Predikim mbi paravolinë e mbjellësit

Pjesa që lexohet sot nga Ungjilli është një nga paravolitë që përdorte Zoti për të përcjellë mesazhet e Tij. Ishte një mënyrë praktike, nëpërmjet së cilës donte t’i bënte sa më të thjeshta për t’u kuptuar nga të gjithë ato që ishin dhe janë të dobishme për secilin nga ne. Në këtë paravoli shikojmë një bujk, i cili del për të mbjellë. Në këtë kohë zakonisht mbillen edhe arat, prandaj Kisha e ka vendosur pikërisht tani këtë paravoli, që të ketë lidhje të drejtpërdrejtë me përvojat e njerëzve, megjithëse sot kjo lidhje është më e prekshme në fshat, te njerëzit që merren me bujqësi.
Ndërsa ai po mbillte, një pjesë e farës ra pranë rrugës, u shkel dhe zogjtë e qiellit e hëngrën. Një pjesë tjetër ra mbi gur dhe, sapo mbiu, u tha, sepse nuk kishte lagështirë. Një tjetër ra në mes të drizave dhe, kur drizat mbinë bashkë me të, e mbytën. Një tjetër ra në dhe të mirë dhe, pasi mbiu, dha fryt njëqindfish. Por, pasi Zoti tregoi këtë, nënvizoi faktin që prapa këtij mesazhi fshihet diçka tjetër, duke thënë: «Kush ka veshë, le të dëgjojë». Natyrisht, nuk bëhej fjalë për veshët që, me siguri, të gjithë i kishin, por për veshët shpirtërorë, të cilët hapen e dëgjojnë vetëm me ndihmën e Tij. Vetëm atëherë mund t’i kuptojmë mesazhet hyjnore.
Këtë e vërtetoi më poshtë, kur nxënësit e pyetën se ç’do të thotë kjo paravoli. Atëherë Ai u tha: «Juve ju është dhënë të njihni fshehtësitë e Mbretërisë së Perëndisë». Kjo fjalë vlen për të gjithë ne që jemi pjesëtarë të Kishës dhe besimtarë, por jo thjesht nga ana formale. Ashtu si nxënësit e Tij, të cilët shkonin pas Tij, mësonin nga Ai dhe imitonin jetën e Tij, ashtu edhe ne, për të përfituar njohuri të vërtetë dhe jetën e vërtetë, duhet të jetojmë jetën që na ofroi Ai nëpërmjet Kishës. Vetëm atëherë fjalët e Tij marrin jetë dhe na ofrojnë jetë. Pikërisht për këto fjalë, të cilat janë farat që duhet të mbijnë në zemrën tonë, flet edhe paravolia.
Kështu, pra, vetë Jesui e shpjegoi këtë paravoli dhe tha: «Fara është fjala e Perëndisë». Së pari, është Ai vetë, si Fjala që krijoi gjithçka dhe kujdeset për gjithçka. Më pas është ajo fjalë që buron nga vetë Fjala dhe që nuk mund të jetë kurrë produkt i njeriut. Fjala e njeriut na ndihmon të mendojmë, ndërsa fjala e Zotit na ndihmon të jetojmë me të vërtetë. Cilësia e kësaj fjale është gjithmonë më e mira e mundshme dhe për të gjithë ajo ka të njëjtat vlera dhe cilësi. Këtu është edhe çelësi i gjithçkaje, sepse, ndërsa fara është e përsosur, ara, vendi ku bie, ndahet në disa kategori. Kjo sjell si rrjedhim edhe faktin që bota sot nuk është një parajsë, sepse gjithçka vjen nga mangësitë, dobësitë dhe problemet e «arës», shpirtit tonë të sëmurë.
Bujku është ai të cilin Zoti e zgjodhi për të përhapur fjalën e Tij. Punëtori në arën e Zotit është ai që përpunon shpirtrat e besimtarëve. Kështu që edhe ai duhet të përpiqet t’i ngjajë vetë Zotit, Jesuit, që është «bujku» prototip, të cilit i ngjanë edhe apostujt me jetën dhe veprat e tyre. Efekti i punës së bujkut varet nga përvoja dhe mësimet e paraardhësve të tij. Por, në rastin konkret, me këto «ara», që janë shpirtra të ndryshëm, vetëm duke imituar jetën e Jesuit dhe duke jetuar jetën që ofron Kisha, ai mund të marrë edhe ndihmën dhe ndriçimin e duhur për të përmbushur këtë detyrë kaq të vështirë e të bekuar.
Por le të ndalemi te kategoritë e «arave» në të cilat bie «fara» dhe te efekti që ajo ka kur bie atje. Vetë Jesui e bëri të qartë se fjala ndodh të bjerë në ato zemra të forta si asfalti, ku vjen djalli dhe menjëherë e largon fjalën prej tyre. Një zemër të tillë e kanë të gjithë ata njerëz, zemra e të cilëve është ngurtësuar kaq shumë nga mëkatet, sa edhe fjala e Zotit, që natyrisht respekton lirinë, vullnetin dhe zgjedhjet e njeriut, nuk depërton dhe nuk zë dot rrënjë. Zemrat e këtyre njerëzve bëjnë gjithçka që është e mundur për të qëndruar ashtu siç janë. Mbyllen edhe më shumë në vetvete, duke mos menduar apo, më keq, duke eliminuar fare nga zemra dhe jeta e tyre faktin që Zoti ekziston. Përdorin të gjitha mjetet, si logjikën, shkencën apo thjesht kokëfortësinë që vjen nga zemra e ngurtësuar dhe egoiste, për të vërtetuar që Zoti nuk ekziston. Duan t’ia mbushin mendjen vetes me gënjeshtra, për të thënë që dita është natë. Në këtë mënyrë, ata justifikojnë veten dhe mbajnë në qetësi ndërgjegjen, që të vazhdojnë të jetojnë si të vdekur.
Në kategorinë e dytë hyjnë ata njerëz që e kanë zemrën pjesërisht të ngurtësuar. Te këta njerëz, të cilët në fillim e pranojnë fjalën e Perëndisë me entuziazëm të jashtëm, «fara», megjithëse mund të fillojë të mbijë disi, thahet shpejt, sepse rrënjët nuk kanë mundësi të depërtojnë thellë. Këta njerëz të cekët, megjithëse mund të shprehin në dukje besim dhe interes për fjalën e Perëndisë, nuk e kultivojnë atë, madje as e mbajnë fare në zemër. Gjithçka në jetën e tyre ka vlerë vetëm nëse përmbush interesat e tyre dhe, në çdo rast, me ngacmimin më të vogël, mohojnë gjithçka dhe këdo. Sot shumica e njerëzve veprojnë në këtë mënyrë: janë besimtarë me zgjedhje, kur u intereson dhe ku u intereson; janë si kameleonët, që përshtaten kudo dhe me këdo në bazë të interesit. Ngjajnë më tepër me kallamat, të cilët i merr era dhe i përkul andej-këtej, ose, siç themi ne, me njerëzit me njëqind flamurë, për të cilët e vërteta dhe e drejta nuk ekzistojnë, jo vetëm për njerëzit që takojnë rastësisht, por edhe për ata që kanë më afër. Gjithçka tek ata është e shtirur, hipokrite dhe e përkohshme, sepse vetëm Zoti mund t’i qartësojë dhe t’i konkretizojë gjërat në jetën dhe zemrën e secilit nga ne. Vetëm fjala e Tij ngjall dashurinë, drejtësinë dhe sinqeritetin, por kjo ndodh kur jetojmë edhe jetën që na ofron Ai brenda Kishës.
Kategoria e tretë për të cilën bëhet fjalë është ajo e njerëzve te të cilët fjala e Perëndisë, «fara», zë rrënjë dhe zhvillohet. Veçse barërat e këqija, drizat, e mbytin atë dhe nuk e lejojnë të sjellë fryte. Drizat dhe barërat e këqija janë të gjitha pasionet që ne zhvillojmë, kultivojmë dhe ushqejmë në zemrat tona me një përkujdesje të veçantë, të gjithë pa përjashtim. Janë ato pasione që lidhen fort me të gjitha kënaqësitë që ofron jeta materiale. Kjo jetë kurrë nuk na ngop dhe gjithmonë kërkon, në mënyrë të pangopur, të kënaqë çdo epsh, dobësi dhe dëshirë trupore apo shpirtërore. Nuk e kuptojmë që ai boshllëk që krijohet pasi kemi kënaqur gjithçka është mungesa e Zotit në zemrat tona, e Atij që mbush dhe i jep kuptim gjithçkaje.
Në këtë gjendje, edhe sikur fjala e Perëndisë të nisë të zhvillohet, nuk ka shpresë të sjellë ndonjë fryt në jetën tonë. Ndonjëherë kjo situatë bëhet akoma më e keqe, kur ngushëllohemi me faktin që fara zuri rrënjë dhe e përdorim këtë si qetësues të ndërgjegjes, për të përmbushur më pas pasionet tona. Mund të ndodhë që të përpiqemi t’i kultivojmë të dyja bashkë. Kështu kalojmë në një skizofreni shpirtërore, në një formë të krishteri hibrid, të sëmurë rëndë, i cili do të punojë edhe për djallin, edhe për Zotin. Kjo jo vetëm që është e pamundur, por është ndoshta edhe mënyra më e dëmshme e të jetuarit.
Në fund, Jesui rendit ata njerëz që janë si toka pjellore, e butë dhe me vlera, në të cilën fara mbin dhe jep fryte në sasi të mëdha. Kjo tokë përfaqëson ata njerëz që, që në vogëli, e kanë përpunuar shpirtin e tyre brenda Kishës. Ndërsa ne kemi frikë që fëmijët të besojnë apo të shkojnë në kishë, duke i quajtur pleq, të prapambetur, të lënë e me epitete të tjera të rëndomta, të cilat djalli na i ka mësuar mirë dhe na janë bërë mënyrë të menduari. Vetëm duke filluar që në moshë të vogël përpunimin e shpirtit tonë, nëpërmjet pjesëmarrjes së plotë në Misteret, shërbesat dhe, në përgjithësi, në jetën shpirtërore të Kishës, mundet që fjala e Zotit të zhvillohet e të na shndërrojë në hyjni me hirin e Zotit, të na bëjë shenjtorë, siç na porositi Zoti. Sepse ky është synimi i mishërimit të Fjalës dhe i pësimeve të Tij: që, duke ndjekur shembullin e Tij me fjalë e me vepra, duke mohuar veten dhe duke eliminuar çdo pasion, të mund të përmbushim me sukses misionin tonë, që nuk është tjetër veçse të jemi pranë Tij në Parajsë, në atdheun tonë të parë.
Të dashur vëllezër dhe motra! Le të ndërgjegjësohemi, të analizojmë e të zbulojmë kategorinë në të cilën ndodhemi. Më pas, të kuptojmë që na duhet shumë punë, shumë luftë dhe përpjekje për ta përpunuar shpirtin tonë në mënyrë të tillë që fjala e Zotit jo vetëm të mbijë, por edhe të sjellë fryte. Kemi mbushur jetën tonë plot me kotësira, me gjëra që nuk ofrojnë asgjë përveç shkatërrimit të shpirtit tonë. Kemi shpikur gjithçka që të harrojmë se Zoti ekziston, se kjo jetë ka një fund të paparashikueshëm dhe se atëherë do të japim llogari për ato çka kemi prodhuar me fjalë e vepra. Sot na interesojnë më shumë lajmet, filmat dhe çdo gjë e kotë që dëgjojmë e shohim në televizor. Na interesojnë rrobat, moda, aromat, flokët, pamja e jashtme dhe, në përgjithësi, çdo lloj kotësie, materiale apo jo. Nuk na intereson asgjë nga ato që na çlirojnë me të vërtetë dhe na shpëtojnë shpirtin, nga ato që i japin çdo gjëje kuptimin dhe vlerën e vërtetë e reale.
Beteja për çlirimin nga pasionet kërkon durim, por edhe besim e shpresë te Zoti. Kështu që të gjithëve nuk na mbetet tjetër gjë veçse të marrim pjesë në Misteret e Kishës me zemër të thyer, pendim, përulësi, besim, shpresë e dashuri. T’i lejojmë «bujqit» e caktuar nga Zoti të na përpunojnë «tokën» dhe, duke pranuar «farën», ta kultivojmë atë me përkushtim. Uroj që Zoti të na ndihmojë në këtë rrugë të vështirë dhe që ne të mos largohemi kurrë nga përkujdesja dhe dashuria e Tij. Amin.
Dr. Themistokli Bambulla, Teolog.
Siç kishte raportuar UGO, Kryepiskopi Joan mbajti një predikim mbi bindjen dhe Ungjillin e Llukait.
Lexo gjithashtu
Kryepiskopi në Tiranë: Çfarë mbjellin prindërit në zemrat e fëmijëve
Në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit, Kryepiskopi shpjegoi paravolinë e mbjellësit dhe përgjegjësinë e prindërve për fjalët që dëgjojnë fëmijët.
Predikim mbi paravolinë e mbjellësit
Teologu shqyrton katër kategoritë e «arave» ku bie fara e fjalës së Perëndisë dhe i fton besimtarët ta përpunojnë shpirtin brenda Kishës.
Atë Evelthon Harallambus: Sprovat dhe dhimbja në jetën e të krishterit
Teksti rrëfen ngjarjen nga jeta e Shën Ambrosit dhe shpjegon pse hidhërimet e sprovat janë të pandashme nga rruga e çdo të krishteri.
Trupi njerëzor nuk është lëndë e parë, thekson teologjia ortodokse
Teologë paralajmërojnë se biohakimi dhe eugjenika nuk zëvendësojnë kërkimin e shpëtimit shpirtëror.
Presvitera Milena Dojçeva kritikon relativizmin në jetën kishtare
Në tekstin “Kjo është vetëm dashuri?” autorja argumenton se dashuria nuk e justifikon braktisjen e besnikërisë ndaj Krishtit dhe të së vërtetës së besimit.
Shërbesat e Shenjta të Kishës: të rregullta dhe të posaçme
Materiali shpjegon Mbrëmësoren, Mëngjesoren, Orët, Shenjtërimin e Kishës, Bekimin e Ujit, Paraklisin dhe Shërbesën e Varrimit.