Mitropoliti Nikolla shpjegon përgjegjësinë e njeriut në Fier
Kujt i referohet fjala e Perëndisë! Ndodh, të dashur besimtarë, që kur lexojmë apo dëgjojmë pjesë nga Shkrimi i Shenjtë, të mendoj se ajo i referohet dikujt tjetër dhe jo neve personalisht! Ndodh si me historinë e Davidit! Davidi bëri një mëkat të dyfisht, shkeli kurorën dhe vrau burrin e gruas me të cilin shkeli kurorën. Për këtë arsye Perëndia dërgoi profetin Natan, i cili takon mbretin David dhe i thotë: në një qytet ishin dy njerëz, një i pasur dhe një i varfër; i pasuri kishte me qindra dele, bagëti të tjeta, ndërsa i varfri bleu një qingj të vogël, e ushqeu me qumësht, e rriti si fëmijën e tij dhe e kishte gjithmonë pranë.
Sipas materialit të paraqitur, kjo ishte pjesë e predikimit të Mitropolitit të Apollonisë & Fierit, Imzot Nikolla, në Katedralen e Shën Gjergjit në Fier.
Një ditë tek pasaniku shkoi një mysafir dhe i pasuri në vend që të merrte një nga bagëtitë e tij, për t’ia therur mikut të tij, mori qingjin e të varfrit dhe ia theri mikut të tij. Kur Davidi dëgjoi këtë histori nga profeti Natan u zemërua dhe tha: kush është ai njeri? Ai do të paguajë katërfish për dëmin që ka bërë dhe ai meriton vdekjen. Dhe çfarë i thotë profeti Natani: Ai njeri je ti. Mendoi Davidi, kur po i fliste profeti Natan që këto gjëra nuk janë për të, por janë për dikë tjetër.
Këtë gjë themi dhe ne shpeshherë në jetën tonë. E lexojmë Ungjillin, e dëgjojmë pjesën e Shkrimit të Shenjtë siç e dëgjuam sot dhe themi: këto nuk janë për mua. Por në fakt, janë për mua, janë për secilin prej nesh që jemi këtu dhe për ata që nuk janë, fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, është fjalë e përjetshme. Nuk i referohet vetëm izraelitëve, por të gjithë njerëzimit.
Pjesa e ungjillit që dëgjuam sot që thotë për vreshtarët e këqinj, na referohet edhe neve. Ne jemi vreshtarët e këqinj. Secili prej nesh është një vreshtar i keq. Sepse edhe ne nuk menaxhojmë ashtu siç duhet vreshtin që na ka dhënë Zoti, dhe kush është ai vresht? Eshtë jeta jonë, është jeta që bëjmë në familje, puna jonë, oferta jonë në komunitet, është përgjegjësia që kemi si mësues, si prindër, si drejtues, si pushtetarë.
Nuk mund të themi është jeta ime dhe unë bëj çfarë të dua, është familja ime, bëj çfarë të dua, kam pushtetin, jam kryetar bashkie dhe mund të bëj çfarë të dua, jam drejtues i qeverisë dhe mund të bëj çfarë të dua; jo zotëri nuk mund të bësh çfarë të duash, askush nga ne nuk mund të bëjë çfarë të dojë me jetën e tij, askush nuk mund të bëjë çfarë të dojë me jetën e të tjerëve, askush nuk mund të bëjë çfarë atij i pëlqen, të tjerët nuk janë shërbëtorët e tij, nuk janë as skllevërit e tij.
Të gjithë jemi në një shërbim, jemi në shërbim të njëri-tjetrit, jemi në shërbim të komunitetit. Sigurisht kemi lirinë tonë, të bëjmë çfarë të duam, mund të jemi edhe ne si vreshtarët e këqinj, por nuk i shpëtojmë dot diçkaje, mund t’i shpëtojmë burgut, mund t’ia hedhim burgut, mund të kemi miliona, por nuk mund t’i shpëtojmë dot kurrsesi fjalës së Perëndisë, nuk mund t’i shpëtojmë kurrsesi gjykimit të Perëndisë, edhe ai gjykim që erdhi mbi vreshtarët e këqinj do të jetë mbi secilin prej nesh dhe mbi të gjithë njerëzimin.
Të gjithë do të japim llogari për jetën tonë, për veprimet tona, për fjalët tona, për sjelljet tona, për çfarë kemi bërë. Të gjithë do të japim llogari për këtë, dhe do të japim llogari para një gjykatësi që është i vërtetë, që nuk i shpëton dot asnjë gjë, asgjë nuk është e fshehtë para tij, gjithçka është e zbuluar dhe e ditur dhe nuk mund t’i shpëtojmë dot, gjykimi i tij do të jetë i drejtë dhe i vërtetë, sado që të përpiqemi që të fshehim gabimet tona, mëkatet tona, padrejtësitë tona, vjedhjet tona, vrasjet tona, askush nuk i shpëton dot syrit të gjallë të vërtetë të Perëndisë dhe gjykimi do të vijë një ditë.
Mendojmë që po ia hodhëm këtë radhë, ia hodhëm dhe këtë vit, ia hodhëm me të gjitha veprimet që kemi bërë, por nuk ia kemi hedhur Perëndisë, dhe do të vijë dita që ne do të japim llogari për veprimet tona. Këto histori që ne dëgjojmë nga Shkrimi i Shenjtë, këto histori që ne tregojmë nga Bibla, janë për secilin prej nesh, flasin në zemrën tonë.
Sa herë që dëgjomë një histori të tillë duhet të themi që po është për mua personalisht, çfarë do të bëj të jem edhe unë jo një vreshtar i keq, por një vreshtar i mirë? Jeta jonë është dhuratë e Perëndisë, jeta e të tjerëve është dhuratë e Perëndisë, gjithë krijimi është një dhuratë e Perëndisë, nuk mund të bëjmë çfarë të duam. Ai është si vreshti që ka dhënë Zoti dhe ne duhet të japim fryt.
Prandaj ta dëgjojmë me vëmendje fjalën e Perëndisë, t’i kushtojmë rëndësi, të përpiqemi që atë fjalën e Perëndisë, që vjen në zemrën tonë, që flet në zemrën tonë ta mbajmë, të përpiqemi ta përjetojmë, ta përmbushim fjalën e Perëndisë dhe atëherë nuk do të jemi vreshtarë të këqinj, por vreshtarë të bekuar të cilët do të shijojmë frytin e përjetshëm të cilin Zoti do të japë për secilin prej nesh.
Dhe u bëftë që fjala e Perëndisë të flasë në zemrën tonë dhe ne të përpiqemitë jetojmë ashtu si do Perëndia. Amin.
Nga predikimi i Mitropolitit të Apollonisë & Fierit, Imzot Nikolla, E Diela e 13-të e Mattheut, Katedralja e Shën Gjergjit, Fier 30/08/2026!
Lexo gjithashtu
Mitropoliti Nikolla shpjegon përgjegjësinë e njeriut në Fier
Predikimi trajton shëmbëlltyrën e vreshtarëve të këqinj dhe thirrjen për të dhënë fryt në jetën personale e në komunitet.
Shtylla e Shën Simeonit u rindërtua pjesërisht pranë Alepos
Rindërtimi u krye gjatë festës së shenjtit, me pjesëmarrjen e qindra besimtarëve ortodoksë.
Nis restaurimi i Manastirit të Kryeengjëjve në Derviçan të Gjirokastrës
Punimet përfshijnë pastrimin dhe stabilizimin e mureve të qelive, si dhe zëvendësimin e çative dhe dyshemeve prej druri në kompleksin manastirial.
Shën Nikolla argumenton për katekizmin në shkollë
Teksti thekson lidhjen mes mësimit të Krishtit, edukimit dhe formimit të karakterit të të rinjve.
Rinia Orthodhokse shqiptare merr pjesë në ITO 2026 në Bukuresht
Delegacioni i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë ishte i pranishëm në takimin ndërkombëtar që mblodhi rreth 2,400 të rinj nga Rumania dhe diaspora.
SHBA thonë se duan të mbrojnë Manastirin e Shën Katerinës në Sina
Uashingtoni bëri deklaratën në kushtet e një konflikti ligjor mbi pronat e manastirit pas vendimit të gjykatës egjiptiane të 28 majit 2025.