Mitropoliti Nikolla: Edukimi i fëmijëve, përgjegjësi e përbashkët
Edukimi i fëmijëve tanë është përgjegjësi e përbashkët: Familje- Shkollë- Kishë- Shoqëri. Kush është mësuesi i fëmijëve tanë, kush i edukon fëmijët tanë? Sipas predikimit të plotë të mbajtur më 13 shtator 2026 në Katedralen e Shën Gjergjit, Fier, Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Imzot Nikolla, iu drejtua besimtarëve në ditën e parë të Lartësimit të Kryqit të Nderuar, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.
Nesër, të dashur besimtarë, e dimë që fëmijët do të fillojnë vitin shkollor. A e përmbush shkolla të gjithë misionin për të edukuar fëmijët? Gjithmonë ka shpresë, dëgjojmë për shembuj të mirë për mësues edhe shkolla, por dëgjojmë edhe sfida të shumta që kalojnë shkollat edhe mësuesit. Një nga sfidat që dëgjojmë në epokën e sotme është: humbja e autoritetit të mësuesit, i cili është elementi kryesor në edukimin e fëmijëve, edhe janë shumë faktorë që e ulin këtë autoritet, që nga vetë sistemi i edukimit deri te prindërit.
Por marrim rastin më të mirë, kur mësuesi përpiqet me gjithë potencialin e tij, me gjithë mundësinë e tij, të bëjë më të mirën për edukimin e nxënësve të tij. A i përmbush ai gjithë nevojat e fëmijëve për t'i edukuar? Jo. Pse? Çdo fëmijë, ashtu si çdo njëri nga ne, është një qenie psikosomatike. Shpirti i një fëmije nuk ka nevojë vetëm të marrë disa njohuri, ka nevojë të ushqejë botën shpirtërore edhe fatkeqësisht mësuesi nuk e bën dot këtë gjë.
Pse nuk e bën dot, me gjithë dëshirën e tij të mirë? Sepse, së pari, sistemi i edukimit nuk e lejon këtë gjë. Nuk e lejon mësuesin të flasë mbi besimin, ia ndalon me ligj, por edhe ata mësues që e kanë dëshirën e mirë, të bëjnë diçka, të japin diçka, të ushqejnë me diçka fëmijët, përsëri kanë mangësi të shumta. Përpara disa vitesh, kur nga Ministria e Arsimit u hodh ideja që të hynte lënda e edukimit fetar në shkolla, ne, komunitetet fetare, reaguam mbi shqetësimin e personit, i cili do të jepte këtë lëndë. Sa do të ishte ai i përgatitur edhe sa do të përcillte në të vërtetë jetën e besimit, sepse besimi nuk është thjesht njohuri, por është një përjetim, duhet që dikush ta përjetojë vetë që më pas ta përcjellë atë te fëmijët. Fatkeqësisht, mësuesit e sotëm janë shumë të pakët ata të cilët kanë një besim, e përjetojnë edhe kanë mundësinë ta përcjellin te nxënësit.
Atëherë, nëse shkolla nuk e përmbush misionin për të edukuar fëmijët plotësisht, kush mund të ndihmojë? Sigurisht, baza është familja. Familja duhet të edukojë fëmijët, aty është baza. Nëse familja e humbet këtë rol, atëherë fëmijët do të rriten me boshllëqe të shumta. Por, a ka mundësi që në çdo familje prindërit të mundin të ndihmojnë fëmijën e tyre si në edukimin shkencor, edhe në atë shpirtëror? Shumë familje nuk e bëjnë këtë. Ka disa familje që bëjnë përpjekje të forta për të ushqyer fëmijët e tyre, por shumë prindër nuk dinë, nuk e kanë këtë mundësi që të edukojnë fëmijët e tyre. Vetë ata nuk e përjetojnë besimin që t'u flasin fëmijëve, edhe t'i mësojnë rreth besimit. Ka edhe nga ata që jo vetëm që nuk besojnë, por i pengojnë fëmijët të shkojnë në aktivitete në të cilat mësojnë rreth besimit. Shumë pak prindër kanë njohuri edhe eksperiencë për të mësuar fëmijët e tyre.
Në Kishën e hershme edukoheshin rreth besimit vetëm ata fëmijë, të cilët nuk kishin një familje të rregullt edhe nuk mund të bënin dot edukimin e fëmijëve, edhe këtë përgjegjësi e merrte Kisha. Tregohet, të dashur besimtarë, në luftën e dytë botërore, kur Gjermania pushtoi Rusinë e atëhershme dhe mori me mijëra fëmijë nga Ukraina të moshës 10-18 vjeç dhe i çoi në Francë të bënin punë të ndryshme. Një përkthyes, që ishte edhe prift, vuri re që një fëmijë 11 vjeç kishte diçka të veçantë. Në të gjitha gjërat që ai vepronte, fliste dhe në të gjitha ai sillej si një besimtar, si i krishterë. Priftit i bëri përshtypje, e thërret dhe i thotë: ku e ke lexuar ti ungjillin? Unë nuk e di, i thotë fëmija, çfarë është ungjilli. Është libër, i thotë prifti, që flet për Krishtin. Nuk kam dëgjuar kurrë, i thotë përsëri fëmija, as për Ungjillin as për Krishtin.
Çfarë kishte ndodhur? Në kohën kur Rusia ishte në komunizëm dhe u përndoq Kisha, prindërit kishin frikë të flisnin mbi besimin, por kishin premtuar që në sytë e fëmijëve nuk do flisnin asgjë që ishte në kundërshtim me ungjillin, përkundrazi do përdornin dhe thonin fraza nga ungjilli. Dhe fëmija i kishte mësuar dhe i ishin bërë shprehi të tij. Pa e ditur ishte bërë i krishterë. Mësoi nga mënyra e të sjellurit të prindërve të tij, për besimin dhe Krishtin. Pikërisht kështu mësojnë fëmijët tanë.
Por kur as familja se përmbush dot, kisha mund të ndihmojë në edukimin e fëmijëve, por dhe kisha e ka të vështirë. Se nuk mund të përmbushë të gjitha nevojat e fëmijëve me 1 orë qëndrimi 1 herë në javë. Por shumica e fëmijëve, e të rinjve nuk vijnë në kishë, ose si lejojnë prindërit ose për arsye të tjera, dhe mbetet një zbrazëti shpirtërore nga ana e besimit. Por dikush duhet ta përmbushë, diçka duhet të futet brenda zemrës së tyre. Dhe ata përpiqen ta mbushin këtë zbrazëti.
Dhe kush është mësuesi i këtyre fëmijëve? Është celulari. Celulari është mësuesi i fëmijëve tanë, fatkeqësisht. Dhe fatkeqësisht prindërit tolerojnë që fëmijët e tyre që të vegjël të shikojnë telefonin dhe programe të ndryshme. Në shumë vende nuk lejohet që fëmijët të përdorin telefonin. Madje dhe në shkollë përpiqen ta heqin përdorimin e telefonit. Sa nga prindërit dinë çfarë shikon fëmija në telefonin e tij? Sa dinë me kë ai komunikon? Shumë pak! Sa prindër kanë kontroll prindëror mbi telefonin e fëmijëve - shumë pak. Dhe kështu fëmijët futen në grackën, e mbushin boshllëkun shpirtëror me gjëra që e dëmton fëmijën.
Ju thashë, të dashur besimtarë, të gjitha këto që është një përpjekje e madhe edukimi fëmijëve dhe që të gjithë duhet të ndihmojmë në edukimin e fëmijëve dhe të rinjve tanë. Nuk është vetëm roli i mësuesit, por dhe prindërve dhe kishës dhe e shoqërisë, të gjithë këto faktorë bëjnë atë pazëllin e bukur për të edukuar shëndetshëm fëmijët tanë dhe për këtë duhet të ndihmojmë të gjithë. Me shumë përpjekje do të mund të rrisim fëmijë të shëndetshëm shpirtërisht. Zoti të na ndriçojë, të na ndihmojë komunitetin, të udhëheqë shpirtërisht ata që kanë përgjegjësi për edukimin e tyre në shkollë, kishë, që të bëjmë më të mirën e mundshme për edukimin e shëndetshëm të fëmijëve tanë. Suksese dhe një vit i bekuar për të gjithë!
Nga predikimi i Mitropolitit të Apollonisë & Fierit, Imzot Nikolla, E Diela e Parë e Lartësimit të Kryqit të Nderuar, Katedralja e Shën Gjergjit, Fier, 13/09/2026.
Nuk është hera e parë që Mitropoliti Nikolla i drejtohet besimtarëve të Fierit me mesazhe mbi jetën shpirtërore të komunitetit; kohët e fundit vëmendja kishte rënë edhe mbi 13 besimtarë të pagëzuar në kampin ditor të Apollonisë dhe Fierit, një tjetër aktivitet i Mitropolisë së Shenjtë të përqendruar te edukimi fetar i të rinjve.
Lexo gjithashtu
Kritikë ortodokse mbi shkëputjet familjare të nxitura nga terapistët
Veterani i kundërzbulimit Daniel Lee paralajmëron se disa praktika terapeutike e izolojnë të rriturin nga familja, duke e lënë pa dëshmitarë të tjerë.
Kisha kremton Ngjizjen e Shën Joan Pagëzorit dhe Neomartirin Joan nga Konica
Më 23 shtator kujtohet ngjizja e Pararendësit dhe kujtimi i Shën Joan Neomartirit, dëshmor i vitit 1814 nga Konica.
Mitropoliti Nikolla: Edukimi i fëmijëve, përgjegjësi e përbashkët
Në predikimin e së dielës në Katedralen e Shën Gjergjit në Fier, Mitropoliti kërkoi bashkëpunim mes familjes, shkollës, kishës dhe shoqërisë për fëmijët.
Si t'i ndihmojmë fëmijët tanë si prindër
Këshilla praktike për prindërit, mbi dashurinë e ekuilibruar dhe ndihmën e duhur në studimin e fëmijëve.
Jerond Porfiri: Si ndikojmë te të tjerët me mendimet tona
Sipas librit «Jeta dhe fjalët e Jerond Porfirit Kavsokalivitit», edhe mendimet e fshehta ndaj të afërmit kanë pasoja shpirtërore.
Kisha Ortodokse kujton Shën Fokain e Sinopës më 22 shtator
Dy shenjtorë me të njëjtin emër, episkopi hierodëshmor dhe kopshtari mikpritës, dëshmuan besimin në Krishtin në po të njëjtën ditë përkujtimore.