E Shtuna e Shpirtrave, kujtesë dhe lutje për të fjeturit

Të shtunën, më 30 maj 2026, Kisha Orthodhokse kremton E Shtunën e Shpirtrave, një ditë kushtuar lutjes për të gjithë ata që kanë fjetur në Zotin.

Në traditën kishtare, të vdekurit quhen “të fjetur”, sepse shpirti i njeriut nuk zhduket. Kisha beson se njeriu vazhdon të jetojë shpirtërisht dhe se dashuria për të nuk ndërpritet nga vdekja.

Për këtë arsye, lutja për të fjeturit është shprehje e dashurisë së krishterë. Edhe pse ata nuk janë më pranë nesh trupërisht, Kisha na mëson të vazhdojmë t’i kujtojmë, t’i duam dhe t’i paraqesim në lutje përpara Perëndisë mëshirues.

Shërbesat përkujtimore kanë vend të rëndësishëm në jetën e Kishës. Ato kryhen në ditë të veçanta pas fjetjes së një njeriu, si dita e tretë, e nëntë, e dyzeta, gjashtëmujori, nëntëmujori, përvjetori dhe në raste të tjera që dëshirojnë të afërmit.

Kisha ka caktuar gjithashtu dy të shtuna të veçanta në vit, të njohura si Të Shtunat e Shpirtrave: një para Kreshmës së Madhe dhe një para Pentikostisë. Në këtë mënyrë, besimtarët kujtojnë të fjeturit në dritën e Pashkës dhe të shpresës së Ngjalljes.

Në këtë ditë, besimtarët zakonisht sjellin në kishë grurë të zier për shërbesën e përshpirtjes. Kokrra e grurit ka kuptim të thellë biblik. Vetë Krishti thotë: “Në mos rëntë kokrra e grurit në dhé e të vdesë, ajo mbetet e vetme; por në vdektë, sjell shumë fryt” (Joani 12:24).

Prandaj gruri simbolizon besimin në jetën e përjetshme. Ashtu si nga kokrra që bie në tokë lind jetë e re, kështu Kisha beson se të fjeturit do të ngrihen në Ngjalljen e përgjithshme.

Këto lutje nuk ndihmojnë vetëm të fjeturit. Ato ndihmojnë edhe të gjallët. Na kujtojnë se edhe ne një ditë do të largohemi nga kjo botë dhe na nxisin të jetojmë me më shumë besim, pendim, kujdes dhe dashuri.

E Shtuna e Shpirtrave nuk është ditë dëshpërimi, por ditë shprese. Ajo na mëson se vdekja nuk ka fjalën e fundit, sepse Krishti e mundi vdekjen me Ngjalljen e Tij.

Në të njëjtën ditë, Kisha kujton edhe Oshënar Isaakun e Manastirit të Dalmatëve, një asket sirian që jetoi në shekullin IV dhe mbrojti besimin orthodhoks në kohën e perandorit Valens. Me guxim, ai i kërkoi perandorit të rihapte kishat e mbyllura gjatë përndjekjes ariane.

Pas ardhjes në pushtet të Theodhosit të Madh, kishat iu kthyen orthodhoksëve dhe Shën Isaaku u bë një nga figurat që ndihmuan ringritjen e jetës murgërore në Konstandinopojë. Rreth tij u krijua një nga manastiret e para të kryeqytetit.

Kisha kujton gjithashtu Oshënare Emelian, nënën e një familjeje të shenjtë nga Kapadhokia. Ajo ishte nëna e Shën Vasilit të Madh, Shën Grigorit të Nisës, Shën Makrinës, Shën Petros së Sebastisë dhe fëmijëve të tjerë që lanë gjurmë në jetën e Kishës.

Pas fjetjes së bashkëshortit, Emelia iu përkushtua plotësisht Perëndisë së bashku me të bijën, Makrinën. Jeta e tyre e thjeshtë, e përkushtuar në lutje dhe në dashuri, u bë shembull për shumë gra të tjera dhe ndihmoi në formimin e një bashkësie të vogël monastike.

Kremtimi i kësaj dite bashkon kujtesën për të fjeturit me shembullin e shenjtorëve. Ai na thërret të lutemi, të kujtojmë, të falënderojmë dhe të jetojmë me shpresën se jeta e njeriut nuk mbyllet në varr, por vazhdon në duart e Perëndisë.

Burimi: Sinaskari

Shën Porfiri: «Krishti është gjithçka»

Mësimet e asketit grek kujtojnë se dashuria për Krishtin sjell gëzim, dritë e paqe, larg hidhërimit dhe melankolisë së jetës.

Shpjegim i Dhjetë Urdhërimeve nga zëri i etërve

Teksti etëror nga Manastiri i Paraklitit në Oropos të Atikës shpjegon urdhërimet nga besimi te Trinia deri te ndalimi i lakmisë dhe nderimi i ikonave.

Shën Ignati Brjançaninovi: Kryqi i Krishtit dhe kryqi i çdo njeriu

Sipas mësimeve etërore, çdo njeri mbart kryqin e vet, i cili shndërrohet në Kryq të Krishtit përmes besimit dhe durimit.

Arkimandriti Sofroni Saharov mbi botën bashkëkohore dhe njeriun

Fragment nga letra 47 e librit «Letra në Rusi» të Arkimandrit Sofroni Saharov, botuar nga Manastiri i Shën Joan Pararendësit në Eseks.

Kryepiskopi në Tiranë: Çfarë mbjellin prindërit në zemrat e fëmijëve

Në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit, Kryepiskopi shpjegoi paravolinë e mbjellësit dhe përgjegjësinë e prindërve për fjalët që dëgjojnë fëmijët.

Predikim mbi paravolinë e mbjellësit

Teologu shqyrton katër kategoritë e «arave» ku bie fara e fjalës së Perëndisë dhe i fton besimtarët ta përpunojnë shpirtin brenda Kishës.