Proskomidhia: përgatitja e Dhuratave të çmuara për Liturgjinë

Foto ilustruese UGO

Foto ilustruese UGO

Proskomidhia është shërbesa paraprake e Liturgjisë Hyjnore, gjatë së cilës prifti përgatit bukën dhe verën që besimtarët sjellin në kishë, për t'u shenjtëruar më pas si Trup e Gjak i Krishtit. Ky shpjegim vjen nga libri «Liturgjia Hyjnore» i Atë Epifan Haxhijankut (faqet 40–53, përktheu T. B.), material i dërguar drejtpërdrejt për botim nga redaksia.

1. Dhuratat e çmuara dhe ofrimi i njeriut

Pasi prifti lan duart, drejtohet te Paravënia e Shenjtë. Ky është një vend që ndodhet në të majtë të Tryezës së Shenjtë. Atje do të kryejë Shërbesën e Proskomidhisë. Pra, do të përgatitë Dhuratat e çmuara, bukën dhe verën që sjellin besimtarët, të cilat do të shenjtërohen gjatë Liturgjisë Hyjnore dhe do të bëhen Trup dhe Gjak i Krishtit. Kjo shërbesë përbën, do të thoshim, «parahyrjen» e Liturgjisë Hyjnore. Vendi quhet Paravënie, sepse atje paravihen, domethënë vendosen fillimisht, dhuratat që sjellin besimtarët (blatat). Shërbesa quhet Proskomidhi, sepse gjatë saj përgatiten Dhuratat që sjellin, domethënë që blatojnë, besimtarët.

Gjatë Shërbesës së Proskomidhisë, prifti përdor disa enë të shenjta. Këto janë: Dhisku, Potiri i shenjtë, shtiza, lugëza, yllthi dhe mbulesat. Enët e shenjta që përdoren janë: ajri; yllthi; Potiri i shenjtë; mbulesat; Dhisku; lugëza; shtiza e shenjtë.

Për sa u përket dhuratave, duhet të theksojmë se buka që blatojmë duhet të jetë e ardhur me maja. Sepse edhe Krishti në Darkën Mistike përdori bukë të ardhur me maja. Kjo ndodhi sepse Pashka e hebrenjve, gjatë së cilës ata hanin bukë të ndorme, do të fillonte mbrëmjen e ditës së nesërme, të premten.

2. Të denjë për të blatuar dhurata

Sipas Porosive Apostolike, të denjë për të blatuar dhurata janë ata që kanë një jetë të paqortueshme (Porositë Apostolike, IV, 6, Migne 1, 818), ndaj të cilëve nuk rëndon asnjë akuzë. Në kohën e apostujve dhe të etërve, episkopët dhe priftërinjtë nuk i pranonin dhuratat e çdo të krishteri, por vetëm të atyre që ishin në gjendje të kungoheshin. Sipas Porosive Apostolike, nuk kanë të drejtë të blatojnë dhurata të përdalët, kurorëshkelësit, gratë e paturpshme, ata që shtypin të vejat dhe jetimët, ata që kanë dërguar të pafajshëm në burg, shpifësit, hajdutët, të dehurit, blasfemuesit, fajdexhinjtë, mashtruesit, vrasësit, gjykatësit që shkelin ligjin etj. Ndër ta përfshihen edhe ata që ushqejnë armiqësi ndaj dikujt (shih Matth. 5, 23–24), si edhe prindërit që lejojnë fëmijët e tyre të bashkëjetojnë në shtëpinë e tyre pa kurorë kishtare.

Dikur një grua i solli një meshë shenjtorit bashkëkohor të Kishës sonë, oshënarit Nikolla Plana. Shenjtori, me gjithë mirësinë që kishte, nuk pranoi ta merrte dhe i tha: «Nuk mund ta pranoj, për sa kohë që jeton pa kurorë kishtare».

Është një vepër shumë e bekuar që një familje të përgatitë meshë për Liturgjinë Hyjnore. Por nevojitet kujdes i madh. Mielli që do të përdoret duhet të jetë i pastër; po kështu edhe enët, të cilat do të përdoren vetëm për përgatitjen e meshës dhe jo për ndonjë përdorim tjetër. Por, mbi të gjitha, gruaja që do ta gatuajë duhet të jetë e dëlirë dhe e pastër, si në trup, ashtu edhe në shpirt.

3. Shërbesa e Proskomidhisë

Meshtari, pas gjithë përgatitjes që ka bërë, i afrohet Paravënies së Shenjtë me frikë dhe gëzim shpirtëror. Pasi bën tri metani të vogla, merr në duar meshën e caktuar për Liturgjinë Hyjnore, mbi të cilën ndodhet shtiza e shenjtë, dhe thotë: «I bekuar është Perëndia ynë…», duke bërë njëkohësisht shenjën e kryqit. Pastaj e ngre me shpresëtari dhe thotë troparin mallëngjyes të së Enjtes së Madhe: «Na shpërbleve nga mallkimi i ligjit me Gjakun tënd të çmuar…». Me këtë pohon se, me mendje, ndodhet përpara Golgothasë së frikshme, për të rijetuar atë Sakrificë të madhe. Ngritja e meshës simbolizon ngritjen e Krishtit në Kryq. Me kryqëzimin e tij, Zoti i ngriti bashkë me veten në qiej të gjithë ata që besuan tek ai (shih Joan. 12, 32).

Pastaj e ul meshën dhe e vendos përsëri mbi Paravënien e Shenjtë. Më pas bën tri herë mbi të shenjën e kryqit me shtizën, duke thënë: «Në kujtim të Zotit dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht». Domethënë, kjo që po bëjmë është kujtim i Sakrificës në Kryq të Zotit (Lluk. 22, 19).

Pastaj pret pjesën qendrore të prosforës, të ashtuquajturin Qengj, mbi të cilin janë të stampuara shkronjat ΙΣ-ΧΣ-ΝΙ-ΚΑ. Kjo është pjesa që më vonë do të bëhet Trup i Krishtit. Duke prerë secilën anë të Qengjit, thotë edhe nga një frazë prej fjalëve të profetit Isaia: «Si dele u çua në therje; dhe si qengj pa zë përpara atij që e qeth, kështu nuk e hap gojën e tij. Në përuljen e tij iu hoq gjykimi; dhe brezin e tij kush do ta tregojë?» (Is. 53, 7–8). Me fjalë të thjeshta: si një dele që e çuan në therje dhe si një qengj pa zë përpara atij që e qeth, ashtu edhe ai shkoi përpara, pa hapur gojën dhe pa u ankuar. Në përuljen dhe poshtërimin që pësoi, iu shkel e drejta. Por, pas vuajtjeve dhe vdekjes së tij të padrejtë, kush do të mund ta tregojë brezin e tij të lavdishëm?

Më pas e pret Qengjin nga poshtë dhe e shkëput nga pjesa tjetër e meshës, duke thënë fjalët e mbetura të profetit: «Sepse jeta e tij hiqet prej dheut»; domethënë, jeta iu hoq dhunshëm dhe padrejtësisht nga toka. Pastaj merr Qengjin, që ka formën e kubit, simbol i përsosmërisë, dhe e vendos në Dhiskun e shenjtë përmbys, me tulin nga sipër. Më pas e pret tulin në formë kryqi, duke thënë: «Flijohet Qengji i Perëndisë, që ngre mëkatin e botës, për jetën dhe shpëtimin e botës». Domethënë, flijohet Qengji i Perëndisë, qengji që merr mbi vete mëkatet e botës. Flijohet për jetën dhe shpëtimin e botës.

Pastaj e kthen Qengjin, që vula të jetë nga sipër, dhe e vendos në qendër të Dhiskut. Dhisku i shenjtë, sipas shën Simeonit të Selanikut, «paraqet qiellin, prandaj është edhe i rrumbullakët, dhe mban Zotin e qiellit» (PG 155, 264C).

Më pas merr shtizën e shenjtë dhe e shpon Qengjin lart majtas, atje ku ndodhen dy shkronjat ΙΣ, duke thënë fjalët e ungjillorit Joan: «Një nga ushtarët ia shpoi brinjën me shtizë»; domethënë, një ushtar ia shpoi anën me shtizë. Dhe plotëson: «Dhe menjëherë doli gjak dhe ujë. Dhe ai që pa dëshmoi, dhe dëshmia e tij është e vërtetë»; domethënë, menjëherë doli gjak dhe ujë. Për këtë dëshmon ai që e pa dhe dëshmia e tij është e vërtetë (Joan. 19, 34–35). Duke thënë këto, hedh në Potirin e shenjtë verë dhe ujë, që simbolizojnë gjakun dhe ujin që rrodhën nga brinja e Zotit. Pastaj bekon Potirin duke thënë: «I bekuar është bashkimi i të shenjtave të tua, gjithnjë, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin».

Me këtë veprim të fundit përfundon përgatitja e Dhuratave të çmuara. Edhe një sqarim: deri në këtë çast, buka dhe vera quheshin dhurata të ofruara (προσφορές). Por, që nga ky çast, quhen Dhurata të çmuara ose, ndryshe, antitipe të shenjta.

Vërtet, ato që thuhen dhe bëhen gjatë Shërbesës së Proskomidhisë janë tronditëse. Fatkeqësisht, përsëritja e vazhdueshme dhe zakoni rrezikojnë t'i ftohin ndjenjat e shenjta dhe druajtjen që duhet ta përshkojnë priftin në atë çast. Në këtë pikë, le të përmendim një ngjarje të mrekullueshme që i ndodhi shën Paisit të Malit të Shenjtë. «Kur isha kishtar, përgjegjës për kishën», thotë shenjtori, «më ndodhi një ngjarje. Një herë, kur prifti po kryente Proskomidhinë, në çastin që tha: "Si dele u çua në therje", dëgjova përpëlitjen e një qengji mbi Dhiskun e shenjtë. Kur tha përsëri: "Flijohet Qengji i Perëndisë", dëgjova blegërimë nga Paravënia e Shenjtë. E frikshme!» (Priftmurgu Grigor, Liturgjia Hyjnore, f. 99).

Nga ato që u thanë dhe u kryen, shohim se, vërtet, Shërbesa e Proskomidhisë është një paraqitje simbolike e Flijesës së Krishtit, e cila do të bëhet e vërtetë gjatë Liturgjisë Hyjnore. Është një flijesë përpara Flijesës. Është si një «liturgji në embrion», siç e quan Konstandin Kaliniku. Nikolla Kavasila e paraqet Proskomidhinë si paraqitje paraprake dhe kapar të Flijesës që do të bëhet në Liturgjinë Hyjnore.

Për këtë temë Liturgjia Hyjnore: Flijimi i Krishtit dhe zhvillimi i saj historik
Artikulli trajton Flijimin e Krishtit, Kungimin Hyjnor dhe zhvillimin historik të Liturgjisë deri te format e sotme.

4. Kisha triumfuese dhe Kisha luftarake

Përveç Qengjit, që simbolizon Krishtin, sipas një tradite të mëvonshme të etërve, në Dhiskun e shenjtë janë të pranishëm edhe frytet e Flijesës së Krishtit në Kryq: shenjtorët, Kisha triumfuese në qiej. Prandaj, për ta nxirren pjesëza, domethënë copa të vogla nga prosfora, dhe vendosen në të dyja anët, djathtas dhe majtas Qengjit.

Në Mbretërinë e Perëndisë, vendin e parë e zë Hyjlindësja e Tërëshenjtë, krijesa më e përsosur dhe më e shenjtë e Perëndisë. Për nder të saj, meshtari nxjerr një pjesëz të madhe trekëndore, duke thënë: «Për nder dhe kujtim të Zonjës sonë të përmbibekuar, të lavdëruar, Hyjlindëses dhe gjithmonë Virgjërës Mari…», dhe e vendos në të djathtë të Qengjit Krisht, duke thënë fjalët profetike të Psalmit 44: «Qëndroi mbretëresha në të djathtën tënde…» (Ps. 44, 10).

Pastaj nxjerr nëntë pjesëza, nëntë copa më të vogla trekëndore, të cilat i vendos në tri radhë me nga tri në të majtë të Qengjit, si vijon: pjesëzën e parë për nder të engjëjve; të dytën për nder të Pararendësit dhe të gjithë profetëve; të tretën për nder të Apostujve të shenjtë; të katërtën për nder të Hierarkëve të shenjtë; të pestën për nder të Dëshmorëve të shenjtë; të gjashtën për nder të Oshënarëve; të shtatën për nder të Anargjendëve të shenjtë; të tetën për nder të Hyjprindërve Joakim dhe Ana, si edhe të shenjtit të ditës; dhe të nëntën për nder të hierarkut, Liturgjia Hyjnore e të cilit po kryhet, dhe të gjithë shenjtorëve të tjerë.

Por, përveç shenjtorëve, Kisha përfshin si anëtarë të saj edhe Kishën luftarake mbi tokë, domethënë besimtarët që janë në jetë dhe luftojnë betejën e mirë të besimit, si edhe Kishën triumfuese në qiej, etërit dhe vëllezërit tanë të fjetur, të krishterë orthodhoksë. Për të gjithë këta, meshtari do të nxjerrë pjesëza, thërrime. Fillimisht nxjerr pjesëzën e episkopit përkatës dhe e vendos përpara Qengjit. Më pas vendos përpara dhe në të djathtë të Qengjit pjesëzat e të gjallëve, ndërsa në të majtë pjesëzat e të fjeturve, duke përmendur emrat e tyre. Në fund nxjerr edhe një pjesëz për veten.

Sipas shën Simeonit të Selanikut, shekulli XV, në Proskomidhi shohim simbolikisht mbi Dhiskun e shenjtë Krishtin dhe gjithë Kishën e tij. Ai thotë në mënyrë domethënëse: «Nëpërmjet këtij simbolizimi hyjnor dhe veprës së Paravënies së shenjtë shohim vetë Jisuin dhe gjithë Kishën e tij… Dhe ky është misteri i madh… Perëndia midis njerëzve dhe Perëndia midis perëndive, të cilët hyjnizohen prej atij që është Perëndi sipas natyrës» (PG 155, 285AB).

Duhet të theksojmë se emrat që lexon prifti gjatë Proskomidhisë, si të të gjallëve, ashtu edhe të të fjeturve, duhet të jenë emra vetëm të të krishterëve orthodhoksë. Prandaj nuk lejohet të japim emra romano-katolikësh, protestantësh ose heretikësh të tjerë. Për ta mund të lutemi në lutjet tona vetjake.

5. Yllthi dhe mbulesat

Me përkujtimin e emrave të të gjallëve dhe të të fjeturve, përgatitja e Dhuratave të çmuara ka përfunduar. Por ato duhen mbrojtur nga ndonjë dëmtim ose përmbysje që mund të ndodhë gjatë mbartjes së tyre. Për këtë qëllim i mbulon me yllthin dhe mbulesat.

Dhiaku i sjell priftit temjanicën dhe ai bekon temjanin, duke thënë uratën përkatëse: «Temjan të blatojmë, o Krisht Perëndia ynë, si erë kundërmimi shpirtëror; pranoje në altarin tënd përmbiqiellor dhe dërgona si shpërblim hirin e Shpirtit tënd të Tërëshenjtë». Temjani simbolizon lutjet që i drejtojmë Perëndisë. Në Psalmin 140: «Le të drejtohet lutja ime si temjan përpara teje» (Ps. 140, 2). Dhe, ashtu si temjani lëshon aromë të mirë, edhe lutjet tona duhet të kundërmojnë besim, dashuri dhe shpresë.

Pastaj vendos mbi Dhiskun e shenjtë yllthin, duke thënë vargun e psalmit: «Me fjalën e Zotit u forcuan qiejt dhe me frymën e gojës së tij gjithë fuqia e tyre» (Ps. 32, 6). Pastaj e mbulon Dhiskun e shenjtë me njërën mbulesë, duke thënë vargun tjetër të psalmit: «Zoti mbretëroi, u vesh me madhështi; Zoti u vesh me fuqi dhe u ngjesh» (Ps. 92, 1).

Pastaj merr mbulesën tjetër, me të cilën mbulon Potirin e shenjtë, duke thënë: «Virtyti yt, o Krisht, mbuloi qiejt dhe dheu është plot me lavdërimin tënd» (Avak. 3, 3). Më pas merr mbulesën e madhe, që quhet ajër, me të cilën mbulon të dyja enët, duke thënë: «Na mbulo me mbulesën e krahëve të tu; largo prej nesh çdo armik dhe kundërshtar; paqësoje jetën tonë. O Zot, mëshirona ne dhe botën tënde dhe shpëtoi shpirtrat tanë, si i mirë dhe njeridashës».

Pastaj merr temjanicën dhe i temjanis, duke thënë tri herë: «I bekuar je, o Perëndia ynë, që e pëlqeve kështu; lavdi më ty». Më pas ul kokën dhe thotë përpara Dhuratave të çmuara uratën e Paravënies: «O Perëndia ynë, ti që na dërgove për shpëtim, shëlbim dhe mirëbërje Zotin dhe Perëndinë tonë Jisu Krisht, i cili është buka qiellore, ushqimi i gjithë botës, bekoje këtë paravënie dhe pranoje në altarin tënd përmbiqiellor. Kujto në Mbretërinë tënde, si i mirë dhe njeridashës, ata që i blatuan këto Dhurata, si edhe ata për të cilët i blatuan. Edhe ne, priftërinjtë që do të meshojmë, na ruaj të padënuar gjatë shërbesës së Mistereve të tua hyjnore. Sepse është shenjtëruar dhe lavdëruar emri yt i tërëndershëm dhe i madhërishëm, i Atit dhe i Birit dhe i Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin».

Pas kësaj urate, prifti bën përlëshimin. Në fund temjanis Paravënien e Shenjtë, Tryezën e Shenjtë, ikonat e ikonostasit dhe popullin, duke thënë tri tropare ngjallësore. Sipas një rregulli shumë të lashtë, përpara se të fillojë cilido mister, meshtari temjanis altarin e shenjtë dhe të gjithë kishën (Dionisi Areopagjiti, Mbi hierarkinë kishtare, PG 3, 425B). Kjo bëhet edhe në Liturgjinë Hyjnore.

6. Dobia e atyre që përkujtohen në Paravënien e Shenjtë

Përpara se të përfundojmë ato që lidhen me Shërbesën e Proskomidhisë, le të themi disa fjalë për rëndësinë që ka përkujtimi i emrave që bëhet gjatë saj. Dobinë e madhe që përkujtimi i emrave të tyre u sjell të gjallëve e thekson shën Simeoni i Selanikut, duke thënë se pjesëza që meshtari nxjerr për një vëlla të gjallë, «meqenëse vendoset pranë Bukës së shenjtë, kur kjo shenjtërohet dhe bëhet Trup i Krishtit, menjëherë shenjtërohet edhe ajo. Madje, kur vendoset brenda në Potirin e shenjtë, bashkohet me Gjakun e shenjtë. Prandaj i përcjell Hirin hyjnor shpirtit të atij për të cilin u ofrua… Dhe, në qoftë se është i devotshëm ose, edhe nëse mëkatoi, u pendua, ky njeri merr në mënyrë të padukshme në shpirtin e tij pjesëmarrjen në Shpirtin e Shenjtë» (PG 155, 748D–749A).

Shën Grigor Dialogu (590–604) rrëfen këtë ngjarje: «Dikur një rob jetonte larg të afërmve të tij, i lidhur me vargonj të rëndë. Gruaja e tij e kishte zakon të kërkonte që në ditë të caktuara të kryhej për të Liturgjia Hyjnore. Pas disa vjetësh, robi u kthye në atdheun e tij. Atëherë i tregoi gruas se në disa ditë vargonjtë i zgjidheshin në mënyrë të padukshme dhe të çuditshme, dhe kështu gjente pak lehtësim. Ajo, e mahnitur, vuri re se kjo ndodhte pikërisht në ditët kur kryhej Liturgjia Hyjnore për shpëtimin e tij» (Mrekulli dhe zbulesa, f. 21).

Por edhe të fjeturit kanë dobi të madhe nga përkujtimi i emrave të tyre. Ata që janë larguar nga kjo botë nuk mund ta ndihmojnë vetë veten. Vetëm ne mund t'i ndihmojmë disi me lutjet dhe lëmoshat që japim për shpirtin e tyre. Por sidomos u bëjmë dobi duke dhënë emrat e tyre, që prifti t'i përkujtojë në Paravënien e Shenjtë.

Shën Paisi, lidhur me nevojën për t'u lutur për të fjeturit, thoshte: «Çoni në kishë një prosforo (meshë) dhe jepni emrin e të fjeturit, që prifti ta përkujtojë në Proskomidhi. Nëse ke një të vdekur, për të cilin mendon se nuk ka guxim përpara Perëndisë, sepse ishte mëkatar, atëherë, kur i ndez një qiri të pastër, është sikur t'i japësh një pije freskuese dikujt që digjet nga etja. Shenjtorët e pranojnë me kënaqësi ofrimin e qiririt dhe janë të detyruar të luten për atë që e ndez. Perëndia e pranon me kënaqësi…» (Dëshmi pelegrinësh, Nik. Zurnaxhoglu).

Siç kishte raportuar UGO, Liturgjia Hyjnore përkujton Flijimin e Krishtit pikërisht nëpërmjet këtyre pjesëve përgatitore, që lidhin simbolikisht Dhiskun e shenjtë me gjithë Kishën, të gjallë dhe të fjetur.

Në këtë pikë përfundon Shërbesa e Proskomidhisë, e cila është, siç thamë, shërbesa e përgatitjes së Dhuratave të çmuara që do të shenjtërohen gjatë Liturgjisë Hyjnore.

Përktheu T. B.

Kisha kujton Shën Jakovin, apostullin e drejtësisë dhe vëllain e Zotit

Më 23 tetor, Kisha Orthodhokse kremton kujtimin e Apostullit Shën Jakov, vëllait të Zotit dhe episkopit të parë të Jerusalemit, njohur si «I Drejti».

Mitropoliti Pavëll i Sisanit dhe Siatistës shpjegon shkaqet e divorceve

Në një shkrim, Mitropoliti i Sisanit dhe Siatistës thotë se divorci buron nga paaftësia për të dashur dhe nga kuptimi i gabuar i martesës.

Nobel në Kimi u nda në Stokholm për zbulimin e kiralitetit

Profesorët Anri Kagan dhe Kenso Soai u vlerësuan për zbulimet mbi paradokset kimike që lidhen me talidomidin dhe barnat.

Faqe nga ditari i priftit Nikiforov-Volgin

Pjesë nga libri «Shkopi i udhëtarit» flasin për sëmundjen, Kreshmën e Madhe dhe misterin e rrëfimit të mëkateve.

Kemi harruar.....

Një tekst reflektues rendit gjërat e thjeshta që kemi harruar – të flasim, të lutemi, të ëndërrojmë – dhe fton të ecim drejt, si njerëz.

Shën Paisi: «Njeriu i drejtë ka gjithmonë Zotin me vete»

Fjalë e mësime shpirtërore kushtuar besimtarëve, sipas përmbledhjes së thënieve të shenjtit, botuar nga Mitropolia e Limasolit.