Peshkop ortodoks shpëton fëmijë nga besëtytnitë në Madagaskar
Jetimorja “Shën Marina” në Toliara strehon rreth njëqind fëmijë të shpëtuar nga braktisja dhe trafikimi njerëzor.
Mision ortodoks në Madagaskar po përpiqet të shpëtojë fëmijë të kërcënuar nga besëtytnitë e vjetra që i lidhin binjakët dhe personat me albinizëm me fatkeqësi. Sipas Greek Reporter, Peshkopi Prodhromos i Toliarës dhe Madagaskarit të Jugut drejton këtë mision, i cili është kthyer në vend strehimi për fëmijë të braktisur, të refuzuar nga familjet apo të kërcënuar nga rrjete kriminale.
Në rajonin e Mananjary, binjakët konsiderohen ende shenjë fatkeqësie, ndërsa prindërit detyrohen të zgjedhin cilin fëmijë të mbajnë gjallë. Fëmijët me albinizëm përballen me rrezik të ngjashëm nga besëtytnitë për vlerën e trupit të tyre. Për t'i mbrojtur, Peshkopi Prodhromos themeloi Shtëpinë e Fëmijëve “Shën Marina” në Belemoka, pranë Toliarës, ku sot strehohen rreth njëqind fëmijë të shpëtuar nga abuzimi dhe trafikimi. Mes tyre është Ema, e rrëmbyer në moshën trevjeçare dhe e mbajtur tri ditë në një thes nga persona që synonin ta vrisnin dhe t'i shisnin pjesë të trupit.
Peshkopi Prodhromos tha se u trondit kur mësoi për këtë zakon gjatë njohjes me zonën e tij kishtare dhe se që atëherë ndjeu dëshirën për t'i shpëtuar këta fëmijë. Ndërtimi i jetimores u licencua nga autoritetet vetëm pasi dioqeza ngriti një kompleks me fjetore, klasa e kuzhina, ndërsa financimi prej 110 mijë eurosh erdhi nga një donator anonim grek. Shpenzimet e funksionimit mbulohen sot nga familja Athanasios dhe Marina Martinou, në kujtim të vajzës së tyre të ndjerë, Athinoula. Misioni ofron gjithashtu kujdes mjekësor, ushqim dhe arsim pa dallim feje, ndërsa gjatë trazirave politike depot e tij me ushqim mbetën të paprekura, me një mesazh të lënë nga banorët: “Sepse na respektuat, ju respektuam.”
Peshkopi thekson se Kisha “nuk pyet çfarë beson dikush”, por e sheh çdo njeri si njeri, qasje që ka fituar besimin e banorëve vendas. Lortine, njëra prej fëmijëve të shpëtuar në të kaluarën, drejton sot Qendrën Shëndetësore Ortodokse dhe ndihmon në programet humanitare të dioqezës.
UGO kishte raportuar pak ditë më parë mbi nevojën për mbështetje ndaj misioneve ortodokse në Afrikë.