Mitropoliti Nathanail kreu shërbesën e varrimit të At Kristo Papa në Aliko
Qindra besimtarë dhe klerikë nga Shqipëria dhe Greqia i dhanë lamtumirën e fundit meshtarit që shërbeu 36 vjet në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë përcolli në amshim protopresviterin Kristo Papa, një prej meshtarëve të parë të Kishës së ringjallur në vend. Sipas Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës, shërbesa e varrimit u krye në kishën e Dyzet Shenjtorëve, në fshatin Aliko.
Shërbesën e drejtoi Mitropoliti i Gjirokastrës, Zoti Nathanail, i shoqëruar nga shumë klerikë vendas, por edhe nga Greqia. Kisha u mbush me besimtarë të shumtë që erdhën t'i dhanë lamtumirën e fundit At Kristos, i cili për 36 vjet i shërbeu Kishës me përkushtim, besnikëri e dashuri baritore, duke qenë ndër meshtarët e parë që shërbyen në Kishën Orthodhokse të ringjallur në Shqipëri. Në fjalën e tij, Mitropoliti Nathanail kujtoi jetën dhe njohjen e tij personale me At Kriston, duke theksuar dashurinë e tij për besimtarët dhe vitet e gjata të shërbesës pranë popullit të Perëndisë.
Mitropoliti kujtoi se kujtimi i At Kristos mbetet i lidhur me altarin ku shërbeu, me kishat ku u lut dhe me njerëzit të cilëve u shërbeu si bari shpirtëror. Pas përfundimit të Shërbesës, kortezhi mortor u nis drejt kishës së Shën Varvarës, ku u krye varrimi. Nën hijen e shtëpisë së Perëndisë, trupi i meshtarit iu dorëzua tokës, në pritje të ditës së madhe të Ngjalljes së përgjithshme.
Shërbesa u mbyll me lutjen kishtare: "Bashkë me Shenjtorët, prehe o Krisht, shpirtin e shërbëtorit tënd Kristo, prift, atje ku nuk ka as dhimbje, as pikëllim, as psherëtimë, por jetë të pasosur." I përjetshëm qoftë kujtimi i të lumurit At Kristo.