Kisha e Kryeëngjëjve ruan trashëgiminë pasbizantine në Gjirokastër

Ilirian Gjika

Gjirokastra, me një traditë ndërtimore kulti që nga periudha paleokristiane, dallohet për një sërë kishash dhe bazilikash, që vijojnë të ngrihen pa ndërprerje deri në ditët tona. Sipas materialit të paraqitur, mund të përmenden rrënojat e bazilikave të antikitetit të vonë në Adrianopol, Antigone, Paleokastër, Goricë, Manastiraq, kishat mesjetare në Labovë e Peshkëpi, si dhe ato të mëvonshme në Saraqinisht, Nokovë, Tranoshishtë, Mingul, Stegopull, Qestorat, Derviçan, Goranxi, Vanistër, Dhuvjan, Vrahogoranxi, Jorgucat, Zervat, Koshovicë, Pepel, Vodhinë, Poliçan, Mazhar, Sopik, etj (1).

Midis tyre veçohen edhe dy kishat që ndodhen në qytetin e Gjirokastrës, si pjesë e trashëgimisë arkitektonike të tij. Të tilla janë kisha e “Kryeëngjëjve” në lagjen “Varosh” dhe ajo e “Shën Sotirit” në lagjen “Pazar i Vjetër”, që i përkasin viteve 1776 dhe 1784 (2). Këto objekte kulti do të ndërtoheshin nën kujdesin e peshkopatës së “Drinopojës dhe Gjirokastrës”, e cila që prej shek. XIV e kishte vendosur qendrën e saj në këtë qytet (3).

Ndër to, faltorja më e vjetër është kisha e “Kryeengjëjve”. “U ndërtua prej themeli më 1777, u dogj më 1828, u përtëri më 1833”, shkruhet në mbishkrimin e pikturuar mbi portën jugore të saj (4).

Sipas studiuesit Piro Thomo, ky objekt është një bazilikë trenefëshe me përmasa 23.20 x 13.30 m, që përbëhet nga naosi dhe hapësira e altarit. Ambienti kryesor i saj, naosi, ndahet në tre anijata nëpërmjet dy radhë kolonash, mbi të cilat kalojnë harkadat gjatësore. Mbi to mbështeten disa bërthama katrore që mbulohen në nefin qendror me kësula sferike, ndërsa në dy nefet anësore me qemere cilindrike. Naosi ndriçohet nga disa dritare përgjatë dy pjesëve gjatësore të tij, ndërsa në anën lindore ato ngrihen mbi nivelin e absidave (5).

Në brendësi të kishës, një ikonostas druri e ndan atë nga altari. Ky ambient përbëhet nga tre absida, ku ajo qendrore është më e madhe dhe më e lartë se dy të tjerat. Njëlloj si kisha, edhe ato janë ndërtuar me muraturë guri shtresor të lidhur me llaç. Të tre absidat janë të dekoruara nga jashtë me harqe të ngushta dhe të larta, të punuara estetikisht me gurë të gdhendur. Në pjesën e sipërme të tyre kalojnë dy korniza guri të alternuara nga një sërë radhësh, në formë të drejtë dhe dhëmbësh sharre.

E gjithë ndërtesa mbulohet me çati druri me rrasa guri, ndërsa hyrjet për në kishë, ndërtuar me portikë dhe kolona, janë vendosur në anën jugore dhe perëndimore (6). Po kështu, kisha e “Kryeëngjëjve” është e pajisur edhe me një këmbanore që ndodhet në qoshen jugperëndimore, midis dy hyrjeve të saj.

Ndërkohë, ikonostasi prej druri arre është punuar nga një mjeshtër anonim. Ai është zbukuruar me gdhendje të ndryshme me motive floreale, zoomorfe dhe humane, ku përveç “Dyerve të Bukura”, është i pajisur edhe me tre dyer të tjera anësore. Ikonostasi përbëhet nga dy breza për vendosjen e dy radhë ikonash, që i përkasin përmasave të mëdha, despotike, dhe atyre të vogla (7).

Ky paret druri zbukurohej dikur nga një sërë ikonash me vlerë, nga të cilat janë dokumentuar ato të Krishtit, Shën Mërisë, Shën Gjergjit dhe Shën e Premtes (8). Të pajisura me mbishkrime që tregojnë jo vetëm emrat e dhuruesve dhe piktorëve, në to gjejmë edhe të dhëna të tjera rreth realizimit apo restaurimit të ikonostasit.

“U përtëri tempulli (ikonostasi) me shpenzimet e zotit Jorgaq Anastasit nga Gjirokastra”, shkruhet nën ikonën e Krishtit, ku del emri i ktitorit të restaurimit (9). Ndërsa mbishkrimi mbi ikonën e Shën Mërisë tregon kohën kur ky ikonostas u dekorua me këto piktura kavaleti. “1883 dhe i përjetshëm kujtimi, zonja Zoica dhe Vasiliqi e Paraskevës nga Gjirokastra”, shkruhet në tekstin e tij (10).

Kjo datë përkon edhe me mbishkrimin ndërtimor, fakt që tregon se kisha, ikonostasi dhe disa nga ikonat e tij i përkasin vitit 1833, kohës kur ky objekt kulti do të rindërtohej dhe do të vihej në funksion (11).

Për këtë rast, studiuesi Theofan Popa konstaton se një pjesë e ikonave janë punuar nga piktorët Petro Gjeorgjiadhi dhe vëllezërit Nikolla e Matheu. “Piktor Petro, kryepsalt i Mitropolisë së Janinës, 1841, qershor 5”, shkruhet në mbishkrimin e ikonës së Shën e Premtes. “Me dorën e Nikollës dhe Matheut, vëllait të tij. Lutje e shërbëtorit të Perëndisë Dhimitër Koiza Nano, 1842”, është teksti i mbishkrimit në ikonën e Shën Gjergjit (12).

Krahas këtyre objekteve, në këtë kishë nuk mungojnë edhe pajisjet liturgjike. Kështu përmendet edhe një ungjill i dhuruar nga vëllezërit Gjergji dhe Pano të Anastasit, si edhe amvoni i punuar nga mjeshtri Mitro Fandi (13).

Ndërsa disa pjesë të mureve të brendshme të kishës dhe absidës janë zbukuruar me afreske nga një piktor anonim. Midis paraqitjes së shenjtorëve të ndryshëm, në anën perëndimore të saj është pikturuar edhe figura e Shën Gjergjit të Janinës (14).

Po kështu, oborri i kishës së “Kryeëngjëjve” ka shërbyer dikur edhe si varrezë për komunitetin ortodoks të Gjirokastrës. Në vitin 1967, kjo varrezë do të shkatërrohej dhe trualli i saj do të tjetërsohej, ndërsa kisha do të shndërrohej në depo, duke e ndërprerë aktivitetin (15).

Vetëm pas shembjes së regjimit komunist, ky objekt kulti do t’i rikthehej funksioneve të tij, duke iu nënshtruar edhe restaurimit. Në këto kushte, ai përfaqëson një objekt me vlera të arkitekturës kishtare pasbizantine, pjesë e ansamblit arkitekturor të traditës së qytetit. Ndërsa prej vitit 1963, kjo faltore mban edhe statusin e monumentit të kulturës (16).

Si kisha më e vjetër ortodokse në qytetin e Gjirokastrës, ajo qëndron e hapur në çdo kohë, duke mirëpritur jo vetëm besimtarët vendas, por edhe pelegrinë dhe vizitorë të ndryshëm.

Në të njëjtin kontekst kishtar, kishte paraprirë trajtimi i veprimtarisë së Kishës së Gjithë Shenjtorëve në Gjirokastër.

1-Dh. Budina, Mozaiku i trikonkës paleokristiane të Antigonesë, Iliria, VII-VIII, Tiranë 1977-1978, f. 225-228; A. Baçe, Kështjella e Paleokastrës, Iliria, 2, Tiranë 1981, f. 183-189; A. Meksi, Kishat e Shqipërisë, shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 28, 115; P. Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e Jugut, KOASH, Tiranë 1998, f. 106-110, 114-126, 128-135, 140-141; Th. Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, ASH, Tiranë, 1998, f. 220-256; A. Llukani, Mitropolia e Gjirokastrës, Tiranë 2020, f. 174, 104; Dh. Beduli, Kishë dhe Kulturë, Instituti i Dialogut & Komunikimit, Tiranë 2006, f. 65-67

2-E. Riza, Qyteti muze i Gjirokastrës, “8 Nëntori”, Tiranë 1981, f. 46-47; P. Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e Jugut, KOASH, Tiranë 1998, f. 152

3-K. Giakumis, Paraqitja e parë e kodikut të Gjirokastrës (1760-1851), Arkivi Shqiptar, Viti 6, Nr. 1-2, 2005, f. 57-71; A. Llukani, Mitropolia e Gjirokastrës, Tiranë 2020, f. 9

4-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, ASH, Tiranë 1998, f. 247

5-P. Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e Jugut, KOASH, Tiranë 1998, f. 152; E. Riza, Qyteti muze i Gjirokastrës, “8 Nëntori”, Tiranë 1981, f. 46-47

6-Piro Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e Jugut, KOASH, Tiranë 1998, f. 152

7-Andrea Llukani-Ylli Drishti, Ikonostaset e Shqipërisë-Shek. XVI-XX, Kristalina-KH, Tiranë 2024, f. 270-273

8-Th. Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, ASH, Tiranë 1998, f. 272-273; A. Llukani, Mitropolia e Gjirokastrës, Tiranë 2020, f. 87

9-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, ASH, Tiranë 1998, f. 272-273

10-Po aty, f. 272

11-Po aty, f. 247, 272

12-Po aty, f. 273

13-Po aty, f. 266, 273

14-Andrea Llukani, Mitropolia e Gjirokastrës, Tiranë 2020, f. 87-88

15-Po aty, f. 88

16-Të njohim monumentet e Kulturës, IMK, Tiranë 1967, f. 152

 

Lexo gjithashtu

Përfundon veshja me gurë e Kishës së Shën Llazarit në Shtërmen

Punimet u realizuan me bekimin e Mitropolitit të Elbasanit, Hirësisë së Tij Andon, dhe me kontributin e Altin Toskës.

Kisha e Kryeëngjëjve ruan trashëgiminë pasbizantine në Gjirokastër

Kisha, e ndërtuar në shekullin XVIII, është një bazilikë trenefëshe me ikonostas druri, afreske dhe elemente të dokumentuara të artit kishtar.

Dëshmi historike mbi predikimin e Shën Kozmait në Dardhë

Libri i vitit 1927 përshkruan gjurmët e shenjtorit në Dardhë dhe biografinë e Polikarpit, mitropolitit të Larisës, të vrarë në 1821.

Kisha e Leusës në Përmet ruan afreske dhe ikonostas historik

Monumenti i ndërtuar në vitin 1812 lidhet me traditën e ikonës së Shën Mërisë Eleusës dhe ruan vepra arti të periudhave të ndryshme.

Historia e Manastirit të Fjetjes së Hyjlindëses në Boboshticë.

Historia e Manastirit të Fjetjes së Hyjlindëses, dëshmitë e ruajtura dhe hapja e tij për shërbesa në vitin 1990.

Rihapja e Kishës së Fjetjes së Hyjlindëses në Boboshticë më 15 gusht 1990

Banorët e Boboshticës, të udhëhequr nga mësuesi Sotir Bambulla, rihapën kishën e Fjetjes së Hyjlindëses më 15 gusht 1990.