Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë bën apel për paqe dhe dialog

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka dalë me një deklaratë zyrtare, duke bërë apel për paqe, drejtësi, përgjegjësi dhe dialog kombëtar në një moment tensionesh shoqërore në vend. Sipas deklaratës së publikuar nga vetë institucioni, komunitetet fetare zyrtare shprehin shqetësim për situatën dhe bëjnë thirrje për qetësi.
Si përfaqësues të besimeve fetare në Shqipëri, anëtarët e Këshillit theksojnë se shqetësimet e qytetarëve dhe të studentëve meritojnë të dëgjohen me seriozitet, ndërsa institucionet duhet të japin përgjigje konkrete dhe transparente. Në të njëjtën kohë, deklarata vë theksin te e drejta për protestë paqësore, por edhe te kufijtë që asnjë pakënaqësi nuk mund t'i kalojë drejt dhunës apo shkatërrimit të pronës.
Më poshtë po sjellim tekstin e plotë të deklaratës, ashtu siç është vënë në dispozicion nga Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë:
Paqja është përgjegjësi e përbashkët. Drejtësia është detyrim. Respekti për njeriun është themeli që na bashkon.
E ardhmja e Shqipërisë është në duart e brezave që po rrisim sot, ndaj kemi detyrimin t'u lëmë një vend ku drejtësia frymëzon shpresë dhe bashkëjetesa bëhet vlerë e trashëguar. Shqetësimet e qytetarëve dhe të studentëve meritojnë të dëgjohen me seriozitet, ndërsa institucionet kanë përgjegjësinë të japin përgjigje konkrete, transparente dhe në përputhje me ligjin.
Si përfaqësues të komuniteteve fetare zyrtare në Shqipëri, besojmë se paqja nuk nënkupton heshtje përballë padrejtësisë, drejtësia nuk mund të ndërtohet përmes dhunës dhe autoriteti nuk mund të ushtrohet pa përgjegjësi. Traditat tona fetare na bashkojnë në mbrojtjen e jetës, dinjitetit njerëzor, mëshirës, drejtësisë dhe respektit për tjetrin, pavarësisht bindjeve apo qëndrimeve që përfaqësojmë.
Këshilli Ndërfetar rikujton se e drejta për të protestuar paqësisht është një vlerë themelore demokratike, ndërsa dhuna, shkatërrimi i pronës dhe cenimi i të drejtave të të tjerëve nuk mund të justifikohen nga asnjë pakënaqësi apo qëllim. Dëmtimi i një biznesi familjar prek drejtpërdrejt jetesën e një familjeje; cenimi i një institucioni arsimor prek të drejtën për dije dhe siguri; ndërsa mosrespektimi i një përfaqësie diplomatike dhe i simboleve të saj cenon parimet e respektit të ndërsjellë dhe të bashkëjetesës ndërkombëtare.
Mendojmë se në këto momente, vendi ka nevojë për më pak akuza dhe më shumë dëgjim, për më pak përplasje dhe më shumë përgjegjësi, për më pak ndarje dhe më shumë dialog. Asnjë palë nuk duhet ta shohë tjetrën si armike, por si pjesë të së njëjtës shoqëri, me të drejta, detyrime dhe përgjegjësi të përbashkëta.
Apeli ynë është për të gjithë: qytetarët të dëgjohen, institucionet të përgjigjen, drejtësia të garantohet, ligji të respektohet dhe paqja të mbrohet. E ardhmja e Shqipërisë nuk ndërtohet mbi frikën, shkatërrimin dhe përçarjen, por mbi dinjitetin, besimin e ndërsjellë dhe vullnetin për të gjetur zgjidhje paqësore.
Me përulësi i drejtohemi të gjitha palëve të zgjedhin dialogun mbi konfliktin dhe përgjegjësinë mbi përshkallëzimin, duke vendosur mbi çdo interes të ngushtë të mirën e përbashkët, sigurinë e qytetarëve dhe paqen shoqërore.
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë
Siç kishte raportuar UGO, Këshilli Ndërfetar kishte kërkuar më parë transparencë nga institucionet shtetërore, duke vazhduar të mbajë një qëndrim aktiv ndaj çështjeve me interes publik.
Lexo gjithashtu
Kronikë e publikuar zbulon krizën para kuvendit të Kievit në 2018
Dokumenti pretendon se delegacioni i Patriarkanës Ekumenike u pengua të largohej nga Kievi, mes mosmarrëveshjeve për kompetencat e Filaretit.
Përfundoi Takimi i 5-të Ndërortodoks Murgëror në Lefkadhë
Ditën e fundit u kremtua Liturgjia Hierarkike, u krye shërbesë përkujtimore për Kryepeshkopin e lumur Anastas dhe u mbajtën katër kumtesa mbi murgërinë dhe misionin e saj.
Familjet suroye kthehen në Jinet të Turqisë për festën e Shën Gjergjit
Banorë vendas që jetojnë jashtë vendit për gati 40 vjet u mblodhën në Manastirin Orthodhoks Sirian Deruna në malin Qardo për ceremonitë fetare të festës.
Kryepeshkopi Joan u prit nga Kryepeshkopi Jeronim në Athinë
Dy Kryepeshkopët biseduan për veprën e Kishës, angazhimin shoqëror dhe arsimor, si dhe për strukturat bamirëse e shkollat.
Patriarku Porfirije u prit solemnisht në Kabramata të Sidneit
Në shërbesën e falënderimit, kreu i Kishës Ortodokse Serbe tha se qëndrimi në «anijen e Kishës» është qëllimi më i rëndësishëm i besimtarëve.
Patriarku Ekumenik Vartholome uron Kishën Gjeorgjiane për 1700-vjetorin e krishterimit
Mesazhi iu drejtua Patriarkut Shio III dhe besimtarëve të mbledhur në Katedralen Svetitskhoveli në Mtskheta për ceremonitë përkujtimore të 14 tetorit.