Kryepiskopi i Shqipërisë Joani do të vizitojë Lefkadën në tetor
Vizita lidhet me Takimin e 5-të Ndërortodoks Murgëror, kushtuar kujtimit të Kryepeshkopit të ndjerë Anastas, i lindur në Lefkadë.
Kryepiskopi i Shqipërisë Joani do të ndodhet në Lefkadhë të Greqisë në tetor, me rastin e Takimit të 5-të Ndërortodoks Murgëror. Sipas eeod.gr, takimi është kushtuar kujtimit të Kryepeshkopit të ndjerë Anastas, paraardhësi i Joanit në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Takimi do të zhvillohet nga 13 deri më 15 tetor në Manastirin e Shenjtë të së Tërëshenjtës Faneromeni në Lefkadhë, me temë "Monastikizmi Ortodoks dhe Misioni i tij". Kryepiskopin e Shqipërisë do ta presë të martën, më 13 tetor, në hyrje të manastirit Mitropoliti i Lefkadës dhe Ithakës, Theofili, i cili organizon takimin sëbashku me manastirin. Të njëjtën ditë, Joani do të mbajë një fjalim në seancën e parë, me temë "Kryepeshkopi i ndjerë Anastas dhe rilindja e Kishës Ortodokse të Shqipërisë".
Organizimi i këtij viti nderon në mënyrë të veçantë kujtimin e Anastasit, pasi takimi është kushtuar posaçërisht Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, i cili kishte origjinë nga Lefkadha. Ngjarja zhvillohet nën kujdesin e Sinodit të Shenjtë të Kishës së Greqisë, sipas programit të publikuar për takimin.
Nuk është hera e parë që emri i Kryepishkopit Joani lidhet me momente të rëndësishme të Kishës Ortodokse të Shqipërisë. Kohët e fundit, vëmendja ra edhe mbi shpalljen e tij si personalitet i vitit 2025, një njohje që erdhi pas trashëgimisë së lënë nga paraardhësi i tij.
Më parë, UGO kishte raportuar mbi rrethanat e zgjedhjes së Anastasit si Kryepeshkop, ngjarje që shënoi rilindjen e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë tre dekada e gjysmë më parë.