Patriarku Vartholome takohet me Erdoganin në Ankara
Biseda u fokusua te rihapja e Shkollës Teologjike të Halkit, ku tashmë ka nisur dialog ndërmjet Patriarkanës dhe qeverisë turke.
Patriarku Ekumenik Vartholome shkoi sot, të martën më 16 qershor 2026, në Ankara, ku u takua me Presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, në Pallatin Presidencial. Sipas njoftimit zyrtar të Patriarkanës Ekumenike, palët biseduan në një atmosferë të përzemërt për çështje që lidhen me Patriarkanën dhe komunitetin rum.
Patriarku Vartholome shoqërohej nga Mitropoliti i Halkedonit, Imzot Emanueli, dhe nga Igumeni i Manastirit të Shën Trinisë në Halki, Episkopi i Aravissos, Imzot Kasiani. Gjatë takimit, Patriarku i shprehu falënderimet Presidentit Erdogan për mundësinë e dialogut.
Tema qendrore e bisedës ishte Shkolla Teologjike e Halkit dhe perspektiva e rihapjes së saj. Çështja u trajtua edhe në kuadër të dialogut që ka nisur ndërmjet Ministrisë së Arsimit Kombëtar të Turqisë, Këshillit të Arsimit të Lartë (YÖK) dhe Patriarkanës Ekumenike.
Kjo nuk është hera e parë që çështja e Halkit shtrohet në nivelin më të lartë diplomatik. Gjatë takimit Trump-Erdogan në Uashington, në shtator 2025, Presidenti turk kishte deklaruar se Turqia do të bënte pjesën e saj për rihapjen e Shkollës dhe do ta diskutonte çështjen me Patriarkun Ekumenik.
Pak ditë para takimit me Erdoganin, Patriarku Vartholome ishte takuar edhe me Presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Aty ai theksoi se Presidenti Trump e njihte problemin dhe se, me nismën e Presidentit Erdogan, kishte nisur tashmë një dialog ndërmjet Patriarkanës Ekumenike dhe qeverisë turke. Qëllimi i këtij dialogu është përshpejtimi i procedurave, në mënyrë që Shkolla Teologjike e Halkit të rihapet dhe të presë studentët e parë gjatë vitit 2026. Patriarku Ekumenik dhe hierarkët që e shoqëronin pritet të kthehen brenda ditës në Konstandinopojë.
Siç kishte raportuar UGO, Patriarku Vartholome dhe Kryepiskopi Joan kishin ndërmarrë së fundmi një pelegrinazh në Kapadoki, ku bashkëmeshuan dhe u lutën në kishat historike të rajonit.