Etërit e Kishës kërkojnë virtyt dhe drejtësi nga udhëheqësit politikë
Shën Joan Gojarti, Shën Vasili i Madh dhe Shën Grigor Theologu flasin për përgjegjësinë, rreziqet dhe detyrat e pushtetit
Atdheu ynë po kalon një krizë të thellë ekonomike, por edhe politike e shpirtërore. Gjithnjë e më shpesh dëgjohen opinione përjashtuese për udhëheqësit politikë. Madje shumë qytetarë të indinjuar shprehin mendime që vënë në dyshim vetë institucionin e udhëheqjes politike.
Por cilët duhet të jenë udhëheqësit politikë? Si duhet ta kryejnë veprën e tyre? A është e nevojshme ekzistenca e tyre? Për këto pyetje gjejmë përgjigje në urtësinë e Etërve të Shenjtë të Kishës sonë Orthodhokse.
Nevojshmëria e udhëheqësve politikë dhe rreziqet e pushtetit
A mund të ekzistojë një shtet i organizuar pa udhëheqës politikë?
Shën Joan Gojarti përgjigjet: “Duhet të kemi udhëheqës që të mos hamë njëri-tjetrin si peshqit” (PG 54,596). Ai shton: “Zoti na fali udhëheqësit, që të kemi rregull dhe të mos sillemi pa logjikë si kafshët e paarsyeshme. Pushteti i udhëheqësit është i ngjashëm me artin e verëbërësit dhe të kapitenit në anije” (PG 55,491).
Në të njëjtën kohë, ai nënvizon: “Është më e preferueshme të mos udhëhiqet një popull nga askush, sesa të ketë një udhëheqës të keq” (PG 63,231). Diku tjetër, me keqardhje, thekson: “Udhëheqësit zakonisht janë të korruptuar” (PG 59,274).
Le të dëgjojmë edhe zërin e Shën Vasilit të Madh: “Udhëheqësit ekzistojnë jo për t’u mburrur për vendin e mirë që zotërojnë, por për ta nderuar ata vetë këtë vend” (PG 32,479). Për këtë arsye, të gjithë ata që synojnë virtytin nuk i pranojnë me kënaqësi gradat publike. Përkundrazi, ata që synojnë paratë dhe lavdinë e konsiderojnë pushtetin si të mirën më të madhe, që të mund të përfitojnë atë që dëshirojnë (PG 32,1041).
“Vepra e udhëheqësve është të ndalojnë çrregullimet e popullit dhe ta drejtojnë atë tek e drejta. Por kur ata shkelin të parët ligjin, si do të drejtojnë të tjerët?” (PG 56,24). Për këtë arsye, “shumë udhëheqës, kur vjedhin, detyrohen të jenë të butë me të tjerët, sepse kanë humbur seriozitetin e tyre” (PG 51,309).
Për të njëjtën çështje, Shën Grigor Theologu thotë: “Shumë udhëheqës shpenzojnë shuma të mëdha për të ndërtuar mobilie të shtrenjta, të tjerë përdorin aromat më të mira dhe kënaqen me muzikën e veglave muzikore, në vend që të vuajnë së bashku me mundimin e popullit” (PG 35,961).
Prandaj Ati i Shenjtë u drejtohet atyre dhe u thotë: “Të nderoni gradat tuaja. E dini se sa e rëndësishme është vepra juaj dhe se çfarë misteri ka rreth jush. Bota e tërë ndodhet nën pushtetin tuaj. Bëhuni ‘hyjni’ tek nënshtetasit tuaj” (PG 36,227).
Vepra që duhet të kryejnë udhëheqësit politikë
Shën Vasili i Madh thotë fjalë për fjalë: “Udhëheqësit duhet të mbrojnë të drejtat e Zotit dhe të ndëshkojnë shkelësit” (BEPES 53,125).
Shën Joan Gojarti plotëson: “Nuk duhet të kërkojnë nderimin e tyre, por interesin e përbashkët” (PG 62,671). Ata “nuk dallohen nga veshja, por nga fakti se mbrojnë ata që vuajnë, korrigjojnë ato që janë gabim, ndëshkojnë padrejtësinë dhe nuk lejojnë që të shkelet drejtësia” (PG 52,678).
Aftësitë që duhet të kenë udhëheqësit politikë
Shën Grigor Theologu nënvizon: “Udhëheqësit duhet t’i kalojnë në masë të madhe të tjerët, të bëhen çdo ditë më të mëdhenj, të kenë vlerë dhe virtyt sipas gradës së tyre” (PG 36,547).
Shën Joan Gojarti thotë: “Udhëheqësi politik duhet të ketë një jetë të pastër, pa njolla, në mënyrë që të gjithë ta kenë si shembull” (PG 62,547).
“Ai që ushtron pushtetin politik nuk do të mund ta përdorë drejt, nëse më parë nuk qeveris veten e tij ashtu siç duhet dhe nuk mbron me saktësi të madhe si ligjet politike, ashtu edhe ato fetare” (PG 61,508).
Ai shton: “Ai që është në gjendje të udhëheqë dhe të udhëhiqet, do të mund të qeverisë edhe familjen e tij. Ai që mund të qeverisë shtëpinë e tij, do të mund të qeverisë edhe një qytet, madje edhe gjithë botën. Por nëse nuk është në gjendje të rregullojë botën e tij shpirtërore, si do të mund të qeverisë botën? Si do të ndihmojë të tjerët ai që nuk mundi t’i bëjë mirë vetes së tij?” (PG 60,360).
Diku tjetër shënon: “Udhëheqësi në këtë duhet të udhëheqë kryesisht: në fitoren me virtytin e tij. Por nëse mundet nga pasionet, nuk është më udhëheqës” (PG 62,99). Prandaj “udhëheqësi i madh duhet të jetë i ashpër me veten e tij dhe me veprimet e tij” (PG 58,668).
Shën Joan Gojarti përfundon: “Udhëheqësit politikë duhet të kenë inteligjencë të lartë, të flasin me urtësi, të mos jepen pas gjërave materiale, të urrejnë dinakërinë dhe të jenë njerëz të qetë e filantropë” (PG 52,678). Ata kanë për detyrë “të lënë mënjanë interesat e tyre dhe të kujdesen për problemet e popullit të tyre” (PG 55,306).
Të tillë, pra, duhet të jenë udhëheqësit politikë: të aftë, të pakorruptueshëm, të paprekshëm, filantropë, atdhedashës dhe perëndidashës; më të mëdhenj në virtyte dhe në aftësi se populli.
Për politikanë të tillë ka nevojë edhe sot atdheu ynë. Politikanë të tillë ka për detyrë të zgjedhë populli.
Burimi: Revista “O Sotir” (“Shpëtimtari”),