Shqipëria pjesë e Kongresit të 25-të të Studimeve Bizantine në Vjenë
Leopoldi VI dhe bashkëshortja e tij bizantine Theodora, në orën Ankeruhr të Vjenës. Burimi: Universiteti i Vjenës; pronë publike.
Trashëgimia bizantine e Shqipërisë ka zënë një vend të dallueshëm në Kongresin e 25-të Ndërkombëtar të Studimeve Bizantine, që po zhvillohet në Vjenë. Sipas programit zyrtar të ICBS 2026, dy sesione të posaçme dhe disa kumtesa të tjera janë kushtuar monumenteve, dorëshkrimeve dhe zhvillimeve historike të lidhura me hapësirën shqiptare.
Kongresi zhvillohet nga 24 deri më 29 gusht 2026 në Universitetin e Vjenës, nën kujdesin e nderit të Presidentit Federal të Austrisë, Alexander Van der Bellen. Ceremonia e hapjes u mbajt më 24 gusht, me kumtesën kryesore të Maximilien Durand mbi krijimin e Departamentit të Artit Bizantin dhe të Krishterimit Lindor në Muzeun e Luvrit. Tema qendrore e kongresit, "Byzantium beyond Byzantium", e zgjeron vështrimin mbi qytetërimin bizantin përtej kufijve politikë e kronologjikë të Perandorisë.
Sesioni "Albania: A Crossroads of Byzantine Influence and Beyond", organizuar nga Andi Rembeci dhe Ioannis Vitaliotis, trajtoi rolin e hapësirës shqiptare si urë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Rembeci dhe Sokol Çunga paraqitën studimin mbi dorëshkrimet e Rilindjes Maqedonase bizantine, ndër to Beratinus II dhe Kodiku nr. 93 i Korçës. Lida Miraj u ndal te arkitektura e Durrësit, Andrea Di Giuseppe te afresku i kishës së Rubikut të vitit 1272, ndërsa Vitaliotis te piktura kishtare shqiptare e shekullit XVI dhe figura e Onufrit.
Sesioni i dytë, "Byzantium after Byzantium in Albania: Architectural and Artistic Continuity", u organizua nga Konstantinos Giakoumis dhe Lida Miraj. Çunga dhe Rembeci prezantuan dorëshkrime greke pasbizantine të Arkivit Qendror të Shtetit, ndërsa Ahilino Palushi trajtoi pikturën e kishës së Shën Marisë në Barmash të Kolonjës, të vitit 1616. Edlira Çaushi analizoi afresket e fundit të shekullit XVI në manastiret e Dropullit, në lidhje me traditën e Shkollës Kretase.
Trashëgimia shqiptare u përfshi edhe në kumtesat e Konstantinos Giakoumis mbi ndikimin bizantin në Evropën Juglindore, të Nevila Mollas mbi qendrat urbane të bregdetit jonian shekujt IX–XII, dhe të Ahilino Palushit mbi piktorin David të Selenicës në kishën e Shën Kollit në Voskopojë (1722–1726). Studiuesi Agon Rrezja, nga Universiteti i Zagrebit, foli për funksionarët shqiptarë në Maqedoninë Veriore gjatë shekullit XIII.
Siç kishte raportuar UGO, kishat dhe manastiret me vlerë artistike të artit bizantin në Shqipëri përbëjnë një pjesë të rëndësishme të kësaj trashëgimie.
Programi dhe libri zyrtar i përmbledhjeve dëshmojnë se trashëgimia bizantine dhe pasbizantine e Shqipërisë zë vend të rëndësishëm në kërkimet ndërkombëtare bashkëkohore. Kongresi i Vjenës vazhdon punimet deri më 29 gusht 2026.
Lexo gjithashtu
Shqipëria pjesë e Kongresit të 25-të të Studimeve Bizantine në Vjenë
Dorëshkrimet e Beratit dhe Korçës, monumentet e Durrësit dhe piktura kishtare e Barmashit, Dropullit e Voskopojës u paraqitën në sesione të veçanta shkencore.
500 vullnetarë përgatiten për Takimin e Rinisë Ortodokse 2026 në Bukuresht
Rreth 2.400 të rinj nga Rumania, diaspora dhe vende të tjera priten të marrin pjesë në takimin që zhvillohet nga 31 gushti deri më 3 shtator 2026.
Takim pro-jetë organizohet në Bethlehem të Pensilvanisë
Orthodox Christians for Life do të mbajë më 12 shtator një veprimtari mbi bioetikën dhe dinjitetin e jetës njerëzore.
Gjykata në Kiev shqyrtoi statusin e Lavrës së sipërme
Besimtarët dhe kundërshtarët e KOU-së morën pjesë në seancën për manastirin e Kievit.
Mitropoliti Joannikio hap festivalin "Cirilica" në Budva
Mitropoliti tha se alfabeti cirilik serb është ndaluar, përndjekur e djegur, por ka njohur një lulëzim të ri gjatë historisë.
Vandalizohet Kisha e Shën Thanasit në Sinicë të Korçës
Autorë të paidentifikuar kanë dëmtuar ikona dhe sende të shenjta, ndërsa banorët e lidhin aktin me një publikim provokues në rrjetet sociale.