Amantia, dëshmi dhe trashëgimi kristiane - Nga Ilirjan Gjika
Rrënojat e Amantias ndodhen në fshatin Ploçë të bashkisë Selenicë, në të djathtë të rrjedhës së mesme të lumit Shushica
Qyteti antik shtrihej dikur në lartësinë 613 m të një kreshte shkëmbore, e cila lidhej me shpatin lindor të malit të Kudhësit. Një pozitë e tillë i siguronte Amantias një fushëpamje të gjerë mbi luginat e Vjosës dhe Shushicës, duke kontrolluar edhe arteriet e komunikimit që kalonin përgjatë tyre (1).
E themeluar si qytet rreth fundit të shek. V pK, Amantia, ishte qëndra e koinonit me të njëjtin emër, një njësi politike, ekonomike dhe kulturore që përfshinte një territor të gjerë përreth saj. Në të bënin pjesë edhe qyteti i Olimpes (Mavrova) si dhe qëndrat e fortifikuara të Hadërajt, Matohasanajt, Cerjes, etj. Qyteti i Amantias shtrihej përgjatë kreshtës shkëmbore dhe tarracave përreth tij në drejtimin lindje-perëndim. Ai kishte formën e një trapezi të zgjatur dhe rrethohej me mure që kishin një gjatësi prej 2100 m. Brenda sipërfaqes prej 15 ha të qytetit antik dhe në territorin përreth tij, janë gjetur një sërë rrënojash që i përkisnin dikur monumenteve të shumtë. Mund të përmendim akropolin, stadiumin, një tempull, bazilikën, nekropolin dhe një sërë varresh monumentale (2).
Ndërkohë zhvillimin më të madh, qyteti, do ta kishte gjatë shek. III-II pK, kur do të shndërrohej në një prej qendrave më të rëndësishme të Ilirisë së Jugut. Pavarësisht përfshirjes së saj në shtetin e Epirit, lidhjet më të mëdha, Amantia, do ti kishte me Bylisin, qytetet e bregdetit dhe Apoloninë. Ndërkohë që përgjatë gjatë territorit të saj kryqëzoheshin edhe një rrjet i dendur rrugësh, të cilat e lidhnin atë me qytetet dhe rajonet fqinje. Por gjatë periudhës romake duke nisur prej shek. I pK, Amantia, do ta humbiste rëndësinë e saj ekonomike duke u përmendur shumë pak në burimet e shkruara (3).
Atë e ndeshim në shek. VI si një prej kështjellave të rindërtuara nga perandori Justinian, në territorin e provincës së Epirit të Ri (4).
Ndërsa njoftimin e fundit për Amantian e gjejmë te shënimet e perandorit bizantin, Kostandin Porfirogjenetit, në shek. IX. Te vepra e tij e titulluar, ‘’Mbi Themat’’, ajo del si një ndër qytetet kryesore të Themës së Durrësit (5).
Më pas, historia hesht për Amantian, ndërkohë që dëshmitë mbi krishtërimin e hershëm bëjnë që ky qytet të dalë përsëri në analet historike. Kështu në shek. IV, Amantia, rezulton si një qëndër e rëndësishme peshkopale. Burimet historike përmendin se në vitin 334, peshkopi i Amantias, Eulalis, merr pjesë në koncilin kishtar të Sardikës, qytet që ndodhet në territorin e Bullgarisë së sotme (6).
Më pas dokumentet heshtin, ndërkohë që vijojnë të dëshmojnë për zhvillimet e një tjetër qendre fqinje: Aulonës. Kështu, në vitin 458 përmendet në letrën e dërguar perandorit bizantin Leon I, peshkopi i saj Nazarius; kurse në vitin 519, një tjetër peshkop i Aulonës do të priste të dërguarin e Papës Hormisdas. Po kështu, në vitin 553, peshkopi Soter, do të merrte pjesë në Koncilin Ekumenik të Kostandinopojës (7).
Ndërkohë që dëshmitë më të rëndësishme rreth krishtërimit dhe zhvillimeve të tij në Amantia, vijnë nga arkeologjia. Në sondazhet e kryera në vitin 1950 në vendin e quajtur ‘’Lëmi i Peçit’’, u gjetën përveç rrënojave të një tempulli antik edhe ato të një kishe, përmasat fillestare të së cilës ishin 14 x 15 m (8).
Gërmimet e mëvonshme arkeologjike nxorën në dritë mbetjet e një bazilike trenefëshe, të ndërtuar në shek. V-VI. Me një madhësi mesatare ajo përbëhej nga naosi, altari, narteksi dhe dy ambiente ndihmëse (9).
Naosi ndahej nga altari me një ikonostas të përbërë prej pllakash guri, ndërsa në nefin qëndror ruhej bazamenti i amvonit si dhe dyshemeja e shtruar me pllaka prej guri gëlqeror. Të tria nefet e kësaj bazilike ndaheshin midis tyre nga dy kolona me harkada, ku nefi qëndror ishte më i gjerë se dy nefet anësorë. Për ndërtimin e këtij objekti ishin përdorur materiale të marra nga tempulli antik aty pranë, prej të cilave ruheshin ende gjurmët e llaçit të dikurshëm, bazamentet e kolonave, si dhe një pjesë e pllakave të dyshemesë. Godina mbulohej me kapriata druri ndërsa hapësira e brendshme e saj ishte përdorur më vonë edhe si vend varrimi (10).
Të tilla ishin tre varre që gjendeshin në nefin verior, një varr në nefin jugor dhe katër të tjerë përgjatë hapësirës së narteksit (11).
Ndërkohë dy ambiente ndihmëse për shërbimet e kultit kishin planimetri katrore dhe ndodheshin në anët veriore dhe jugore të narteksit. Por mungesa e dokumentacionit dhe dëshmive të tjera arkeologjike nuk krijonte mundësinë e ndërtimit të historikut të kësaj bazilike si dhe të peshkopatës së Amantias. Materialet e saj ishin marrë gjatë shekujve për tu përdorur në ndërtime të tjera. Përveç mureve që ruheshin në lartësi të vogël në dyshemenë e bazilikës u gjetën edhe një fragment kolone, një kapitel, një pjesë pllake parapeti të ikonostasit, etj (12).
Gjithsesi edhe këto pak dëshmi mjaftojnë për të treguar eksistencën në Amantia të gjurmëve të krishtërimit të hershëm. Shkatërrimi dhe braktisja e këtij qyteti do të vendoste edhe fatin e kësaj peshkopate e cila duhet të jetë zhvendosur më pas, në njërën prej qendrave të tjera më të afërta. Një prej mendimeve të shprehura në këtë drejtim është edhe ai i arkeologes Suela Xhyheri, e cila thekson se ‘’ ... peshkopata e Amantias duket se zëvendësohet nga një peshkopatë që ka ndryshuar herë pas here emrin: Akrokerauneve dhe Nianiska ... ’’. Një fenomen që përfshiu edhe peshkopatat e Aulonës dhe Bylisit, të cilat do të zëvendësoheshin me ato të Kaninës dhe Gllavinicës (13).
Ndërkohë shpresojmë se studimet e thelluara në të ardhmen do të sjellin edhe rezultate të reja në këtë drejtim. Gjithsesi fakti i peshkopit Eulalis të Amantias është i një rëndësie të veçantë në historinë e krishtërimit në Shqipëri. Ai është peshkopi i parë nga provincat e ilire të Prevalit, Epirit të Ri dhe Epirit të Vjetër, që merr pjesë në një sinod të autoriteteve kishtare (14).
***
1-Skënder Anamali, Amantia, Iliria, 2, Tiranë 1972, f. 61-133
2-Po aty, f. 61-133; Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 22
3-Skënder Anamali, Amantia, Iliria, 2, Tiranë 1972, f. 61-133
4-Procopi Caesariensis, De Aedifices, 42, 3
5-Costantini Porphyrogeneti, De Thematibus Occidentis, Lib. II, f. 21
6-L. De Thalloczy-C. Jirecek-E. De. Sufflay, Acta et Diplomata res Albaniae Meidae Aetatis Illustrantia. Collegerunt et digesserunt, 1, Vindobonae 1913, 1
7-Po aty, 23, 29, 35
8-Skënder Anamali, Amantia, Iliria, 2, Tiranë 1972, f. 61-133
9-Aleksandër Meksi, Një bazilikë paleokristiane në Amantia, Monumentet e kulturës në Shqipëri, Tiranë 1975, 2, f. 47-50
10-A. Meksi, Arkitektura paleokristiane në Shqipëri, Monumentet, 2, Tiranë 1985, f. 17; A. Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, Tiranë 1983, f. 18-19; A. Meksi, Kishat e Shqipërisë-shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 37-39
11-A. Meksi, Një bazilikë paleokristiane në Amantia, Monumentet e kulturës në Shqipëri, 2, Tiranë 1976, f. 47-50; A. Meksi, Kishat e Shqipërisë-shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 37-39
12-Aleksandër Meksi, Kishat e Shqipërisë-shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 37-39
13-Suela Xhyheri, Koridori Vlorë-Prespë 1081-1385, Tezë doktorature, Tiranë 2016, f. 247
14-L. De Thalloczy-C. Jirecek-E. De. Sufflay, Acta et Diplomata res Albaniae Meidae Aetatis Illustrantia. Collegerunt et digesserunt, 1, Vindobonae 1913, 3, 4, 5, 6, 14; Grup autorësh, Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, USHT-IHGJ, Tiranë 1965, f. 369