Raport i ri zbulon kushtet e Fanarit para Sinodit të Kievit për krijimn e KOU-se
Dokumenti përshkruan kushtin e delegacionit të Fanarit, çështje që lidhet edhe me shqetësimet e Kryepiskopit Anastas nga viti 2019.
Kisha Orthodhokse e Ukrainës (KOU) është në qendër të një raporti të ri rreth themelimit të saj. Një raport në greqisht, i publikuar nga redaksia amerikane e UGO-së, përshkruan përgatitjet për Sinodin e Bashkimit, të mbajtur më 15 dhjetor 2018 në Kiev, nga i cili u krijua Kisha Orthodhokse e Ukrainës (KOU). Redaksia ia atribuon dokumentin Mitropolitit të sotëm të Ankarasë, Grigor, atëherë dhjak patriarkal dhe pjesëtar i delegacionit.
Sipas raportit, përpara Sinodit u kërkua shpërbërja e strukturave juridike të «Patriarkanës së Kievit», të drejtuar nga Filareti, dhe të Kishës Orthodhokse Autoqefale Ukrainase, të drejtuar nga Makari. Autori shkruan se, me lejen e ekzarkut, ua paraqiti këtë kërkesë përfaqësuesve ukrainas, duke paralajmëruar se ekzarku nuk do të merrte pjesë pa përmbushjen e saj.
Kur u propozua që shpërbërja të bëhej gjatë Sinodit ose pas tij, autori kundërshtoi. Sipas arsyetimit të tij, shpërbërja brenda Sinodit do të nënkuptonte njohjen e tërthortë të një strukture që Patriarkana e Konstandinopojës nuk e kishte njohur. Në një shënim në kllapa, ai shton edhe një synim tjetër: mbylljen e mundësisë së rikthimit te strukturat e mëparshme, nëse Sinodi nuk shkonte mirë.
Dokumenti përshkruan përgatitjen e një projektteksti që përfshinte shpërbërjen edhe të famullive si persona juridikë. Përfaqësuesve iu kërkua të mblidheshin veçmas përpara Sinodit dhe të dorëzonin dokumentet e nënshkruara.
Në mëngjesin e 15 dhjetorit, sipas rrëfimit, përfaqësuesit e strukturës së Makarit kishin nënshkruar, ndërsa Filareti fillimisht refuzonte. Raporti përmend ndërhyrjen e ish-presidentit Viktor Jushçenko, kryetarit të parlamentit dhe presidentit të atëhershëm Petro Poroshenko.
Për lexuesin shqiptar, procedura e krijimit të KOU-së lidhet edhe me shqetësimet që Kryepiskopi Anastas dhe Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë shprehën në vitin 2019. Në letrën e 21 marsit drejtuar Patriarkut Vartholome, Kryepiskopi sqaronte se pyetjet e tyre nuk vinin në dyshim të drejtën dhe përgjegjësinë e Patriarkanës Ekumenike për të dhënë autoqefali kur rrethanat e kërkonin.
Ato përqendroheshin te procedura dhe te çështjet e Eukaristisë së Shenjtë, vijimësisë apostolike dhe sinodalitetit. Kisha e Shqipërisë kërkonte një konsultim panorthodhoks për mbështetjen shpirtërore të besimtarëve në Ukrainë dhe ruajtjen e unitetit orthodhoks. Ky qëndrim i përket debatit të vitit 2019 dhe shërben si kontekst historik për çështjet që trajton raporti i publikuar së fundmi.
Nuk është hera e parë që çështja e Kishës në Ukrainë ngjall debate panortodokse; kohët e fundit vëmendja ra edhe mbi nismën paqësore për Ukrainën, të mbështetur edhe nga Patriarku bullgar.
