Mitropoliti i Gjirokastrës shenjtëron kishëzën e Kryqit të Nderuar
Shërbesa u krye në ditën e mbylljes së festës së Lartësimit të Kryqit, në kishëzën e ndërtuar në vitin 1998 brenda kompleksit të Mitropolisë.
Kishëza e Kryqit të Nderuar u shenjtërua sot nga Mitropoliti i Gjirokastrës, z. Nathanail, në përmbyllje të festës së Lartësimit të Kryqit të Nderuar dhe Jetëdhënës. Sipas materialit të vënë në dispozicion nga Mitropolia e Shenjtë e Gjirokastrës, shërbesa e Shenjtërimit u krye brenda kompleksit të Mitropolisë, ku ndodhet edhe vetë kishëza.
Kishëza, e ndërtuar në vitin 1998, ka funksionuar për vite me radhë si kishë e Liceut Kishtar “Kryqi i Nderuar”, ku çdo ditë kryheshin shërbesa kishtare për nxënësit e këtij institucioni arsimor. Sipas Mitropolisë, ky vend i shenjtë ka qenë prej kohësh një hapësirë lutjeje dhe formimi shpirtëror për breza të tërë nxënësish. Shenjtërimi i tij pikërisht në ditën kushtuar Kryqit të Nderuar mori, sipas burimit, një domethënie të veçantë, pasi Kryqi konsiderohet nga Kisha si lavdia dhe fuqia e besimtarëve.
Në fjalën e tij, Mitropoliti u shpreh se përmes Kryqit, Krishti “e shndërroi turpin në lavdi, vuajtjen në shpëtim dhe vdekjen në jetë”, prandaj Kisha e nderon dhe e lartëson atë si shenjë të fitores së Zotit mbi vdekjen. Shërbesa u mbyll me thirrjen “Kryqit Tënd i falemi, o Krisht, dhe Ngjalljen Tënde të shenjtë lavdërojmë”.
Nuk është hera e parë që Mitropolia e Gjirokastrës gjendet në qendër të vëmendjes lidhur me institucionin “Kryqi i Nderuar”; kohët e fundit vëmendja kishte rënë mbi kremtimin e Liturgjisë së Shpërfytyrimit nga Mitropoliti Nathanail në Gjirokastër.