Familjet e Mitropolisë së Shenjtë të Elbasanit zhvilluan vizitë në Pogradec
Me bekimin e Mitropolitit Andon, grupi i familjarëve kaloi dy ditë në Pogradec, me biseda shpirtërore dhe pjesëmarrje në Liturgjinë Hyjnore.
Gjatë fundjavës së kaluar, me bekimin e Mitropolitit, Imzot Andonit, grupi i katekizmit të familjarëve të Mitropolisë së Shenjtë të Elbasanit zhvilloi një aktivitet dyditor në qytetin e Pogradecit.
Veprimtaria u realizua me kontributin e Mitropolisë dhe të vetë anëtarëve të grupit. Qëllimi ishte forcimi i lidhjeve midis familjeve të famullive, ndarja e përvojave të jetës së krishterë dhe krijimi i një komuniteti më të bashkuar.
Gjatë aktivitetit u trajtuan tema shpirtërore nga Mitropoliti Andon dhe Prof. Harallamb Terziu. Pjesëmarrësit e vlerësuan kohën e kaluar së bashku si një mundësi të rëndësishme për bisedë, njohje më të afërt dhe mbështetje të ndërsjellë.
Një pjesë e rëndësishme e programit ishte pjesëmarrja në Liturgjinë Hyjnore në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Pogradec, me bekimin e Mitropolitit Anastas.
Grupi falënderoi At Vasil Jovanin për mikpritjen dhe bashkëpunimin gjatë qëndrimit në Pogradec.