Kryepiskopi Joan predikon mbi paravolinë e të pasurit dhe Lazarit

Foto Ilustruese nga UGO.AL

Foto Ilustruese nga UGO.AL

Kryepiskopi Joan, primati i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, mbajti më 1 nëntor 2026 një predikim mbi paravolinë e të pasurit dhe Lazarit. Sipas Ungjillit të së dielës, pasazhi sipas Llukait për të pasurin dhe Lazarin e varfër është leximi liturgjik i kësaj të diele, mbi të cilin u mbajt fjala e Kryepiskopit. Vijon i plotë predikimi:

Paravolia e sotme që tregon Zoti në Ungjill është diçka shumë e njohur. Dhe, nganjëherë, gjërave që i dimë nuk u kushtojmë vëmendje. Por arsyeja që Kisha i lexon çdo vit dhe vazhdimisht është për dy arsye shumë të rëndësishme. E para, që të na i kujtojë, sepse edhe mund t'i harrojmë. Dhe e dyta, fjala e Perëndisë punon në mënyrë të mistershme. Ajo është një ushqim shpirtëror, si ushqimi fizik. Ne nuk hamë një herë dhe pastaj ta lëmë e të themi: «S'do të hamë më, se kemi ngrënë një herë». Tri herë në ditë hanë njerëzit, madje disa ndoshta edhe më shumë. Dhe ushqimi shpirtëror është po e njëjta gjë. Madje është edhe më i rëndësishëm, dhe shpirti është më delikat. Ushqimi i vazhdueshëm nëpërmjet fjalëve të Ungjillit është shumë i rëndësishëm për gjithsecilin nga ne.

Dhe paravolia është e njohur: e Lazarit dhe e të pasurit. Thotë Zoti: ishte dikush shumë i pasur, i veshur me porfir, duke festuar me festa të përditshme. Dhe te dera e tij, jashtë, qëndronte një i varfër, Lazari, i sëmurë. Dhe thotë se qentë i lëpinin plagët. Donte të ushqehej edhe me thërrimet që hidhnin ata, por edhe ato nuk i merrte dot. Dhe kur vdiqën, Lazarin e morën engjëjt dhe e çuan në parajsë, ndërsa i pasuri u varros. Por nuk jepet emri i këtij të pasurit. Dhe kjo nuk është rastësi, sepse Zoti, në çdo fjalë që flet, ka një arsye shumë të fuqishme. Lazarit ia përmend emrin, sepse emri i tij u kujtua nga Perëndia, ndërsa këtij tjetrit iu harrua emri. Nuk është edhe shprehja, shpeshherë, që thotë: «T'u harroftë emri»? Pikërisht këtë gjë, sepse emri lidhet me identitetin e një personi.

Dhe ai ishte në ferr. Ngriti sytë dhe pa Lazarin sipër, në gjirin e Abrahamit, që është një idiomë semitike, që do të thotë «në parajsë». Dhe i thotë: «Atë Abraham, dërgo Lazarin, sepse këtu po digjem në zjarr, që të m'i lagë pak buzët me ujë». Dhe Abrahami i përgjigjet, i thotë: «Ti në atë botë pate gjithë të mirat, ndërsa Lazari vuajti. Për më tepër, është një hendek ndërmjet nesh dhe jush. As ju s'mund të vini këtu, as ne nuk mund të shkojmë atje». Dhe i kërkon e i thotë: «Të paktën të dërgohet dikush që t'i lajmërojë vëllezërit e mi se çfarë do të ndodhë». Dhe Abrahami i përgjigjet: «Ata kanë Moisiun dhe profetët». «Por nëse do të vijë dikush nga të vdekurit, ata edhe mund të besojnë». Dhe Abrahami i përgjigjet se, nëse ata nuk besojnë Moisiun dhe profetët, as sikur dikush të ngjallet nga të vdekurit, nuk do të besojnë.

Kjo është paravolia e sotme. Edhe pikërisht ishte Lazari që u ngjall, dhe njerëzit e panë që u ngjall, e megjithatë farisenjtë përsëri nuk besuan. Sepse besimi nuk është vetëm, thjesht, në prova nga jashtë. Besimi është nga një nxitje dhe nga një mendim i thellë nga brenda shpirtit të njeriut.

Për këtë temë Kryepiskopi Joan: Vepra kryesore e njeriut është të pranojë Zotin në zemër
Predikimi nga Fortlumturia e Tij, Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, mbajtur në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit

Le të ndalemi në dy-tri pika shumë të rëndësishme të këtij Ungjilli. E para është: përse ky i pasur u dënua? Atje nuk thuhet që ky bëri ndonjë gabim, as nuk thuhet që e shfrytëzoi Lazarin. Pikërisht u dënua sepse ishte indiferent karshi Lazarit. E shikonte çdo ditë përpara derës së tij dhe përsëri nuk e ndihmonte dhe nuk bënte asgjë. Dhe e njihte, sepse kur e pa lart në parajsë, i foli edhe me emër: «Dërgo Lazarin». Madje, edhe pse ishte në ferr, nuk ishte i penduar, sepse e kërkoi përsëri Lazarin si shërbëtorin e tij: që të dërgohej e t'ia lagte buzët me ujë, për t'ia shuar nxehtësinë e madhe që përvuante. Dhe kjo tregon që njeriu duhet të ketë shumë kujdes në jetën që bën, në jetën e përkohshme.

Në Zbulesë thuhet diçka shumë e bukur dhe shumë e thellë: «Lum ata njerëz që vdesin në Perëndinë. Dhe veprat e tyre do t'i ndjekin pas». Çdo gjë që bëjmë ne në këtë kohë të përkohshme do të ketë një pasojë të përjetshme. Çdo bamirësi që bëjmë këtu nuk do të humbasë. Çdo të keqe që bëjmë këtu, edhe ajo nuk do të humbasë; do të na shoqërojë edhe atje. Por problemi qëndron gjithmonë që njerëzit nuk besojnë më në përjetësinë. Dhe, duke mos besuar në përjetësinë, prandaj edhe bëjnë një jetë shpeshherë kaq të shthurur, pa kujdes; as duan t'ia dinë për të tjerët. Sepse, nëse do të kishin besimin te përjetësia dhe do të kuptonin që çdo veprim e çdo fjalë që do të flasin në të përkohshmen do të ketë pasoja për kohën e përjetshme, do të silleshin pak më ndryshe. Dhe do të ishin më të vëmendshëm për të dëgjuar çdo fjalë që vjen nga Ungjilli.

Një pastor shumë i dëgjuar shpenzoi gati pesëdhjetë vjet nëpër burgje për të ndihmuar personat që ishin në burg. Në një libër që ka shkruar ai, një libër shumë i dëgjuar, thotë këto fjalë: «Befasohem se sa të kthjellët janë të burgosurit përpara dhënies së vendimit; se sa pyetje të thella bëjnë për jetën, për vdekjen, për përjetësinë e për gjithë gjërat e tjera», sepse presin një vendim. Ne jetojmë të shkujdesur. Nuk presim vendimin. Nuk mendojmë që shumë shpejt gjithsecili nga ne do të paraqitet përpara Zotit. Dhe rëndësi do të ketë çfarë thotë Zoti, jo çfarë thonë njerëzit. Çfarë do të thonë njerëzit? Sikur të na lavdërojnë tërë ditën, nëse Zoti do të na qortojë, nuk kemi fituar asgjë. Dhe e kundërta. Prandaj edhe përqendrimi në fjalët e Ungjillit është shumë i rëndësishëm, nëse ne do të kemi besim. Kjo vjen nga besimi i pakët. Edhe kur njerëzit ndoshta nuk e kundërshtojnë ekzistencën e Zotit, nuk e marrin seriozisht jetën e tyre dhe sidomos përjetësinë.

Jua kam përmendur disa herë dhe do ta përmend edhe sot. Në një letër që Dostojevski i dërgon mikut të tij, Majkovit, i thotë këto fjalë: «Shkatërroju njerëzve shpresën në përjetësi dhe jeta e tyre do të thahet». E shikoni jetën e sotme: jetë të thara, sherre, grindje, kotësira, pa asnjë qëllim në jetë. Ajo që i jep njeriut një bukuri dhe i jep një forcë është pikërisht shpresa në jetën e përjetshme. Sepse shpresa në jetën e përjetshme e detyron njeriun të bëjë një jetë shpirtërore. Dhe njeriu që ka jetë shpirtërore mund të ketë edhe jetë kulturore, edhe jetë intelektuale. Sot nuk i kemi këto dy të fundit, sepse s'ka jetë shpirtërore. Gjatë gjithë historisë së njerëzimit, gjithë kultura, shkrimet, janë frymëzuar nga tempujt dhe nga jeta shpirtërore. Mungesa e kësaj sjell një varfëri shumë të madhe shpirtërore. Dhe, duke sjellë varfëri, bëhen shumë të rëndësishme gjëra që s'janë të rëndësishme: gjërat e përkohshme, që sot i kemi dhe nesër do t'i lëmë. Nuk përqendrohemi në përjetësinë.

Por Ungjilli i sotëm pikërisht na paralajmëron për këtë gjë: gjithsecili nga ne do të ketë pasoja për jetën që do të bëjë. Njerëzit ndoshta mund të maskojnë shumë gjëra, por kur vjen vdekja, bien të gjitha maskat. Shën Joan Gojarti, duke predikuar rreth kësaj paravolie, thotë këtë gjë: Në teatër, në skenë, ai që luan në rolin e një mbreti mund të jetë një aktor shumë i varfër. Mund të luajë në rolin e filozofit dhe ndoshta s'ka lexuar asnjë libër filozofie. Dhe e kundërta: mund të jetë një njeri shumë i ditur dhe luan në rolin e një njeriu që nuk di. Kështu ndodh edhe me vdekjen. Na hiqen maskat dhe dalim ata që jemi. Dhe i pasuri, që ndoshta në atë kohë ishte i nderuar, sepse hante me miq, me shokë, me njerëz të njohur, kur vdiq nuk ishte më ai; ishte dikush i dënuar. Dhe Lazari, që nuk ia hidhte askush sytë, kur ndërroi jetë, ishte në gjirin e Abrahamit, që do të thotë në parajsë.

Por, as Llazari nuk shkoi në parajsë vetëm sepse ishte i varfër. Shën Joan Gojarti duke vazhduar thotë se ai shkoi në parajsë sepse duroi çdo gjë me durim, pa u ankuar dhe pa kritikuar të tjerët. Durimi i çdo dhimbjeje, me forcën e Shpirtit të Shenjtë, e bën njeriun të shenjtë dhe e shenjtëron. Prandaj edhe Ungjilli i sotëm është shumë i rëndësishëm. Na drejtohet gjithsecilit nga ne, sepse njeriu është një qenie komunitare. Ne nuk mund të jemi vetëm për veten tonë. Që në shekullin e dytë, një nga apologjetët e mëdhenj të krishterë në Romë, Tertuliani, thotë këto fjalë: «Unus Christianus, nullus Christianus». Një i krishterë që është vetëm për vete nuk është i krishterë. Njeriu, nga natyra që është krijuar, është një qenie komunitare. Gjë që do të thotë që ne kemi një përgjegjësi jo vetëm për veten tonë e për jetën tonë, por kemi përgjegjësi edhe për njerëzit që janë rrotull nesh.

Sepse çdo njeri që është në nevojë është një Lazar. Dhe sa herë që ne nuk e shohim dhe tregohemi indiferentë, kemi bërë një fyerje edhe karshi vetë Perëndisë, sepse çdo njeri është krijuar sipas ikonës së Perëndisë. Dhe ne të përpiqemi që t'i ndihmojmë. Pa dyshim, jo për çdo gjë mund të ndihmojmë. Njerëzit mund të kërkojnë edhe gjëra të kota, por ne duhet të ndihmojmë për gjërat që janë më të rëndësishme. Dhe «Lazari i varfër» nuk do të thotë në kuptimin vetëm fizik. Mund të jesh shumë i pasur, por shpirtërisht mund të jesh shumë i varfëruar. Madje, shpeshherë, varfëritë më të mëdha mund t'i shikosh në qytetet më të pasura. Mund të jenë njerëzit nga jashtë të veshur me dritë, me gjithçka që duket bukur, me pasuri, por brenda është një varfëri e madhe shpirtërore. I pasur është ai që nuk ka nevojë për shumë gjëra. I pasur është ai që kënaqet edhe me pak. Sepse ai që nuk kënaqet me pak, edhe të jetë miliarder, përsëri është i varfër shpirtërisht.

Paravolia që tregon Zoti sot është shumë e rëndësishme për gjithsecilin nga ne. Çdo vepër që do të bëjmë këtu do të ketë një pasojë të përjetshme. Tregohet për Shën Martinin, kur akoma ishte katekumen, i papagëzuar: pa një të varfër të dridhej nga të ftohtit. Mori pelerinën e tij, e preu me shpatë në mes dhe gjysmën ia dha. Atë mbrëmje pa një vegim. Iu shfaq Krishti duke ardhur me gjithë engjëjt dhe iu drejtua gjithë engjëjve: «Shikoni, Martini, i cili është akoma një katekumen, më ka veshur mua me rroba». Sepse Krishti iu shfaq i veshur me gjysmën e pelerinës që kishte dhënë Martini. Çdo gjë që bëjmë në këtë jetë do të ketë një pasojë të përjetshme.

Prandaj, le ta marrim seriozisht paravolinë e sotme. Jo thjesht për ta kuptuar, por për ta përjetuar në çdo ditë tonën. Nëse ndihmojmë të tjerët, do të ndihmojmë më tepër veten tonë.

I njëjti shenjtor që citova pak më parë thotë: "Keni bërë mëkate? Pa dyshim që keni bërë. Doni t'i shlyeni? Atëherë, shkoni, kërkoni të varfrit kudo që të jenë anembanë botës, jepuni atyre dhe falënderojini që ua morën ato që iu dhatë, që t'ju njihet juve në Mbretërinë e Qiejve". Jo vetëm thjesht për t'i ndihmuar ata, por duhet edhe për t'i falënderuar. Sepse kush ishte i varfri që ishte në derën e tij? Ishte i dërguar nga Zoti. Ishte një dëshirë dhe dashuri e Zotit për ta shpëtuar edhe të pasurin. Dhe i kishte vënë përpara një të varfër, por ai e humbi këtë mundësi, sepse u tregua indiferent karshi vuajtjes së tjetrit.

Le të mos i humbasim këto mundësi. Sa herë që shohim njerëz që kanë nevojë, le të përpiqemi t'i ndihmojmë. Dhe çdo vepër të mirë që do të bëjmë këtu do të na ndjekë pas edhe në botën e përtejme. Amin.

Siç kishte raportuar UGO, Kryepiskopi Joan kishte folur edhe më parë për martirët si dëshmitarë të mirësisë, duke theksuar në atë rast rëndësinë e durimit dhe të dëshmisë së krishterë në kohë të vështira, temë që kthehet edhe në predikimin e sotëm përmes shembullit të Shën Martinit dhe të durimit të Lazarit.

Mitropoliti Athinagora u bën thirrje klerikëve të shmangin fanatizmin

Në takimin e 10-të vjetor të klerit të Mitropolisë së Belgjikës morën pjesë klerikë nga Beneluksi, ndërsa u lexua mesazhi i Patriarkut Ekumenik Bartolomeu.

Patriarku i Bullgarisë në Sofje: besimi ortodoks mbi nacionalizmin

Në liturgjinë për Shën Stefan Milutinin, Patriarku Daniel ftoi besimtarët të tejkalojnë ndarjet politike, paragjykimet dhe shovinizmin.

Uajtford: Gazetarët në Ukrainë u liruan pas letrave për Vens

Bashkëkryetarja e Federatës Kombëtare të Republikanëve të Rinj tha se ia dorëzoi letrat personalisht senatorit të atëhershëm.

Zelensky u takua me Patriarkun Bartolome në Fanar

Patriarku Ekumenik përsëriti mbështetjen për popullin ukrainas, ndërsa Presidenti falënderoi Patriarkanën për lutjet dhe e uroi për 35 vitet e patriarkanës.

Vepra katekitike vijon në enoritë e Mitropolisë së Apollonisë dhe Fierit

Gjatë tetorit grupet e katekizmit zhvilluan mësime, dy pelegrinazhe shpirtërore dhe festuan tri ditëlindje fëmijësh në Qendrën “Horizont”.

Mitropoliti Anastasi merr pjesë në konferencën e pelegrinazheve në Greqi

Hirësia e Tij përcolli përshëndetjet e Kryepiskopit Joan dhe foli për pelegrinazhin e jetën monastike në Aleksandropoli të Greqisë.