çdo ditë, siç na porosit Kisha të gjithë anëtarët e saj, dhe nuk e udhëheqim veten tonë rregullisht, është e pamundur të organizojmë e të udhëheqim të tjerët në një jetë shpirtërore dhe në shenjtërim. Shenjtërimi është destinacioni ynë: pra, të bëhemi të shenjtë. Jemi thirrur për t’u bërë të shenjtë, si ata shenjtorë që kemi të pikturuar nëpër muret e kishave tona. Për këtë jemi thirrur, që të shenjtërohemi. Prandaj duhet të ushqehemi.

Tjetër: ndodhemi edhe përpara gjyqit të Zotit dhe të njerëzve, që tani e në përjetësi. Kemi gjykuar veten, por edhe të tjerët po na gjykojnë për pjesëmarrjen tonë apo për ushqimin tonë. Patjetër, kjo ndikon edhe në besueshmërinë tonë si persona në sytë e tyre, por edhe në besueshmërinë e Ungjillit të Krishtit. Ne themi se e besojmë Krishtin. Çfarë dimë ne për Krishtin? Pse e besojmë Krishtin? Çfarë duhet të bëjmë ne, çfarë na udhëzon Krishti? Themi: «Ne jemi të krishterë». Kemi marrë mbiemrin e Krishtit, pra quhemi të krishterë. Çfarë bëjmë ne për ta prezantuar këtë Krisht? Si duhet ta prezantojmë këtë Krisht? Jemi duke e njohur Krishtin? Çfarë thotë Krishti se duhet të bëjmë?

5. Lutja si bisedë me Perëndinë

Nuk mjafton vetëm të kemi informacion për Krishtin, por nevojitet edhe një komunikim i përditshëm. Nevojitet një marrëdhënie që duhet të kemi me Të. Ne duhet t’i flasim Krishtit, por edhe duhet ta dëgjojmë. Pra, duhet të bisedojmë. Biseda nuk është monolog. «Duhet të flas unë dhe kjo është bisedë». Jo, kjo nuk është bisedë. Kjo është: unë po i drejtohem Zotit. Kjo është ajo që rekomandohet vazhdimisht, në mënyrë të përhershme: ne duhet të lutemi. Pra, lutja është: unë i flas Zotit. Si i flas? Do t’i flas duke e lavdëruar, duke e falënderuar, por edhe duke rrëfyer veten time: «Bëra gabime, o Zot, më fal! Bëra këtu, këtu, këto gabime». Kemi edhe kërkesat: «Më fal për gabimet, por ma beko ditën, ma beko familjen, më bëj këtë gjë. Të lutem, më ndihmo këtu; të lutem, më ndihmo për shëndetin ose për shëndetin e familjarëve, ose të gjejë punë një familjar», e të tjera. Hallet janë të shumta, kërkesat mund të jenë të shumta. Në konceptin e të krishterëve, herë pas here, mbetet një fokus pak a shumë i gabuar. Mbetemi te kërkesat dhe harrojmë ta lavdërojmë Perëndinë për shumë gjëra që ka bërë në jetën tonë. Ta lavdërojmë Perëndinë që marrim pjesë në krijesën e Tij, që është gjithë kjo botë e bukur ku ne marrim pjesë. Po marrim frymë, po ushqehemi, po jetojmë: ta lavdërojmë Perëndinë dhe ta falënderojmë. Po kështu, që kemi një familje, kemi një fëmijë, kemi këtë punë e gjërat e tjera, kemi shëndetin, po gdhihemi, po ngrysemi. Sepse mund të ndërpritet edhe ecuria jonë, të mbetemi në atë ditë dhe të ikim nga kjo botë. Nuk e dimë nëse do të ngrysemi përsëri. Edhe këtë gjë nuk e dimë. Pra, kemi shumë arsye për të falënderuar, për të lavdëruar, si edhe për të riparuar veten tonë. Ky është komunikimi ynë me Zotin: vertikalisht i drejtohemi Perëndisë. Por në këtë komunikim, siç thashë, një bisedë nuk është vetëm të flasim ne; duhet edhe të dëgjojmë çfarë na thotë Ai.

6. Dëgjimi i fjalës së Perëndisë

Si do ta dëgjojmë zërin e Perëndisë? Kisha e ka përcaktuar mirë prej shekujsh: të dëgjojmë fjalën e Tij. Ajo që u zbulua është edhe nëpërmjet një libri, që është Bibla. Nuk e ngriti Kisha Biblën, pra nuk e shkroi Kisha, por e mblodhi atë që u zbulua. Nuk ishte tregimi i një personi që mendonte se çfarë është Krishti dhe e shkroi e bëri një tekst të tij. Është ajo që u zbulua në shekuj: dëshira dhe vullneti i Perëndisë nëpërmjet profetëve, nëpërmjet Krishtit dhe apostujve të Tij në vazhdim. Pra, kemi Dhiatën e Vjetër dhe Dhiatën e Re. Përqendrohemi më tepër te Dhiata e Re. Shumë mirë. Dhiata e Re përmban Ungjillin dhe letrat e apostujve. Ungjilli është fjala e Krishtit: ajo që bëri, ajo që tha, porositë që dha. Kështu do ta njohim Krishtin. Kështu Krishti po na flet dhe ne po e dëgjojmë Atë. Pra, lexojmë fjalën e Tij, të shkruar nga ata kronistë, nxënësit e Tij, të cilët shkruan çfarë bëri Krishti; por edhe çfarë do të na thotë Krishti nëpërmjet kësaj historie ku Ai mori pjesë, një shërimi, një pastrimi nga demonët apo udhëzimeve të ndryshme që dha. Fjala e Krishtit është e përjetshme. Nuk është vetëm ajo fjalë që ishte dy mijë vjet përpara dhe që ka efekt vetëm për atë kohë dhe për atë vend ku u tha. Krishti është universal. Ai veproi, foli, u kryqëzua, u ngjall, u ngjit në qiell dhe do të vijë përsëri për të gjykuar botën. Këto janë të vërteta universale që i përkasin në përjetësi besimit tonë. Ne jemi ky brez që po i dëgjojmë. Të njëjtat gjëra kanë dëgjuar edhe brezat më përpara nesh, apo ata që do të jenë pas nesh. Të gjithë janë të ftuar ta dëgjojnë këtë fjalë, sepse kështu do ta njohin Krishtin.

7. Kohë me Zotin çdo ditë

Prandaj nevojitet të kemi një kohë me Zotin. Ky është, mund të themi, ushqimi ynë bazë: kohë me Zotin, ditore. Siç ushqehemi përditë, duhet të ushqehemi edhe nëpërmjet një programi shpirtëror. Në letrat që keni marrë ju kam propozuar, sugjeruar, një program të thjeshtë. Në mëngjes, lutje nga shërbesa e Mëngjesores, 15 deri në 30 minuta. Pastaj lexim sipas kapitujve të Dhiatës së Re, 15 deri në 30 minuta², duke menduar e medituar për ato që lexuam; duke nënvizuar ose duke i shkruar diku: «Më pëlqeu kjo frazë, shumë e bukur». Kujdes, të mos e shkëpusim nga konteksti, por ta kuptojmë siç duhet. «Mora një mesazh nga kjo që lexova dhe dua ta mbaj mend për ditën që po fillon». Kështu ky mesazh bëhet për mua një frymëzim. Në darkë, nga shërbesa e Pasdarkës, dhe vazhdimi i leximit biblik. Nëse kemi një vazhdim, pra kapitullin e parë, në mbrëmje kapitullin e dytë, ditën tjetër në mëngjes kapitullin e tretë, në darkë kapitullin e katërt, kështu vazhdojmë duke lexuar sistematikisht. Por jo vetëm kaq. Nëse na krijohet ndonjë mundësi, gjatë çlodhjes ose një pushimi, mund të lexojmë edhe ndonjë libër: një libër katekizmi, një jetë shenjtorësh, një çështje tematike shpirtërore që mund të na vijë ndër duar, e të tjera. Pra, të gjithë ne kemi mundësi të ushqehemi. Kemi mundësi të komunikojmë me Zotin. Zoti pret jo vetëm lutjen tonë, kërkesën tonë, lavdërimin e falënderimin, por pret edhe nëse do ta dëgjojmë fjalën e Tij. Apo jo? Sepse është ajo që thotë Krishti herë pas here: «Ç’më thërrisni: “O Zot, o Zot”, kur ju nuk bëni fjalën Time?» Atëherë çfarë kuptimi ka? Më thërrisni: «O Zot, o Zot, o Zot!» Herë pas here thua: «Po lutem duke thënë: “O Zot, o Zot”», por vetëm kur kërkon. Nuk kalon një kohë me Zotin dhe pastaj nuk e bën vullnetin e Tij, nuk e bën fjalën e Tij, atë që Ai po thotë. Prandaj është i nevojshëm ky komunikim.

8. Qëllimet e grupeve të grave orthodhokse

Tani, për të qenë më organizativë, grupet e Lidhjes së Grave Orthodhokse që janë krijuar kanë nevojë, herë pas here, për një gjallërim, një orientim apo një fuqizim më të madh. Mendova të bazohesha te mendimi i të ndjerit Kryepiskop Anastas, i cili, kur erdhi në vitin 1992, filloi të organizonte grupe të ndryshme, edhe të Lidhjes së Grave, edhe të Lidhjes së Rinisë, duke u bazuar pikërisht në këto qëllime dhe objektiva që keni te faqja e katërt: jeta jonë me Zotin, me Krishtin. Ne duhet të kemi njohje: ta njohim Krishtin jo vetëm me dije, me informacion, por edhe me përjetime. Duhet të miqësohemi, të kemi miqësi jo vetëm me Zotin, por edhe me njëri-tjetrin. Tjetër: shërbim ndaj të gjithëve, por edhe dëshmi kudo dhe kurdoherë. Qëllimi i grupit të grave të krishtera orthodhokse, ashtu si edhe i grupeve të tjera kishtare, kryesisht të rinisë, është bashkimi dhe pjesëmarrja në Trupin e Krishtit. Ka një rol brenda Kishës. Prandaj këto katër objektiva që përmenda mund të realizohen konkretisht.

Së pari, pjesëmarrja aktive dhe e vazhdueshme në adhurimin hyjnor. Do të rritemi në Krishtin, përveç programit shpirtëror që kemi në shtëpinë tonë, në dhomën tonë, në familjen tonë. Duhet të jemi aktivë dhe të marrim pjesë vazhdimisht në adhurimin hyjnor, kryesisht të dielave: në shërbesat kishtare të ditës, nëse kemi mundësi, por edhe në Liturgjinë Hyjnore të dielave dhe në Misteret e Shenjta, kur kemi mundësi. Studimi i besimit, i Shkrimit të Shenjtë dhe i Traditës së Kishës Orthodhokse bëhet edhe bashkërisht: nëpërmjet takimeve shpirtërore të grupeve të ndryshme, referateve dhe katekizmave sistematikë. Por është edhe ai personal, që përmenda më përpara, në shtëpinë tonë, ku lutemi e lexojmë. Mund të lexojmë edhe libra të ndryshëm, tashmë të shumtë, të botuar nga Kisha jonë Orthodhokse e Shqipërisë. Kemi gazetën «Ngjallja», të cilën duhet ta lexojmë. Tashmë kemi predikime të vazhdueshme në këtë gazetë. Ja një ushqim tjetër shpirtëror për atë që duhet të bëjmë në jetën tonë shpirtërore, si edhe në botime të ndryshme periodike. Pse jo edhe në internet, për ata që e përdorin, apo te Facebook-u i Kishës, te ai i Mitropolisë sonë, te Facebook-u i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, apo te Radio «Ngjallja»; jo nëpër shumë faqe të tjera në Facebook, sepse do të çorientoheni. Interneti tani është në dorën e çdokujt dhe çdokush nxjerr atë që mendon, me nivele të ndryshme shpirtërore ose jo, dhe me komente nga më të ndryshmet. Ndonjëherë janë imagjinata ose udhëzime të devijuara shpirtërore. Prandaj, më saktë, ndiqni institucionet: Kishën dhe institucionet e saj. Radio «Ngjallja» gjithashtu predikon dhe jep informacione shumë të bukura kishtare, historike e të tjera, si nëpërmjet valëve të saj në FM, 88,5 apo 98,7³, që i keni aty, ashtu edhe nëpërmjet Facebook-ut dhe dokumentarëve të ndryshëm.

9. Miqësia dhe dëshmia e besimit

Objektivi tjetër është miqësia, rritja në Krishtin e miqësisë. Këtu përfshihet edhe mbledhja jonë së bashku, edhe lidhja nëpërmjet grupeve orthodhokse brenda një qyteti ose fshati, mes anëtarëve të tyre, por edhe me qytete e fshatra të tjera; në konferenca, kampingje, ekskursione dhe shkëmbime të ndryshme përvojash. Një pikë tjetër është dëshmia. Ne duhet ta dëshmojmë besimin tonë nëpërmjet katekizmit të Kishës: për katikumenët që janë të papagëzuar, por edhe për ata që janë pagëzuar; për gratë, fëmijët, adoleshentët, për familjet në qytete e fshatra. Edhe gratë, nën drejtimin e një kleriku ose të një katekisti, mund të jenë bashkëpunëtore në dëshminë për të katekizuar. Gjithashtu, nëpërmjet bashkëpunimit me Radio «Ngjallja» apo në internet, për çështjet e besimit që duhet të prezantojmë; ose nëpërmjet muzikës, korit dhe artit të punës së dorës. Kjo është një formë predikimi: nëse organizohemi, kemi mundësi ta shprehim e ta dëshmojmë besimin tonë. E dëshmojmë edhe duke kënduar së bashku. Patë një shembull shumë të bukur sot: disa gra po këndonin në shërbesën e Mëngjesores. E kanë vendin e tyre në kishë, por duhet organizuar. Kjo është një dëshmi e besimit të tyre, por ndërkohë është edhe një shërbim. Edhe nëpërmjet artit të punës së dorës: atë që ndiejmë kur jemi artistë, duhet ta shprehim. Por kemi edhe një objektiv tjetër, atë të shërbimit.

10. Shërbimi dhe ofrimi i talenteve

Shërbimi është veprat që duhet të bëjmë. Veprat nuk janë vetëm ndihma ndaj njerëzve në nevojë, të varfërve ose të sëmurëve. Patjetër, ky është një prej objektivave që nuk ndryshon prej shekujsh në Kishë. Por kemi edhe vizita në azile, jetimore, spitale e institucione bamirëse. Edhe ofrimin e kohës sonë mund ta konsiderojmë një shërbim, si edhe ofrimin e talenteve tona. Dikush që di të këndojë, le t’i mbledhë të tjerët përqark e t’i organizojë për të kënduar. Dikush që është artiste, për të pikturuar, për të bërë diçka tjetër, për të qëndisur ose për punë të tjera. Dikush që është mësues, me talentin që ka, mund të mësojë disa fëmijë përqark, të japë kontributin e vet pa pagesë për të ndihmuar. Ose një mjek, mjeke apo infermiere mund të ndihmojë njerëzit përqark që kanë nevojë për një konsultë, derisa të shkojnë te mjeku. Patjetër, mjeku i familjes ka rolin e vet, por mund t’i ndihmojmë kur na kërkojnë ndihmë. Ka shumë gjëra të tjera, pjesëmarrje të tjera aktive, pastrime mjedisore e shumë veprimtari të tjera që mund të ngrihen.

11. Kisha si shtëpi e përbashkët

Së fundi, te faqet pesë dhe gjashtë janë disa sugjerime që mund t’i lexoni në një moment tjetër: si mund të krijojmë një atmosferë miqësore brenda Kishës. Njerëzit, besimtarët, vijnë në kishë dhe, nëse ne, duke ardhur rregullisht, fillojmë ta konsiderojmë kishën një vend që është i yni, si shtëpia jonë, atëherë nuk mund të jemi indiferentë në këtë shtëpi të përbashkët. Duhet të shikojmë çfarë të bëjmë. Fillimisht duhet të jemi miqësorë, t’i mirëpresim. Pavarësisht nëse i njohim, duhet ta krijojmë këtë miqësi dhe ta zhvillojmë edhe pas kishe. Ka zënë vend, herë pas here, pas Liturgjisë, të mblidhemi së bashku e të pimë një kafe, bashkë me priftin, bashkë me psaltët, të gjithë: «Hajde, pimë një kafe». Madje në disa vende ku kjo është shumë e zhvilluar, bëjnë edhe diçka tjetër, me një program: këtë të diel, pas Liturgjisë, familja filan do të japë një qerasje; të dielën tjetër merr iniciativën një familje tjetër, që do të japë një qerasje tjetër. Një byrek, një ujë, një kafe, diçka. Shpenzimet i përkasin familjes. Kështu krijohet ajo atmosferë e bukur që ju e keni parë në vendet perëndimore, por edhe në një pjesë të madhe të Greqisë, në vendet orthodhokse, në Greqi, Rumani, Bullgari e të tjera. Në vende të ndryshme, pas Liturgjisë bëhet një qerasje dhe çdo familje jep diçka, ofron diçka. E kanë me radhë. Kjo bën që çdokush të kontribuojë për këtë gjë, të mos u bjerë barra vazhdimisht disa personave ose disa familjeve.

12. Pjesëmarrja në Liturgjinë Hyjnore dhe Kungimi

Duke mbyllur, disa gjëra do t’i përmend thjesht si mendime. I keni në letër dhe mund t’i shikoni. Pastaj, në grupet ku do të ndaheni, keni mundësi t’i merrni edhe si një lloj shembulli për t’u organizuar më tepër. Për pjesëmarrjen në adhurim: ne duhet të marrim pjesë çdo ditë të diel. Adhurimi që kemi në Kishë nuk presupozon thjesht se jemi të krishterë dhe do të vijmë dy ose tri herë në vit. Presupozon pjesëmarrje çdo të diel. Çdo të diel, sepse duhet të lutemi së bashku, duhet të njohim njëri-tjetrin, duhet të dëgjojmë interpretimin biblik, ushqimin që thamë. Ne e lexojmë Biblën, por nuk i kuptojmë të gjitha. Kemi nevojë për predikimin, për interpretimin, që ta kuptojmë më mirë. Por kemi nevojë të marrim edhe Trupin dhe Gjakun e Krishtit. Ky është një kusht i domosdoshëm që në shekujt e parë. Pra, ishte një kusht i pjesëmarrjes, i hyrjes në Kishë. Personat që tri herë nuk kungoheshin do të përziheshin nga Kisha. Nuk ishte se do të përziheshin, pra do të dëboheshin, por konsiderohej nga Kisha se ata e kishin përzënë veten e tyre, sepse nuk ishin në vazhdimësinë e ushqimit shpirtëror në Kishë me Trupin dhe Gjakun e Krishtit. Kjo është thënë nga Vetë Krishti: ai që nuk merr Trupin dhe Gjakun Tim nuk ka jetë; Unë nuk jam tek ai. Por ai që i merr, Unë jam në të dhe ai tek Unë. Atëherë, këtij Krishti që i lutemi, këtij Krishti tek i cili shpresojmë të ndërhyjë në jetën tonë e të na ndihmojë, ne e përzëmë nga trupi ynë, nga jeta jonë, duke mos shkuar në kishë. Atëherë kujt po i lutemi pastaj? Nëse nuk marrim Trupin dhe Gjakun e Krishtit, ku do ta gjejmë këtë fuqi shpirtërore? Trupi dhe Gjaku i Krishtit jepen vetëm në kishë, në adhurimin që bëhet në shërbesën e Liturgjisë Hyjnore, në Meshën Hyjnore. Nuk do t’i gjejmë në Mëngjesore, në Mbrëmësore apo në vende të tjera.

13. E diela si dita e Zotit

Prandaj dita e diel i është kushtuar Zotit. Edhe emri, të paktën në dy kultura të mëdha të zonës së Mesdheut, të Evropës dhe të një pjese të Azisë, në kulturën greke dhe romake, e përcakton të dielën si ditën e Zotit. Ata që dinë greqisht: «Kyriaki» do të thotë dita e Zotit, e përkushtuar Zotit. Ata që dinë italisht: «Domenica», përsëri e Zotit. Kjo ditë i dedikohet Zotit pikërisht sepse ky është koncepti i krishterë: është Ngjallja e Krishtit, është dita e parë e javës, është edhe dita e përjetësisë. Ne dalëngadalë po largohemi nga kjo jetë, duam apo nuk duam. Kështu që ne e jetojmë Zotin tani, por jemi edhe duke u larguar nga kjo jetë. Prandaj, duke pasur Zotin në këtë të diel, kemi mundësi të jetojmë me Të.

14. Kori i grave dhe vendi i tyre në Kishë

Përveç atmosferës miqësore, kemi edhe veprimtari të tjera që mund të bëhen dhe që i keni këtu. Do të isha shumë i gëzuar të nisim, ose të nxisim aty ku u nis dhe u ndërpre, apo aty ku ekziston ta fuqizojmë më tepër, çështjen e korit të grave. Duhet me patjetër. Ju e kuptoni: vendin tuaj e keni në kishë, por nuk e përdorni. Sot në mëngjes patë një shembull në kishën e Shën Thodhoreve. Tre gra; ka edhe gra të tjera, por kishin shërbime të tjera ndërkohë, që do t’ju prisnin dhe do të bënin përgatitje të tjera. Bëhet një kor i mirë i grupit të grave, nën drejtimin e kryetares së grave të Vlorës, pra Anës¹ që kemi këtu. Bëhen disa motra dhe këndojnë së bashku shumë bukur, edhe Liturgjinë, edhe shërbesat e tjera. Kjo është një ndihmë e madhe dhe tregon se ky është me të vërtetë një rol që ka gruaja në Kishë, edhe për të psalur, edhe për të mbështetur, siç tha edhe priftesha Theano.

15. Këshillat e grave dhe fuqizimi i bashkëpunimit

Të tjerat i shikoni aty. Koha tashmë është e kufizuar, kështu që do të doja t’i diskutonit këto mendime në grupet ku do të ndaheni tani. Qëllimi i këtyre grupeve, në bazë të zëvendësisë, është ky: çfarë duhet të bëjmë konkretisht për t’u organizuar më mirë? Kemi krijuar ose kemi rigjallëruar disa grupe organizative që i quajmë këshilla të gruas orthodhokse. Kemi krijuar këshillin e gruas në qytetin e Beratit, në qytetin e Kuçovës; në qytetin e Vlorës [formulimi për gjendjen e mëparshme të këshillit është i paqartë në transkriptim]⁵. Jo se nuk kishte, por flasim në tërësi për të gjitha, pra për këshillat e Vlorës, të Lushnjës dhe të Divjakës. Këto janë struktura të vogla pikërisht për t’i mbledhur gratë, për t’i dëgjuar, për t’i organizuar, për të krijuar këto veprimtari, por edhe për të krijuar lidhje me grupe të tjera që janë në të njëjtën zëvendësi mitropolitane, ose në qytete dhe fshatra të tjera. Pse jo edhe në qytete të tjera jashtë Mitropolisë, në Mitropoli të tjera: Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Gjirokastër e të tjera. Me fuqizimin e tyre duhet të shikoni se ka edhe më tepër shprehje të fjalës suaj, të ndjeshmërisë suaj brenda Kishës. Por ky aktivitet, ky aktivizim juaji, do të thotë një punë më e mirë edhe e bariut tuaj, e priftit të enorisë. Ai do të punojë edhe më tepër dhe ju do të keni mundësi të bëni edhe më tepër. Prandaj këto janë mendime. Nëpërmjet këshillit keni mundësi të shpreheni më tepër, që të organizohemi më fuqishëm. Kjo ndarje pikërisht këtu konsiston. Ju faleminderit!

UGO kishte raportuar mbi takimin e Lidhjes së Grave Orthodhokse të Mitropolisë së Beratit në Vlorë.

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu