Jerond Efremi rrëfen kujtime për Kryepiskopin Anastas

Foto ilustruese UGO.Al
Kryepiskopi Anastas i ndjerë i Shqipërisë u përkujtua përmes një dëshmie personale të mbajtur nga jerondi Efrem, Igumen i Manastirit të Shenjtë të Vatopedit. Sipas orthodoxianewsagency.gr, fjala u mbajt të enjten, ditën e fundit të Takimit të 5-të Ndërortodoks Murgëror, që u zhvillua në Manastirin e Shenjtë të Faneromenisë në Lefkadhë, me temë "Murgjëria Orthodhokse dhe Hierapostolia", takim i kushtuar pikërisht kujtimit të Kryepiskopit të lumur.
Më poshtë, fjala e plotë e jerondit Efrem, siç u mbajt në këtë tubim:
Jerond Efremi për Kryepiskopin Anastas: «Arma ime ishin lutja dhe lotët»
Kujtime dhe dëshmi për jetën shpirtërore, përulësinë dhe shërbimin e Kryepiskopit të ndjerë të Shqipërisë.
Fjala e mbajtur për Takimine 5të ndërortodoks Murgëror në Lefkadhë.
Fort i nderuar Kryebari, të dashur etër, nëna igumene dhe motra! Në fillim kishim menduar të flisnim për një temë tjetër, e mbani mend. Por mendova që këtë herë t'ju bëj një rrëfim publik. U ndikova nga Shën Joani i Kronstadtit. Së fundmi më dërguan nga Rusia njëzet e gjashtë vëllime me shkrimet e tij, që përmbajnë rrëfimet e tij. Vërtet, Hirësi i Mesogjisë, nuk kisha parë te ndonjë shenjtor tjetër një përshkrim kaq të hollësishëm të mëkateve të veta. Ajo që më tronditi ishte pendimi i tij, pendimi i madh.
Me Kryepiskopin e ndjerë të Shqipërisë kishim dashuri për njëri-tjetrin, por kishim edhe kundërshtime. Kishte qenë profesori ynë dhe unë e shihja gjithnjë si një njeri që i jepte përparësi dijes. Kur bisedonim, kishte dashuri ndërmjet nesh. Edhe pse unë, me mendjen time të marrë të asaj kohe, kisha kundërshtimet e mia, megjithatë e simpatizoja. Na takonte në oborrin e Fakultetit të Teologjisë dhe na thoshte: — Vullneti i Perëndisë është shenjtërimi juaj. Pastaj largohej. Na takonte një herë tjetër dhe thoshte: — Perëndia është dashuri. Dhe përsëriste shpesh: — Ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë. E kuptoja se ky njeri nuk i thoshte rastësisht këto fjalë. Ato sillnin një veprim të hirit.
Kur u bëra murg dhe shkova në Malin e Shenjtë, jerondi ynë i ndjerë na shpjegonte diçka dhe atëherë e kuptova më mirë. Na thoshte se predikuesi i vërtetë është ai që, kur u flet vëllezërve dhe popullit, bashkë me fjalën e tij përcjell edhe hirin e Shpirtit të Shenjtë, i cili banon brenda tij. Ky hir ndez zemrën e dëgjuesit dhe lind tek ai dëshirën për Perëndinë. Këtë e bën fjala plot hir e predikuesit, e cila shoqërohet nga hiri që ai vetë ka. Kur i dëgjoja këto në Malin e Shenjtë, mendoja gjithnjë për Kryepiskopin Anastas dhe për simpatinë e veçantë që kisha ndaj tij. Atëherë kuptova se fjalët e tij nuk ishin fjalë të zakonshme.
Takimi në Tiranë dhe dhurata e Shën Kozmait
Kishim biseduar shumë herë. Ai kishte ardhur në Malin e Shenjtë dhe kishim folur gjatë, edhe veçmas. Por ajo që më preku veçanërisht ishte vizita jonë në Tiranë, së bashku me Mitropolitin e Limasolit, tre muaj përpara fjetjes së tij. Ishte shumë mirë me shëndet. Na tha shumë gjëra dhe patëm mundësi ta takonim edhe privatisht. Na dha edhe një pjesë nga lipsani i shenjtë i Shën Kozmait. […]
Në fillim na kishte thënë: — Nuk jap, sepse nuk më pëlqen që lipsanet e shenjta të qarkullojnë sa andej-këndej. Le të mbeten këtu. Ne i thamë: — Fortlumturi, nuk do t'ju ushtrojmë trysni për të na dhënë lipsane të shenjta. Ai na tha: — Do t'ju jap diçka tjetër timen. T'ju jap një epitrahil (petrahil) dhe një omofor. — Edhe kjo është mirë, — iu përgjigjëm. Na i dha atëherë. Më vonë, atë pasdite, thirri Nathanailin, i cili në atë kohë ishte Episkop i Amantias, dhe i tha: — Eja t'u japim edhe nga një pjesë lipsani etërve. Kështu na dha dhe e kemi në manastir.
Siç e dini, kishte shumë ish-studentë edhe këtu. Hirësia i Halkidës, më thatë se edhe ju kishit qenë studenti i tij. I donte shumë studentët e vet. Ishte një njeri me fjalë të ëmbël. I thosha atëherë: — Hirësi, sa ëmbël flisni! Dhe më përgjigjej: — Për këtë nuk jam munduar. E kam pasur që i vogël. Gjithmonë kam qenë kështu.
Bisedat tona dhe fisnikëria shpirtërore
Më zbuloi më pas diçka që më ndihmoi të kuptoja edhe shumë të tjera. Unë i thosha: — Por keni edhe ikumenizëm brenda jush. Jeni pak ikumenist. Kështu i flisja. Disa prej nesh thoshim: — I mirë është Anastasi, por është ikumenist. […] Ai më shpjegonte përse i bënte këto takime: — Shkoj në Afrikë, shkoj edhe në vende të tjera dhe kontribuoj për paqen e përgjithshme. Kur kemi komunikim, na ndihmojnë për paqen dhe na ndihmojnë edhe në çështjen e aborteve. Për këto arsye i bëj këto. Ta dini se këtë e vlerësova shumë. Unë, mendjengushtë siç isha dhe jam, nuk e kisha menduar këtë gjë.
Në një bisedë telefonike i thashë: — Shoh se ndërtoni spitale. A nuk ndërtoni edhe kisha? M'u përgjigj: — Ndërtoj edhe kisha. Spitalet i ndërtoj për arsye të veprimtarisë baritore. Më tha edhe diçka tjetër: — Ashtu si një pyll nuk duhet të ketë vetëm një lloj peme, por një pyll i mirë dhe i bukur ka shumë lloje pemësh… Pastaj më foli për atë që kishte arritur në Kishën e Shqipërisë, gjithnjë duke shtuar: «Me hirin e Perëndisë.» Këtë e thoshte gjithmonë. […]
Përmendte edhe respektimin e juridiksionit kishtar, që Kisha nga shtete të tjera të mos krijonin bashkësi të veçanta baritore. Një qëndrim të tillë kishte mbajtur edhe i ndjeri Makari III i Qipros. I thoshin se në Angli kishte shumë qipriotë dhe se duhej të dërgonte një episkop. Ai përgjigjej: — Jo. Atje është Patriarkana Ekumenike. Kjo më bënte përshtypje tek Anastasi. Ishte njeri plot hir dhe na thoshte gjithnjë se Orthodhoksia duhet të ketë fisnikëri.
Unë i lidhja këto fjalë të tij me atë që dëgjoja nga etërit e Malit të Shenjtë. Shën Paisi na thoshte se duhet të kemi fisnikëri shpirtërore. Kjo nuk do të thotë thjesht të jemi të sjellshëm. Çfarë do të thotë fisnikëri shpirtërore? Të mos biem në vogëlsira dhe të mos u shërbejmë atyre. Kryepiskopi i ndjerë i Shqipërisë më thoshte: — Sikur ta dije çfarë heq këtu! Çfarë heq nga vogëlsirat dhe egoizmat! Por bëj durim.
Më përmendte shpesh thënien për murgun, që është i ndarë nga të gjithë dhe i bashkuar me të gjithë. Ma shpjegonte dhe më pyeste: — Çfarë do të thotë kjo? Si e kuptoni ju? Më thoshte se mendja duhet të ketë forcë për t'u marrë me çështjet sipas nevojës, por të mos cenohet kur lutet, kur mendon dhe kur vendos për atë që duhet të bëjë. Më bënte përshtypje, sepse këto i gjejmë tek etërit e Filokalisë.
Shën Porfiri dhe Filokalia
Më zbuloi edhe diçka që lidhej me themelet e gjithë jetës së tij: — Në jetën time kam pasur etër shpirtërorë. Vërtet, vëllazëritë «Zoi» dhe «Sotir» kanë dhënë ndihmesën e tyre dhe vazhdojnë të japin. Unë nuk jam nga ata që i hedhin poshtë. Por ai më tha: — Perëndia më ndihmoi të lidhesha me Shën Porfirin. Shkova tek ai dhe, sapo mbërrita, më tha: «Ti lexon shumë, por diçka nuk e lexon.» — Çfarë? — e pyeta. — Nuk lexon Filokalinë. — Që atëherë, — më tregonte Kryepiskopi, — fillova ta lexoj Filokalinë dhe e mësova përmendsh. Ajo vendosi drejtime të mira në jetën time dhe më ndihmoi të fitoja dallim shpirtëror kudo që shkoja. Më ndihmoi shumë edhe fakti që e ruajta pastërtinë time. Për këtë më ndihmoi shumë Shën Porfiri.
Më thoshte gjithashtu: — Isha profesor, më pëlqente kërkimi shkencor dhe nuk mendoja për priftërinë. Edhe pse bënte jetë të panjollë dhe ishte njeri i pastër, nga përulësia nuk guxonte të hynte në priftëri. Më pas, me këshillat që mori, e pranoi këtë rrugë dhe u bë edhe kryeprift.
Ndërmjet nesh, Hirësi i Halkidës, e dini se Kisha e Greqisë nuk i shfrytëzoi sa duhej dhuntitë e tij. Por më vonë veproi përkujdesja e Perëndisë. Ishte njeri i heshtur. Dëgjoje të thoshin: «Tasoja, Tasoja, thuaji Tasos…» Po kush ishte ky «Taso»? Ishte atëherë Episkopi i Andrusës! Dua të them se i duroi edhe këto qëndrime. Por kishte themele shpirtërore.
Më preku edhe ajo që më tha për librin e tij mbi Islamin: — Nuk e shkrova me fanatizëm. E shkrova me objektivitet teologjik. Më shpjegonte se kjo kishte ndihmuar që të mos kishte reagime kundër tij. Edhe aty ku kishte ardhur, mes popullsisë myslimane, nuk kishin ngritur kundërshtime për librin. Po të kishte fanatizëm brenda tij, mund të reagonin dhe të thoshin: — Nuk e duam këtë njeri, sepse është armik i Islamit.
Një tjetër gjë që theksonte ishte rëndësia e dallimit shpirtëror. Kujtoj se Shën Paisi na kishte thënë një herë se kundërshtimi ndaj Islamit nuk duhej bërë ballazi. […] Përmendte një grua të aftë që të fliste për vlerën dhe pozitën e drejtë të gruas. Më bënte përshtypje afërsia e këtij mendimi me atë që më thoshte Kryepiskopi i Shqipërisë.
«Mbështetja ime dhe arma ime ishin lotët»
Më thoshte: — Lutem shumë. E pyeta: — Keni kohë për t'u lutur? — Lutem, — më përgjigjej. Më falni që po i tregoj këto. E pyeta: — Fortlumturi, a keni lot në lutje? Më tha: — Kur jam në kishëzën që kam atje në Shqipëri, po, kam. Por Perëndia më ka dhënë një dhunti: nuk qaj kurrë përpara njerëzve. Këtë e shijoj, e dua dhe e falënderoj Perëndinë për të.
Pastaj më tha: — Çfarë mendon? Të duket e vogël kjo vepër? Patriarkana Ekumenike më dha një Kishë Autoqefale që ekzistonte vetëm në letër. Nuk më dhanë para — ku t'i gjenin? — dhe nuk më dhanë as tre punonjës, tre bashkëpunëtorë që të paguheshin nga diku. Erdha vetëm. Por erdha dhe lutesha duke qarë. Ta dish se mbështetja ime, aleati im dhe arma ime ishin lotët. Shpresoja se Perëndia do të më ndihmonte. Tani që jam në perëndimin e jetës sime, mund të them se atë që Perëndia më ndriçoi të bëja, Ai vetë e vulosi. Fliste me një sinqeritet aq të madh, sa nuk mund ta përshkruaj.
Më tregoi edhe për një armë tjetër që kishte në shërbimin dhe misionin e tij: — Që nga fillimi, Shën Porfiri më ndihmoi shumë që të mos parashtroja vullnetin tim dhe të mos ndiqja synime personale.
Nga Nairobi në Shqipëri
Më tregonte: — Isha në Nairobi kur më telefonuan. Patriark Ekumenik ishte i ndjeri Dhimitër. Më njoftuan se isha zgjedhur ekzark për Shqipërinë. «Çfarë është kjo? Ma shpjegoni», u thashë. Ma shpjeguan dhe kërkova kohë: «Më lini ta mendoj dhe t'ju përgjigjem. Është një rrufe në qiell të kthjellët. Nuk është diçka që më entuziazmon; e di çfarë më pret. Më lini pak kohë.»
Kur në Nairobi e morën vesh se Episkopi i Andrusës do të largohej për në Shqipëri, njerëzit që e donin shumë filluan t'i luteshin të mos ikte. Ai më tregonte: — Bëra një Mbrëmësore dhe i mblodha të gjithë ata që ishin të shqetësuar. U thashë: «A ju pengon ndokush të lexoni Shkrimin e Shenjtë?» «Jo.» «A ju pengon ndokush të bëni shenjën e kryqit?» «Jo.» «A ju pengon ndokush të shkoni në kishë?» «Jo.» «Atje ku më thërrasin, njerëzit nuk kanë pasur lirinë as të bëjnë kryqin. Nuk e njohin Ungjillin, nuk e kanë lexuar, nga frika se mos i burgosin ose i vrasin.» Atëherë heshtën të gjithë dhe i thanë: — Hirësi, shkoni…
Kur kishte shërbyer një vit si ekzark dhe duhej të merrej një vendim, nga Patriarkana i dërguan fjalë se, me sa dukej, do të qëndronte atje. E shihni: mundet që Kisha e Greqisë të mos i ketë shfrytëzuar sa duhej dhuntitë e Anastasit, ashtu si edhe të disa të tjerëve, por Patriarkana i vuri në shërbim. Ata morën përgjegjësi të rëndësishme, dhanë fryte dhe ndihmuan Kishën.
Vetë ai më thoshte: — E di se po shkoj në thertoren time, po shkoj të flijohem. Por kudo që shkoja, flijohesha. Mendonte, lutej dhe qante vazhdimisht. Ishte e madhe barra për t'u bërë Kryepiskop i Shqipërisë.
Më tregoi: — Atëherë erdhi të më takonte një grup grash shumë serioze. Nuk e di nëse jua ka treguar edhe juve, Hirësi i Mesogjisë. Ishin rreth njëzet gra, të përfshira në jetën e bashkësive të Shqipërisë Jugore; më duket se ishin nga Korça. Ato i thanë: — Hirësi, dëgjuam se doni të largoheni. Ne luteshim dhe agjëronim që të vinte një njeri të na donte dhe të na jepte Krishtin. Dhe ju do të ikni? — Atë çast, — më tregonte, — zemra filloi të më copëtohej. Menjëherë ndryshova qëndrim dhe i thashë Patriarkanës Ekumenike: «Qoftë e bekuar!»
Kur e takuam, i thashë: — Fortlumturi, keni shkruar një faqe të artë… në qiell. I thashë edhe: — Tani ju pret kurora e drejtësisë, për të cilën flet Apostull Pavlli. Çfarë m'u përgjigj? — Efrem, unë nuk pres asgjë. Pres mëshirën e Perëndisë. Këtë pres. Perëndia na mëshiroftë, biri im. Kështu më tha.
«Orthodhoksinë e përjetova si gëzim dhe shpresë»
Siç ju thashë, në shërbimin e tij nuk impononte vullnetin e vet. Kërkonte shenja nga Perëndia, që të ishte i sigurt se po vepronte sepse këtë e donte Perëndia. Më tha edhe diçka tjetër. Po e përmend, sepse ndonjëherë te kryepriftërinjtë kjo nuk është aq e shpeshtë: — Rrëfehem shumë shpesh. Kjo më dha shumë kurajë, forcë dhe entuziazëm.
Më thoshte: — Që i vogël e përjetova Krishterimin, Orthodhoksinë, si gëzim, si shpresë, si dalje nga vdekja. Gjithnjë përjetoj një Ngjallje. Prandaj edhe katedralen ia kushtoi Ngjalljes.
Kështu ishte edhe si profesor. Kur hynte në auditor, na jepte gëzim dhe paqe. Na thoshte shpesh: — Duam njerëz që të frymëzojnë. Këta duam. Për të tillë njerëz të luteni. Për këta ka nevojë Kisha. Vërtet, Anastasi kishte studiuar jashtëzakonisht shumë. Në çdo rast sillte një varg nga Shkrimi i Shenjtë. Por nuk ishte vetëm një teolog i ditur dhe një akademik, megjithëse ishte edhe i tillë.
Që nga fillimi, prirja e tij ishte jeta akademike: fjala akademike dhe kërkimi shkencor. E dëshironte që i ri. Më thoshte: — Gëzohesha kur merresha me kërkimin shkencor e teologjik. E dija se, kur të vija këtu, të gjitha këto do të ndaleshin për mua. Megjithatë, pyetja ime ishte: çfarë kërkon Perëndia prej meje?
Disa i thoshin: — Ku do të shkosh atje, o i bekuar? Po të dërgojnë në mërgim! Çfarë mendon, po të ishte ndonjë vend tjetër, do të të dërgonin ty? I thoshin gjëra të ndryshme. Ai më thoshte: — Unë nuk e shihja kështu. Shihja çfarë kërkonte Perëndia prej meje.
Siç e dini, në mësimin e Filokalisë, si në mision, ashtu edhe në çdo punë që bën murgu dhe çdo i krishterë, themeli është vullneti hyjnor. Kjo është edhe detyra e jerondit, shërbimi dhe misioni i tij: ta ndihmojë murgun të bashkojë vullnetin e vet me vullnetin e Perëndisë. Kjo është arritja.
Gjithmonë e prekte fjala e Zotit: — Shkoni dhe bëni dishepuj të gjithë kombet. Prandaj edhe themeloi shoqatën «Porefthentes» — «Shkoni». Nuk ngopej duke e përsëritur këtë fjalë: — Mos e harroni «Shkoni»! Ua thoshte vazhdimisht të gjithëve.
Lutja e mendjes dhe fjala e Shkrimit
I thashë: — Fortlumturi, më falni, po ju marr në pyetje. — Më pyet, ti e ke këtë të drejtë, — m'u përgjigj. E pyeta: — A merreni me lutjen e mendjes., të zemrës? Më tha: — Që kur njoha Shën Porfirin, më këshillonte vazhdimisht të merresha me lutjen. Por mua më ndodh edhe diçka tjetër. Shpesh fle pak. Them lutjen dhe ndiej shumë ngrohtësi. Pastaj më vijnë vazhdimisht në mendje fjalë të Shkrimit, të cilat vijnë vetvetiu. Ato më ushqejnë. Më ushqejnë dhe më japin një ngazëllim të pafund. Kjo është arsyeja pse jam i gëzuar. Gjithmonë më ka pëlqyer të jem i gëzuar.
E pyeta: — A nuk keni hidhërime? E di se drejtoni njerëz. Kush drejton njerëz, ka edhe një motër binjake që quhet hidhërim. — Është shumë e vërtetë, — m'u përgjigj. — Por Perëndia më ndihmonte dhe e kapërceja. E kapërceja shumë lehtë, sepse kisha këtë dëshirë të brendshme. Veçanërisht kur, pas lutjes, më vinin vargje të ndryshme nga Dhiata e Re. Ta dish se nuk ngopem me Dhiatën e Re. Edhe pse pothuajse e di përmendsh, dua ta studioj.
Përse dëshiron ta studiojë dikush që pothuajse e di përmendsh? Nuk e lexonte për të mësuar diçka përmendsh. Ndiente frytshmëri shpirtërore dhe ngazëllim nga fjalët e Shkrimit. Prandaj e dëshironte dhe e kërkonte atë lexim. Ajo që e prekte gjithnjë ishte Himni i Dashurisë i Apostull Pavlit. — Dua ta them, — më thoshte. — E them dhe e përsëris. Edhe kur ec rrugës, them Himnin e Apostull Pavllit. Ai më jep entuziazëm dhe një forcë të tillë…
Kur ishim atje, ishte tre muaj përpara fjetjes së tij. U preh në moshën nëntëdhjetë e pesë vjeç. Më thoshte: — Ta them diçka? Ndihem sikur jam njëzet vjeç! Nuk e besoj as vetë. Mund të kem problemet e mesit… […] Por ndiej shumë gjallëri brenda meje.
Fytyra e tij e ndritshme
Ta dini se unë e shihja që në kohën e Fakultetit të Teologjisë se ky njeri kishte fytyrë të ndritshme. Shumë të ndritshme. Edhe kur shkuam me Mitropolitin e Lemesosë, e pamë këtë fytyrë kaq të ndritshme.
Më vonë, kur u shtrua në spitalin «Evangelismos», telefonova. Edhe unë isha shtruar në atë spital. Pasi ai kishte kaluar koronavirusin, u shtrova unë dhe qëndrova në dhomën ku kishte qëndruar Anastasi. Atje ishte mjekja Anastasia Kotanidhu, e cila kishte qenë nxënëse e tij në grupet e krishtera të të rinjve. Kur shkova unë, ai i telefonoi dhe i tha: — Për Efremin të kujdesesh siç kujdesesh për mua. Është njeriu im. Këtë ma tregoi Kotanidhu; nuk ma tha vetë ai.
Ishte edhe një mjeke tjetër, zonja Maria. Kur Kryepiskopi u shtrua për herë të dytë, e mora në telefon: — Eleni, si është Fortlumturia? Më tha: — Është shumë i qetë, plot paqe. Lutet vazhdimisht dhe ka një fytyrë të ndritshme. Kjo zonjë është një profesoreshë shumë e mirë në universitet, por nuk ka ndonjë njohje të madhe të gjërave shpirtërore. Vërtet, ky njeri kishte shumë punë të brendshme shpirtërore.
Biseda me Edi Ramën
Para njëzet ditësh erdhi në manastirin tonë Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë. Ai ka një djalë nga martesa e parë. Këta politikanët zakonisht kanë nga dy a tri martesa. Djali i tij nga martesa e parë është orthodhoks, dhe nëna e Edi Ramës ishte orthodhokse nga Himara. Ma tha vetë.
E pyeta për Anastasin. Më tha: — Jerond, unë isha armiku i tij i parë. Nuk e doja kurrsesi që në moshë të re. Pas disa vitesh shkova një ditë ta takoja. Zakonisht flisja kundër tij. Por kur shkova atje, më zhveshi nga gjithçka, u zhvesha, pasi ai është romanokatolik dhe i puthja dorën sepse për herë të parë shihja një njeri të tillë.
E dini, Hirësi i Mesogjisë, kjo më solli në mendje perandoreshën Evdhoksia dhe urrejtjen e saj ndaj Shën Joan Gojartit. Kur ndërroheshin rojet e ushtarëve që e shoqëronin, sipas rrëfimit që kam lexuar, ajo i nxiste ta mundonin në udhëtim, që të vdiste sa më shpejt. […] Ushtarët shkonin me aq egërsi, por sapo e shihnin Shën Joan Gojartin, mbeteshin të mahnitur dhe e respektonin aq shumë, sa bëheshin krejt të bindur ndaj tij.
Këtë më kujtoi Edi Rama kur më tha: — Anastasi për mua ishte këshilltar. Këshillohesha me të edhe për problemet personale, sepse e admiroja shumë. Më fliste për gjëra që ishin pikërisht shqetësimet e mia. Vetë më përmendte problemet që kisha dhe më jepte zgjidhje. Këtë e mësova para njëzet ditësh.
«Kudo që kishte dhimbje, atje vraponim»
Kur ishim tek Kryepiskopi, Mitropoliti i Lemesosë e pyeti: — Fortlumturi, çfarë do t'i këshillonit një episkopi të sotëm? Si duhet të sillet? Ai iu përgjigj: — Sot bota është e thatë. Duhet shumë dashuri e dhembshur dhe shumë butësi. Përmendi shërbimin ndaj Perëndisë dhe porosinë që ai që dëshiron të jetë i pari, të jetë shërbëtor dhe shërbyes i të gjithëve. — Dhe me shumë durim, — shtonte.
I thashë: — Fortlumturi, më kujtohet se keni ndihmuar shumë edhe në Qipro. Më tha: — Efrem, biri im, kudo që kishte dhimbje, atje vraponim. Këtu duket zemra dhe cilësia e njeriut.
Më tha edhe: — Mos e harroni kurrë se çdo njeri duhet ta shohim si «perëndi pas Perëndisë». Kjo është diçka e madhe. Më tregonte: — Shën Porfiri më njohu me Gjerondikonë, me thëniet e etërve. Atje lexova se vëllanë duhet ta shohësh si «perëndi pas Perëndisë». Këtë e kisha brenda meje, më vinte vetvetiu. Kur e lexova, u gëzova dhe u entuziazmova aq shumë, sa e ndjeva si një bekim të Perëndisë.
Të ruash ndërgjegjen
Më tha edhe diçka tjetër: — Ta dish se nuk kam vepruar kurrë kundër ndërgjegjes sime, çfarëdo që të kem bërë. Hirësi i Lefkadhës, edhe jerondi i ndjerë Josif, përpara se të ndahej prej nesh, më tha diçka të ngjashme. Prandaj ju thashë në fillim se sot po bëj një rrëfim.
Më tha: — Biri im, të gjitha kushtet që të kam vënë si jerondi yt, dua t'i heq. E pyeta: — Përse të m'i hiqni? — Dua t'i heq të gjitha, sepse nuk e di ku do të gjendesh dhe në çfarë rrethanash. Por po të them diçka si këshillë, jo si kusht. Më kujtonte fjalën e Shën Varsanufit: — Nuk ju jap urdhër, por mendim.
Më tha: — Që të jesh në paqe — sepse është e vështirë të jesh në paqe kur drejton njerëz — duhet ta ruash ndërgjegjen tënde. Nëse ndërgjegjja të thotë ta bësh një lëshim baritor, bëje. Nëse nuk ta thotë, mos e bëj. Edhe nëse për këtë arsye largohet nga manastiri murgu që të ushtron trysni. E dini si ndodh: — Dua këtë, — ose: — Dua të bëhem prift. Te disa murgj, gjithë synimi përqendrohet te të bërit prift. Nëse nuk bëhen, mendojnë se i kanë humbur të gjitha. Kemi shumë trysni të tilla.
Vërtet, Hirësi i Halkidës, këtë përpiqem ta zbatoj. Është shumë e rëndësishme: të dëgjosh ndërgjegjen tënde. Është gjë e madhe që çdo njeri, dhe veçanërisht bariu shpirtëror, të ecë me përpikëri sipas ndërgjegjes.
Kryepiskopi më thoshte: — Gjëja më e bukur, biri im, është të duam. Na kujtonte: — Murg është ai që është i ndarë nga të gjithë dhe i bashkuar me të gjithë. Perëndia është dashuri. Këtë e thoshte vazhdimisht. — Nuk ngopem me këtë, — më thoshte.
Më tregonte se, kur zgjohej — flinte pak, siç ndodh në moshë të thyer — ky varg i vinte vazhdimisht në mendje. — Dhe po të them diçka: nuk është vetëm se më vjen në mendje. Zemra ime zhytet në këto fjalë dhe nuk pushon nga ngazëllimi që merr duke u ushqyer me fjalët e Krishtit.
Gjatë bisedave tona më kishte thënë se katekisti i tij i parë ishte Mitropoliti i paharruar i Nikesë, Gjergj Pavlidhis. — Ai ishte katekisti im i parë, — më thoshte.
Kërcënimet dhe refuzimi për ta paraqitur veten si hero
E pyeta: — Fortlumturi, çfarë vështirësish keni hasur? Më tha: — Ta dish, këtë nuk e kam thënë kurrë. Iu afruan shoferit tim të ndjerë, Takit… Taki quhej; e kisha njohur edhe unë. — I thanë: «Do të të japim mijëra dollarë, nëse e lë Anastasin në ndonjë vend të shkretë dhe na njofton, që njerëzit tanë ta zhdukin.» Por shoferi e donte aq shumë, sa nuk pranoi.
Ia tregoi më pas: — Fortlumturi, erdhën shumë herë dhe vazhdimisht ma shtonin shumën që më ofronin. Edhe kur qëlluan mbi të, siç ju kujtohet, na tregoi xhamin e dëmtuar. E kishte lënë pa e ndërruar, që të mbetej e dukshme ajo që kishte ndodhur.
Por më tha: — Nuk më pëlqen ta paraqes veten si hero. Nuk i tregoj këto. Meqë më pyete, t'i thashë. Kjo më pëlqeu shumë.
Patriarku Ekumenik, në një nga vizitat e tij, tha se Anastasi i Shqipërisë ishte një dhuratë e Perëndisë për mbarë botën. Dëgjova edhe shprehjen se «Anastasi i Shqipërisë është i pazëvendësueshëm». Vërtet, ishte një njeri me shumë hir, i pazëvendësueshëm në veçantinë e tij. Duke thënë këtë, nuk cenojmë pasardhësin e tij, të cilin unë nuk pata rastin ta takoja këtu. Mendoni për Kryepiskopin e Shqipërisë dhe gjithë veprat që bëri: mbi njëqind e gjashtëdhjetë kisha të ndërtuara dhe shumë të tjera të restauruara.
«Profesor, akademik dhe lypës ndërkombëtar»
Kisha harruar t'ju tregoja edhe diçka tjetër. Më thoshte: — Këtu më thërrasin «profesor». Në vend që të më thonë «Fortlumturi», më thonë «profesor».
E pyeta: — Çfarë tjetër keni përjetuar? Më tha: — Një nga gjërat më të rënda ishte kjo: vinin njerëz të ndryshëm dhe më premtonin ndihmë. E përshkruante veten me fjalët: — Anastasi, Kryepiskop i Shqipërisë, profesor i Fakultetit të Teologjisë, akademik dhe lypës ndërkombëtar. «Lypës ndërkombëtar», përsëriste.
Më tregonte: — Ajo që ma copëtonte vërtet zemrën ishte se disa, madje mjaft prej tyre, më premtonin dhe më thoshin: «Fortlumturi, fillojeni veprën që dje!» Jo sot, por që dje. Unë u besoja dhe porositja hekur, çimento, vegla dhe materiale të tjera. Pastaj vinin furnitorët, nga të cilët i kisha blerë, dhe kërkonin pagesën: «Sa është? Njëqind mijë dollarë. Dyqind mijë dollarë. Treqind mijë dollarë.» Ndërsa dhuruesit që kishin premtuar ndihmën, zhdukeshin. Çfarë të bëja unë? I merrja në telefon: askush nuk përgjigjej. As zë, as përgjigje. Kjo ishte një nga sprovat e mia më të mëdha. Perëndia përsëri më ndihmonte në një mënyrë tjetër, por u lodha shumë. Prandaj e quante veten «lypës ndërkombëtar».
«Është vepër dashurie, Efrem»
Pastaj ndërtoi edhe hidrocentralin për prodhimin e energjisë elektrike. Unë, për ta ngacmuar pak, i thashë: — Po kjo tani, a nuk është sipërmarrje? Edhe ju po bëni biznes? M'u përgjigj: — Jo, nuk është biznes. Është vepër dashurie, Efrem. Nuk është biznes.
Edhe diçka tjetër është prekëse. La porosi që, pas vdekjes së tij, nga këto të ardhura — që janë të konsiderueshme dhe prej të cilave përfitojnë të gjitha Mitropolitë — pesë për qind t'u jepen Kishave të varfra. Sepse, siç thoshte: — Fatkeqësisht, një Kishë ka tepricë, ndërsa një tjetër vuan nga uria. Nuk mund të jetë kështu.
Të kesh Krishtin
Një gjë tjetër që më preku ishte ajo që u tha etërve kur erdhi në manastirin tonë. E kam shkruar edhe më parë. Në largim u tha: — Po ju lë një këshillë: të keni Krishtin. Kjo është më e madhe se gjithçka. Ta keni Krishtin si Atë që e doni dhe si Atë që ju do. Këto janë fjalë që burojnë nga përvoja. Duhet të kemi Krishtin. Siç thoshin etërit, murgu është ai që nuk ka asgjë tjetër përveç Jisuit. Krishti është Ai që mund ta duash me gjithë zjarrin e shpirtit dhe që të do edhe Ai.
Një atë i Malit të Shenjtë më thoshte: — Vijnë disa dhe më thonë: «Kam marrëdhënie dashurie.» Nuk e pranoj këtë shprehje për atë që po më përshkruajnë. U them: «Marrëdhënie trupore.» Dashuria e zjarrtë le t'i drejtohet Krishtit.
Kryepiskopi më thoshte: — Gjëja më e bukur është të duam; jo thjesht si ndjenjë, por si veprim dashurie, si veprim i hirit. Pa ashpërsi. Njeriu i mirë nuk ka ashpërsi; ka fisnikëri dhe mirësjellje. Edhe jerond Emiliani thoshte — e ka shkruar diku: — Nëse nuk jeni shpirtërorë, të paktën të jeni të sjellshëm.
Kryepiskopit i pëlqente shumë edhe fjala e himnit: — Jam ikonë e lavdisë sate të patreguar, edhe pse mbart njollat e fajeve. Më thoshte: — Efrem, njollat nuk e zhdukin ikonën e Perëndisë që është njeriu, por e errësojnë. Dhe ikona e Perëndisë pastrohet nga kjo errësirë përmes pendimit. Kështu më fliste.
«Pa lutje nuk bëmë as edhe një hap»
— Pa lutje nuk bëmë asgjë këtu, as edhe një hap. Lutja ishte ngushëllimi ynë. Pastaj shtonte: — Po ta them si në rrëfim: erdha këtu me vetëflijim. Perëndia e di. Erdha me rezerva. Erdha pa pasuri vetjake. Erdha me zell apostolik. Erdha me frymë orthodhokse, brenda mendësisë dhe përvojës së Etërve dhe me përtëritjen që buron nga jeta liturgjike. Liturgjia Hyjnore ishte burimi i parë i forcës sime.
Mendoj se Kryepiskopi Anastas u flijua plotësisht për Krishtin. E vuri veten në bindjen e Kishës dhe nuk u ankua, çfarëdo që të haste. Prandaj, brenda meje besoj se ky njeri është mik i Perëndisë. Paçim uratën e tij!
Më parë, UGO kishte raportuar se Kryepiskopi Anastas mori çmimin "Giuseppe Sciacca" në aula magna të Universitetit Pontifik Urbaniana në qytetin e Vatikanit, një nga shumë nderimet ndërkombëtare që i janë bërë veprës së tij hierapostullore.
Lexo gjithashtu
Atë Kosta Kotnani, prifti i Korçës nga përndjekja te rihapja e kishave
Jetim që në fëmijëri, ai ruajti besimin gjatë përndjekjes dhe më 6 janar 1991 kreu Bekimin e Madh të Ujit në Korçë.
O At, ty të ndjekin mijëra, por ti kë ndjek?
Një reflektim mbi rrezikun e famës në rrjetet sociale dhe rëndësinë e dashurisë së vërtetë për Krishtin te priftërinjtë sot.
Jeta e Episkopit Kozma Qirjo, prift i fshehtë në vitet e diktaturës
Prifti i Bestrovës shërbeu fshehurazi nën komunizëm dhe pagëzoi të riun që sot është Kryepiskopi Joan i Shqipërisë.
Shën Nikolla i Ohrit: Krishti u largua dhe barbarizmi u kthye në Evropë
Në mesazhin nga libri «Përmes dritares së burgut», shenjtori e paraqet marrëdhënien mes Krishtit dhe Evropës si një gjykim dhe thërret lexuesit të zgjedhin.
Atë Serafim Rouz shpjegon çfarë mund të bëjmë për të fjeturit
Rrëfimi për vegimin e Shën Theodhosit të Çernigovit tregon pse sakrifica në Liturgjinë Hyjnore ka më shumë fuqi se lutja e shenjtorit.
Historia e së Tërëshenjtës Arvanitase në ishullin e Hiosit
Murgu athonit Jerond Nektari dhe anagnosti Nikolla Zervos rrëfejnë ngjarjet nga shekulli XI deri te kishat e reja kushtuar ikonës në Greqi.