Ekskursion shpirtëror dhe kulturor i gupeve rinore të katekizmit
Nxënësit e Kolegjit “Omiros” dhe Liceut “Platon” vizituan Elbasanin, Krujën dhe Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, në një udhëtim me karakter historik, shpirtëror dhe edukativ.
Ditën e shtunë, më 23 maj 2026, grupet e katekizmit të Kolegjit “Omiros” dhe Liceut “Platon” zhvilluan ekskursionin e tyre të përvitshëm shpirtëror dhe kulturor.
Veprimtaria u realizua nën përkujdesjen e mësuesve Themistokli Bambulla, Maria Xhoga, Oli Gaçi dhe Marinela Zguro, si edhe me pjesëmarrjen e disa mësuesve të tjerë shoqërues.
Udhëtimi nisi me një ndalesë në qytetin e Elbasanit. Atje nxënësit patën mundësinë të njiheshin me disa aspekte historike të qytetit dhe të zhvillonin një shëtitje të shkurtër, duke e nisur ditën me frymë njohjeje dhe bashkësie.
Më pas, vizita vijoi në qytetin e Krujës, pranë kështjellës së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Kjo ndalesë kishte për qëllim jo vetëm njohjen e nxënësve me jetën dhe veprën historike të kësaj figure të madhe, por edhe me dimensionin e tij shpirtëror.
Gjergj Kastrioti mbetet një personalitet i rëndësishëm jo vetëm për historinë shqiptare, por edhe për historinë e krishterimit. Veprimtaria e tij lidhet ngushtë me mbrojtjen e lirisë, të besimit dhe të identitetit shpirtëror të popullit të tij.
Nxënësit vizituan muzeun kushtuar këtij heroi legjendar, ku u njohën me momente të ndryshme të jetës së tij, me qëndresën historike dhe me rëndësinë që ai pati në mbrojtjen e vlerave të krishtera të kohës.
Në këtë kuadër u fol edhe për jetën e tij shpirtërore, e cila, sipas burimeve dhe dëshmive historike, paraqitet e lidhur me pjesëmarrjen në jetën kishtare dhe me misteret e Kishës.
Pas vizitës në Krujë, një vend i pasur me histori, kujtesë dhe vlera shpirtërore, ekskursioni vazhdoi drejt Tiranës, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”.
Atje nxënësit vizituan vendprehjen e të ndjerit Kryepiskop Anastas. Disa prej tyre kishin pasur bekimin ta takonin nga afër dy vite më parë, ndaj kjo ndalesë kishte një ngarkesë të veçantë shpirtërore dhe emocionale.
Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje, nxënësit psalën himnin e tij të dashur “Cila Perëndi”. Më pas u bisedua për kontributin e jashtëzakonshëm të Kryepiskopit Anastas në ringritjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, në forcimin e jetës shpirtërore dhe në shërbimin ndaj gjithë njerëzve pa dallim.
Me ndjenja mirënjohjeje, respekti dhe lutjeje, pjesëmarrësit u larguan nga katedralja, me shpresën që Kryepiskopi i dashur Anastas të ndërmjetojë për të gjithë pranë Zotit.
Kështu u përmbyll edhe këtë vit ekskursioni shpirtëror i grupeve të katekizmit. Këto grupe funksionojnë jashtë orarit mësimor pranë Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Korçë, me dëshirën e nxënësve dhe të prindërve, si edhe me përkushtimin e palodhur të mësuesve të tyre.
Veprimtari të tilla zhvillohen prej vitesh në mënyrë vullnetare, me dashuri, përkushtim dhe për lavdi të Perëndisë, gjithmonë me bekimin e Mitropolitit të Korçës, Imzot Anastasit.