Mjekë nga Volosi ofruan vizita falas në Korçë

Në Korçë u realizua një nismë e rëndësishme humanitare dhe shëndetësore, e cila bashkoi në frymë dashurie dhe shërbimi Mitropolinë e Shenjtë të Korçës dhe Mitropolinë e Shenjtë të Dhimitriadhës dhe Almiros. Gjatë triditëshit 3-5 korrik, “Shërbestarët e Shëndetit të Dashurisë” mbërritën nga Volosi në Korçë për të ofruar vizita, konsulta dhe ekzaminime mjekësore falas për banorët e qytetit dhe të zonës më të gjerë.

UGO ndoqi nga afër këtë mision ku morën pjesë 36 mjekë të 15 specialiteteve të ndryshme, së bashku me Njësinë e Lëvizshme, të pajisur me aparaturat e nevojshme mjekësore. Qytetarë të moshave të ndryshme iu drejtuan ambienteve ku u zhvillua veprimtaria për të marrë shërbim mjekësor falas, këshillim profesional dhe ekzaminime diagnostikuese.

Nisma u organizua nga Mitropolia e Shenjtë e Dhimitriadhës dhe Almiros, në bashkëpunim me Mitropolinë e Shenjtë të Korçës, me mbështetjen e Shoqatës Mjekësore, Shoqatës Dentare dhe Shoqatës Farmaceutike të Magnisë. Misionin në Korçë e shoqëroi edhe Hirësia e Tij, Mitropoliti i Dhimitriadhës dhe Almiros, z. Ignatios, duke nënvizuar me praninë e tij rëndësinë e kësaj vepre dashurie, solidariteti dhe përkujdesjeje ndaj njeriut.

“Shërbestarët e Shëndetit të Dashurisë” janë pjesë e Rrjetit të Strukturave të Shëndetit të Mitropolisë së Shenjtë të Dhimitriadhës dhe prej disa vitesh zhvillojnë veprimtari vullnetare në fshatra, qyteza dhe zona të ndryshme të Greqisë, veçanërisht aty ku njerëzit kanë qasje më të kufizuar në shërbimet shëndetësore. Këtë herë, kjo përvojë u soll edhe në Shqipëri, duke dëshmuar se vullnetarizmi dhe ndihma ndaj të afërmit nuk njohin kufij, por ndërtojnë ura dashurie dhe bashkëpunimi mes njerëzve.

Sipas të dhënave të organizatorëve, kjo është hera e parë që në zonën e Korçës realizohet një mision kaq i plotë shëndetësor, me pjesëmarrjen e një numri kaq të madh mjekësh dhe me një gamë të gjerë specialitetesh. Përveç vizitave të përgjithshme, prania e pajisjeve diagnostikuese mundësoi një shërbim më të plotë dhe më të dobishëm për qytetarët.

Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij z. Anastasios, e vlerësoi këtë ditë jo thjesht si një aktivitet të veçantë, por si një mundësi të mirë për Mitropolinë, për qytetin dhe për njerëzit që kanë nevojë për përkujdesje mjekësore. Ai falënderoi Mitropolitin e Dhimitriadhës, z. Ignatios, mjekët, vullnetarët dhe të gjithë bashkëpunëtorët që kontribuan në realizimin e kësaj nisme.

“Një grup mjekësh specialistë, të specialiteteve të ndryshme, nga qyteti i Volosit, të cilët ushtrojnë prej shumë vitesh një veprimtari vullnetare në zona të ndryshme të Greqisë, gjenden sot në qytetin tonë për të ofruar këtë shërbim të tire falas, pa asnjë detyrim”, u shpreh Hirësia e Tij.

Ai theksoi se rëndësia e kësaj nisme nuk qëndron vetëm te shërbimi mjekësor, por edhe te fryma me të cilën ai ofrohet: me dashuri, përkushtim dhe ndjenjë përgjegjësie ndaj atyre që kanë vështirësi të udhëtojnë drejt qendrave më të mëdha shëndetësore apo të përballojnë shpenzimet e klinikave private.

Hirësia e Tij vuri në dukje gjithashtu se në organizimin e veprimtarisë pati ndihmë nga institucionet vendore, përfshirë Prefekturën, Bashkinë, Këshillin e Qarkut, Drejtorinë Arsimore dhe drejtuesit e shkollës, të cilët vunë në dispozicion ambientet e nevojshme për zhvillimin e shërbimit.

Në fjalën e tij, Mitropoliti i Korçës e lidhi këtë vepër me thelbin e besimit të krishterë, duke kujtuar se Krishti nuk erdhi vetëm për të shpallur mesazhin e Mbretërisë së Tij, por edhe për t'u kujdesur për të sëmurët, të vuajturit dhe njerëzit në pamundësi.

“Besimi ynë ka kuptim kur shprehet në vepra; edhe dashuria të mos jetë thjesht një fjalë që e themi shpeshherë, por të kthehet në shërbim”, u shpreh Hirësia e Tij z. Anastasios.

Ai shtoi se kjo ditë mund të shërbejë edhe si model për nisma të ngjashme në të ardhmen, duke përfshirë mjekët e Korçës dhe njerëzit që dëshirojnë të ofrojnë ndihmën e tire për banorët e zonave më të largëta, të cilët e kanë më të vështirë të vijnë në qendrat kryesore për shërbime mjekësore.

“Le të shërbejë edhe për këtë gjë dita e sotme”, theksoi Mitropoliti i Korçës.

Kjo veprimtari nuk u zhvillua për t'u dukur, por për të shërbyer. Megjithatë, siç u theksua edhe gjatë aktivitetit, është e rëndësishme që informacioni të përcillet, sepse shembuj të tillë nxisin frymën e bashkëpunimit, të vullnetarizmit dhe të përgjegjësisë shoqërore.

Prania e mjekëve nga Volosi në Korçë dëshmoi se Kisha, kur vepron me dashuri dhe përulësi, mund të bëhet urë bashkimi mes njerëzve, mes qyteteve dhe mes vendeve. Ky mision shëndetësor tregoi në mënyrë konkrete se shërbimi ndaj njeriut është një nga format më të vërteta të dëshmisë së krishterë.

Në një kohë kur shumë njerëz përballen me vështirësi ekonomike dhe me pengesa në aksesin ndaj kujdesit shëndetësor, nisma të tilla marrin një rëndësi të veçantë. Ato nuk ofrojnë vetëm ndihmë mjekësore, por edhe shpresë, afërsi dhe ndjenjën se askush nuk është i harruar.

Misioni i “Shërbestarëve të Shëndetit të Dashurisë” në Korçë ishte një dëshmi e gjallë se dashuria, kur bëhet shërbim, mund të lehtësojë dhimbjen, të bashkojë njerëzit dhe të hapë rrugë të reja bashkëpunimi.

Lexo gjithashtu

Mjekë nga Volosi ofruan vizita falas në Korçë

Nisma bashkoi Mitropolinë e Shenjtë të Korçës dhe Mitropolinë e Shenjtë të Dhimitriadhës, me 36 mjekë të 15 specialiteteve.

Takim për shëndetin e enorisë lokale në Kishën e Shën Anës, Korçë

Takimi u zhvillua me bekimin e Mitropolitit Anastas dhe u drejtua nga Profesor Dr. Nathan Hoppe.

Kryepiskopata e Shqipërisë organizon Kampin Familjar 2026 në Tushemisht

Familje nga e gjithë Shqipëria do të reflektojnë mbi jetën e Josifit, nga 2 deri më 6 korrik, me pjesëmarrjen e Mitropolitit të Korçës, Anasta.

Italia mbështet Bullgarinë kundër sanksioneve të BE-së ndaj Patriarkut Kiril

Roma shpreh shqetësim për vendosjen e sanksioneve ndaj kreut të Kishës Ortodokse Ruse, sipas diplomatëve të BE-së të cituar nga Politico.

Kampi ortodoks "Feneri i Hilandarit" mblodhi fëmijë nga Serbia e Kosova në Ohër

45 fëmijë nga Serbia, Çaçaku dhe Kosova kaluan një javë në Ohër, ku u vizituan nga murgj të manastirit Hilandar dhe vizituan shenjtëroret e qytetit.

Kampi Veror i Shën Tikonit vazhdon sesionin 2026 në Pensilvani

Fëmijët morën pjesë në liturgji, kateheza dhe turnirin tradicional të dodgeball, ndërsa Kryepeshkopi Michael i udhëhoqi më të rriturit drejt jetës autentike ortodokse.