E Shtuna e Shpirtrave u kremtua në Korçë

2824
17:21
5
Pamje nga varrezat e Shën Triadhës Korçë, Foto UGO Pamje nga varrezat e Shën Triadhës Korçë, Foto UGO

Në kishat e Mitropolisë së Korçës u kryen lutje për të fjeturit, ndërsa besimtarët vijuan përkujtimin në varrezat e të afërmve.

Në Mitropolinë e Shenjtë të Korçës u kremtua E Shtuna e Shpirtrave, një ditë e veçantë lutjeje për të gjithë ata që kanë fjetur në Zotin.

Shërbesat u kryen në kishat e Mitropolisë, ku besimtarët morën pjesë në lutjet përkujtimore për prehjen e shpirtrave të të afërmve të tyre dhe të gjithë të fjeturve.

Pas shërbesave, sipas traditës së krishterë orthodhokse, besimtarët shkuan në varrezat e familjarëve të tyre. Atje ndezën qirinj, u lutën dhe ndanë grurë, bukë, djathë, qershi dhe qumështor, siç ruhet në zakonin e vendit.

Një nga vendet kryesore të përkujtimit ishte varreza e Shën Triadhës, varreza kryesore e qytetit të Korçës. Gjatë periudhës së monizmit, ajo u kthye në varrezë të përbashkët për të krishterë dhe myslimanë, duke ruajtur në heshtje edhe kujtesën e historisë së ndërlikuar fetare të zonës. Kisha u shkatërrua dhe pas vitit 90 u ndërtua një kishë provizore e cila sot po zëvendsohet nga një kishë e re.

Edhe sot, në këtë ditë, në varrezat e Shën Triadhës shihen jo vetëm besimtarë të krishterë, por edhe qytetarë myslimanë që kujtojnë të afërmit e tyre. Kjo tregon se kujtesa për të fjeturit, respekti ndaj paraardhësve dhe lidhja me familjen mbeten të pranishme në ndërgjegjen e njerëzve, përtej dallimeve fetare.

Vizita në varreza është një moment lutjeje, por edhe reflektimi. Ajo i kujton çdo njeriu se jeta tokësore është e përkohshme dhe se nuk ka vend për grindje, hatërmbetje, padrejtësi apo shfrytëzim të tjetrit.

Për besimtarin e krishterë, kjo ditë nuk është ditë dëshpërimi. Ajo është edhe ditë shprese. Kisha beson se të fjeturit nuk janë zhdukur, por kanë kaluar në jetën tjetër, në pritje të Ngjalljes dhe të mëshirës së Perëndisë.

Prandaj në gjuhën shqipe përdoret shprehja e bukur “ndërroi jetë”. Njeriu nuk humbet, por kalon nga kjo jetë në tjetrën. Kjo shpresë mbështetet në Ngjalljen e Krishtit, i Cili e ktheu vdekjen në kalim dhe i dha njeriut shpresën e jetës së përjetshme.

E Shtuna e Shpirtrave e thërret besimtarin të kujtojë të dashurit e tij me lutje, dashuri dhe mirënjohje, por edhe të shohë jetën e vet me më shumë përgjegjësi shpirtërore.

UGO

Video UGO/ Besimtarë në varrezat e Shën Triadhës në Korçë, gjatë përkujtimit të së Shtunës së Shpirtrave.

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu