Kryepiskopi Joan: Vepra kryesore e njeriut është të pranojë Zotin në zemër
Predikimi nga Fortlumturia e Tij, Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, mbajtur në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit
Vepra kryesore që duhet të bëjë secili nga ne është të pranojë Zotin në zemrën dhe në shpirtin e tij.
Predikimi nga Fortlumturia e Tij, Joani Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
E Diela VI e Llukait
Ungjilli i sotëm është një ngjarje që përshkruhet në të tre ungjijtë sinoptikë: ai i Mattheut, Markut dhe Llukait. Ai lexohet dy herë gjatë vitit liturgjik kishtar, sepse ky ungjill është shumë i rëndësishëm për ne, për të kuptuar gjendjen tonë, ku ndodhemi dhe faktin që nuk jemi të vetëm në këtë botë, në të cilën ka engjëj, demonë dhe, padyshim, është edhe Perëndia. Ky Ungjill ka qenë gjithmonë i lexuar dhe i komentuar nga shumë Etër të Kishës, sepse pavarësisht se është shumë i shkurtër, mbart një rëndësi të madhe.
Mund ta tregojmë shkurtimisht për ata që ndoshta nuk ishin të pranishëm gjatë leximit: Jisui shkoi në veri të liqenit të Galilesë, në një qytet me emrin Gadara, ku ndodhej një i demonizuar. Gjendja e tij ishte aq e rënduar, saqë flinte varrezave, rrinte lakuriq, madje edhe kur e lidhnin me zinxhirë, ai i këpuste ato. Për më tepër, askush nuk guxonte të kalonte nga ajo rrugë sepse ai ishte shumë i egër. Kur Jisui iu afrua, nga njeriu shpërtheu një zë që nuk ishte zëri i tij dhe tha: "Jisu Bir i Perëndisë, përse ke ardhur? Çfarë ka ndërmjet meje dhe teje? Përse ke ardhur për të na torturuar para kohe?" Atëherë Jisui e pyet: "Si e ke emrin?" Dhe ai i përgjigjet: "Legjion", sepse në të kishte një shumicë të madhe demonësh.
Zoti vazhdoi bisedën, gjë që përbën edhe dinamikën e ngjarjes. Nga kjo dinamikë ne mund të nxjerrim shumë mësime për veten, duke shpjeguar gjëra të ndryshme që lidhen drejtpërdrejt me ne, pavarësisht se në fillim mund të duket sikur nuk kemi asnjë pikë takimi me këtë ngjarje. Demonët i kërkuan Jisuit që të mos i çonte në abis, por t'i lejonte të futeshin në një tufë derrash që po kullosnin aty afër, dhe Zoti i lejoi. Atëherë ato u futën te derrat dhe e gjithë tufa u sul drejt liqenit. Kushdo që ka qenë ndonjëherë në bregun verior të liqenit të Galilesë, e di që aty ndodhet një shkëmb shumë i madh dhe një greminë e thiktë që bie direkt në ujë; derrat ranë atje dhe u mbytën.
Njerëzit e Gadarës erdhën dhe i kërkuan Jisuit të largohej prej tyre, sepse u trembën - ndoshta ngaqë ndjenë se humbën pasurinë e tyre prej pranisë së Zotit. Zoti u largua dhe nuk përmendet më në Shkrimin e Shenjtë që të jetë kthyer përsëri në atë vend. Nga ana tjetër, i shëruari, i cili tashmë ishte zbutur, kishte ardhur në vete dhe ishte veshur, i kërkoi Jisuit që ta merrte me vete si një nga nxënësit e tij. Por Zoti i tha: "Jo, shko në shtëpinë tënde dhe tregoju të gjithëve se çfarë bëri Perëndia për ty". Dhe ai shkoi në qytet e filloi t'u tregonte të gjithëve për mrekullinë e madhe që i kishte ndodhur. Ky është ungjilli i sotëm.
Çfarë do të thotë ky Ungjill për ne sot? Shumica e njerëzve sot nuk besojnë më as në demonët, as në engjëjt. Dhe ajo që më duket e habitshme është kjo gjë: ka shumë njerëz që besojnë në Zotin, por kanë një vështirësi shumë të madhe për të besuar në engjëjt dhe demonët. Por, nëse Zoti ekziston, ku qëndron vështirësia për të besuar që ekzistojnë edhe këto realitete të tjera? Shkrimi i Shenjtë flet vazhdimisht rreth këtyre gjërave dhe ndikimit të keq që ata kanë mbi shpirtrat e njerëzve, kur njerëzit largohen nga Perëndia. Sa herë që largohemi nga Perëndia, atë vend do ta zërë dikush tjetër. Njeriu nuk mund të qëndrojë në vakum; ose do të jetë Zoti i pranishëm tek ai, ose do të jetë ai tjetri (I ligu).
Prandaj, Ungjilli i sotëm është një thirrje për secilin nga ne. Padyshim që nuk janë të gjithë të demonizuar në këtë formë siç përshkruhet në Ungjill. Por shën Joan Gojarti thotë diçka shumë të rëndësishme, të cilën do të doja ta zhvilloja sot. Ai thotë: "Unë ndihem më i qetë pranë këtij të demonizuari, sepse është më vështirë të rrish me të demonizuarit e tjerë, të cilët nga pamja e jashtme duken shumë të rregullt". Mund të jenë të krehur, të veshur mirë, të pastruar e gjithçka tjetër, por shpirtërisht ata janë kundër Perëndisë.
Dhe në këtë Ungjill ne kemi shembullin e qartë se kush e kundërshtoi praninë e Zotit. Së pari, ishin demonët që ndodheshin tek i demonizuari. Të dytët ishin njerëzit e Gadarës, që i kërkuan Zotit të largohej prej tyre sepse u prishi rehatinë. Edhe sot ka shumë njerëz që nuk e pranojnë Zotin, sepse Ai u prish ritmin e tyre të jetës: qejfet që duan të bëjnë, pasionet që duan të ndjekin dhe çdo gjë tjetër. Ky njeri nuk ndihet komod nëse Zoti është i pranishëm. Ndoshta nuk e thotë me gojë që Perëndia të largohet, por në mendjen dhe shpirtin e tij nuk e do praninë e Zotit. Nëse njerëzit nuk e duan praninë e Zotit, kjo do të çojë në pranimin e atij tjetrit.
Prandaj shën Joan Gojarti thotë: "Ne na dhimbset kur shikojmë një të demonizuar nga jashtë, por më të vështirë dhe më të egër janë ata që janë të demonizuar nga brenda". Kush mund të thotë që këta njerëz janë të demonizuar nga brenda? Sa herë që e largojmë Zotin nga jeta jonë dhe sa herë që nuk besojmë tek Perëndia, aty do të veprojë pikërisht influenca e atij tjetrit.
Në romanin e tij të famshëm: "Demonët", Dostojevski ka vendosur pikërisht Ungjillin e sotëm në fillim si epigraf. Ai besonte se të gjithë ata ateistë, të cilët ishin të influencuar nga idetë e asaj kohe në Rusi, ishin pikërisht të demonizuar; ishin ata që do ta shkatërronin atë vend - gjë që ndodhi pastaj me Revolucionin Bolshevik. Ateizmi gjithmonë çon në persekutim dhe në vuajtje të mëdha. Në një fjalim që mbajti Aleksandër Solzhenicini në Amerikë, në Universitetin e Harvardit, tema e tij ishte pikërisht kjo: një shoqëri pa Zotin është fillimi i Gulagut (kampet e përqendrimit në kohën e komunizmit në Bashkimin Sovjetik).
Nëse e largojmë Zotin nga jeta jonë, padyshim që ajo do të gjendet nën një influencë tjetër. Njeriu nuk vepron asnjëherë vetëm nga vullneti i tij. Nëse Zoti është tek njeriu, atëherë ai udhëhiqet nga vullneti i mirë i Perëndisë, nga hiri i Shpirtit të Shenjtë dhe ecën drejt të mirës. Në të kundërt, nëse Zoti nuk është tek ai, njeriu influencohet nga idetë demoniake, pasionet e mbrapshta e gjithçka tjetër e ligë. Dehjet, drogat, inatet, mëritë dhe zemërimet nuk vijnë nga Zoti, por burojnë pikërisht nga kjo lloj influence.
Por, ka edhe një lloj tjetër demonizimi, i cili ndoshta nga jashtë duket shumë i mirë. Këtu e kam fjalën për të gjithë ne, njerëzit që vijmë në kishë; mund të dukemi mirë, mund të vijmë çdo të diel, mund të bëjmë nga jashtë gjithçka që duhet, por nga brenda nuk e jetojmë atë që thotë Zoti. Këta njerëz, pak a shumë, i kanë thënë Zotit të largohet nga jeta e tyre. Prandaj, nëse realisht besojmë, duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm në jetën tonë. Sepse besimi nuk është diçka e jashtme, ai buron nga brenda. Ana e jashtme është thjesht një pasqyrë e jetës sonë të brendshme. Të gjitha liturgjitë dhe shërbesat që kryhen në kishë kanë si qëllim pikërisht të na përqendrojnë dhe frymëzojnë në jetën tonë të brendshme shpirtërore. Nëse nuk e realizojmë këtë gjë, atëherë ato nuk do të kenë më asnjë vlerë për ne.
Në lidhje me këtë, një epsikop i shenjtë që ka jetuar rreth viteve 1860, Shën Ignat Briançaninovi, ka shkruar një libër shumë të njohur në botën asketike të quajtur "Arena". Ky libër tregon se jeta shpirtërore e çdo njeriu është një luftë e pandërprerë, është një arenë për të luftuar kundër çdo lloj ndikimi demoniak dhe pasioneve të ndryshme të mishit e të trupit tonë. Në këtë libër ai flet për tipe të ndryshme ngasjesh që shfaqen brenda në kishë. Madje, ai thotë se ekziston edhe një ngasje tjetër që prek murgjit, murgeshat, priftërinjtë, dhjakonët, episkopët dhe të gjithë ne. Kjo ndodh kur njeriu merret vetëm me gjërat e jashtme: flet rreth stolive, mitrave, kryqeve, ikonave apo mozaikëve, duke u mjaftuar vetëm me dukurinë e jashtme dhe pa pasur një jetë shpirtërore të brendshme. Ky është një lloj tjetër demonizimi, tepër i sofistikuar, sepse nuk dallohet as nga vetë ata njerëz që e jetojnë, e as nga njerëzit që janë jashtë.
Vepra kryesore që duhet të bëjë secili nga ne është të pranojë Zotin në zemrën dhe në shpirtin e tij. Nëse Zoti nuk është i pranishëm në zemrën tonë, atëherë nuk ka asnjë vlerë gjithçka që bëjmë. Shën Theofani i Mbylluri, një asket shumë i dëgjuar i Kishës Orthodhokse, shkruan: "Përse ndodh që shumë njerëz vijnë në kishë vazhdimisht, qofshin këta laikë apo klerikë, edhe pse kalojnë vite e vite, nuk bëhen më të mirë? Madje, jo vetëm që nuk bëhen më të mirë, por bëhen akoma më të këqij, më zemërakë, gjykojnë të tjerët, janë inatçinj, ziliqarë e me çdo ves tjetër. Pse ndodh kjo gjë?! Sepse ata njerez nuk e kanë pranuar Zotin në zemrën e tyre; dhe atje ku nuk është i pranishëm Zoti, do të jetë i Ligu.
Ungjilli i sotëm na thërret të meditojmë për jetën tonë. Sa herë që kemi inate, zemërime, ankesa, hakmarrje ndaj të tjerëve, zili, smirë, thashetheme apo shpifje, duhet ta dimë se këto janë influenca demoniake. Ato na shkatërrojnë si ne ashtu edhe të tjerët. Sepse influenca demoniake nuk e ndihmon asnjëherë njeriun; ajo të shkatërron ty edhe njerëzit që ke rrotull. Prandaj, secili nga ne le të meditojë rreth këtij Ungjilli dhe le ta shikojë në pasqyrë zemrën e tij, duke pyetur veten: A është Zoti brenda meje apo nuk është? Dhe kur themi "është Zoti", kjo nënkupton nëse bëjmë çdo ditë një jetë sipas mësimeve të Perëndisë dhe sipas urdhërimeve të Zotit. Nëse nuk e bëjmë këtë gjë, do të thotë se nuk e pranojmë Zotin. Bëhemi ashtu si njerëzit e Gadarës, të cilët i thanë të largohet, sepse prania e Perëndisë u prishte rehatinë.
Shumë njerëzve mund t'ju duket sikur prania e Zotit është një torturë për ta. Ju e keni parë ndoshta, ose edhe vetë mund ta keni provuar e dëgjuar, që shpeshherë njerëzit nuk mund ta durojnë një njeri fetar, madje edhe kur ai nuk thotë asnjë fjalë. Kjo ndodh sepse, sipas tyre, vetë prania e tij është një kritikë për jetën që ata bëjnë. Sa herë që e shohin atë njeri, ata nuk e duan pranë vetes, sepse ai është një kritikë e thellë e heshtur për mënyrën se si ata jetojnë.
Tregohet një histori për një njeri në Greqinë e lashtë, Alkiviadin, i cili e urrente shumë Sokratin. Sa herë që e shikonte, e shante dhe i thoshte: "Sa herë të shikoj më ngjallet një urrejtje e madhe kundër teje, sepse ti je një kritikë e gjallë për mënyrën se si unë jetoj!" Prandaj, shpeshherë njerëzit nuk i duan ata që jetojnë sipas mësimeve të Ungjillit. Kështu, ose do t'ju vënë disa epitete, duke thënë se kanë shkuar në ekstrem, ose do të shpifin se nuk janë mirë nga mendtë. Gjithmonë gjejnë diçka për të justifikuar veten dhe mënyrën e tyre të jetesës.
Prandaj, Ungjilli i sotëm është një pasqyrë shumë e rëndësishme për secilin nga ne. Le të shohim brenda nesh se çfarë influencash ekzistojnë realisht. Siç e përmenda pak më parë, sa herë që kemi inate, zemërime e gjithçka tjetër, kjo nuk vjen nga Zoti, por është rrjedhojë e influencës demoniake, të cilën edhe neve shpeshherë na pëlqen ta ushqejmë. Na pëlqen, sepse mësimi i Zotit mund të na duket i vështirë, ndonëse në të vërtetë është e kundërta. Zoti thotë se zgjedha ime është e lehtë. Nëse realisht njeriu jeton sipas Zotit, do ta kuptojë se sa e lehtë është zgjedha e Tij. Madje, ajo nuk është thjesht zgjedhë, por është hir; është një gëzim që mbush shpirtin e njeriut me dashuri, me dhembshuri dhe me një paqe të paparë.
Le të mundohemi ta pastrojmë çdo gjë të keqe që ndodhet brenda zemrës sonë dhe le të përpiqemi ta pranojmë Zotin në të. Prania e Zotit në zemrën e çdo njeriu është dritë dhe gëzim i madh. Amin.
Katedralja e Ngjalljes së Krishtit, Tiranë, 25 tetor 2026