Predikim i ipeshkvit Avgustin Kandioti për të dielën VI të Llukait

Ilustrimi UGO

Ilustrimi UGO

Predikim i ipeshkvit të ndjerë Avgustin N. Kandioti rikujton për të dielën e gjashtë të Llukait episodin ungjillor kur Jisui refuzoi t'u lutej Perëndisë të dërgonte «zjarr nga qielli» mbi samaritanët që nuk e pritën në rrugën e tij drejt Jerusalemit. Sipas arkivit të veprës homiletike të ipeshkvit, predikimi bazohet te Lluk. 9:51-56.

Galilea, siç kemi thënë, ishte krahina e Palestinës e dashur për Jisuin. Në bregun e liqenit të Gjenezaretit u dëgjua për herë të parë zëri i ëmbël i Zotit që thërriste në pendim. Nga populli i saj zgjodhi nxënësit dhe apostujt e parë. Qytetet dhe fshatrat e saj i përshkoi vazhdimisht, duke predikuar Ungjillin e Mbretërisë së Qiejve. Kapernaumin, një nga qytetet e saj më të rëndësishme, e kishte bërë qendrën e veprimtarisë së tij, «qytetin e tij» (Matth. 9:1). Ujërat e liqenit i përshkoi shumë herë, mbi valët e tij eci dhe detit të trazuar i tha fjalët e njohura: «Pusho, mbylle.» (Mark. 4:39). Sa të mira gëzoi ky vend! Cilëndo pjesë të kësaj toke të vizitojë njeriu, kudo e sheh me mendje Jisuin duke ecur, duke mësuar dhe duke bekuar.

Por tani kishte ardhur koha që Jisui të largohej nga Galilea. Duhej të shkonte në kryeqytet, në Jerusalem, qytetin që vriste profetët, për të ofruar atje flijimin më të lartë, të vetmin, «për jetën dhe shpëtimin e botës» (Liturgjia e Shën Vasilit të Madh, shenjtërimi i Dhuratave). Duhej të pësonte dhe të kryqëzohej. Ungjillori Lluka, për të paraqitur këtë ngjarje të re në jetën e Zotit, largimin nga Galilea drejt Judesë, përdor një shprehje që e tregon gjallërisht vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë me të cilën ai nisi udhën drejt Jerusalemit: «ai vuri syrin për të shkuar në Jerusalem» (Lluk. 9:51).

Nëse na lejohet ta paraqesim me një përfytyrim këtë çast të vendimit të patundur e të palëkundur të Jisuit, mendojmë se pamja e kapitenit, i cili qëndron pa frikë në urën e anijes, në mes të detit të tërbuar, ruan drejtimin e lundrimit dhe e udhëheq anijen përmes valëve të shkumëzuara, mund ta paraqesë disi atë çast madhështor kur Jisui, duke i ditur të gjitha pasojat që do të kishte shkuarja e tij në Jerusalem, vendos të niset drejt tij. Asnjë lëkundje. Drejtimi i përcaktuar do të ndiqet. Udhëtimi do të bëhet. Kupa e hidhërimeve do të pihet deri në fund. Kryqi do të ngrihet. Dhe atje, si mbi një altar, Jisui do të ofrojë flijimin e tij.

«Ai vuri syrin për të shkuar në Jerusalem». Çfarë qëndrimi heroik përballë vdekjes shpreh ky varg i Ungjillit! O Zot! Sa herë që edhe ne, në udhën e jetës sonë, thirremi të përmbushim detyra që kërkojnë sakrifica, madje edhe vdekje martirike, ti, që me vendosmëri more udhën drejt qytetit që vriste profetët, ndihmona edhe ne të ecim me qëndrueshmëri atje ku na thërret detyra më e lartë.

Për këtë temë Kryepiskopi Joan: predikim mbi bindjen dhe Ungjillin e Llukait
Në predikimin e së dielës I të Llukait, Fortlumturia thekson rëndësinë e bindjes, përuljes dhe misionit të çdo të krishteri për të përhapur dritën e Ungjillit.

Gjatë kësaj udhe drejt Jerusalemit ndodhi edhe ngjarja e mëposhtme. Kur Zoti, së bashku me ata që e shoqëronin, iu afrua maleve të Samarisë, dërgoi dy nga nxënësit e tij në qytezën më të afërt të samaritanëve, për të lajmëruar se po vinte. Sigurisht, banorët e asaj qyteze, ashtu si banorët e çdo qyteze dhe qyteti tjetër të Samarisë, do të kishin dëgjuar për Jisuin, për mësimin dhe mrekullitë e tij. Prandaj duhej ta prisnin me gëzim lajmin se Jisui po vinte në fshatin e tyre.

Oh, sikur një i dërguar nga Roma e fuqishme t'i lajmëronte se qytezën e tyre do ta vizitonte perandori, çfarë përgatitjesh nuk do të bënin për ta pritur! Por ai që dëshironte të vizitonte fshatin e tyre është më i lartë se mbretërit dhe perandorët; është «Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve» (Zbul. 19:16); është ai të cilit i detyrohen për gjithçka që kanë. Dhe duhej ta prisnin ashtu siç i takonte.

Por banorët e asaj qyteze janë të verbër shpirtërisht dhe nuk mund të shohin se nën pamjen e atij udhëtari, që do t'i vizitonte, fshihet Hyjnia. Nuk e çmuan rastin e jashtëzakonshëm, të papërsëritshëm, që nuk do t'u paraqitej më kurrë. E përbuzën ngjarjen me vlerë të pafundme: Perëndia po i vizitonte. Dhe, nëpërmjet dy të dërguarve, i njoftuan Jisuit se nuk dëshironin që ai ta vizitonte fshatin e tyre. Jisui i padëshiruar!

Vëllezërit Jakov dhe Joan e dëgjuan këtë dhe u zemëruan. E konsideruan fyese për Zotin këtë sjellje të samaritanëve. Dhe një frymë urrejtjeje e hakmarrjeje filloi të frynte në zemrat e tyre. Sipas mendimit të tyre, nuk duhej të mbeteshin të pandëshkuar këta njerëz — nëse meritonin të quheshin njerëz — që nuk e njohën dhe nuk e nderuan Zotin. Po të mundnin t'i ndëshkonin, do ta bënin; kaq i madh ishte zemërimi i tyre.

Në kujtesë u erdhi pamja e një ndëshkimi të tmerrshëm njerëzish, të cilët dikur nuk kishin nderuar një profet të Perëndisë. U kujtuan për ata dy oficerë të mbretit, që ishin dërguar me ushtarët e tyre për ta ndjekur dhe për ta arrestuar profetin Ilia. Sapo iu afruan vendit ku qëndronte eremiti, njëri pas tjetrit gjetën vdekje të mjerueshme. Me lutjen e profetit, nga qielli zbriti zjarr, ra mbi ta dhe i dogji (shih IV Mbret., kap. 1).

Këtë ngjarje ndëshkimi kujtuan dy nxënësit dhe arsyetuan: nëse ata oficerë e ushtarë që nuk nderuan profetin Ilia u ndëshkuan kaq rëndë, çfarë ndëshkimi duhet të pësojnë këta banorë të qytezës, që nuk nderuan më një profet, por vetë Zotin?… Ilia iu lut Perëndisë që t'i ndëshkonte dhe bëri mirë. Përse Jisui të mos i lutet Atit të tij qiellor që t'i ndëshkojë në mënyrë shembullore këta samaritanë të pabesë?

Këto mendime dy nxënësit ia shprehën Jisuit: «Zot, a do që të themi të zbresë zjarr nga qielli dhe t'i shfarosë, siç bëri edhe Ilia?» (Lluk. 9:54). «Bij bubullime» (Mark. 3:17), siç u quajtën dy nxënësit, dëshirojnë që qielli të vetëtijë e të bubullojë, të lëshojë zjarr dhe t'i djegë të pabesët. Kërkojnë ndihmën hyjnore të Zotit. Do të gëzohen ta shohin tërë fshatin të digjet, të ketë fatin e Sodomës dhe të Gomorrës.

Po Zoti? A e dëgjon lutjen e tyre? Jo! E hedh poshtë kërkesën. I qorton dy nxënësit që shprehën një dëshirë të tillë shkatërrimi dhe u thotë: «Ju nuk e dini të çfarë fryme jeni. Biri i njeriut nuk erdhi të humbë shpirtra njerëzish, por të shpëtojë» (Lluk. 9:55–56).

Çfarë fjalësh të mrekullueshme, që vetëm goja e Perëndinjeriut mund t'i thoshte në një kohë kur vlonin pasionet fisnore dhe hakmarrja ndaj armiqve konsiderohej diçka e ligjshme! Kuptimi i fjalëve të Zotit është ky: nuk e njihni frymën e re të dashurisë dhe të butësisë, që ka filluar të fryjë mbi tokë. Mali Sinai ndryshon nga mali mbi të cilin u mbajt ai që quhet Predikimi në Mal. Mali Karmel, në shpellat e të cilit qëndronte profeti Ilia, që lëshon zjarrin e zemërimit kundër armiqve të Perëndisë, ndryshon nga Golgothaja, prej së cilës do të dëgjohen jo fjalë urrejtjeje dhe mallkimi, por fjalë dashurie e faljeje për të gjithë, madje edhe për vetë kryqëzuesit e mi.

Dashuria, mëshira dhe falja janë tipari mbizotërues i mësimit tim, dhe kjo frymë duhet të mbretërojë edhe në zemrat tuaja, o nxënësit e mi. Shkatërrimi i një fshati ishte i lehtë. Por shpëtimi i një shpirti ishte gjëja më e vështirë nga të gjitha, dhe për shpëtimin e tij Zoti «uli qiejt dhe zbriti» (Ps. 17:10). Për veprën e shpëtimit të shpirtrave nevojiten durim dhe zemërgjerësi.

Ky fshat i samaritanëve nuk e pranoi sot Shpëtimtarin. Por a përjashtohet mundësia që edhe ky fshat të ketë qenë ndër ato fshatra të Samarisë, të cilat, pas përndjekjes në kohën e kryedëshmorit Stefan, u vizituan nga nxënësit dhe e pranuan fjalën e Zotit? (shih Vep. 8:1, 14–15). Atë që sot mëkatari e mohon me kokëfortësi, a përjashtohet mundësia që nesër, nën veprimin e fuqishëm të hirit hyjnor, ta pranojë? A përjashtohet mundësia që përndjekësit dhe gjakatarët e sotëm të pendohen dhe të bëhen predikuesit e zjarrtë dhe apostujt e besimit të Nazareasit?

Me këto fjalë Zoti u dha nxënësve një mësim të mrekullueshëm butësie dhe mosmbajtjeje të së keqes, për të cilin kishin nevojë të domosdoshme. Sepse më pas do të dilnin edhe ata, tashmë vetëm, pa Mësuesin e dashur, për të përshkuar fshatra të ndryshme dhe do të ndeshnin kundërshtim të tmerrshëm nga bota që nuk beson në mesazhin shpëtimtar. Jo një apo dy, por shumë fshatra dhe qytete do të shfaqnin të njëjtën sjellje, madje edhe më të keqe se ajo që shfaqën ndaj Zotit banorët e qytezës së samaritanëve. Këta njerëz, më mirëbërësit ndër të gjithë, do të dëboheshin si më të dëmshmit, do të përndiqeshin si keqbërës dhe kusarë.

Çfarë duhej të bënin përballë njerëzve të tillë të pashenjtë? Të gjunjëzoheshin dhe t'i luteshin Zotit që t'i ndëshkonte menjëherë përndjekësit e tyre, ata që përbuznin dhe fyenin emrin e tij? Jo. Tashmë e kishin njohur frymën e mësimit të Jisuit. Mbi ta kishte ardhur Shpirti i Shenjtë. Prandaj, duke predikuar fjalën e Perëndisë, duke qortuar mosbesimin dhe prishjen e zemrave të njerëzve, duke u larguar nga fshatrat dhe qytetet prej të cilave i dëbonin dhe duke shkundur pluhurin nga këpucët e tyre, ata do të ngrinin duart në përgjërim drejt Zotit dhe do të luteshin edhe për ata që do t'i keqtrajtonin dhe do t'i vrisnin me vdekje të mizorë.

Me këto armë, me butësinë dhe mosmbajtjen e së keqes, arritën të fitonin dhe të triumfonin. Për këto armë shpirtërore kanë nevojë edhe punëtorët e sotëm të Ungjillit, përfaqësuesit e vërtetë të Zotit. Në udhën e tyre misionare do të takojnë edhe individë, familje, lagje e fshatra, të vegjël dhe të mëdhenj, në historinë e të cilëve do të shkruhet nga dora e një engjëlli se i vizitoi punëtori i Ungjillit dhe «nuk e pritën atë» (Lluk. 9:53). Nuk pranuan atë që vinte, por as atë në emrin e të cilit ai predikonte fjalën e Perëndisë.

Edhe në të ardhmen do të ndodhë që, po atë ditë kur njerëzit do të presin me nderime të mëdha një përfaqësues të një rangu të ulët të pushtetit laik, askush prej tyre të mos tregohet i gatshëm të hapë derën e shtëpisë dhe të mikpresë një punëtor të përulur të Ungjillit. Atij do t'i duhet të kalojë natën në ndenjëset e kishës së fshatit!… Por përse të çuditemi? Njerëzit, egoistë dhe të dhënë pas interesit, njërin e presin me përkujdesje, sepse prej tij varen interesat e tyre materiale, ndërsa tjetrin e përbuzin, sepse nuk presin prej tij ndonjë gjë materiale. Nuk janë në gjendje ta çmojnë margaritarin e vyer që sjell me vete predikuesi i Ungjillit, pikërisht ashtu siç nuk ishin në gjendje ta çmonin vlerën e pranisë së Jisuit banorët e qytezës së samaritanëve.

Kemi dëgjuar se një shitës shëtitës librash fetarë, kur hyri një herë në një lokal ku argëtoheshin të rinjtë, u bë shënjestër ironish dhe talljesh. Madje njëri prej të rinjve iu afrua nga pas dhe i vuri zjarrin palltos së tij, e cila filloi të digjej mes të qeshurave të të tjerëve. Shitësi i librave, pa u trazuar, e hoqi pallton, e hodhi në oborr ku u dogj, u kthye përsëri dhe, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, vazhdoi të fliste për vlerën e Shkrimit të Shenjtë. Sjellja e tij i mahniti të rinjtë. U penduan për mënyrën si ishin sjellë me të, i kërkuan falje, blenë edhe ata nga një Shkrim të Shenjtë dhe i premtuan se do ta studionin.

Apostull Pavli, duke shprehur fisnikërinë shpirtërore që i dallonte apostujt e shenjtë, thotë: «kur përqeshemi, bekojmë; kur ndiqemi, durojmë; kur shahemi, lutemi; u bëmë si plehrat e botës, si fundërrinat e të gjithëve deri në këtë ditë» (I Kor. 4:12–13).

Por punëtori i Ungjillit, i cili në brezin e sotëm vazhdon veprën e nxënësve dhe të apostujve të Zotit, nuk duhet të ligështohet nga shfaqje të tilla sjelljeje të pahijshme. Këto janë më të paktat që mund të presë nga një botë që kryqëzoi Krishtin dhe përndoqi apostujt dhe të gjithë punëtorët e vërtetë të Ungjillit. Nëse ka vendosur të ecë pa u shmangur në udhën e Zotit, le të përgatitet të përballojë edhe më të këqijat, madje edhe vetë vdekjen martirike, e cila do të jetë edhe vulosja e ndritshme e shërbesës së tij apostolike.

† Episkopi Avgustin

Siç kishte raportuar UGO, predikimi mbi paravolinë e mbjellësit ishte një tjetër rast kur fjala ungjillore iu drejtua besimtarëve për rëndësinë e pranimit me zemër të hapur të mësimit të Krishtit.

Proskomidhia: përgatitja e Dhuratave të çmuara për Liturgjinë

Atë Epifan Haxhijanku shpjegon hap pas hapi ritin e lashtë të Proskomidhisë, nga prerja e Qengjit deri te përkujtimi i të gjallëve dhe të fjeturve.

Kisha kujton Shën Jakovin, apostullin e drejtësisë dhe vëllain e Zotit

Më 23 tetor, Kisha Orthodhokse kremton kujtimin e Apostullit Shën Jakov, vëllait të Zotit dhe episkopit të parë të Jerusalemit, njohur si «I Drejti».

Mitropoliti Pavëll i Sisanit dhe Siatistës shpjegon shkaqet e divorceve

Në një shkrim, Mitropoliti i Sisanit dhe Siatistës thotë se divorci buron nga paaftësia për të dashur dhe nga kuptimi i gabuar i martesës.

Nobel në Kimi u nda në Stokholm për zbulimin e kiralitetit

Profesorët Anri Kagan dhe Kenso Soai u vlerësuan për zbulimet mbi paradokset kimike që lidhen me talidomidin dhe barnat.

Faqe nga ditari i priftit Nikiforov-Volgin

Pjesë nga libri «Shkopi i udhëtarit» flasin për sëmundjen, Kreshmën e Madhe dhe misterin e rrëfimit të mëkateve.

Kemi harruar.....

Një tekst reflektues rendit gjërat e thjeshta që kemi harruar – të flasim, të lutemi, të ëndërrojmë – dhe fton të ecim drejt, si njerëz.