Kryepiskopi Joan dorëzoi prift Kryedhjakonin Johan Koroveshi në Tiranë
Shërbesa u drejtua në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit të Dielën III të Llukait, kur Kisha kremtoi edhe Apostullin dhe Ungjillorin Llukë.
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Joan, hirotonisi në gradën priftërore Kryedhjakonin Johan Koroveshi, më 18 tetor 2026. Sipas materialit të marrë nga redaksia, hirotonisja u bë të Dielën III të Llukait, e cila përkoi me kremtimin e Apostullit dhe Ungjillorit Llukë.
Kryepiskopi Joan drejtoi Shërbesat e Shenjta në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit në Tiranë. Bashkë me të meshuan Hirësi Ignati, arkimandrit Theonai dhe klerikë të tjerë nga Kryepiskopata e Tiranës. Në adhurim u mblodhën shumë besimtarë.
Në fjalën para hirotonisjes, Kryepiskopi Joan theksoi se me anë të Shpirtit të Shenjtë njeriu bëhet i denjë t'i shërbejë popullit të Perëndisë, vreshtit që Ai ua beson. Ai tha se duhet të jemi të përulur dhe të shërbejmë gjithmonë, sepse Zoti u qëndron kundër krenarëve, por të përulurit i lartëson.
Në fund të fjalës, Kryepiskopi i drejtohet të hirotonisurit: "Unë besoj se ashtu siç shërbeve me përkushtim si Kryedhjakon, po ashtu do të shërbesh edhe si prift". Pas lutjeve drejtuar Shpirtit të Shenjtë dhe thirrjes "I denjë" nga Kryepiskopi, të pranishmit iu përgjigjën plot gëzim: "I denjë!". Në fund të Liturgjisë, ata e uruan nga afër priftin e ri.
Johan Gjergji Koroveshi ka lindur në Korçë, më 5 janar 1989. Ai u diplomua për Arkitekturë, në ciklet Bachelor dhe Master Shkencor, në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës të Universitetit Politeknik të Tiranës. Më pas ndoqi “Master Profesional në Restaurimin e Monumenteve të Kulturës”, studime në Teologji sociale dhe Shkenca Religjioze pranë Kolegjit Universitar “Logos” dhe Master në Këshillim Psikoterapik me orientim njohës-sjellor.
Nga shtatori i vitit 2020 shërben pranë zyrës së Kryepiskopit. Më 24 maj 2023 u dorëzua Hierodhjakon nga Kryepiskopi i lumur Anastas, ndërsa më 1 qershor 2025 u gradua Kryedhjakon nga Kryepiskopi Joan. Zotëron anglishten, greqishten dhe italishten. Aktualisht mban përgjegjësinë e Zyrës Teknike dhe është përgjegjës për ndërtimet e reja dhe restaurimet e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Siç kishte raportuar UGO, Kryepiskopi Joan mbajti një predikim mbi bindjen dhe Ungjillin e Llukait.
