Vrasja e murgut Varsanufi në Sviatogorsk shkakton reagime në botën orthodhokse

2824
11:46
8
Foto:UGO Foto:UGO

Teologu Dr. Themistokli Bambulla e cilëson vrasjen plagë për Trupin e Kishës dhe paralajmëron për pasojat e nacionalizmit ekstrem.

Vrasja e murgut Varsanufi në Lavrën e Fjetjes së Hyjlindëses në Sviatogorsk ka shkaktuar dhimbje dhe reagime të shumta në botën orthodhokse.

UGO.AL komunikoi me teologun shqiptar, Dr. Themistokli Bambulla, doktor në Teologji nga Universiteti Aristoteli i Selanikut, për të marrë opinionin e tij lidhur me këtë ngjarje tragjike dhe me pasojat e saj për ndërgjegjen e përbashkët të besimtarëve orthodhoksë.

Ndër të tjera, Dr. Bambulla theksoi se vrasja e murgut Varsanufi përbën një plagë për të gjithë Trupin e Kishës, ndërsa lufta në Ukrainë dhe përçarjet që ajo ka thelluar po e vendosin botën orthodhokse përpara një sprove të rëndë. Ai foli gjithashtu për karakterin martirizues së vdekjes së murgut dhe paralajmëroi për pasojat shkatërruese të nacionalizmit ekstrem.

Më poshtë po paraqesim deklaratën e tij të plotë: ]"Vrasja mizore e murgut Varsanufi në Lavrën e Fjetjes së Hyjlindëses në Sviatogorsk na ka tronditur thellë të gjithëve si të krishterë orthodhoksë. Kisha nuk është një bashkësi individësh të izoluar, por Trupi i Krishtit. Prandaj, sikurse na mëson Apostull Pavli, “nëse vuan një gjymtyrë, bashkëvuajnë të gjitha gjymtyrët” (1 Kor. 12:26). Dhimbja e vëllazërisë së Lavrës është edhe dhimbja jonë; gjaku i derdhur i një murgu është plagë në trupin e mbarë Kishës.

Në të njëjtën kohë, lufta në Ukrainë nuk përbën vetëm një tragjedi njerëzore dhe gjeopolitike. Ajo është shndërruar në një plagë të thellë për të gjithë botën orthodhokse. Përplasjet, mosbesimi dhe përçarjet ndërmjet orthodhoksëve po thellohen dita-ditës. Sa më shumë vazhdon kjo gjendje, aq më i vështirë do të bëhet shërimi i plagëve, rivendosja e besimit dhe rikthimi i bashkimit vëllazëror. Një luftë ndërmjet popujve me të njëjtin besim është gjithmonë edhe një disfatë shpirtërore.

Përndjekja e klerikëve, dhuna kundër murgjve dhe ekzekutimi i shërbëtorëve të Kishës nuk janë për ne kujtime të largëta. Veçanërisht ne, të krishterët orthodhoksë në Shqipëri, vazhdojmë të zbulojmë dhe të njohim dëshmitë e martirëve të shumtë, të cilët u burgosën, u torturuan dhe u ekzekutuan gjatë përndjekjes ateiste, vetëm sepse nuk pranuan të mohonin Krishtin dhe misionin e tyre.

Fjalët e fundit që i atribuohen murgut Varsanufi — “Lavdi Zotit Jisu Krisht! Unë jam murg” — përbëjnë një rrëfim besimi përpara vdekjes. Për çdo të krishterë që e kupton se çfarë do të thotë ta ruash besimin mbi gjithçka, qëndrimi i tij është një dëshmi me karakter martirik. Ai nuk u përball me dhunën duke mohuar identitetin e tij, por duke shpallur Krishtin dhe duke pohuar thirrjen e tij monastike.

Rrethanat e këtij krimi, veçanërisht dëshmia e njërit prej të mbijetuarve, mbartin shenja tepër shqetësuese të ekstremizmit nacionalist. Hetimi duhet të përcaktojë përfundimisht autorët dhe motivin e tyre. Megjithatë, Kisha nuk mund të heshtë përballë një klime në të cilën gjuha nacionaliste dhe urrejtja ndaj një bashkësie kishtare mund të përgatisin terrenin për dhunë.

Nacionalizmi ekstrem, me çfarëdo flamuri që të paraqitet, nuk njeh arsye, masë apo kufij. Kur kombi, shteti apo një ideologji ngrihen mbi vlerën e personit njerëzor dhe mbi të vërtetën e Perëndisë, dashuria për atdheun shndërrohet në idhujtari. Ekstremizmi ushqen urrejtjen dhe, kudo që shfaqet, sjell të njëjtat pasoja tragjike.

Përgjigjja e Kishës ndaj kësaj tragjedie nuk mund të jetë një urrejtje e re. Ajo duhet të jetë lutja, kërkimi i së vërtetës, vendosja e drejtësisë dhe përpjekja e palodhur për paqe e pajtim. Krimi duhet të zbardhet plotësisht dhe përgjegjësit duhet të dalin përpara drejtësisë.

I përjetshëm qoftë kujtimi i murgut Varsanufi i cili tashmë ndohet krah Atij që deshi kaq shumë! Zoti u dhëntë shërim të plagosurve, forcë vëllezërve të Lavrës dhe paqe popullit të shumëvuajtur të Ukrainës. Dr. Themistokli Bambulla Phd në Teologji *Universiteti Aristotel i Selanikut"

Në të njëjtin kontekst kishtar, kishte paraprirë

.

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu