Manastiri i Shën Nikollës në Boboshticë

KIsha qëndrore e Manastirit të Shën Nikollës siç është ditën e sotme. Foto UGO

KIsha qëndrore e Manastirit të Shën Nikollës siç është ditën e sotme. Foto UGO

Foto nga oborri i Manastirit të Vjetër të Shën Nikollës gjatë një kurore, dasme që u zhvillua atje rreth 100 vjet më parë.

Dr. Themistokli Bambulla

Manastiri i Shën Nikollës në Boboshticë, i njohur në të folurën vendëse si Manastiri i Shën Kollit, ka qenë një nga institucionet që lidhën jetën shpirtërore të krahinës së Korçës me organizimin e saj shoqëror dhe ekonomik. Brenda historisë së tij takohen lutja dhe puna, përkujdesja për pelegrinët, ruajtja e dorëshkrimeve, dhurimet e besimtarëve, marrëveshjet ndërmjet komuniteteve dhe përpjekjet për të mbrojtur pronën e përbashkët. Rëndësia e tij kuptohet duke ndjekur këto marrëdhënie në kohë, krahas historisë së ndërtesës.

Burimet që na lejojnë ta rindërtojmë këtë të kaluar janë të natyrave të ndryshme: mbishkrime të kopjuara në kodikë, akte kishtare, shënime për dhuruesit, një raport i vitit 1918, kronika familjare, përshkrime të shekullit XIX dhe studime të mëvonshme. Secili ruan një pjesë të historisë. Krahasimi i tyre nxjerr edhe mospërputhje, veçanërisht në datimin e ndërtimeve dhe të disa ngjarjeve. Ruajtja e këtyre dallimeve është e nevojshme për të kuptuar si është transmetuar kujtesa e manastirit.

Vendndodhja dhe mjedisi historik

Manastiri ndodhej në lindje të Boboshticës, mbi një rrafshinë të ngritur pranë shpatit malor të vargmalit të Moravës, pranë Grykës së Madhe siç quhet vendodhja nga banorët. H. Karmitsi e përshkruan këtë pozicion më 1888, ndërsa André Mazon-i, në studimin e vitit 1936, e vendos përtej përroit që ndante këtë anë nga vendbanimi. Në jug gjendej manastiri tjetër, ai i Fjetjes së Hyjlindëses, në një mjedis të pyllëzuar. Në gjeografinë kishtare të fshatit përfshiheshin edhe kisha të tjera: Shën Joani, Shën Dhimitri, Shën Ilia (Shëndëllia ose Profiti Ilia) dhe një kishë e veçantë e «Shën Nikollës së Poshtme» ku sot ndodhen varrezat. Ky emërtim i fundit kërkon kujdes kur identifikohen dëshmitë për Manastirin e Shën Kollit, sepse jo çdo përmendje e një kishe me këtë emër i përket domosdoshmërisht manastirit.[1]

Përshkrimi i botuar në revistën Pandora më 1867 e vendos Boboshticën rreth një orë në jug të Korçës. Pranë Manastirit të Shën Nikollës, në anën e majtë të rrjedhës ujore, autori shënon themele muresh të mëdha dhe dy hyrje: njërën nga lindja, drejt grykës malore, tjetrën nga perëndimi, drejt fshatit të atëhershëm. Ai mendon se mund të kishin qenë mbetje të një fortifikimi mesjetar. Kjo mbetet një hipotezë e vëzhguesit të shekullit XIX; përshkrimi nuk mjafton për të datuar muret apo për t'i shpallur pjesë të një kështjelle të manastirit.[2] Megjithatë kjo hipotezë ekzison si gojëdhënë tek banorët e vjetër të këtij fshati historik.

I njëjti burim përmend ujëra me squfur në rrëzë të malit: një burim që dilte nga toka, i vakët dhe me shije të hidhur, dhe një tjetër që dilte nga shkëmbi, më i ftohtë dhe me shije më të lehtë. Në dy maja shiheshin mbetje kullash, të cilat autori i konsideronte ndërtime më të reja. Këto hollësi dëshmojnë interesin për të gjithë peizazhin e Boboshticës. Manastiri ishte pjesë e një hapësire me ujëra, pyje, kullota, rrugë dhe gjurmë vendbanimesh të mëparshme, elemente që ndikonin si në jetesën e banorëve, ashtu edhe në ekonominë e tij.[2]

Viti 1450 dhe dëshmitë për fazat e hershme

Dëshmia e botuar më e hershme ndër materialet e shqyrtuara, që jep shprehimisht vitin 1450, gjendet në Revista Pandora, vëllimi XVIII, numri 424, datë 15 nëntor 1867. Artikulli «Περὶ τῆς ἐν Μακεδονίᾳ Κοριτσᾶς», i nënshkruar «Një nga pajtimtarët» i cili në të vërtetë ishte Thimi Mitko dhe i datuar në fund më 6 tetor 1867, përmend Manastirin e Shën Nikollës si të ndërtuar më 1450. Në të njëjtin pasazh thuhet se koha e themelimit të Manastirit të Hyjlindëses nuk dihej. Karmitsi e përsërit vitin 1450 në faqen 58 të Gjeografisë së Korçës dhe të krahinës përreth, botuar më 1888.[3]

Kështu, viti 1450 i përket një tradite historike të dëshmuar në shkrim gjatë shekullit XIX. Burimet e mësipërme nuk botojnë një akt themelimi të shekullit XV dhe as nuk tregojnë qartë prej cilit dokument e morën datën. Për këtë arsye, ajo mund të përdoret si datë themelimi sipas këtyre dëshmive, duke ruajtur dallimin ndërmjet kohës që ato përshkruajnë dhe kohës kur u shkruan.

Një dëshmi tjetër vjen nga dorëshkrimi i ekonomit at Josif, hartuar në Boboshticë më 6/19 maj 1918. Ai shënon një traditë sipas së cilës në fillim kishte ekzistuar një kishë e vogël, e futur në tokë, e krahasuar me katakombet, rreth pesëqind vjet përpara. Ky rrëfim e vendos kujtesën e fillimeve afërsisht në shekullin XV, por nuk përbën vetvetiu një datim arkeologjik.[4]

Dorëshkrimi përshkruan edhe një pllakë të rrumbullakët prej guri, afërsisht një metër në përmasa, me shenja dhe shkronja. Sipas at Josifit, disa specialistë që e kishin parë rreth pesëmbëdhjetë vjet më parë kishin lexuar në të vitin 716 pas Krishtit. Emrat e tyre dhe një botim shkencor i leximit nuk jepen. Kjo e dhënë duhet ruajtur si dëshmi e raportit të vitit 1918, pa u kthyer në provë të themelimit të manastirit në shekullin VIII. Gjithashtu, nuk mund të barazohet pa shqyrtim të mëtejshëm me pllakën e mermerit të datuar më 1686, që përmendet në një linjë tjetër burimesh.[4]

Për kishën e manastirit, Mazon-i jep vitin 1503, në kohën e Episkopit Hariton. Ndërtimi lidhet me ndihmesën e Petro hartofilaksit, të birit të tij Tusha dhe të bashkëshortes Komna. Hartofilaksi ishte një funksionar kishtar i lidhur me ruajtjen dhe administrimin e dokumenteve. Mbishkrimi përkatës ishte zhdukur tashmë përpara vitit 1898, por përmbajtja e tij ishte ruajtur në kodik.[5]

Raporti ndërmjet viteve 1450 dhe 1503 ishte diskutuar edhe në shënime kishtare të vitit 1892, ku ngrihej mundësia që viti i dytë të lidhej me një rindërtim. Kjo është një hipotezë e arsyeshme, por ende jo një përfundim i provuar. Në literaturën shqipe, Andrea Llukani përmend edhe vitin 1501 për një kishë të re. Të dhënat duhen paraqitur me prejardhjen e tyre: 1450 si traditë themelimi në botimet e shekullit XIX, 1503 si datë e transmetuar e mbishkrimit ndërtimor dhe 1501 si variant në literaturën e mëvonshme.[5]

Ndërtime, mikpritje dhe rrjeti i dhuruesve

Historia ndërtimore e manastirit vazhdoi përmes ndërhyrjesh të njëpasnjëshme. Mazon-i përmend Joan Kapa Maren nga Voskopoja, i cili financoi një kullë dhe tri dhoma për pelegrinët, në kohën e igumenit Rafail dhe të Episkopit Kostandios. Ai e vendos këtë ndërhyrje më 1603. Në materialin arkivor të vitit 1892, përkundrazi, del viti 1663, me shpjegimin se ndërtimi ishte bërë njëqind e gjashtëdhjetë vjet pas kishës së vitit 1503. Mospërputhja nuk lejon zgjedhjen e heshtur të njërës datë. Vetë përmbajtja e dëshmisë, sidoqoftë, është e qartë: manastiri kishte marrë ndihmë nga Voskopoja për të zgjeruar mjediset e tij dhe mundësinë e pritjes së vizitorëve.[6]

Tri dhomat e pelegrinëve kanë rëndësi për të kuptuar funksionin e kompleksit. Ato dëshmojnë nevojën për strehim dhe një lidhje të qëndrueshme me besimtarë që vinin nga jashtë fshatit. Kulla, kisha dhe mjediset e pritjes përbënin pjesë të një institucioni me kërkesa të ndryshme: jetë liturgjike, banim dhe mikpritje pasi dhe vendodhja e vetë këtij manastirit ishte në një vendkalim të rëndësishëm të kohës.

Më 1790, Athanas Nastradini nga Vithkuqi ndihmoi në ripunimin e tavanit të kishës, në kohën e igumenit Akaki. Shënimi arkivor i vitit 1892 e lidh të njëjtën ndërhyrje edhe me hierarkun Joasaf. Në tetor 1852, sipas raportit të at Josifit, u zbukuruan kisha, narteksi dhe kambanorja, kur Mitropolit i Korçës ishte Neofiti nga Gjirokastra dhe igumen Ignati nga Dardha. Folja që përdor burimi tregon zbukurim ose përmirësim të mjediseve; ajo nuk justifikon pohimin se të gjitha u ndërtuan nga themelet atë vit.[7]

Raporti i vitit 1918 ruan një shtrirje të gjerë gjeografike të ndihmave për riparimin e manastirit: Nikolicë, Llofkë, Linotop, Samarinë, Kostur, Vithkuq, Voskopojë, Hrupishtë, Empori (Mborje), Korçë, Dardhë, Drenovë, Berat, Kamenicë dhe Boboshticë. Kjo listë tregon se përkujdesja për Shën Nikollën kalonte kufijtë e bashkësisë vendëse. Lidhjet me qendra tregtare e zejtare dhe me vendbanime malore e bënin manastirin pjesë të një hapësire të gjerë besimi dhe shkëmbimi.[7]

Dhurimet ruanin edhe emrat e njerëzve që i kishin kryer. Në një mbishkrim greqisht të shekullit XVIII në murin perëndimor, të përmendur nga Pavel Miljukovi dhe të përcjellë nga Mazon-i, shfaqen emrat Bogdan, Çelko, Vulço dhe Telçe. Në këtë mënyrë, historia e monumentit përfshin krahas hierarkëve edhe besimtarët që kontribuuan për të. Gjuha e mbishkrimit dhe emrat vendës dëshmojnë një mjedis kulturor që nuk shpjegohet duke e kufizuar në një tregues të vetëm gjuhësor.[8]

Kodikët dhe kujtesa liturgjike

Kodikët e manastirit kishin disa funksione njëkohësisht. Ata mbanin emrat e dhuruesve dhe të ktitorëve, kujtesën e igumenëve, shënime për pronat, ndërtime dhe ngjarje të jetës së krahinës. Kodiku i Prothesës kishte veçanërisht lidhje me përkujtimin liturgjik të të gjallëve dhe të të fjeturve. Emri i shkruar në të hynte në kujtesën e lutjes së komunitetit.

At Josifi, më 1918, përmend një kodik me datën 1691. Megjithëse në të njëjtin dorëshkrim flitet për riparimin e manastirit, nuk jepet një lidhje e shprehur që të lejojë datimin e atij riparimi pikërisht më 1691. Data e kodikut dhe ajo e ndërhyrjes ndërtimore duhen mbajtur të dalluara.[9]

Për periudhën 1500–1691, dorëshkrimi rendit ndër ktitorët (ndërtuesit) nga radhët e Mitropolitëve të Korçës Polikarpin, Joasafin, Dionisin, Kozmain dhe Meletin; ndër igumenët hieromonakë përmend Methodin, Theodhosin, Filaretin, Timotheun, Andonin dhe Akakin. Për periudhën 1691–1823, sipas kodikut të ri të Prothesës, jepen Serafimi, Theofani dhe Josifi. Për vitet nga 1823 deri në hartimin e raportit më 1918 përmenden Ignati, Hrisanthi, Genadi dhe papa Kostandini. Këto janë grupe emrash brenda intervaleve të përgjithshme; nuk mund të shndërrohen në një listë me data të sakta individuale shërbimi.[9]

Pas ndërhyrjes së vitit 1852, dorëshkrimi përmend si Mitropolitë dhe mbrojtës të dy manastireve të Boboshticës Filotheun, Kirillin, Anthimin, Gervasi Orologan, Hrisanthin, Fotin (Kalpidin), Gervasi Sarasitin dhe German Anastasiadin, ky i fundit Mitropolit në kohën e hartimit të dokumentit. Lista e vendos historinë e manastirit brenda përkujdesjes së vazhdueshme të Mitropolisë së Korçës.[9]

Heinrich Gelzer-i përshkruan një regjistër me 172 faqe të numëruara, ku ishin kopjuar tekste më të vjetra dhe gjendeshin shënime të viteve 1863–1886. Ai e lidh punën e kopjimit me Ignatin. Për largimin e kodikut të vjetër nga manastiri, Gelzer-i regjistron rrëfime të ndryshme: një murg fliste për marrjen e tij nga Hilferdingu, ndërsa njerëz të Mitropolisë për një blerje prej igumenit. Dëshmitë nuk lejojnë ta paraqesim si të provuar një akuzë vjedhjeje.[10]

Pikërisht kopjimi ndihmoi që të mbijetonin të dhëna të dokumenteve apo mbishkrimeve që më pas humbën. Mazon-i përdori një kopje të kodikut të siguruar nga Stilian Efthimiu. Në paraqitjen e tij, regjistri përfshinte murtajat e viteve 1823 dhe 1837, përmbytjen e Drenovës më 1860 dhe shkatërrimin e pyllit të Boboshticës më 1865, të cilin kronika ua atribuonte banorëve myslimanë të Dvoranit. Shënimi i fundit duhet lexuar si dëshmi e burimit për një konflikt konkret vendës. Në tërësi, këto regjistrime e bëjnë kodikun një burim për sëmundjet, mjedisin dhe marrëdhëniet shoqërore, përveç jetës kishtare.[11]

Në historinë e ruajtjes së kësaj kujtese përfshihet edhe puna e Ilo Mitkë Qafëzezit. Në fondin e tij në Arkivin Qendror Shtetëror ruhet transkriptimi i kodikut të dhaskal Dhimitër Cancos, i përgatitur më 1945. Në shënimin përmbyllës, Qafëzezi saktëson se transkriptimin e kreu në Korçë, nga 20 janari deri më 22 mars 1945, drejtpërdrejt nga origjinali, të cilin e kishte marrë nga arkivi familjar i Theodhor Dh. Cancos. Ky shënim dokumenton një hallkë konkrete të transmetimit të dorëshkrimit, nga ruajtja familjare te përgatitja e një kopjeje për studim. Kodiku i Cancos duhet dalluar nga kodiku i vetë manastirit, edhe kur të dy përmbajnë dëshmi për të njëjtat ngjarje.[28]

Krahas prejardhjes së origjinalit, Qafëzezi shënon edhe gjendjen e tij të paplotë: në fund mungonin fletë dhe një tjetër ishte dëmtuar. Kjo hollësi ka rëndësi për përdorimin historik të kronikës, sepse tregon se teksti i mbërritur nuk përfaqëson domosdoshmërisht të gjithë përmbajtjen e dikurshme. Transkriptimi ruan kështu edhe dëshminë për humbjet materiale të dorëshkrimit. Historia e komunitetit dhe historia e ruajtjes së burimeve të tij ndërthuren në të njëjtin dokument.[29]

Ikonat dhe objektet e shenjta

Një episod me rëndësi për trashëgiminë e manastirit lidhet me ikonën e Shën Gjergjit nga Magula. Pandora tregon se kisha e atjeshme ishte djegur më 1637 dhe se ikona, e shpëtuar nga zjarri, ruhej në Manastirin e Shën Nikollës. Në rrëfim përmendet Makari nga Nikolica. Karmitsi përcjell të njëjtën ngjarje. Në origjinalin e Pandora-s viti lexohet 1637; varianti 1837 në shënime të mëvonshme nuk përputhet me faqen e botuar.[12]

Ky transferim tregon një funksion të rëndësishëm të manastirit: ruajtjen e objekteve të shenjta të një kishe tjetër të dëmtuar. Bashkë me ikonën, ruhej edhe kujtesa e vendit prej nga ajo vinte. Kështu, trashëgimia e Shën Nikollës përfshinte gjurmë të historisë së vendbanimeve përreth.

Miljukovi përmend një vulë të manastirit me datën 1739 dhe dy ikona, të Krishtit dhe të Hyjlindëses, në anët e Derës Mbretërore të ikonostasit, të cilat i konsideronte me prejardhje nga Moska dhe të shekullit XVII. Ai shënon edhe pllakën e mermerit me dy trekëndësha të gdhendur dhe datën 1686. Këto të dhëna, të përcjella nga Mazon-i, dëshmojnë pasurinë e dikurshme të pajisjes liturgjike dhe lidhje që shtriheshin përtej krahinës.[8]

Në raportin e vitit 1918 thuhet se disa ikona mbanin datën 1600 dhe se kishte edhe të tjera të vjetra pa datë. Andrea Llukani, duke iu referuar botimit të mbishkrimeve kishtare të Theofan Popës, përmend një ikonë të Krishtit nga Shën Nikolla, me emrat e dhuruesve Joan Gjoni dhe Angjelina Mihi, të ruajtur sipas atij botimi në muze në Tiranë. Përmendja e Angjelinës është një dëshmi konkrete e pjesëmarrjes së grave në dhurimet kishtare.[13]

Prona, prodhimi dhe përjashtimet fiskale

Jeta e manastirit kërkonte një bazë materiale për mirëmbajtjen e ndërtesave, shërbesat dhe pritjen e pelegrinëve. Regjistrimet që shqyrtoi Gelzer-i përfshinin dhurime të viteve 1676, 1690, 1703, 1709, 1720, 1732 dhe 1739, një shtëpi në fshat, toka e livadhe dhe dhjetë vreshta përreth manastirit.[10]

Një e dhënë veçanërisht domethënëse gjendet në Pandora: më 1867 Shën Nikolla zotëronte, krahas pasurive të tjera, një punishte për shajak dhe pëlhura të tjera leshi. Kjo e vendos manastirin brenda ekonomisë prodhuese të krahinës. Nuk disponohen këtu të dhëna për numrin e punëtorëve, pajisjet apo të ardhurat, prandaj përmasat e aktivitetit nuk mund të përcaktohen. Megjithatë, vetë ekzistenca e punishtes tregon lidhjen ndërmjet pasurisë monastike dhe përpunimit zejtar të prodhimeve blegtorale.[14]

Për të kuptuar statusin e pronave duhet pasur parasysh historia e vakëfit të Iljaz bej Mirahorit. Studimi i Eduart Cakës mbi vakëfet e Korçës përfshin Boboshticën ndër vendbanimet e përmendura në vakëfnamenë e vitit 1505. Kjo e vendos fshatin brenda një sistemi të të ardhurave dhe detyrimeve që kishte vijimësi të gjatë gjatë periudhës osmane.[15]

Sipas Pandora-s, banorët kishin siguruar për dy manastiret një përjashtim fiskal, kundrejt një detyrimi vjetor në vaj dhe mjaltë. Teksti përmend katërmbëdhjetë okë vaj dhe po aq mjaltë në lidhje me të dy manastiret; Mazon-i e paraqet detyrimin për secilin veçmas. Dallimi nuk duhet fshirë duke bashkuar versionet. Pandora thotë se përjashtimi zgjati deri më 1840, kur manastiret iu nënshtruan taksimit të përgjithshëm.[14]

I njëjti artikull pohon se Boboshtica kishte pasur 445 familje në kohën e Mirahorit, duke iu referuar një regjistri që thuhej se ruhej në Kostandinopojë. Karmitsi jep numrin 450, të cilin e përcjell edhe Mazon-i. Këto shifra janë dëshmi të botimeve për madhësinë e dikurshme të vendbanimit; pa regjistrin përkatës nuk mund të trajtohen si një numërim i kontrolluar drejtpërdrejt.[14]

Prona, detyrimet në prodhime, dhurimet dhe punishtja tregojnë se jeta shpirtërore e manastirit mbështetej në marrëdhënie konkrete me ekonominë vendëse. Kjo ndihmon të kuptohet edhe përse ndryshimet në administrimin e tokës dhe të taksave preknin drejtpërdrejt aftësinë e tij për të përmbushur shërbimin ndaj bashkësisë.

Nga zgjedhja kishtare e vitit 1709 te marrëveshja e vitit 1728

Në fillim të shekullit XVIII, Shën Nikolla shfaqet si vend takimesh me rëndësi për jetën kishtare të krahinës. Më 4 qershor 1709, sipas dëshmisë së botuar nga Evllogj Kurrila, në manastir u zgjodh Joasafi, për fronin e Korçës dhe Selasforit. Dokumentacioni i botuar nga Kallinik Delikanisi dëshmon kalimin e tij në Korçë në qershor të atij viti. Mazon-i e lidh të njëjtën periudhë me statusin stavropigjik të manastirit dhe varësinë e të ardhurave të tij nga Kryepiskopata e Ohrit.[16]

Zgjedhja e këtij vendi për një sinod kishtar të tillë dëshmon pozitën e tij institucionale. Lidhja stavropigjike e vendoste në një marrëdhënie të posaçme me autoritetin kryepiskopal. Joasafi u bë më vonë Kryepiskop i Ohrit dhe shfaqet në këtë cilësi në dokumentin e vitit 1728.

Më 24 qershor 1728, përfaqësues të bashkësive të vakëfit u mblodhën në Boboshticë, në manastir sipas traditës dokumentare të përcjellë nga Mazon-i. Marrëveshja, e ruajtur në Kodikun e Madh të Mitropolisë së Korçës, përmend Korçën, Vithkuqin, Boboshticën dhe fshatra të tjera të vogla të vakëfit. Në të marrin pjesë klerikë, priftërinj, pleq të bashkësive, tregtarë dhe esnafe. Akti konfirmohet nga Joasafi i Ohrit dhe Hrisanthi i Kosturit.[17]

Pjesëmarrësit shprehen se mosmarrëveshjet ndërmjet voskopojarëve i kishin ngarkuar me shpenzime të mëdha dhe kërkojnë të veprojnë të ndarë nga organizimi i quajtur në tekst «vilajet», sipas një ndarjeje që pohonin se njihej edhe nga pushteti perandorak. Ata parashikojnë madje ardhjen e një përfaqësuesi të këtij pushteti për mbikëqyrjen e çështjeve të tyre. Kërkesa, pra, duhet lexuar brenda rendit administrativ osman; ajo nuk ishte shpallje pavarësie politike.[17]

Dokumenti përcakton një rrugë për zgjidhjen e konflikteve. Mosmarrëveshjet duhej t'u paraqiteshin fillimisht krerëve të bashkësisë. Nëse zgjidhja nuk arrihej, mund të kërkohej gjykim jashtë saj me dijeninë dhe pëlqimin e komunitetit. Dënoheshin ndërhyrjet individuale dhe sigurimi i fermaneve pa miratim të përbashkët, kur këto krijonin çrregullime ose dëmtonin të tjerët. Përfaqësuesit e dërguar për çështjet e përbashkëta detyroheshin të ndiqnin porositë e bashkësisë.[17]

Po aq e rëndësishme ishte ndarja e barrës financiare. Shpenzimet e autorizuara do të përballoheshin bashkërisht; akti përfshin edhe detyrimet që lidheshin me Boboshticën. Në fund kërkohet që drejtuesit të punojnë me drejtësi dhe të mos lejojnë dëmtimin e askujt. Regjistrimi i shumave të paligjshme në defterë, në dëm të të varfërve, dënohet me një formulë të rëndë kishtare. Kështu, kontabiliteti i komunitetit vendosej edhe nën përgjegjësi morale.[17]

Marrëveshja dëshmon një përpjekje për vetorganizim, kontroll të përfaqësuesve dhe mbrojtje të pjesëtarëve më të dobët. Roli i manastirit si vend takimi merr kuptim brenda kësaj kulture të bashkësisë, ku autoriteti kishtar dhe përfaqësimi i banorëve bashkëpunonin për çështje që shkonin përtej administrimit të një kishe.

Ignati nga Dardha: shërbimi shpirtëror dhe ruajtja e dorëshkrimeve

Ndër figurat e shekullit XIX, hieromonaku Ignati nga Dardha zë një vend të veçantë. Kronika e ruajtur në arkivin familjar Manço shënon se ai erdhi si murg në Manastirin e Shën Nikollës më 1822. Raporti i vitit 1918 e përfshin ndër igumenët e periudhës që fillon më 1823. Këto të dhëna mund të lidhen me ardhjen dhe me përfshirjen në drejtimin e manastirit, por nuk japin një akt të datuar emërimi.[18]

Spiro N. Zengo tregon se Ignati kishte qenë hierodiakon i Polikarpit nga Dardha, Mitropolit i Larisës, i ekzekutuar më 1821. Më pas shërbeu në Boboshticë si igumen dhe atë shpirtëror. Zengo jep edhe një lidhje personale: prindërit e tij rrëfeheshin tek Ignati. Kjo e afron figurën e tij me jetën e familjeve dhe me shërbimin baritor të manastirit.[19]

Teksti i fjalimit mortor kushtuar Ignatit, i ruajtur në transkriptimin e Qafëzezit, plotëson këto dëshmi me hollësi për prejardhjen dhe formimin e tij. Sipas rrëfimit, ai lindi në Dardhë më 1793, në familjen e priftit Pavli dhe të priftëreshës Joana. Mësimet në gjuhën greke i mori në vendlindje, ku dallohej për aftësinë për të nxënë. Formimi i igumenit të ardhshëm lidhej kështu me mjedisin familjar kishtar dhe me jetën arsimore të Dardhës. Në fjalimin mortor, Ignati përkujtohet si atë shpirtëror dhe si drejtues që ishte përkujdesur vazhdimisht për përparimin e Manastirit të Shën Nikollës.[30]

Ignati la një jetëshkrim të Polikarpit, të ruajtur në bibliotekën e manastirit. Më 1899, Vasil Naçi, atëherë mësues në Boboshticë, e gjeti dhe e kopjoi dorëshkrimin. Kopja humbi pasi iu huazua një miku. Më 1905, protopresviteri Ilia Ksera bëri një kopjim tjetër të origjinalit, që ndihmoi në përgatitjen e botimit të vitit 1927. Kjo histori e vogël e transmetimit tregon sa rëndësi kishin biblioteka e manastirit dhe puna e klerikëve e mësuesve për shpëtimin e teksteve.[19]

Për fundin e jetës së Ignatit, një e dhënë më e saktë se kujtimet e përafërta është fjalimi mortor i Dhimitër Cancos, i regjistruar nga Mazon-i me datën 15 shkurt 1882. Data i përket ceremonisë mortore; ajo nuk duhet shndërruar pa provë në datën e saktë të vdekjes. Megjithatë, pengon pranimin pa shqyrtim të varianteve që e vendosin Ignatin ende gjallë në mesin e viteve 1880.[20]

Manastiri dhe përpjekjet për shpengimin e Boboshticës

Veprimtaria e Ignatit duhet parë edhe në kushtet e historisë së pronësisë së fshatit. Për kalimin e Boboshticës në zotërimin e Ali Pashës më 1817 burimet japin shifra të ndryshme: Mazon-i përmend 90.000 grosh, ndërsa kronika familjare Manço 80.000. Sipas kronikës, vetëm 30.000 u dhanë në para, kurse 50.000 u llogaritën si shlyerje detyrimesh. Pas rënies së Ali Pashës, fshati u trajtua si pronë perandorake, imllak; kronika përshkruan vuajtjet e banorëve nga administrimi dhe mbledhja e të ardhurave.[21]

Të drejtat e lidhura me vakëfin, zotërimi i Ali Pashës dhe administrimi perandorak nuk duhen paraqitur si kategori gjithmonë të thjeshta e pa mbivendosje. Burimet ndjekin herë pronësinë, herë të ardhurat dhe herë detyrimet. Për banorët, pasoja konkrete ishte pasiguria mbi tokën dhe barra që duhej përballuar për ta shpenguar atë.

Pas përpjekjeve të mëparshme, më 21 tetor 1874 u miratua një marrëveshje e hollësishme, e konfirmuar nga Mitropoliti Dhorothe Evelpidi. Igumeni i Shën Nikollës, Ignati, dhe igumeni i Manastirit të Hyjlindëses, Timotheu, u caktuan bashkë me Kristo Milecin dhe Nikollaq Koçiun për të mbikëqyrur një projekt kultivimi të përbashkët. Parashikohej punimi i 150 stremmave tokë, të dhëna në përkthimin e kronikës si dynymë, nga banorët gjatë të dielave dhe festave. Prodhimi do të përdorej për tre vjet për shpengimin e fshatit dhe më pas për mirëmbajtjen e përparimin e institucioneve të përbashkëta.[22]

Plani përfshinte ndarjen e pagesave sipas mundësive ekonomike, një komision tetëanëtarësh për çështjet e pronës, ndihmat e boboshtarëve në Vllahi, mbledhjen e fondeve dhe një llotari. Parashikohej shpërndarja e biletave në Korçë, qytete të afërta, Kostandinopojë, Bukuresht e gjetkë. Nikollaq Çapari dhe Grigor Themeli do të kërkonin ndihma në Vllahi dhe, po të ishte e nevojshme, do të siguronin hua në Bukuresht. Veprimtaria komunitare mbështetej kështu te marrëdhëniet me mërgimtarët dhe te bashkëpunimi i klerikëve me përfaqësuesit laikë.[22]

Kronika ruan edhe një shembull të pjesëmarrjes së Ignatit në punë publike: dy lira osmane të dhuruara nga Nikollaq Joan Gjerasi për një urë kaluan përmes tij. Shuma është modeste krahasuar me koston e shpengimit, por dëshmon besimin që i jepej igumenit si ndërmjetës i ndihmës për nevojat e përbashkëta.[22]

Megjithatë, marrëveshja e vitit 1874 nuk u zbatua siç ishte menduar. Kronika shpjegon se banorët kundërshtuan ndarjen në klasa ekonomike dhe punën e përbashkët gjatë të dielave e festave. Komisioni mbeti i pafuqishëm për të zbatuar vendimet; biletat e llotarisë mbetën të papërdorura në Selanik, Kostandinopojë e Bukuresht, ndonëse ishin shpenzuar 500 grosh për një hartë topografike.[23]

Pagesat, të nisura më 15 gusht 1874, përfunduan sipas kronikës vetëm më 15 mars 1879. Përgjegjësia e përbashkët për detyrimin solli arrestime edhe të banorëve që pohonin se e kishin paguar pjesën e tyre. Burimi flet për grupe prej njëzet deri në dyzet vetash të burgosur. Huatë e reja dhe interesat e zgjatën barrën: ndër shembujt përmenden 160 lira nga Sotir Nestori dhe 200 lira nga Petro Kunxho, këto të fundit të shlyera me interes 12 për qind.[23]

Çmimi i përcaktuar ishte 6.555 lira osmane, ndërsa llogaria arrinte rreth 7.001 lira me shtesat e regjistruara. Kronika saktëson se kjo nuk përfshinte të gjitha interesat ndaj huadhënësve privatë. Përfundimi i pagesave më 1879 është më i hollësishëm se datimi i përafërt rreth vitit 1876 te Mazon-i.[23]

Kjo histori ndriçon rolin e manastirit pa e shkëputur nga vështirësitë e shoqërisë ku vepronte. Igumeni mori pjesë në hartimin dhe mbikëqyrjen e një zgjidhjeje; zbatimi varej nga pajtimi i banorëve, mundësitë e tyre ekonomike dhe presioni i kreditorëve e i administratës. Autoriteti moral i klerit ishte i rëndësishëm, por nuk i shfuqizonte këto pengesa.

Pelegrinazhi, arsimi dhe kultura e shkruar

Karmitsi shënon se panairi i Shën Nikollës mbahej më 20 maj dhe mblidhte shumë njerëz nga Korça. Mazon-i e paraqet pelegrinazhin e kësaj date, krahas atij të 15 gushtit te Manastiri i Hyjlindëses, si pjesë të jetës së përvitshme të fshatit. Në kohë më të hershme vinin edhe besimtarë nga Ohri, Manastiri dhe Prilepi. Këto dëshmi tregojnë rrezen e ndikimit të vendeve të shenjta të Boboshticës dhe shpjegojnë nevojën për mjedise pritjeje.[24]

Pelegrinazhi e lidhte kalendarin liturgjik me ritmin shoqëror të krahinës. Për banorët dhe të larguarit, kthimi në festë krijonte një vazhdimësi marrëdhëniesh me vendlindjen. Për manastirin, ardhja e besimtarëve nënkuptonte shërbim, mikpritje dhe mbështetje materiale. Burimet nuk japin llogari të plota të panairit, por dëshmojnë një veprimtari që e nxirrte Shën Nikollën përtej rolit të një vendi lutjeje vetëm për fshatin.

Boboshtica kishte një kulturë të shkruar ku greqishtja përdorej në jetën kishtare, në shkollë dhe në dokumente, ndërsa të folmet vendëse jetonin në komunikimin e përditshëm. Dhimitër Cancoja, mësues dhe kronikan, është një figurë e rëndësishme e këtij mjedisi. Mazon-i botoi e studioi materiale që lejojnë të shihet bashkëjetesa e traditës së shkruar greke me të folmen sllave vendëse.[25]

Një dorëshkrim ungjillor prej 47 fletësh, me të folmen vendëse të shkruar me shkronja greke, lidhet me Cancon dhe at Theodhor Ikonomon. Sipas Mazon-it, ai përdorej në kishën e Manastirit të Hyjlindëses dhe në Shën Nikollën e Poshtëm, sot varrezat. Kjo hollësi nuk duhet transferuar te Manastiri i Shën Nikollës. Ajo ka vlerë për të kuptuar mjedisin e përbashkët kulturor të Boboshticës, ku përpjekja për kuptimin e tekstit liturgjik bashkëjetonte me traditën e arsimit greqisht.[25]

Vlera kulturore e manastirit, ndërkaq, dëshmohet drejtpërdrejt nga kodikët, biblioteka, kopjimi i jetëshkrimit të Polikarpit, mbishkrimet dhe ruajtja e ikonave. Këto të dhëna janë më të forta se një pohim i përgjithshëm për veprimtari arsimore brenda tij, për të cilën do të nevojitej dokumentacion i posaçëm.

Shekulli XX: administrimi, goditja dhe rikthimi i jetës kishtare

Dokumentacioni i shekullit XX e vendos historinë e manastireve të Boboshticës përballë ndryshimeve të pronësisë dhe kontrollit shtetëror. Në trajtimin e reformës agrare të vitit 1945, Artan R. Hoxha përmend një manastir të Boboshticës që përdorte 86 stremma tokë, ndërsa pjesën tjetër e punonin banorët pa pagesë për manastirin. Meqë në fragmentin përkatës nuk saktësohet cili prej dy manastireve ishte, shifra nuk mund t'i caktohet drejtpërdrejt Shën Nikollës. Ajo ilustron, sidoqoftë, ndryshimin e marrëdhënieve ndërmjet tokës së manastirit dhe përdorimit të saj nga banorët.[26]

Një shkresë e vitit 1949 në fondin e Mitropolisë së Korçës ngre shqetësime për përdorimin e pasurisë nga komisionet administruese të manastireve dhe kërkon masa. Ajo dëshmon ekzistencën e një problemi të raportuar administrativ; akuza e shprehur në dokument nuk mund të merret vetvetiu si një përfundim i verifikuar për çdo përgjegjës.[26]

Në materialet buxhetore për vitin 1965, manastiret e Boboshticës dhe të Voskopojës përmenden në lidhje me rritjen e kontributeve mujore. Kjo tregon se institucionet monastike vazhdonin të përfshiheshin në mbulimin e nevojave të administratës kishtare, edhe në kushtet e vështirësive financiare. Formulimi i dokumentit nuk lejon ndarjen e shumës për secilin nga dy manastiret e Boboshticës.[26]

Për dhunimin e objekteve të shenjta më 1967, Thoma Shkira përcjell një ngjarje nga vizita e Theofan Popës dhe shoferit Ilia Nemçe në Kishën e Shën Kollit në Boboshticë. Ata gjetën të shpërndara pjesë lipsanesh nga altari, të hedhura gjatë shkatërrimit. Dëshmia tregon dëmtimin e vetë jetës së shenjtë të kishës, përtej humbjes së ndërtesës dhe të pajisjeve , objekteve brenda saj..[27]

Megjithatë sot, janë të gjallë dëshmitarët e kthimit të Manastirit të Shenjtë të Shën Kollit në stalla dhe përdorimin e mjediseve të tjera të tij si magazina. Mulliri ishte e vetmja pjesë e cila u ruajt për përdorim nga kooperativat bujqësore gjatë monizmit.

Dhomat e Manastirit, të përdorura nga kooperativa bujqësore e fshatit për depo.

Dëshmi për mrekulli të ndyshme të kryera në këtë manastir gjenden lehtësisht për të gjitha periudhat në gojëdhënat dhe traditat e banorëve të fshatit.

Manastiri i Shën Nikollës ka lënë gjurmë në disa shtresa të historisë së vendit: në kujtesën e themelimit më 1450, në mbishkrimet ndërtimore, në lidhjet me Ohrin dhe Korçën, në marrëveshjet e komuniteteve, në punën prodhuese dhe në përpjekjet për mbrojtjen e tokës. Kodikët dhe objektet e shenjta ruajtën emra, ngjarje dhe marrëdhënie që përndryshe do të ishin humbur. Kjo trashëgimi e bën historinë e tij një pjesë të domosdoshme të historisë shoqërore dhe kulturore të Boboshticës e të krahinës së Korçës.

Shënime dhe referenca

  1. H. Karmitsi, Γεωγραφία τῆς Κορυτσᾶς καὶ τῆς περιοικίδος, Selanik, 1888, f. 58; André Mazon, Documents, contes et chansons slaves de l'Albanie du Sud, Paris, 1936, f. 2–3. Dallimi i manastirit nga «Sv. Nikola dolni» jepet shprehimisht nga Mazon-i.
  1. «Περὶ τῆς ἐν Μακεδονίᾳ Κοριτσᾶς», Πανδώρα, XVIII, nr. 424, 15 nëntor 1867, f. 318–319, sidomos f. 319. Për fortifikimin ruhet karakteri hipotetik i përshkrimit.
  1. Πανδώρα, po aty, f. 318 dhe nënshkrimi në f. 320; Karmitsi, f. 58. Autori i artikullit në Pandora nuk identifikohet me emër: nënshkrimi është «Εἷς τῶν συνδρομητῶν».
  1. Arkivi Qendror Shtetëror (më poshtë AQSH), F. 141, Mitropolia e Korçës, VII-417, fl. 1–2, raporti i ekonomit at Josif, 6/19 maj 1918. Teksti thotë «rreth 500 vjet», jo 600. Leximi 716 pas Krishtit jepet si rrëfim për një shqyrtim të mëparshëm, pa emra specialistësh apo botim të identifikuar.
  1. Mazon, f. 6–7; Heinrich Gelzer, «Der wiederaufgefundene Kodex des hl. Klemens…», 1903, f. 80–81; AQSH, F. 141, Organizim-Kuadri, V. 1892, D. 166, fl. 32. Për variantin 1501: Andrea Llukani, Mitropolia e Korçës, Tiranë, 2020, f. 83.
  1. Mazon, f. 7; AQSH, F. 141, V. 1892, D. 166, fl. 32. Në transmetimin e botuar nga Gelzer-i, f. 80, bashkëjetojnë intervali 160-vjeçar dhe datimi 1603 në koment; 1503 + 160 jep 1663. Kjo mospërputhje kërkon kontroll të dorëshkrimit dhe nuk zgjidhet vetëm duke përsëritur datën e literaturës dytësore.
  1. Mazon, f. 7; AQSH, F. 141, V. 1892, D. 166, fl. 32.1; raporti VII-417, fl. 1–2. Në listën e dhuruesve janë ruajtur edhe Lofka, Hrupishta dhe Empori, që shpesh lihen jashtë përmbledhjeve.
  1. Mazon, f. 7, shën. 2, duke iu referuar Pavel Miljukovit, Izvestija të Institutit Arkeologjik Rus në Kostandinopojë, IV/1, Sofje, 1899, f. 76, 78–79. Të dhënat e Miljukovit përdoren këtu sipas përcjelljes së Mazon-it.
  1. AQSH, F. 141, VII-417, fl. 1–2. Listat janë përmbledhëse; nuk japin vite individuale shërbimi dhe nuk përjashtojnë emra që dalin në dëshmi të tjera.
  1. Gelzer, «Der wiederaufgefundene Kodex…», f. 78–81. Përshkrimi i regjistrit dhe njoftimet mbi largimin e dorëshkrimit duhen dalluar nga përfundimet e autorit për kronologjinë e Ignatit.
  1. Mazon, f. 5, 7. Kodiku i manastirit, Kodiku i Madh i Mitropolisë, regjistri i Prothesës dhe kronika familjare Manço janë burime të veçanta dhe nuk trajtohen si një dorëshkrim i vetëm.
  1. Πανδώρα, XVIII, nr. 424, f. 319; Karmitsi, f. 58. Viti 1637 është kontrolluar në faqen origjinale të revistës.
  1. AQSH, F. 141, VII-417, fl. 2; Llukani, Mitropolia e Korçës, f. 83, me referim te Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, 1998, nr. 507, f. 214–215. Botimi i Popës citohet përmes Llukani-t.
  1. Πανδώρα, f. 318–319; Karmitsi, f. 58–59; Mazon, f. 3, 8–9. Për vajin dhe mjaltin ruhen formulimet e ndryshme të burimeve. Nuk është bërë kthim i okës historike në kilogramë.
  1. Eduart Caka, «Të dhëna mbi disa vakëfe kryesore të qytetit të Korçës gjatë periudhës osmane (shek. XVI–XIX)», Studime Historike, nr. 1–2, 2017, f. 83–99, sidomos f. 90–91.
  1. Eulogj Kurrila, Γρηγόριος ὁ Ἀργυροκαστρίτης, Athinë, 1935, f. 119; Kallinik Delikanis, Τὰ ἐν τοῖς κώδιξι τοῦ Πατριαρχικοῦ Ἀρχειοφυλακείου σωζόμενα ἐπίσημα ἐκκλησιαστικὰ ἔγγραφα, vëll. III, Kostandinopojë, 1905, f. 859; Mazon, f. 7. Këto dëshmi kanë të bëjnë me zgjedhjen në Korçë më 1709; nuk duhen ngatërruar me datat e mëvonshme të ngritjes së Joasafit në fronin e Ohrit.
  1. AQSH, F. 141, D. 622, V. 1572–1941, Kodiku i Madh i Korçës, fl. 87, marrëveshja e 24 qershorit 1728; Mazon, f. 7. Titulli i Joasafit në akt është i Ohrit. Termi «χανέδες» në pjesën për Boboshticën nuk është përkthyer si hane bujtjeje; pasazhi trajton barrë dhe përgjegjësi të përbashkëta.
  1. Arkivi familjar Manço, Boboshticë, kronikë/defter i shekullit XIX, transkriptimi i vënë në dispozicion, f. 16; AQSH, F. 141, VII-417, fl. 2. Numrat e faqeve të kronikës në këto referenca janë të transkriptimit, jo numërim i pretenduar i fletëve origjinale.
  1. Spiro N. Zegko, Βιογραφία Πολυκάρπου τοῦ Δαρδαίου Μητροπολίτου Λαρίσης…, Athinë, 1927, f. 14–15. Kopja e vitit 1899 dhe ajo e vitit 1905 duhen dalluar; jetëshkrimi në prozë i lidhur me Ignatin nuk duhet ngatërruar me variantin në vargje të Sotir Anast. Natsit.
  1. Mazon, f. 386: fjalimi mortor për «hieromonakun dhe atin shpirtëror Ignati», 15 shkurt 1882. Ky është treguesi i përdorur këtu për kufirin e fundit të jetës së tij.
  1. Kronika Manço, transkriptimi, f. 13–16; Mazon, f. 7–9. Shifrat 80.000 dhe 90.000 grosh janë variante burimore. Kronika përshkruan edhe episode presioni mbi kullotat pranë manastirit përpara shitjes.
  1. Kronika Manço, f. 44, 46–52. Nënshkruesit e marrëveshjes së 21 tetorit 1874 janë: Ignati, Timotheu, prifti sakellar Naumi, Evthim Meliu, prifti Theodhor Kostiu, Nikollaq S. Gjermani, Kristo Miliu, Themeli N. Çamu, Kristo Z. Gjermani, Dhimitër Th. Canco, Stefan Vangjeli, Nikollaq Koçiu dhe Mitropoliti Dorotheos Evelpidis. Njësia historike e sipërfaqes nuk është kthyer në metra katrorë.
  1. Kronika Manço, f. 52–56; krahaso Mazon, f. 8–9. Në transkriptimin e llogarisë shfaqet një mospërputhje mes përqindjes së shkruar dhe shumës së tarifës; për këtë arsye artikulli ruan shumën e përgjithshme dhe nuk përsërit një përqindje të pasaktësuar. Totali i regjistruar është 7.001 lira e 17 grosh; teksti pasues e rrumbullakos në 7.000 dhe lë jashtë interesa të tjera private.
  1. Karmitsi, f. 58; Mazon, f. 3. Data 20 maj është riprodhuar sipas burimeve, pa një konvertim kalendarik të pasqaruar prej tyre.
  1. Mazon, f. 4–5, 11–13, 382–386. Dorëshkrimi ungjillor lidhet me Manastirin e Hyjlindëses dhe Shën Nikollën e Poshtme; nuk përdoret si provë për përdorim të tij në manastirin që është objekt i këtij artikulli.
  1. Artan R. Hoxha, Kisha ortodokse nën komunizëm: KOASH-i dhe regjimi diktatorial shqiptar, 1945–1967, Tiranë, 2017, f. 67–74; AQSH, F. 141, Organizim-Kuadri, V. 1949, D. 691, fl. 1; AQSH, F. 490, Këshilli i Ministrave, V. 1965, D. 1006, fl. 49. Formulimet kolektive për manastiret e Boboshticës nuk lejojnë nxjerrjen e një bilanci të veçantë për Shën Nikollën. Procesverbali i dorëzimit të vitit 1967, F. 141, D. 1316, fl. 2, i riprodhuar në materialet e shqyrtuara, mban emrin e Shën Kollit të Kamenicës dhe nuk është përdorur si inventar i Boboshticës.
  1. Thoma Shkira, Bashkësia Ortodokse dhe Shteti Komunist Shqiptar (1944–1990), Tiranë, 2022, f. 176.
  1. AQSH, F. 426, Ilo Mitkë Qafëzezi, Kodiku Dhaskal Dhimitër Canco Boboshtari — 1874, transkriptim i vitit 1945, shënimi përmbyllës, f. 81 e skedarit PDF të konsultuar. Në ballinë shënohet nr. 48; ky numër nuk është trajtuar këtu si numër dosjeje arkivore. Referencat e kësaj kopjeje jepen sipas faqeve të skedarit, jo sipas një numërimi të hamendësuar arkivor.
  1. Po aty, f. 81 e skedarit PDF, shënimi i Qafëzezit mbi mungesat dhe dëmtimet e origjinalit.
  1. Po aty, pjesa «Ὁ ἡγούμενος Ἰγνάτιος», fjalimi mortor dhe të dhënat biografike, f. 60 e skedarit PDF. Të dhënat për prejardhjen dhe arsimimin dallohen nga kronologjia e fundit të jetës, për të cilën leximi i datave në kopje kërkon kujdes të mëtejshëm.

Bibliografi

Burime arkivore dhe dorëshkrimore

  1. Arkivi Qendror Shtetëror, F. 141, Mitropolia e Korçës, VII-417, fl. 1–2. Raport i ekonomit at Josif për Manastirin e Shën Nikollës në Boboshticë, 6/19 maj 1918.
  1. AQSH, F. 141, Organizim-Kuadri, V. 1892, D. 166, fl. 32–32.1. Shënime për hierarkët dhe të dhënat e kodikut të Manastirit të Shën Nikollës.
  1. AQSH, F. 141, D. 622, V. 1572–1941, Kodiku i Madh i Korçës, fl. 87. Marrëveshja komunitare e 24 qershorit 1728.
  1. AQSH, F. 141, Organizim-Kuadri, V. 1949, D. 691, fl. 1. Shkresë mbi administrimin e pasurisë së manastireve të Boboshticës.
  1. AQSH, F. 490, Këshilli i Ministrave, V. 1965, D. 1006, fl. 49. Materiale buxhetore për kontributet kishtare dhe monastike.
  1. Arkivi familjar Manço, Boboshticë. Kronikë/defter i shekullit XIX mbi historinë e fshatit, shpengimin nga imllaku dhe administrimin komunitar. Përdorur sipas transkriptimit të vënë në dispozicion, sidomos f. 13–16, 44, 46–56.
  1. AQSH, F. 426, Ilo Mitkë Qafëzezi. Kodiku Dhaskal Dhimitër Canco Boboshtari — 1874. Transkriptim nga origjinali i ruajtur në arkivin familjar të Theodhor Dh. Cancos, përgatitur në Korçë, 20 janar–22 mars 1945. Veçanërisht f. 60 dhe 81 të kopjes digjitale të konsultuar.

Botime burimore dhe studime

  1. «Εἷς τῶν συνδρομητῶν» [«Një nga pajtimtarët»]. «Περὶ τῆς ἐν Μακεδονίᾳ Κοριτσᾶς». Πανδώρα, vëll. XVIII, nr. 424, 15 nëntor 1867, f. 318–320. Artikulli mban në fund datën 6 tetor 1867.
  1. Καρμίτσης, Χ. [Karmitsi, H.]. Γεωγραφία τῆς Κορυτσᾶς καὶ τῆς περιοικίδος. Selanik: Τυπογραφεῖον «Ἡ Μακεδονία», 1888, sidomos f. 58–59.
  1. Gelzer, Heinrich. «Der wiederaufgefundene Kodex des hl. Klemens und andere auf den Patriarchat Achrida bezügliche Urkundensammlungen». Berichte über die Verhandlungen der Königlich Sächsischen Gesellschaft der Wissenschaften zu Leipzig, Philologisch-Historische Klasse, vëll. 55, 1903, f. 41–110, sidomos f. 78–81. Kopje digjitale e vëllimit.
  1. Δελικάνης, Καλλίνικος [Delikanis, Kallinik]. Τὰ ἐν τοῖς κώδιξι τοῦ Πατριαρχικοῦ Ἀρχειοφυλακείου σωζόμενα ἐπίσημα ἐκκλησιαστικὰ ἔγγραφα, vëll. III. Kostandinopojë: Shtypshkronja Patriarkale, 1905, f. 859.
  1. Ζέγκος, Σπύρος Ν. [Zegko, Spiro N.]. Βιογραφία Πολυκάρπου τοῦ Δαρδαίου Μητροπολίτου Λαρίσης καρατομηθέντος ὑπὸ τοῦ Μαχμοὺτ-Πασᾶ τῷ 1821. Σύντομος περιγραφὴ τῆς Δάρδας μετὰ εἰκόνων. Athinë: I. Vartsos, 1927, sidomos f. 14–15.
  1. Κουρίλας, Εὐλόγιος [Kurrila, Eulogj]. Γρηγόριος ὁ Ἀργυροκαστρίτης. Athinë: «Φοίνιξ», 1935, f. 119.
  1. Mazon, André. Documents, contes et chansons slaves de l'Albanie du Sud. Bibliothèque d'études balkaniques, V. Paris: Librairie Droz, 1936, sidomos f. 1–13 dhe 382–386.
  1. Popa, Theofan. Mbishkrime të kishave në Shqipëri. Tiranë, 1998. Për ikonën e Krishtit nga Shën Nikolla, nr. 507, f. 214–215; referim i tërthortë sipas Llukani-t.
  1. Caka, Eduart. «Të dhëna mbi disa vakëfe kryesore të qytetit të Korçës gjatë periudhës osmane (shek. XVI–XIX)». Studime Historike, nr. 1–2, 2017, f. 83–99. Botimi në faqen e revistës.
  1. Llukani, Andrea. Mitropolia e Korçës. Tiranë, 2020, sidomos f. 83. Botimi digjital.
  1. Shkira, Thoma. Bashkësia Ortodokse dhe Shteti Komunist Shqiptar (1944–1990). Tiranë, 2022, f. 176.
  1. Hoxha, Artan R. Kisha ortodokse nën komunizëm: KOASH-i dhe regjimi diktatorial shqiptar, 1945–1967. Tiranë: UET Press, 2017, f. 67–74.

Manastiri i Shën Nikollës në Boboshticë

Tradita e themelimit më 1450, jeta kishtare dhe historia e një komuniteti.

Jakovi i Durrësit administroi përkohësisht Mitropolinë e Korçës

Kisha e Shën Joan Pararendësit në Boboshticë, monument i artit bizantin

Dr. Themistokli Bambulla paraqet historinë, arkitekturën dhe dy shtresat e pikturave murale të kishës pranë fshatit në Mitropolinë e Korçës.

Raporti sekret i vitit 1990 zbulon persekutimin fetar në Himarë e Dhërmi

Dokumenti i sekretarit të Partisë në Vlorë, Halil Hasko, dërguar Ramiz Alisë më 20 shtator 1990, zbulon frikën e regjimit ndaj riteve fetare dhe kryqeve në bregdet.

Shën Niniani, Ndriçuesi i Skocisë

Kisha Orthodhokse kujton më 16 shtator Shën Ninianin, misionarin që solli krishterimin te piktët e Skocisë jugore në shekullin e katërt.

Përfundon veshja me gurë e Kishës së Shën Llazarit në Shtërmen

Punimet u realizuan me bekimin e Mitropolitit të Elbasanit, Hirësisë së Tij Andon, dhe me kontributin e Altin Toskës.