Bazilika e Bezistanit, dëshmi e krishterimit të hershëm në Elbasan
Arkeologjia e qytetit të Elbasanit po nxjerr në dritë një kapitull të rëndësishëm të krishterimit të hershëm shqiptar. Sipas Radio Ngjallja, gërmimet pranë zones së Bezistanit kanë zbuluar një bazilikë paleokristiane që daton që nga shekujt V–VI, e njohur si një nga monumentet më të rëndësishme të qytetit antik Skampis.
Arkeologu Elio Hobdari, nga Instituti i Arkeologjisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dha detaje në një intervistë për Radio Ngjallja, të realizuar nga Dhjakon Aleksandër Dimroçi. Ai shpjegoi se zona ndodhet jashtë mureve të qytetit antik, por lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e Elbasanit në periudhën romake dhe në shekujt e hershëm kristianë. Gërmimet kanë nisur që në vitin 2008 dhe kanë zbuluar gradualisht fazat e ndryshme ndërtimore të monumentit.
Fillimisht bazilika u konsiderua si ndërtim i shekullit VI, por zbulimet e mëvonshme tregojnë se ajo ka faza më të hershme që i përkasin shekullit V. Arkeologët kanë gjetur gjithashtu gjurmë aktiviteti deri në shekullin VII, duke dëshmuar një vazhdimësi të qëndrueshme të jetës kristiane në këtë zonë. Prania e shumë varrimeve brenda dhe jashtë kishës flet për rëndësinë shpirtërore dhe shoqërore të vendit.
Ndër zbulimet më të rëndësishme janë fragmente pikture murale, mozaikë dhe mbishkrime dedikuese. Veçanërisht e rrallë është prania e një mbishkrimi latin — shumica e mbishkrimeve në mozaikët e kishave të hershme në Shqipëri janë në gjuhën greke. Kjo bashkëjetesë e latinishtes dhe greqishtes në Skampis dëshmon karakterin e veçantë kulturor dhe gjuhësor të qytetit në antikitetin e vonë. Ndër gjetjet e këtij viti dallohet edhe një skenë eukaristike e shoqëruar me mbishkrime që përmendin persona që kanë kontribuar për zbukurimin e kishës.
Hobdari theksoi se Skampisi ka pasur një topografi të pasur kristiane në shekujt V–VI, me disa kisha të njohura, përfshirë bazilikën e Tepes dhe struktura të tjera brenda ose jashtë mureve. Ideja e krijimit të një parku arkeologjik urban në Elbasan konsiderohet si hap i rëndësishëm, pasi bazilika është pjesë e një zone me potencial të lartë kulturor. Sipas arkeologut, gërmimet duhet të zgjerojnë sipërfaqen e kërkimeve dhe monumenti duhet të përfundojë plotësisht i zbuluar.
UGO kishte raportuar mbi jetën kishtare aktive të komunitetit të Elbasanit edhe pak kohë më parë, kur Mitropolija e Shenjtë e Elbasanit kremtoi Mbylljen e Pashkës dhe Shën Nikollën.
Lexo gjithashtu
Përfundon veshja me gurë e Kishës së Shën Llazarit në Shtërmen
Punimet u realizuan me bekimin e Mitropolitit të Elbasanit, Hirësisë së Tij Andon, dhe me kontributin e Altin Toskës.
Kisha e Kryeëngjëjve ruan trashëgiminë pasbizantine në Gjirokastër
Kisha, e ndërtuar në shekullin XVIII, është një bazilikë trenefëshe me ikonostas druri, afreske dhe elemente të dokumentuara të artit kishtar.
Dëshmi historike mbi predikimin e Shën Kozmait në Dardhë
Libri i vitit 1927 përshkruan gjurmët e shenjtorit në Dardhë dhe biografinë e Polikarpit, mitropolitit të Larisës, të vrarë në 1821.
Kisha e Leusës në Përmet ruan afreske dhe ikonostas historik
Monumenti i ndërtuar në vitin 1812 lidhet me traditën e ikonës së Shën Mërisë Eleusës dhe ruan vepra arti të periudhave të ndryshme.
Historia e Manastirit të Fjetjes së Hyjlindëses në Boboshticë.
Historia e Manastirit të Fjetjes së Hyjlindëses, dëshmitë e ruajtura dhe hapja e tij për shërbesa në vitin 1990.
Rihapja e Kishës së Fjetjes së Hyjlindëses në Boboshticë më 15 gusht 1990
Banorët e Boboshticës, të udhëhequr nga mësuesi Sotir Bambulla, rihapën kishën e Fjetjes së Hyjlindëses më 15 gusht 1990.