Kryepiskopi Joan mban fjalën kryesore në Takimin murgjëror në Lefkadhë

Kryepiskopi Joan në fjalën gjatë takimit
Kryepiskopi Joan i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë mbajti më 13 tetor 2026 fjalën kryesore të ditës së parë të Takimit të pestë ndërorthodhoks murgjëror në Manastirin e Faneromenit në Lefkadhë të Greqisë. Takimi zhvillohet nga 13 deri më 15 tetor 2026 me temë “Murgjëria Orthodhokse dhe Hierapostolia” dhe i kushtohet kujtimit të Kryepiskopit të lumur Anastas.
Takimi organizohet nga Mitropolia e Shenjtë e Lefkadhës dhe Ithakës së bashku me Manastirin e së Tërëshenjtës Faneromeni, nën kujdesin e Sinodit të Shenjtë të Kishës së Greqisë. Kryepiskopi Joan u mirëprit me nderime nga Igumeni i Manastirit dhe autoritetet qendrore e lokale, si dhe drejtoi shërbesën e ardhjes së dorës së djathtë të lipsanit të shenjtë të shën Nektarit. Ai shoqërohet nga protopresviteri atë Spiro Topanxha, Protosingjeli i Kryepiskopatës së Tiranës, atë Harallamb Gjoka, atë Nikolla Kodheli dhe kori bizantin i Tiranës, nën drejtimin e z. Theodhor Peci. Më poshtë botohet teksti i plotë i fjalës me temë “Kryepiskopi i lumur Anastas dhe rilindja shpirtërore e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë”, i publikuar nga KOASH.
Fjalimi i Fortlumturisë së Tij, Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë në Takimin e pestë ndërorthodhoks murgjëror
Tema: Kryepiskopi i lumur Anastas dhe rilindja shpirtërore e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë
Hirësi, Mitropolit i Lefkadhës dhe i Ithakës, vëlla i dashur më Krishtin, Imzot Theofil, Hirësi Mitropolit i Ankirës, Imzot Grigor, përfaqësurs i Patriarkanës Ekumenike, Hirësi Mitropolit i Halkidhës, Istieas dhe Sporadheve Veriore, Imzot Krisostom, përfaqësues i Sinodit të Shenjtë të Kishës së Greqisë, Hirësi, vëllezër të shenjtë Hierarkë, Fort i përndershëm Igumen i Manastirit të Shenjtë të Faneromenit, atë Nikifor, Etër të nderuar dhe motra të përkushtuara, Të nderuar përfaqesues të autoriteteve, Të dashur pjesëmarrës në konferencë,
Falënderojmë përzemërsisht Mitropolinë e Shenjtë të Lefkadhës dhe të Ithakës, Igumenin dhe vëllazërinë e Manastirit të Shenjtë të Faneromenit për ftesën dhe për kushtimin e Mbledhjes së sivjetshme kujtimit të paraardhësit tonë të lumur, Kryepiskopit Anastas.
Personalisht, gëzohem sa herë që më jepet mundësia të flas për paraardhësin tim të lumur. Dhe dua të rrëfej që në fillim: nuk bëhet fjalë për një paraqitje të ftohtë historike të një personaliteti të shquar kishtar. Bëhet fjalë për një dëshmi mirënjohjeje dhe falënderimi - një dëshmi se si hiri i Perëndisë, kur takon një njeri me besim, guxim, përulësi dhe dashuri apostolike, e shndërron shkretëtirën në kopsht, heshtjen në lavdërim, rrënojat në Kishë të gjallë.
Kisha jonë përjetoi një nga përndjekjet më të egra të historisë së kohëve të reja. Regjimi ateist nuk u mjaftua me kufizimin e jetës fetare; ai deshi diçka më shumë: të shuante kujtimin e Perëndisë nga ndërgjegjja e popullit, duke rrëzuar kisha dhe duke shkëputur breza të tërë nga tradita e shenjtë. Cili ishte rezultati? Kisha të rrënuara, kisha të shndërruara në magazina, palestra, stalla; klerikë të dëbuar e të poshtëruar; manastire të shkretuara; jetë liturgjike që nuk ekzistonte më; dhe njerëz që e mbanin besimin të fshehur brenda vetes, si një flakëz që nuk duhej të dukej.
Regjimi shpalli me mburrje se Shqipëria tashmë ishte “shteti i parë ateist në botë”, duke besuar se kishte zhdukur përfundimisht nga vendi çdo prani dhe shprehje fetare. Por fjala e Zotit, “dyert e hadhit nuk do të kenë fuqi kundër saj” (Mt. 16:18), u tregua më e fuqishme se çdo plan njerëzor dhe çdo përndjekje.
Qindra njerëz që jetojnë ende sot, fëmijë në atë kohë, dëshmojnë kujtime të ngjashme nga shtëpia prindërore: gjyshen ose gjyshin, të tërhequr në ndonjë qoshe, në errësirë ose nën dritën e hënës, duke pëshpëritur fjalë “të pakuptueshme”, duke ndezur fshehurazi një dritëz ose duke nxjerrë diçka nga gjiri e duke e puthur; dhe, nëse rastiste që dikush t'i vinte re, duke u përgjëruar që askujt të mos i thuhej asgjë. Këta njerëz e kishin mbajtur të gjallë brenda vetes shpresën, përmes kujtimeve të tyre të fëmijërisë: kishën, aromën e temjanit dhe të vajit, figurën e priftit. Dhe luteshin fshehurazi, me dhimbje të vërtetë. Shumica nuk jetuan aq sa të provonin gëzimin e rilindjes së Kishës së tyre; por lutjet e tyre ngjiteshin në qiell “si temjan” (Ps. 140:2), temjan erëmirë, dhe Perëndia i gjallë tashmë po përgatiste përgjigjen e Tij.
Një shembull i tillë ishin motrat Marika dhe Dhimitra Cico, në Korçë. Në shtëpinë e tyre, pak besimtarë mblidheshin në mes të natës për Liturgjinë Hyjnore, me dritaret të mbuluara me batanije, rreth një prifti që vinte fshehurazi nga larg: atë Kozma Qirjos, po atij që më vonë do të pagëzonte, fshehurazi, edhe atë që po ju flet. Dymbëdhjetë njerëz ndanin mes tyre njëzet e katër orët, nga dy orë secili, në lutje të pandërprerë, duke i kërkuar Perëndisë që kishat të hapeshin përsëri. Pritën plot njëzet e tre vjet.
Dhe kur lutja e tyre u dëgjua, Perëndia nuk u dhuroi vetëm kisha të hapura; u dhuroi një bari me zell apostolik dhe me zemër atërore. Pas rënies së regjimit, mes realitetit tragjik që përshkruam, ardhja, me përkujdesjen e Kishës Mëmë të Konstandinopojës, e Eksarkut të atëhershëm Patriarkal dhe më pas Kryepiskopit Anastas, në korrik të vitit 1991, nuk pati asgjë triumfale, asgjë pompoze. Vetëm një “Krishti u ngjall!” të thjeshtë, por të ngrohtë e plot entuziazëm, përpara pak njerëzve të varfër, të moshuar e të lodhur, brenda një kishe të vjetër, gjysmë të rrënuar. Nuk kishte ndërtesa madhështore, as programe të organizuara. Por kishte një zemër orthodhokse plot të vërtetë, dashuri dhe bukuri, si dhe një mendje akademike me përvojë e me formim misionar.
Në vitin 1994, kur qëndrimi i Kryepiskopit në vend u kërcënua, motrat Cico organizuan përsëri lutje gjatë gjithë natës, për dyzet ditë. Dhe kur ai u tha se largimi i tij tashmë ishte i mundshëm, ato iu përgjigjën: “Për kaq vite luteshim që të vinte dikush të na donte; dhe tani do të na lini?” Brenda kësaj fraze fshihej e gjithë dhimbja e të krishterëve të Shqipërisë; jo vetëm e atyre që jetonin ende, por edhe e atyre që tashmë i kishin mbyllur sytë duke pritur përmbushjen e shpresës dhe të besimit të tyre. Një klithmë e dhimbshme gjeti zemrën që mund ta dëgjonte, dhe mrekullia ndodhi.
I lumuri Anastas ndjeu se në të dëgjonte vetë dhimbjen e Krishtit dhe thirrjen e Tij për grigjën e Tij të plagosur në Shqipëri. Aty nuk gjeti vetëm thirrjen; gjeti gjithë forcën që i duhej për të sakrifikuar gjithçka - tituj akademikë në Universitetin Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës, poste dhe përgjegjësi drejtuese të rëndësishme e të shquara në Kishën e Greqisë - dhe për ta bërë të pamundurën të mundur, që të qëndronte e t'i shërbente kësaj grigje të sprovuar. Dhe qëndroi. Më vonë, ai vetë e tregonte shpesh frazën e motrave Cico; dhe bashkëpunëtorëve të tij u përsëriste: “Këtu na solli Zoti; duhet t'i duam”.
Nga kjo dashuri e vërtetë baritore lindën qindra kisha, të reja e të restauruara, shkolla, qendra rinore, qendra shëndetësore, bujtina, mensa për të varfrit, por sidomos 150 e më shumë klerikë, të cilët u hirotonisën pas një formimi të plotë theologjik. Por mbi të gjitha ishte rimëkëmbja e ndërgjegjes kishtare. Ishte kthimi i popullit në Liturgjinë Hyjnore, rizbulimi i lutjes, katekizmi i fëmijëve dhe i të rinjve që nuk e kishin dëgjuar kurrë lirisht emrin e Krishtit. Ishte shërimi i frikës. Të rinj që nuk e kishin trashëguar besimin nga prindërit e tyre erdhën të kërkonin Krishtin; dhe priftërinjtë e rinj, shumë prej tyre nga familje që e kishin përjetuar ateizmin, fituan një zell të veçantë për Ungjillin. Kishin etje për Krishtin, sepse e dinin nga përvoja se ç'do të thotë të jetosh pa Atë.
Dhe kjo rilindje nuk u ndal te dera e kishës. Ajo përqafoi njeriun në tërësinë e tij: arsimin dhe rininë, të sëmurin dhe të varfrin, bashkëjetesën paqësore, dialogun me shoqërinë. Asgjë nga këto nuk ishte veprimtari paralele, e huaj për Kishën; ishte, siç e kishte zakon të thoshte ai vetë, “liturgjia pas Liturgjisë”, vazhdimi i veprës së dashurisë në jetën e përditshme. Dhe burimi i të gjithave ishte siguria e Ngjalljes. “Ngjallja e Krishtit”, thoshte ai, “vërteton fitoren e së vërtetës mbi gënjeshtrën, të dashurisë mbi urrejtjen, triumfin e jetës mbi vdekjen”. Këto fjalë nuk përshkruajnë vetëm theologjinë e tij; përshkruajnë vetë rrugëtimin e Kishës sonë: atje ku dukej se kishte mbizotëruar mohimi, u shfaq përsëri besimi; atje ku lutja ishte pëshpërimë, u dëgjua sërish lavdërimi; atje ku kishte zënë vend frika, lindi shpresa.
Kryepiskopi Anastas nuk e paraqiste kurrë veprën si arritje të tijën personale. Sa herë që detyrohej të përmendte diçka, e shoqëronte gjithmonë me falënderim të sinqertë e të ngrohtë ndaj “Perëndisë së dashurisë”, siç thoshte. E shihte si dhuratë të Perëndisë, por edhe si bashkëpunim të shumë njerëzve, si fryt të hirit dhe të mundit të përbashkët. Në një mesazh të Pashkës theksonte se Krishti i Ngjallur nuk është “një spektator i largët, indifferent”, por mbetet “me ne” në të gjitha çastet e vështira të jetës. Kjo bindje shpjegon qëndresën e tij të brendshme. Ai nuk u mbështet në rrethana të favorshme - rrethanat ishin shpesh të vështira. U mbështet në sigurinë se Krishti i prin, e shoqëron dhe e çon drejt përmbushjes veprën e Kishës së Tij.
Ajo shprehje “duhet t'i duam” nuk ishte për të lumurin Anastas një fjalë e çastit. Dashuria nuk ishte për të një ndjenjë e papërcaktuar, as një zbukurim moral; ishte thelbi i qenies së krishterë dhe themeli i çdo misioni të vërtetë. “Biri dhe Fjala e Perëndisë”, shkruante në mesazhin e Krishtlindjes të vitit 2022, “nuk u bë njeri për të na dhënë një teori të përgjithshme e të papërcaktuar për dashurinë, por për ta zbuluar atë duke qëndruar mes nesh”. Sepse “Perëndia është dashuri” (I Jn. 4:16). Prandaj as ai vetë nuk e impononte besimin; përcillte përvojën e takimit me Krishtin e Ngjallur, duke ditur, bashkë me Etërit, se “ai që e ka shijuar, e di” dhe se dëshmia e heshtur e dashurisë, e sakrificës, e faljes flet më fuqishëm se një mijë fjalime.
Kjo dashuri i drejtohej çdo njeriu, pavarësisht prejardhjes, gjuhës apo traditës fetare; dhe prandaj bëhej paqe. “Paqja”, shkruante ai, “nuk është thjesht urim, është dhuratë hyjnore dhe arritje e bashkëveprimit të njeriut me Perëndinë”. Nën udhëheqjen e tij, Kisha e Shqipërisë u bë, brenda një shoqërie të plagosur, një vatër ku punohej për paqen, dhe dëshmoi se besimi orthodhoks nuk lind izolim, por pajtim.
Sot, duke folur për Kryepiskopin e lumur Anastas, nuk idealizojmë një figurë; marrim përsipër përgjegjësi për të ardhmen. Nderimi më i mirë ndaj personit të tij nuk është lavdërimi, por vazhdimi i frymës së tij: unitet, besim, përulësi, punë, dashuri pa kufij, dëshmi paqësore. Jemi të thirrur të jemi të rrënjosur në traditën apostolike dhe të hapur ndaj mundësive të reja që na jep Perëndia; të flasim gjuhën e bashkëkohësve tanë, pa tradhtuar mesazhin e përjetshëm; të jemi të pranishëm në botë, pa qenë prej botës.
Personalisht, si pasues i tij në fronin kryepiskopal, e ndiej thellë përgjegjësinë e kësaj trashëgimie; jo si përgjegjësi pushteti, por si detyrim shërbimi. E mora pagëzimin nga dora e atë Kozma Qirjos, një dorë që doli nga hiri dhe që përfaqëson besimin e Shqipërisë; dhe hirotonitë i mora nga Kryepiskopi Anastas, të cilin ky besim e solli në vendin tonë. I jam mirënjohës Perëndisë.
Ato që u ndërtuan duhen ruajtur; ato që u mbollën duhet të japin fryt. Dhe kjo nuk bëhet me ndjenjën se i mjaftojmë vetvetes, por me pendim, mirënjohje dhe vigjilencë. I lumuri Anastas na tregoi se Kisha rimëkëmbet kur ruan identitetin e saj: kur lutet, kur predikon Krishtin, kur do dhe fal, kur i shërben njeriut që vuan, kur nuk mbyllet në vetvete, por bëhet dritë. “Për aq sa varet prej nesh”, shkruante ai, “le ta lëmë dritën e Ngjalljes të ndriçojë jetën tonë dhe Shpirtin e Shenjtë të na dhurojë qëndresë, durim, shpresë”. Kjo dritë, që dikur ishte një dritëz e ndezur fshehurazi në ndonjë qoshe, ndriçoi mbarë Kishën e Shqipërisë pas dekadash errësire. Jemi të thirrur ta mbajmë të gjallë; jo si një kujtim sentimental, por si frymë kishtare të jetës së përditshme.
Patriarku Ekumenik, Tërëshenjtëria e Tij Vartholomeu, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shqipëri në vitin 1999, tha: “Ju quajmë vërtet të lumur, sepse Kryepiskopi Anastas është dhuratë e Perëndisë për njerëzimin”. Me këto fjalë kaq të ngrohta të Patriarkut Ekumenik, i cili e mbështeti dhe e mbështet Kishën e Shqipërisë që nga fillimi në përpjekjen e saj për rimëkëmbje, bashkojmë edhe ne zërat tanë lavdërues ndaj Perëndisë sonë Triadik. Dhe le t'i lutemi Atij “që mund të bëjë pafundësisht më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë” (Ef. 3:20), që të na bëjë të denjë të vazhdojmë, me përulësi dhe përkushtim, rrugëtimin e Kishës sonë brenda dritës së Ngjalljes.
I përjetshëm kujtimi!
Manastiri i së Tërëshenjtës Faneromeni Lefkadha, Greqi, më 13 tetor 2026
Siç kishte raportuar UGO, Kryepiskopi Joan mbajti një predikim mbi bindjen dhe Ungjillin e Llukait.
Lexo gjithashtu
Rastislav i dhuroi Patriarkut të Gjeorgjisë ikonë me lipsane në Mtskheta
Në fjalën pas liturgjisë për 1700-vjetorin e krishterimit si fe shtetërore, Mitropoliti foli për Shën Ninon dhe Shën Ludmilën.
Athinë, konferencë shkencore për Ortodoksinë në Ukrainë pas luftës
Konferenca organizohet nga Instituti Evropian i së Drejtës Kanonike të Mitropolisë së Peristerit dhe Universiteti i Athinës nën patronazhin e Patriarkanës Ekumenike.
Mitropoliti Nathanail shenjtëroi kishën e Shën Parashqevisë në Terihat
Shërbesën e Shenjtë dhe Liturgjinë Hyjnore në Dropull i drejtoi Mitropoliti i Gjirokastrës, në praninë e klerikëve dhe të besimtarëve.
Dokument i ri hap debat mbi krijimin e Kishës Ortodokse të Ukrainës
Një raport i atribuar ish-dhjakut patriarkal Grigor Frangakis përshkruan negociatat e dhjetorit 2018 në Kiev dhe ndërhyrjen e presidentit Petro Poroshenko.
Presidenti Begaj viziton vendet e shenjta të Vithkuqit në Korçë
Kreu i shtetit u prit nga Mitropoliti i Korçës Anastas në një nga qendrat historike të Orthodhoksisë shqiptare, e njohur për kishat dhe monumentet e saj.
KOU e quan ndalimin e delegacionit të Fanarit në Kiev mbrojtje nga Moska
Peshkopi dhe zëdhënësi Eustrati Zorja ndau një postim që e cilëson kronikën e mitropolitit Grigori “një faqe të denjë” të historisë së KOU-së.