Biblioteka e Voskopojës

Sot 11:39
64
Foto ilustruese Foto ilustruese

Studimi i botuar në revistën «Tempulli» ndjek bibliotekën nga dhuratat e voskopojarëve te plaçkitja e 1769-ës, djegia e 1916-ës dhe koleksionet në Evropë.

Biblioteka e Voskopojës, e ngritur dy herë me kontributet e voskopojarëve dhe e shkatërruar në valët e njëpasnjëshme të plaçkitjes së qytetit, është objekt i një studimi të hollësishëm të Dr. Dion Tushit. Sipas revistës «Tempulli», autori ndjek fatin e librave, dorëshkrimeve dhe kodikëve të saj, nga Akademia dhe Shtypshkronja e Voskopojës deri te bibliotekat kombëtare të Athinës, Bukureshtit, Vjenës, Beogradit dhe Sofjes. Më poshtë UGO e boton studimin të plotë.

BIBLIOTEKA E VOSKOPOJËS – Dr. Dion Tushi. Revista «Tempulli», nr. 16, Korçë, 2011, fq. 41–48.

Nga një pjesë e monografive për Voskopojën si dhe nga të dhënat arkivore të disa familjeve të vjetra voskopojare del evident fakti i ekzistencës atje të një biblioteke të pasur, të denjë për këtë qytet ku muzat kishin krijuar folenë e tyre të dytë, të ardhura prej Parnasit, sipas ekzaltimeve poetike të shumë prej autorëve me origjinë voskopojare dhe jo vetëm atyre, të cilët kanë trajtuar këtë temë.

Ndërtesa e kësaj biblioteke sipas studiuesve që kanë shkruar për të jepet e lokalizuar pranë godinës së Akademisë, ku qëndronte si aneks i saj bashkë me shtypshkronjën, ngjitur me kishën e Shën Joan Teologut, vend që njihet deri sot si “luadhi i skolive”. Kështu qyteti së bashku me Shtypshkronjën dhe Akademinë kishte edhe një bibliotekë të pasur me libra dhe dorëshkrime.

Sipas të dhënave të dokumentuara¹ kjo bibliotekë ka pasur jo vetëm dorëshkrime të çmuara të teksteve kishtare, por edhe botimet më të përmendura të teksteve të shtypura deri atëherë në Evropë. Në këtë bibliotekë gjithashtu ruheshin shumë pergamenë si dhe kodikë me shumë vlerë, prej ku dokumentoheshin lidhjet e qytetit të Voskopojës me Triesten, Venetikun dhe Vjenën.

Biblioteka e parë e Voskopojës u ngrit nga vetë kontributet e voskopojarëve ku sigurisht ndër kontribuesit më të mëdhenj ka qenë kryepishkopi i “Justinianës së Parë”* Joasaf Gongu. Të njëjtën gjë voskopojarët bënë edhe me bibliotekën e dytë pas shkatërrimit të parë të qytetit. Edhe Biblioteka e dytë u ngrit me donacionet e voskopojarëve të pasur, midis të cilëve shquhet edhe emri i Gjeorgji Sinës, biznesmen dhe bankier i fuqishëm me aktivitet kryesisht në Vjenë dhe në shumë vende të Europës. Në kodikun e kishës së Shën Marisë të Voskopojës shkruhet: “I nderuari Gjeorgji Sina i dhuroi shkollës shumë libra në gjuhën greke, ndërsa intelektuali i përhirshëm zoti Grigor dhuroi të gjitha librat që gjendeshin në bibliotekën e tij”.

Në “Historinë e Letërsisë Shqipe”², në lidhje me bibliotekën e Voskopojës thuhet se bëhet fjalë për një bibliotekë të madhe për kohën me mijëra volume, ku kishte dhe dorëshkrime. Ajo përfshinte edhe vepra letrare të shekujve XVII – dhe XVIII – të, në gjuhë të ndryshme. Disa libra të saj përfunduan në bibliotekën e Mitropolisë së Korçës, ku janë gjetur dhe vepra të klasikëve grekë, latinë, frëngj, botime të shek XVII – dhe XVIII – të, të letërsisë artistike perëndimore, të enciklopedistëve dhe iluministëve të Evropës Perëndimore, gjë që dëshmon për një nivel të lartë dhe horizont të gjerë mendor të jetës kulturore të Voskopojës.

Në lidhje me këtë bibliotekë një studiues grek, Dh. Kallimahos i cili vizitoi Voskopojën rreth viteve 1900 në një periodik shkruan³: “Voskopojarët kishin një bibliotekë të pasur në volume dhe dorëshkrime, disa prej mbetjeve të fundit të së cilës ruhen akoma. Prej kësaj biblioteke kanë shpëtuar në Manastirin e Shën Prodhromit disa dorëshkrime prej letre dhe membranë, një Ungjill i çmuar i shekullit të IX, i cili ruhet në vendin ku mbahen gjërat me vlerë (thisavrofil aqion) në kishën e Shën Nikollës, i shkruar me një kaligrafi mahnitëse dhe i zbukuruar me mikrografi (ikona të vogla) të Ungjillorëve, si dhe një kodik në membranë i shekullit të XII – të me fjalimet e Shën Joan Gojartit, i gjendur në shtëpinë e Papapetros. “Të gjitha këto i rregullova, i sistemova, i shënova në një katalog, dhe i vura të betoheshin banorët e mbetur se do t’i ruanin tashmë këto mbetje të fundit nga thonjtë gllabërues të studiuesve evropianë, si dhe nga prirjet e tregëtarëve të antikave”.

Fatkeqësisht deri më sot nuk është gjetur as ky katalog i përmendur këtu, as ndonjë katalog tjetër, ku të kemi të dhëna në lidhje me volumet apo dorëshkrimet e kësaj biblioteke. Në monografitë e herëpashershme që dolën kryesisht mbas djegjes së fundit të Voskopojës në vitin 1916, kemi të dhëna sporadike në lidhje me ndonjë volum, apo me ndonjë kodik dhe jo ndonjë përshkrim apo katalogim qoftë edhe të mangët të përmbajtjes së kësaj biblioteke.

Ungjilli i mësipërm, të cilin voskopojarët e quanin “Ungjilli i Gjallë”, ka qenë mjaft i trashë, në përmasa të vogla dhe përfshinte Ungjijtë e katër Ungjillorëve së bashku me ikonat e çdonjërit. Ky Ungjill ka qenë i shkruar në membranë dhe nuk e ka të shkruar në asnjë vend kronologjinë. Nga sa është shkruar për të, siç del dhe nga shkrimet e Martinianit, Kurillës, Theofrastit apo të ndonjë autori tjetër, mësojmë se historianët dhe filologët që janë marrë me zbardhjen e kronologjisë së tij, siç është rasti edhe i Kallimahos të sipërcituar, kanë mendime të ndryshme. Disa mendojnë se kemi të bëjmë me një vepër të shekullit të IX – të, ndërsa disa të tjerë janë të mendimit se është një kodik i shekullit të XI – të.

Sipas të dhënave, që na jepen për këtë Ungjill mësojmë se ai ruhej në dhomën e kishës së shën Kollit në një kasafortë hekuri të rrethuar me një mbulesë të trashë mëndafshi. Ky kodik i shpëtoi plaçkitjes së 1916 dhe më pas është lënë në dorën e epitropit të manastirit të shën Joan Prodhromit Naum Stirës, për t’u ruajtur me kujdes si mbetja dhe e dhëna më e rëndësishme e shpëtuar e qytetit dikur të pasur dhe të famshëm³.

Gjithsesi nga të dhënat dhe informacionet që ka për Voskopojën mësohet se shkatërrimi dhe grabitja pothuajse e plotë e bibliotekës që ishte atje ndodhi në vitin 1769 me shkatërrimin dhe plaçkitjen e parë të qytetit. Masakra e papritur nuk u dha mundësinë njerëzve që të kujdeseshin për të. Qysh atëherë volumet e librave të rrallë të mbledhura në këtë bibliotekë, si dhe botimet e shtypshkronjës së Voskopojës së bashku me dorëshkrimet dhe kodikët e vjetër u shpërdoruan ose u shpërndanë në vende të ndryshme të Evropës. Pikërisht atëherë u vodh edhe kodiku i madh i qytetit i shekullit të XIII – të prej të cilit do dilte mjaft informacion në lidhje me themelimin, popullatën e parë të vendosur atje dhe zhvillimin e qytetit. Nga të dhënat që ka studiuesi Theofrast Gjeorgjiadhi⁴, i cili ka qenë edhe mësues në periudhën e dytë të rimëkëmbjes së qytetit, mësojmë se ky kodik ndodhet në bibliotekën shtetërore të Vjenës.

Shpesh herë shtypi i kohës i vendeve fqinje ka sensibilizuar opinionin publik në lidhje me shitjet e herëpashershme të botimeve të shtypshkronjës së Voskopojës apo të vlerave të kësaj biblioteke. Kështu në gazetën “Pandora”⁵ që dilte në Athinë në një artikull të saj, është botuar një letër ku lexojmë: “I dashur mik, një i njohuri im sërb i ardhur këtu nga Shqipëria, kishte me vete dy botime të çmuara të shtypura në Voskopojë, të cilat nuk përfshihen as në katalogun e hartuar të K. Papadhopullit. Këto libra ishin “Shërbesa e Pesë dhe Dhjetë Martirëve” dhe “Shërbesa e Atit tonë ndër Shenjtorë Klementit””.

Ka shumë histori në lidhje me shpërdorimet apo gjetjet të herëpashershme të librave apo dorëshkrimeve të shtypshkronjës dhe bibliotekës së Voskopojës, shpesh herë edhe të botuara. Të bën përshtypje një histori e botuar nga Theofrast Gjeorgjiadhi në librin e tij “Moskopolis”⁶, në lidhje me fatin e disa dorëshkrimeve të çmuara, të cilën po e japim ashtu siç e përshkruan ai.

“Kur në vitet e fëmijërisë sime shkoja në shkollat e atdheut tim e vizitoja shpesh të ndjerin Anastas Dimço, prej të cilit dëgjoja shumë historira në lidhje me traditat dhe jetën e Voskopojës së atëhershme dhe kënaqesha shumë nga biseda e ëmbël me të. Midis të tjerash njëherë më thotë se në shtëpinë e tij ka patur para shumë vjetësh dorëshkrime të çmuara dhe libra me një vlerë të madhe, të cilat u vodhën. Pyetjes sime se ku i kishin gjetur të parët e tij këto libra dhe dorëshkrime, ai ju përgjigj kështu: “Gjyshi im i quajtur Argjend Dimço ka qenë për shumë kohë sekretar i Sinan Pashë Plasës, administrator në atë kohë i këtyre vendeve dhe terrorizues i të krishterëve të zonës së tij. Gjyshi im ka pasur një dashuri të madhe për dituri, ai mblidhte sa libra gjente dhe pasuronte bibliotekën e tij, kështu ai i kishte gjetur ato në plaçkën e mbledhur prej pashës dhe i kishte ruajtur. Nuk e di se çfarë u bënë gjithë ato libra dhe objekte me vlerë të gjyshit tim. Vetëm mbaj mend se na kishte mbetur një libër i shkruar në lëkurë të cilin e kam shkuar nëpër duar. Një ditë më vizitoi një patrioti im Stavri Xaka, i cili më këshilloi që t’ia tregonim këtë dorëshkrim mitropolitit të Beratit. Ja treguam dhe ai ishte i gatshëm që të na e blinte për 20 lira turke. Por miku im nuk më la t’ia jepja dhe më tha që ta merrte me vete në Vjenë, ku shkonte për tregëti, ku e shiti për 1000 napolona flori. Shtypi i Vjenës shkroi atëherë për vlerat e rralla të këtij dorëshkrimi. Kjo ngjarje u mor vesh deri në Patriarkanën e Stambollit, e cila i hoqi vërejtje të rëndë mitropolitit të Korçës, që nuk arriti dot të mbronte vlerat shpirtërore të zonës së tij””.

Në gjysmën e parë të shekullit të XIX – të, me librat që kishin mbetur nga biblioteka e parë si dhe me ndihmën e voskopojarëve të emigruar si Anastas Kazanxhiu, Gjergji Sina, Mihal Qopeku etj, u ngrit përpara shkollës siç thamë më lart një bibliotekë e dytë e rëndësishme⁷, fakt që e ripohon edhe Veigandi, i cili e ka vizituar Voskopojën në 1889. Ai thotë se pranë kishës së Shën Nikollës është rezervuar një dhomë për bibliotekë me rreth 2000 libra, në gjuhët greqisht, latinisht dhe gjermanisht të dhuruara para 30 vjetësh nga Sina për qytetin e tij të lindjes. Sipas tij këtu ruhej dhe një ungjill i bukur, shkruar mbi pergamen si ai i Beratit⁸.

Për ekzistencën e këtij kodiku deri në vitin 1916 flet dhe Velianitis në Enciklopedinë e Madhe Greke, në faqen 22 të vëllimit të 3 – të, të kësaj enciklopedie lexojmë: “Deri në shkatërrimin e 1916 – ës ekzistonin atje një ungjill i vjetër dorëshkrim në pergamen si dhe 1700 vëllime…”⁹

Gjurmët e fundit të kësaj biblioteke, disa libra që kishin mbetur, arritën deri në vitin 1916, kur Voskopoja pësoi djegjen e katërt, gjatë Luftës së Parë Botërore. Sipas disa burimeve¹⁰ këto gjurmë të fundit të përbëra prej 700 volumesh, gjatë luftës u rrëmbyen pjesërisht nga trupat franceze ose humbën pa lënë gjurmë.

Mbas vitit 1916 ekzemplarë të shtypshkronjës së Voskopojës apo të bibliotekës në të, janë gjendur nëpër familjet e voskopojarëve në Korçë dhe jashtë saj. Me krijimin e shtetit shqiptar u tregua një lloj kujdesi për mbledhjen dhe ruajtjen e tyre. Kështu sot në Arkivin e Shtetit dhe në fondin e Bibliotekës Kombëtare janë mbledhur pothuajse 40 libra dhe dorëshkrime të një vlere të madhe, midis të cilëve edhe kodikët e kishave të shën Joan Teologut, shën Kostandinit dhe të manastirit të shën Prodhromit. Kodikët e kishave në fjalë u ruajtën dhe pas djegjes së fundit të Voskopojës (1916), në manastirin e shën Prodhromit, i cili mrekullisht i ka shpëtuar shkatërrimeve, për vetë distancën nga qyteti i Voskopojës dhe nderimit që gëzonte edhe nga popullata myslimane e zonës. Libra të botuara në Voskopojë apo të bibliotekës së saj dhe kodikë të kësaj biblioteke gjenden sot në bibliotekat kombëtare të Athinës, Bukureshtit, Vjenës, Beogradit, Sofjes etj, si dhe në shumë koleksione private në botë.

Gjithashtu i rëndësishëm është edhe fakti se afër kësaj biblioteke, ka të dhëna se ka ekzistuar edhe një librari si për ta plotësuar kështu “industrinë” e qarkullimit të librit në këtë qytet kozmopolit, në të gjitha zërat, hartimin, botimin, ruajtjen dhe qarkullimin. Sipas të dhënave që jep në lidhje me këtë fakt S. Adhami mësojmë se këtu tregtoheshin libra të shtypur në Evropë dhe tekste mësimore dhe fetare. Këtu shiteshin gjithashtu të gjitha botimet e Voskopojës.

Nga këto botime del në kopertinat e para të librave të shtypura atje edhe emri i ri i qytetit “Moskopolis”. Në lidhje me këtë emërtim ka dy mendime, njëri është mendimi i hedhur nga Pouqueville, sipas të cilit, qyteti është ngritur mbi gërmadhat e një qyteti të vjetër antik të Moskëve, prej nga shpjegohet sipas tij edhe etimologjia e emërtimit “Moskopolis”. Pukëvili në librin e tij “Voyge en Grece”¹¹, në pjesën ku flet për historikun dhe emërtimin e qytetit e mbështet teorinë e tij në shpjegimin e etimologjisë së fjalës “Moskopilis”, duke sjellë si argument të kësaj teorie të dhëna nga historiani i vjetër grek Straboni, që sipas Pukëvilit bën fjalë për një tempull të lashtë të ndërtuar në këtë qytet ku shtrihet Voskopoja, para epokës së Argonaftëve prej Friksit.

Kësaj ideje i kundërvihet studiuesi grek A. Gudha i cili në punimin e tij “Jetë paralele”¹², thotë se: “Duke Studiuar historianin e vjetër Strabon, mëson këtu për një vend “të quajtur Mosku mes lumenjve, ku është ndërtuar tempulli i lefkothesë (Artemisës) prej Friksit ku ka qenë dhe orakulli i tij”. Por ky vend thuhet se është midis Kohlit dhe maleve të Kaukazit dhe nuk ka lidhje me Shqipërinë e Jugut dhe aq më tepër me Maqedoninë. Kështu që kjo teori është e pabazë. Straboni më poshtë shkruan: “Ky tempull prej Moskut është tre ditë larg dhe këtë e kanë Kohlët, Ibirët dhe Armenët””.

Është e vërtetë se Straboni në librin e tij, popullatat që jetonin midis Ibirit, detit Kaspik dhe maleve të Kaukazit i quante Albanë, bile ai përshkruan dhe doket e zakonet e tyre. Por ky vend nga pikëpamja gjeografike nuk ka asnjë lidhje me vendin ku shtrihet Voskopoja dhe teoria e tij është e pabazë dhe ky variant nuk qëndron. Kjo hipotezë e pabazë bie dhe për faktin se nëse i referohemi librave të tij të historisë do të shohim se për zonën e Maqedonisë Antike, ku gjeografisht përfshihej apo ndodhej afër saj dhe zona e Voskopojës së sotme, Straboni bën fjalë dhe e përshkruan në fund të librit të tij të shtatë, ndërsa për qytetin e Moskut, për malet Moskike dhe Albanët ai bën fjalë në librin e tij të njëmbëdhjetë¹³.

Fakti se Voskopoja i përket një epoke të re, vërtetohet dhe me arsyetimin se këtu nuk janë gjetur deri tani objekte arkeologjike, kështu që, ndoshta Pukëvili gabon kur thotë se ajo u ndërtua mbi qytetin e vjetër të Moskëve (des Mosches). Mbetje arkeologjike me interes janë gjetur në fshatin Voskop, ndoshta Pukëvili për arsye se nuk e ka shkelur vetë këtë trevë, mund ta ketë ngatërruar Voskopin me Voskopojën. Megjithatë sipas një tradite gojore, Voskopi ka qenë Voskopoja e hershme dhe banorët e parë të Voskopojës së sotme kanë ardhur dhe janë vendosur në Voskopojën e sotme nga Voskopi.

Varianti tjetër më i pranueshëm për mendimin tonë, për shpjegimin etimologjik të fjalës “Moskopilis”, si dhe për ngritjen në formë të këtij emërtimi ka të bëjë me një situatë tjetër. Kështu mësojmë nga të dhënat që jep Gjeorgjiadhis, Martinianis dhe sidomos Skënderis¹⁴, se voskopojarët kanë ndihmuar shumë ekonomikisht vëllazërinë e Varrit të Shenjtë të Krishtit në Jerusalem. Thuhet se me ndërhyrjen e Patrikut të Jerusalemit tek Myftiu i atëhershëm i këtij qyteti u sigurua një dekret sulltanor prej kësaj vllazërie, sipas së cilës Voskopoja të mos quhej më Voskopolis (qyteti i barinjve) por Moskopolis, (qytet i aromave) për vetë fizionominë e veçantë që krijoi nëpërmjet kultivimit shpirtëror dhe infrastrukturës së mrekullueshme ky qytet. U quajt kështu jo vetëm në mënyrë simbolike për vetë aromën e artit dhe kulturës që rrezatonte në rajon ky qytet, por edhe në kuptimin e drejtpërdrejtë për shkak të ajrit të mbushur me aromat e pishave dhe bimëve të tjera erëmira të ndodhura kudo në këtë zonë.

Në shenjë mirënjohje për ndihmën dhe mbështetjen që voskopojarët i dhanë kësaj vëllazërie, ajo i dërgoi dhuratë së bashku me dekretin, tashmë qytetit Moskopolis dhe një pjesë të konsiderueshme prej drurit të shenjtë të Kryqit të Jisu Krishtit. Kështu nga monografitë dhe dorëshkrimet për Voskopojën mësojmë se kjo dhuratë e çmuar u fut në një këllëf ari të garnituar me gurë të çmuar¹⁵ dhe ka ekzistuar në Voskopojë deri në kohën e djegies së parë të saj, më pas u ruajt në një familje korçare voskopojare për të humbur përfundimisht nga mesi i shek të XIX – të.

Në kodikun e manastirit të Shën Prodhromit në faqen 55 përmenden emrat e dhuruesve për stolisjen e Kryqit (Timio Ksilo), ku jeromonaku Theodhos dhuroi 3840 aspra. Ndërsa sipas kodikut të Shën Marisë në shënimet e Janarit të 1753, Theodhor Papa Mihal Mentelas dhuroi një diamant të madh të blerë, kurse Theodhori i Jankos dhuroi tetë diamantë. Ndërsa Protosingjeli i Vendeve të Shenjta quhet këtu, si dhurues i Kryqit.

Ekzistenca e këtij suveniri të rrallë në këtë qytet nuk mund të shpjegohet ndryshe veçse nëpërmjet lidhjeve të Voskopojarëve me vëllazërinë e Varrit të Shenjtë, gjë që vërteton indirekt dhe vërtetësinë e variantit të dytë për ndërrimin e emrit të qytetit, për të cilin deri tani nuk është gjendur ndonjë dokument i shkruar. Mendojmë se kjo është arsyeja që ky qytet qysh në kopertinat e para të botimeve të shtypshkronjës pas vitit 1720 e andej quhet Moskopolis.

Siç kishte raportuar UGO, historiani Sokol Çunga foli për Kodikun e Korçës gjatë kampit rinor orthodhoks të zhvilluar në Voskopojë.

Shënimet dhe bibliografia

  1. Sakellaridhi S.: Peri Moskopoleos, Pandora, IX, Athinai 1859, fq. 44. & Qafëzezi M. Voskopoja e vjetër dhe rrëbeshimi i parë 1338 – 1769, Minerva 17, 1934.

* Kështu quhej Kryepishkopata e Ohrit. – Bëhet fjalë për Grigorin e Durrësit.

  1. Historinë e Letërsisë Shqipe, I, fq. 303.
  2. Kallimahos Dh.: Panathinea, vëll 6. Prill 1913, fq. 8.
  3. Gjeorgjiadhis Th.: Moskopolis, Athinai 1971, fq. 72.
  4. Llambrou P.: Pandora. – Bëhet fjalë për një ndër studiuesit me seriozë që janë marrë me studimin e botimeve të shtypshkronjës së Voskopojës, prej të cilit kemi edhe një katalog përmbledhës të këtyre botimeve.
  5. Gjeorgjiadhis Th.: Moskopolis, Athinai 1971, fq. 60. – Bëhet fjalë për Joakim Martinianin, voskopojar i shquar si ierark dhe intelektual. Ka shkruar dy libra të rëndësishëm për historinë e Voskopojës. Anëtar i Sinodhit të Patriarkanës Ekumenike dhe Mitropolit i Ksanthit, në atë kohë ka qenë mitropolit i Beratit.
  6. Sakellaridhi S.: Peri Moskopoleos, Pandora, IX, Athinai 1859, fq. 46.
  7. Weigand G.: Die Arumunen, Leipzig 1895, fq. 98.
  8. Velianitis: Meg. Ellihik. Enkilkop., Tomos 3, fq. 22.
  9. Adhami S.: Voskopoja, fq. 93.
  10. Pouqueville: Voyge en Grece, Vëll III – të fq. 40.
  11. Goudhas A.: Bioi Paralloi, Athinai 1874, Tom IV, fq. 178.
  12. Stravon, Istoria biblio, 7, 11 Athinai, 1980.
  13. Skënderis K.: Istoria tis Arheas kai Sunhronou Moskopoleos, fq. 22, Athinai 1906.
  14. Fundo T.: Shënime për Voskopojën apo Moskopolin, dorëshkrim i pabotuar, fq. 31.
Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu