Kryepiskopi në Tiranë: Çfarë mbjellin prindërit në zemrat e fëmijëve

Kryepiskopi mbajti një predikim në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit në Tiranë më 11 tetor 2026, duke u ndalur te paravolia e mbjellësit nga Ungjilli i ditës. Sipas tekstit të predikimit që u pulikua në Media Ngjallja, ai theksoi se prindërit mbajnë përgjegjësi për farën që mbjellin në zemrat e fëmijëve të tyre.

Çfarë mbjellin prindërit në zemrat e fëmijëve të tyre? Ungjilli i sotëm tregon një nga paravolitë më të njohura. Pjesa më e madhe e atyre që vijnë në kishë, por edhe që kanë lexuar Ungjillin, e dinë këtë paravoli. Zoti mësonte me paravoli, sepse ato janë pamje e gjallë dhe u mbeten vazhdimisht në mendje njerëzve. Fjala në gjuhën aramaike "Matla", që është përkthyer si paravoli, ka kuptimin e alegorisë, proverbës apo gjëegjëzës, ku gjithmonë tregohet një histori, por kuptimi i saj është pak më i thellë. Paravolitë flasin me gjuhën e botës, por edhe me gjuhën e qiellit.

Kështu, paravolia që tregon Zoti është shumë e rëndësishme për jetën tonë shpirtërore dhe për udhëtimin tonë të krishterë. Shpjegimin e saj e jep vetë Zoti dhe ne nuk mund të japim shpjegim më të mirë se ai që dha vetë Perëndia. Le të ndalemi në disa pika shumë të rëndësishme të kësaj paravolie.

Zoti e shpjegon se një bujk doli për të mbjellë. E dimë që bujku është Perëndia dhe fara është Fjala e Perëndisë, dhe ajo ra në katër toka të ndryshme: në anë të rrugës, ku njerëzit e shkelën dhe zogjtë e qiellit e hëngrën; në një vend me gurë, ku në fillim mbiu, por kur doli dielli u tha; në një vend me gjëmba, dhe ato e mbytën, duke mos e lënë që të rritet; dhe në një tokë të mirë, që dha prodhim deri në njëqindfish. Ky është interpretimi që bëri vetë Zoti.

Le të mendojmë se çfarë janë këto katër toka të ndryshme. Ato janë katër gjendjet e zemrës së njeriut. Fjala e Zotit mbillet pikërisht në zemrën e njeriut. Te ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë, por ajo nuk qëndron dhe nuk zë vend, ndodh sepse në zemrën e tyre ka shumë krenari, shumë mendime, preokupime të botës dhe shumë gjëra të tjera. Ndaj, çfarëdo që mund të dëgjojnë, u kalon dhe nuk qëndron tek ata.

Kjo ndodh shpeshherë. Njerëzit vijnë në kishë, mund ta dëgjojnë fjalën e Zotit dhe mund t'u pëlqejë, por sa dalin prej saj, e harrojnë krejtësisht. Fillojnë bisedat për politikën, për sportin dhe bëjnë komente të ndryshme, dhe mendja e tyre nuk është më te fjalët e Zotit. Pra, nëse fjala e Zotit nuk qëndron në zemrën tonë, nuk do të mbijë dhe nuk do të japë fruta.

Personat e tokës së dytë janë ata që e dëgjojnë në fillim dhe e marrin me entuziazëm fjalën e Zotit. Zakonisht ekzistojnë njerëz emocionalë, por jeta shpirtërore nuk është thjesht emocionale; jeta shpirtërore është më e thellë. Krahasimi midis jetës emocionale dhe asaj shpirtërore është si ai ndërmjet zjarrit dhe dritës. Zjarri edhe mund të djegë, ndërsa drita ndriçon gjithmonë. Jeta shpirtërore është një dritë. Ata njerëz e presin me gëzim fjalën e Zotit, por në kundërshtimin apo në ngasjet e para që takojnë, nuk rezistojnë dot, sepse nuk kanë thellësi shpirtërore. Brenda tyre janë si gurë.

Për këtë temë Kryepiskopi Joan: predikim mbi bindjen dhe Ungjillin e Llukait
Në predikimin e së dielës I të Llukait, Fortlumturia thekson rëndësinë e bindjes, përuljes dhe misionit të çdo të krishteri për të përhapur dritën e Ungjillit.

Pjesa e tretë e farës ra në një vend që ishte me gjëmba, dhe gjëmbat e mbytën atë. Zoti i interpreton gjëmbat me ato për të cilat njerëzit ndoshta mendojnë të kundërtën. Ai i quan gjëmba pasuritë, kënaqësitë e kësaj bote dhe shqetësimet. Të gjithë njerëzit e shohin si bekim të bëhen të pasur ose të kenë kënaqësitë më të mëdha që mund të ekzistojnë në botë. Por ato janë ato gjëmba që nuk e lënë fjalën e Zotit të mbijë në zemrat tona. Duke u përqendruar te pasuria dhe te kënaqësitë e ndryshme, fjala e Zotit mbytet.

Dhe pjesa e katërt e farës ishte ajo që ra në tokë të mirë, mbiu, u rrit dhe dha deri në njëqind fish fruta. Kjo është paravolia që tregon Zoti dhe duhet të ndalemi në të, sepse është shumë e rëndësishme të shohim se çfarë mbjellim realisht në zemrën tonë.

Këto katër toka nuk përfaqësojnë thjesht katër zemra të njerëzve të ndryshëm, por shpeshherë ekzistojnë brenda një njeriu të vetëm. Ka momente në jetën e tij që ai nuk e dëgjon fjalën. Ka momente që e merr me entuziazëm, por pastaj entuziazmi i largohet. Ka momente që kënaqësitë dhe shqetësimet ia mbytin farën. Megjithatë, kjo është shpresa: që të ketë edhe një moment ku zemra të bëhet një tokë e mirë dhe fara të japë shumë fruta.

Kjo paravoli na mëson edhe për disa gjëra të tjera, dhe i drejtohet sidomos prindërve. Çfarë mbjellin prindërit në zemrat e fëmijëve të tyre? Nëse mbjellin sherre, grindje e inate, nuk kanë pse të ankohen më vonë duke thënë: "Si u bënë këta fëmijët tanë kështu?!" Ne kemi përgjegjësi për atë që mbjellim në zemrat e njerëzve, pasi fëmijët janë shumë të ndjeshëm ndaj fjalëve. Edhe kur luajnë me lodra, ata i dëgjojnë të gjitha fjalët e prindërve.

Për këtë, shën Siluani tregon një histori shumë kuptimplote. "Isha katër vjeç", tregon ai, "dhe babai im ishte një njeri i pashkollë, por shumë i butë. Nuk bënte asnjëherë konflikte dhe çdo njeri të ditur që vinte në fshat, e ftonte në shtëpinë e tij. Një herë kishte ardhur një shitës ambulant nga Moska, i cili po shiste libra, dhe babai im e ftoi për drekë. Ngaqë ishte besimtar i madh, hapi bisedën rreth fesë. Ai ambulanti, shitësi i librave, i tha: 'Nuk ka Perëndi, ç'janë këto fjalë kështu?' Babai im, ngaqë ishte i butë, nuk e kundërshtoi. Kur ai u largua, unë e pyeta tim atë: 'Përse më thua t'i lutem Perëndisë? Ai tha që s'ka Perëndi'. Ai m'u përgjigj shumë shkurt: 'Lëre, se ishte i marrë'." Por, shkruan shën Siluani, ajo farë që mbolli ai në zemrën e tij e mundoi për shumë vite.

Ajo që mbjellim në zemrat e njerëzve, herët a vonë mund të mbijë. Nëse mbjellim farën e mirë, ka shumë mundësi që ajo farë të japë fruta. Njerëzit do të kenë një pranverë në jetën e tyre: momente pendimi, momente përjetimi të një dimensioni tjetër, jo vetëm të kësaj bote, por edhe të dimensionit hyjnor. Nëse fara do të jetë te njeriu, ajo do të mbijë; por nëse nuk është mbjellë farë në zemrën e njeriut, atëherë nuk ka çfarë të mbijë, sepse nuk mund të mbijë diçka që nuk është mbjellë. Prandaj, edhe prindërit kanë përgjegjësi të madhe për ta mbjellë farën e fjalës së Zotit.

Ajo mund të mbijë edhe pas një kohe të gjatë. Tregohet një histori për një udhëtar të dëgjuar anglez, Wilkinsonin, i cili zbuloi një nga varret e faraonëve në Egjipt. Atje pa edhe një vazo të vogël, të cilën e mori me vete dhe ia dhuroi bibliotekarit më të famshëm të asaj kohe në Angli. Ai e mori, e vendosi në bibliotekë dhe, një ditë, duke kontrolluar disa libra, pa dashur e preku me bërryl. Vazoja ra dhe u thye, dhe brenda saj ishin katër kokrra bizele. Bibliotekari i mori dhe pyeti botanistët: "A mund t'i mbjell dhe a mund të mbijnë këto fara?" Ata i thanë që nuk ka mundësi të mbijnë, sepse kanë 3000 vjet aty, që nga koha e Moisiut. Megjithatë ai i mbolli, i vendosi me kujdes në një vend, i ujiti aq sa duhej dhe, për çudinë e të gjithëve, pas 30 ditësh farat mbinë dhe u rritën.

Për këtë temë Fragment i lashtë i Ungjillit të Markut niset nga Praga drejt Italisë
Dokumenti i shekullit të gjashtë, i sjellë nga perandori Karli IV, do të bashkohet për herë të parë pas shtatë shekujsh me pjesët e tjera të dorëshkrimit në Akuileja.

Kur farat tokësore mbinë pas 3000 vjetësh, sa më shumë do të mbijë fjala hyjnore e Zotit, fara e shenjtë, nëse do ta mbjellim në shpirtrat e fëmijëve tanë! Në një shtëpi ku ka sherre, grindje, keqkuptime, ironi e tallje, nuk mund të mbijë fara e mirë. Aty është mbjellë fara e keqe, e cila mbin shumë shpejt. Ajo nuk ka nevojë as të ujitet dhe as të prashitet. Shikoni ferrat dhe gjëmbat: njerëzit bëjnë çmos për t'i shkulur, por ato përsëri nuk humbasin. Ndërsa fara e mirë kërkon kujdes shumë të madh. Prandaj, duhet të kemi shumë kujdes se çfarë flasim para fëmijëve tanë dhe çfarë mbjellim tek ata.

Pika e fundit, shumë e rëndësishme, është pikërisht ajo fjalë që thotë Zoti: se juve ju është zbuluar misteri i Mbretërisë. Ky shpjegim i kësaj paravolie është pikërisht misteri i Mbretërisë: se si fjala e Zotit mbin, rritet tek ne dhe jep fruta. Fruta që do t'i gëzojnë si ata që i kanë brenda tyre, ashtu edhe njerëzit që janë rrotull. Në të kundërtën, një zemër që është shterpë, nuk jep më fruta. Dhe për fatin tonë të keq, ne shpeshherë kemi momente shterpësie në zemrën tonë, sepse nuk e pastrojmë atë. Toka mund të jetë me gurë, por bujku i mirë i heq gurët. Ajo mund të jetë me gjëmba, por bujku i mirë e pastron, dhe fara e Zotit mbin tek ajo tokë e pastruar.

Nuk mjafton që vetëm t'i dëgjojmë fjalët. Në fjalët e Ungjillit, nëse jemi të vëmendshëm, kur thuhet që juve ju është dhënë të njihni misteret e Mbretërisë, shtohet për të tjerët: do të shohin, por përsëri nuk do të shikojnë, do të dëgjojnë, por nuk do të kuptojnë. Këto fjalë tregojnë që, nëse zemra jonë nuk është përgatitur për ta pritur fjalën e Ungjillit, nuk mund ta kuptojë dot. Edhe sikur dikush të jetë studiues apo teolog shumë i madh dhe ta njohë të gjithë Shkrimin, nëse fara nuk zbret në zemër, ajo nuk do të mbijë.

Fara e Zotit zbret në qendrën e qenies sonë dhe e ndryshon të gjithën. Nuk është thjesht një opinion apo një mendim që të bën të thuash: "Sa mirë e thotë Krishterimi këtë!" Nuk është vetëm kaq. Nëse ato fjalë nuk e ndryshojnë qenien tonë, do të thotë që fara nuk ka mbirë.

Prandaj, fillimisht le të përpiqemi ta dëgjojmë fjalën e Perëndisë dhe ta ruajmë atë në zemrën tonë. Siç thotë psalmisti: "E ruajta në zemër fjalën e Zotit që të mos mëkatoj". Çdo njeri që i ruan në zemër fjalët e Ungjillit, nuk mëkaton, por e kundërshton mëkatin, sado kënaqësi mund të japë ai. Nëse ne nuk e kemi fjalën e Ungjillit në zemrën tonë, nuk i rezistojmë dot mëkatit. Zoti dhe Etërit e Kishës na porositin që fjalën e Zotit ta ruajmë gjithmonë në zemrën tonë. Në këtë mënyrë, pra duke e ruajtur në zemrën tonë, ajo do të mbijë dhe do të japë fruta, të cilat do t'i shijojmë ne vetë dhe shumë njerëz rrotull nesh. Amin.

Katedralja e Ngjalljes së Krishtit, Tiranë, 11 tetor 2026

Siç kishte raportuar UGO, Kryepiskopi Anastas mori çmimin "Giussepe Sciacca" në aula magna të Universitetit Pontifik Urbaniana në Vatikan.

Kryepiskopi në Tiranë: Çfarë mbjellin prindërit në zemrat e fëmijëve

Në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit, Kryepiskopi shpjegoi paravolinë e mbjellësit dhe përgjegjësinë e prindërve për fjalët që dëgjojnë fëmijët.

Predikim mbi paravolinë e mbjellësit

Teologu shqyrton katër kategoritë e «arave» ku bie fara e fjalës së Perëndisë dhe i fton besimtarët ta përpunojnë shpirtin brenda Kishës.

Atë Evelthon Harallambus: Sprovat dhe dhimbja në jetën e të krishterit

Teksti rrëfen ngjarjen nga jeta e Shën Ambrosit dhe shpjegon pse hidhërimet e sprovat janë të pandashme nga rruga e çdo të krishteri.

Trupi njerëzor nuk është lëndë e parë, thekson teologjia ortodokse

Teologë paralajmërojnë se biohakimi dhe eugjenika nuk zëvendësojnë kërkimin e shpëtimit shpirtëror.

Presvitera Milena Dojçeva kritikon relativizmin në jetën kishtare

Në tekstin “Kjo është vetëm dashuri?” autorja argumenton se dashuria nuk e justifikon braktisjen e besnikërisë ndaj Krishtit dhe të së vërtetës së besimit.

Shërbesat e Shenjta të Kishës: të rregullta dhe të posaçme

Materiali shpjegon Mbrëmësoren, Mëngjesoren, Orët, Shenjtërimin e Kishës, Bekimin e Ujit, Paraklisin dhe Shërbesën e Varrimit.