Çmimi i Paqes në Shqipëri, një hap i ri për promovimin e paqes
Ndarja e parë e Çmimit të Paqes CESPIC në Shqipëri, me pjesëmarrje ndërkombëtare dhe me theks në dialogun, pajtimin dhe paqen shoqërore
Sot më 11 mars 2026, Hirësi Asti, Mitropolit i Beratit, mori pjesë në aktivitetin e veçantë kushtuar paqes, në të cilin ai përfaqësoi Fortlumturinë e Tij, Joanin, Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë.
Ky aktivitet u zhvillua tek Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, ku për herë të parë në Shqipëri, me iniciativën dhe mbështetjen e Fondacionit “Zoja e Këshillit të Mirë”, u akordua Çmimi i Paqes “CESPIC”.
Çmimi i Paqes iu dha Nihad Suljić për angazhimin e tij të vazhdueshëm humanitar dhe kontributin në forcimin e paqes sociale, si edhe projektit “The Joint History Books Project” për punën e tyre afatgjatë edukative që promovon mirëkuptimin dhe pajtimin mes popujve.
Në takimin ndërkombëtar morën pjesë personalitete të larta fetare dhe akademike, ndër të cilët Nunci Apostolik në Shqipëri S.E.M. Mirosław Adamczyk, Arqipeshkvi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Mons. Arjan Dodaj, si edhe përfaqësues të institucioneve akademike dhe kërkimore ndërkombëtare. Në jurinë ndërkombëtare të çmimeve CESPIC, Kisha jonë përfaqësohet nga z. Andi Rembeci, pedagog në Universitetin e Tiranës dhe drejtor ekzekutiv i Fondacionit “Fryma e Dashurisë”.
Në këtë kuadër u inaugurua edhe guri i ri në Kopshtin e të Drejtëve, kushtuar magjistratëve italianë Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, si simbol i sakrificës dhe luftës për drejtësi. Ceremonia e zbulimit të gurit u krye nga dy autoritete të larta të klerit në Shqipëri, Imzot Arjan Dodaj dhe Hirësia e tij, Mitropoliti i Beratit Asti Bakallbashi.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë