Kryepiskopi Joan: Kryqi është qendra e jetës së krishterë
Kryepiskopi i KOASH +Joani! Foto: KOASH
Kryqi ishte tema kryesore e predikimit të mbajtur nga Fortlumturia e Tij, Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, në të Dielën para Lartësimit të Kryqit, në Katedralen "Ngjallja e Krishtit" në Tiranë. Sipas Kryepiskopatës Orthodhokse të Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë teksti i plotë i predikimit publikohet më poshtë, ashtu siç u shqiptua në kishë.
Predikim nga Fortlumturia e Tij, Joani Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
E Diela para Lartësimit të Kryqit
Kryqi është shumë i rëndësishëm për çdo të krishterë, prandaj dhe Kisha na përgatit një javë më përpara për të. Gjithashtu, edhe të dielën që pason, do të kujtojmë Kryqin. Në Ungjillin e sotëm tregohet një episod në bisedën që pati Krishti me Nikodemin, të cilit i thotë këto fjalë: "Ashtu si Moisiu ngriti gjarprin në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet dhe Biri i Njeriut". Çfarë kuptimi ka kjo në Shkrimin e Shenjtë? Shën Jerorimi thekson se Shkrimi i Shenjtë nuk mjafton vetëm të lexohet, por duhet edhe të kuptohet në thellësinë e tij, sepse, nëse nuk e kuptojmë drejt, pa dyshim që edhe jeta jonë shpirtërore nuk do të jetë e plotë.
Ngjarja për të cilën flet Krishti, gjendet në librat e Moisiut, te Numrat. Kur Izraeli po udhëtonte nëpër shkretëtirë, hasi vështirësi shumë të mëdha. Ndonëse Zoti e kishte ushqyer me manë dhe Moisiu kishte çarë shkëmbin për t'u sjellë ujë, ata filluan të ankoheshin kundër Moisiut, madje dhe kundër Zotit, duke thënë: "Mirë, ishim në Egjipt, atje kishim për të ngrënë dhe për të pirë, ndërsa këtu në shkretëtirë na solli që të vdesim". Dhe Shkrimi i Shenjtë thotë që Zoti i dërgoi disa gjarpërinj të zjarrtë, të cilët, sa e pickonin një nga njerëzit, ai vdiste në vend.
Së pari, le të sqarojmë diçka. Në Shkrimin e Shenjtë thuhet shpeshherë: "Zoti forcoi zemrën e faraonit", "Zoti dërgoi këtë". Nuk do të thotë se e bën Zoti. Kjo është një idiomë semitike. Me këtë ata donin të thoshin që Zoti lejoi që të ndodhte kjo gjë. Dhe populli u pendua për këtë ankesë dhe për këtë qëndrim që kishte ndaj Moisiut dhe Zotit. Prandaj shkoi dhe i kërkoi Moisiut që të lutej që Zoti t'i ndalonte këto gjëra. Moisiu shkoi në tendë, ra në gjunjë dhe aty u shfaq lavdia e Perëndisë, dhe ai i kërkoi Perëndisë që ta shpëtonte Izraelin nga kjo plagë. Zoti i tha që të bënte një gjarpër prej bronzi, në disa variante është prej bakri, e ta vendoste me një shtyllë të lartë në kampin e Izraelit. Dhe kushdo që do të pickohej nga gjarpri dhe do të kthente kokën për të parë gjarprin prej bronzi, do të shërohej, dhe ashtu ndodhi.
Përse Zoti përmend pikërisht këtë gjë për veten e tij? Çfarë do të thotë kjo gjë për ne? Shumë nga etërit e Kishës e shpjegojnë në këtë mënyrë: gjarpri prej bronzi është natyra jonë që mori Zoti, por pa mëkatin, pa helmin, se gjarpri i bronzit nuk ishte helmues. Natyra jonë e ka helmin e gjarprit. Çdo njeri, kushdo qoftë ai, e mbart brenda vetes helmin e gjarprit, si pasojë e mëkatit të parë. Ky helm i pickon vazhdimisht njerëzit dhe përhapet në të gjithë qenien e tyre, jo vetëm në organizmin trupor, por edhe në atë shpirtëror. Sa herë që brenda nesh lindin inate, mëri, shpifje, thashetheme, vjedhje, krime dhe të tjera gjëra të tilla, është pikërisht helmi i gjarprit që i nxit dhe i ushqen këto brenda nesh. Dhe ne, që të shërohemi, duhet të kthehemi drejt Krishtit dhe drejt Kryqit të Tij, sepse Kryqi ishte shpëtimi i botës.
Në vargjet e etërve të Kishës, Kryqi vazhdimisht është në qendër. "Me anë të Kryqit erdhi gëzimi në botë", themi ne. Si erdhi me anë të Kryqit gëzimi në botë? Ne e dimë që Kryqi ishte një shenjë e vdekjes dhe ishte një torturë që përdornin fenikasit për skllevërit. E megjithatë, Zoti zgjodhi pikërisht këtë instrument vdekjeje për të sjellë instrumentin e jetës sonë, sepse nëpërmjet Kryqit erdhi shpëtimi i njerëzve. Ashtu si Moisiu ngriti gjarprin në shkretëtirë, ashtu edhe Krishti u ngrit në Kryq. Madje, edhe fjala që përdoret në Ungjill e shpreh pikërisht këtë: Krishti u ngrit në Kryq dhe solli shpëtimin për gjithsecilin prej nesh.
Këtë javë, Kisha na fton të meditojmë rreth Kryqit. Çfarë do të thotë Kryqi në jetën tonë të përditshme? Të gjithë ne ankohemi për Kryqin. Për çdo vështirësi që na ndodh, ne ankohemi. Për çdo gjë që kemi brenda trupit tonë, ankohemi. Dhe nëse nuk e pranojmë këtë, nuk mund të shërohemi. Kryqet që na vijnë në jetë nuk janë për të na dëmtuar, por për të na shëruar. Një shenjtor i madh ka thënë këto fjalë: "Në jetë kam gëlltitur shumë gjëra dhe, duke i gëlltitur, u shërova". Ai bën një analogji me mënyrën se si njeriu duhet të pijë dhe ta gëlltitë ilaçin. Kur thotë: "Kam gëlltitur shumë gjëra", nënkuptonte: sa herë më kanë fyer, më kanë poshtëruar, sa herë kanë shpifur kundër meje apo më kanë bërë padrejtësi, i kam gëlltitur. E kam pranuar Kryqin dhe, duke e gëlltitur, u shërova. Edhe ne, nëpërmjet Kryqit, mund të shërohemi. Sa herë i përgjigjemi së keqes me të keqe, shpifjes me shpifje, thashethemeve me thashetheme, ne nuk shërohemi, por bëhemi si ai i cili ka bërë po të njëjtën gjë kundër nesh.
"Me anë të Kryqit erdhi shpëtimi në botë", thonë vargjet që psalim vazhdimisht, sepse Kryqi është mjekimi. Ne e dimë se destinacioni përfundimtar është Ngjallja, por, për të arritur te Ngjallja, duhet të kalojmë nëpërmjet Kryqit. Prandaj, Kryqi është shenja themelore e Kishës. Rrobat e priftërinjve janë të gjitha me kryqe dhe në të gjitha zbukurimet e kishës gjejmë Kryqin. Sepse Kryqi është vula e Krishtit në Kishën tonë. Kryqi është energjia e Perëndisë.
Dhe Zoti përmendi dhe shpjegoi pikërisht atë që më vonë do të njihej në theologji me emrin Tipologjia, ku ngjarje dhe persona të Dhiatës së Vjetër shërbejnë si një lloj parafigurimi i ngjarjeve dhe personave të Dhiatës së Re. Vetëm nëpërmjet Dhiatës së Vjetër mund ta kuptojmë Dhiatën e Re, prandaj Dhiata e Vjetër është shumë e rëndësishme për secilin prej nesh. Etërit e Kishës e studionin shumë dhe e lexonin vazhdimisht, sepse nëpërmjet Dhiatës së Vjetër ne shohim përmbushjen e saj në Dhiatën e Re. Edhe Kryqi, si energji e Perëndisë, shfaqet vazhdimisht në Dhiatën e Vjetër. Moisiu, në formën e Kryqit, shtriu shkopin e tij mbi Detin e Kuq dhe ai u hap, duke i mundësuar Izraelit të kalonte. Gjithçka ishte thënë që më përpara. Kryqi ka qenë gjithmonë energjia e Perëndisë: përpara Ligjit, në kohën e Ligjit dhe edhe pas Ligjit. Ai do të vazhdojë të jetë i tillë deri në fund, sepse Kryqi do të jetë shpëtimi ynë dhe një shenjë e dashurisë së Perëndisë.
Prandaj edhe Ungjilli i sotëm e thotë që Zoti e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e Tij të vetëmlindur, që kushdo që beson tek Ai të shpëtojë dhe të ketë jetën e përjetshme. Çfarë do të thotë kjo për ne? Do të thotë pikërisht këtë: se vetëm duke u përqendruar te Krishti dhe te Kryqi i Tij, ne mund të shpëtojmë. Prandaj, Kryqin duhet ta shohim si shenjën e dashurisë së Perëndisë për ne. Zoti ka dashuri për gjithsecilin prej nesh, por ne shpeshherë nuk e ndiejmë atë. Nuk e ndiejmë, sepse nuk e pranojmë Kryqin dhe, pa sakrifica, nuk mund ta kuptojmë dot dashurinë e Perëndisë.
Në librin e Shën Siluanit, vetë ai tregon një episod shumë të bukur. Njëherë, thotë, po rrija me disa etër të shenjtë dhe njëri prej tyre na tregoi një histori nga fëmijëria e tij. Kur isha i sëmurë dhe ndodhesha në Jermi, të gjithë mendonin se po vdisja. Por unë i dëgjoja fjalët e tyre. Dhe nëna ime u tha atyre: "Do të isha gati që trupi im të copëtohej, vetëm që djali im të shpëtonte". Kur i dëgjova këto fjalë nga ky atë i shenjtë, thotë shën Siluani, mendova me veten time: Kjo është dashuria që ka Zoti për ne, i Cili dha trupin e Tij në Kryq për të shpëtuar gjithsecilin prej nesh. Njeriu që ka dashuri në shpirt, pa dyshim që i do të gjithë të tjerët. Zoti i do të gjithë njerëzit. Prandaj dhe Kryqi që mori Krishti ishte një shenjë e dashurisë për të shpëtuar gjithsecilin nga ne.
Por përse flasim rreth këtyre gjërave? Flasim pra, që ta praktikojmë Kryqin në jetën tonë të përditshme. Kryqi nuk është një magji: vumë Kryqin në qafë dhe shpëtuam. Kryqi i vërtetë është brenda zemrës sonë, kur kryqëzojmë gjithçka të keqe që kemi: ligësitë, mendimet e këqija, pasionet e çrregulluara, inatet, mëritë e gjithçka tjetër. Ky është mjekimi që jepet nëpërmjet Kryqit kur ne e pranojmë atë. Asnjë nuk mund të shpëtojë dot pa bërë sakrifica të mëdha. Pa mundim s'ka fitim. Prandaj dhe Kryqi është kaq i rëndësishëm në jetën e çdo të krishteri.
Por, që Kryqi të ketë efekt në jetën tonë, duhet ta pranojmë atë. Njerëzit mund të besojnë te Kryqi, por, nëse nuk e zbatojnë në jetën e përditshme, ky besim nuk do të sjellë dobi. Ata mund të besojnë te Perëndia, por, nëse nuk e zbatojnë mësimin e Tij në jetën e përditshme, edhe ky besim nuk do të sjellë dobi. E njëjta si me antibiotikët. Njerëzit mund të besojnë tek ata, por, nëse janë të sëmurë dhe nuk e marrin antibiotikun, nuk do të shërohen. Kështu ndodh dhe me ne. Ungjilli është një libër i shenjtë dhe shumë i rëndësishëm, por ne duhet ta zbatojmë në jetën tonë të përditshme.
Le t'i lutemi Zotit që të na japë mençuri për ta kuptuar Kryqin dhe për ta pranuar në jetën tonë, në mënyrë që ai të kthehet në të mirën tonë. Prandaj edhe Shën Pavli shkruan në Letrën drejtuar Romakëve këto fjalë: "Çdo gjë bashkëvepron për të mirë për ata që e duan Perëndinë". Nëse e duam Perëndinë dhe e pranojmë Kryqin me dëshirë, ai do të bëhet instrumenti i jetës sonë dhe do të shërojë çdo gjë të dëmtuar që është brenda trupit dhe shpirtit tonë. është mjeti që solli shërimin tonë.
Prandaj dhe Kisha ndalet kaq gjatë te Kryqi në të Dielën para Lartësimit të Kryqit, në Lartësimin e Kryqit dhe në të Dielën pas Lartësimit të Kryqit. Kryqi është qendra e jetës së krishterë. Kryqi është mjeti që solli Ngjalljen dhe është mjeti që solli shërimin tonë. Amin!
Katedralja e Ngjalljes së Krishtit, Tiranë
Siç kishte raportuar UGO, Kryepeshkopi Joani kishte theksuar fuqinë e kryqit për të kapërcyer tentimet dhe vuajtjet e jetës edhe në një homeli të mëparshme, mbajtur gjatë të Dielës së tretë të Kreshmës, ku besimtarët nderojnë Kryqin si simbol i shpengimit.
Lexo gjithashtu
Patriku serb Porfiri viziton Lubjanën për 90-vjetorin e kishës
Qindra besimtarë dhe klerikë u mblodhën në kishën e Shën Kirilit dhe Metodit për të shënuar 90 vjet të saj.
Meshë e Dielës para Lartësimit të Kryqit u krye në Katedralen e Korçës
Nxënës nga shkolla të ndryshme morën pjesë në lutjen për bekimin e vitit të ri shkollor, në praninë e Mitropolitit Anastasi.
Mitropoliti kremton Liturgjinë në Sarandë para Lartësimit të Kryqit
Mitropoliti i Gjirokastrës, Nathanail, u bëri thirrje besimtarëve të mbajnë kryqin e jetës me besim, durim dhe shpresë, sipas shembullit të Krishtit.
Kryepiskopi Joan: Kryqi është qendra e jetës së krishterë
Në predikimin e së dielës para Lartësimit të Kryqit, ai foli për shërimin nëpërmjet kryqit dhe episodin e gjarprit prej bronzi.
Kryepiskopi Joan bekon fëmijët në fillim të vitit të ri shkollor
Në fund të Liturgjisë Hyjnore, ai u lut që Zoti të ndriçojë mendjet dhe të pastrojë zemrat e nxënësve gjatë gjithë jetës së tyre.
Litani me Kryqin e Shenjtë kalon në qëndrën e Sofies
Kisha Ortodokse Bullgare organizon liturgji solemne në katedralen "Shën Aleksandër Nevski" për 1700-vjetorin e gjetjes së Kryqit të Shenjtë.