Mitropoliti Anastas: Falënderoj Atë Theologun nga Mali i Shenjtë për ndihmën ndaj Kishës

Mitropoliti Anastas në qendër dhe djathtas Atë Theologu. Foto: Mitropolia e Shenjtë Korçë

Mitropoliti Anastas në qendër dhe djathtas Atë Theologu. Foto: Mitropolia e Shenjtë Korçë

Në Mitropolinë e Shenjtë Korçë, e Diela e Vi e Llukait u kremtua me Meshë Hyjnore në Katedralen "Ngjallja", të cilën e kryesoi Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij imzot Anastasi. Pjesëmarrja e besimtarëve ishte e madhe dhe me devotshmëri.

Mitropoliti Anastas, në përlëshim të Meshës, u drejtua besimtarëve me këto fjalë:

"Vëllezër dhe motra, është një gëzim i madh që jemi mbledhur sot së bashku këtu. Edhe në këto ditë të vështira që vendi kalon, lavdërojmë Perëndinë, që sërish na jep mundësinë që të gëzohemi dhe të dëfrehemi.

Gëzimi më i madh për ne të krishterët është që jemi mbledhur dhe kemi mundësinë të mblidhemi në kishë, të lutemi së bashku, të kungohemi së bashku me Trupin dhe me Gjakun e Zotit tonë Jisu Krisht. Ky është gëzimi më i madh në jetën tonë.

Por Perëndia na bekon shpeshherë edhe me bekime të tjera. Javën e kaluar kishim këtu papa Janin Trebickën. Sot kemi mes nesh Atë Theologun nga Mali i Shenjtë, një njeri që ka bërë shumë për Kishën tonë në vitet e para të vështirësisë së madhe, duke qenë një bashkëpunëtor i Kryepiskopit Anastas dhe duke ndihmuar në ndërtimin e shumë kishave në të gjithë Shqipërinë.

Dhe unë atëherë e mbaj mend i vogël. Ndonjëherë, kur më merrte me vete, isha dëshmitar, se si fluturonte nga një cep i vendit në tjetrin, duke mbikëqyrur punimet e kishave të ndryshme.

E falënderojmë që është sot këtu midis nesh. E falënderoj për fjalët e bukura me të cilat na shpjegoi Ungjillin, për shqipen e tij të bukur, që e mësoi sepse e deshi. Edhe pse ka njëzet e pesë vjet që është larguar nga Shqipëria, sërish e ka ruajtur atë.

Për të gjitha këto e falënderojmë dhe i kërkojmë që t'i lutet së Tërëshenjtës, atje në Malin e Shenjtë, për ne të gjithë, për Mitropolinë tonë, për Kishën e Shqipërisë dhe për të gjithë vendin tonë.

Dhe i themi se gjithmonë ka një vend të veçantë në zemrën tonë dhe është i mirëpritur të marrë rrugën e të vijë këtu. Por edhe nga do që të kalojë rruga e tij, edhe nëse kalon këtu nga Korça, është i mirëpritur. Këtu është shtëpia e tij.

Dhe tani më vjen në mendje të them se sa të panjohura janë rrugët e Zotit! Unë dikur isha një djalë gjashtëmbëdhjetë–shtatëmbëdhjetë vjeç, që e ndihmoja Atë Theologun në përpjekjen e tij të madhe për kampet në Kishën Orthodhokse.

Edhe sot jemi këtu. Unë jam në pozicionin e Mitropolitit dhe bashkëmeshojmë së bashku. Shumë gjëra nuk i kishim menduar në jetën tonë. Por unë, të paktën këtë gjë nuk e kisha menduar se mund të vinte një ditë. Dhe për të gjitha këto lavdëroj Perëndinë, Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë. Lavdëroj Perëndinë edhe për faktin që jemi kaq shumë të mbledhur këtu, që shohim kaq shumë njerëz në këmbë, në këtë katedrale të mbushur me besimtarë që i luten Zotit.

Javë të mbarë ju uroj të gjithëve! Gëzuar dhe për shumë vjet!"

Për këtë temë Mitropoliti Anastas kryesoi Liturgjinë Hyjnore në Korçë
Në predikimin e së Dielës së II-të të Llukait, Mitropoliti u ndal te mësimi i Ungjillit për dashurinë ndaj armiqve.

ISIS pretendon përgjegjësinë për sulmin ndaj kishës në Jordani

Numri i viktimave të sulmit gjatë një ceremonie funerali në Karak është rritur në nëntë, ndërsa autoritetet jordaneze nuk e kanë konfirmuar lidhjen me ISIS-in.

Manastiri i Sinait arrin marrëveshje jashtëgjyqësore me Egjiptin

Marrëveshja u njoftua para vendimit të Gjykatës së Lartë dhe njeh përdorimin e pronave fetare nga vëllazëria, por nuk e sqaron statusin pronësor të manastirit.

Patriarku bullgar Danieli dërgoi ngushëllime pas sulmit në Jordani

Danieli dënoi sulmin ndaj kishës së Shën Gjergjit në Hamud, ku humbën jetën dhe u plagosën besimtarë të mbledhur për një shërbesë varrimi.

Ati Pjetër Hirs shpjegon dallimet e besimit ortodoks nga Perëndimi

Prifti, i rritur në mjedis anglikan, thekson se dallimet shtrihen te ethosi, mënyra e jetesës dhe përvoja shpirtërore e besimtarit.

Kryepiskopi Andon Blum: dhjetë këshilla për jetën e përditshme

Teologu ortodoks sjell këshilla shpirtërore për lutjen, dashurinë dhe përulësinë në jetën e përditshme të besimtarëve.

Kisha ortodokse kujton dëshmorin e madh Dhimitër Mirovliti

Në kalendarin kishtar kujtohen gjithashtu dëshmori Lupi, dëshmorja Leptina, dëshmori Glikon dhe dëshmori i ri Joasafi.