Këshilla shpirtërore!

Këshilla shpirtërore!
Nëse dëshiron t’i japësh diçka atij që ka nevojë, jepja me fytyrë të gëzuar dhe ngushëlloje trishtimin e tij me fjalë të mira. Nëse vepron kështu, në zemrën e tij bukuria e fytyrës sate do ta tejkalojë atë që i jep dhe do të ketë më shumë vlerë sesa plotësimi i nevojës së trupit të tij.

Ditën kur do të hapësh gojën për të akuzuar dikë, konsideroje veten të vdekur atë ditë dhe të gjitha veprat e tua të kota, edhe nëse të duket se mendimi yt të shtyu të flisje me sinqeritet dhe për dobi shpirtërore. Sepse, ç’nevojë ka që dikush të shkatërrojë shtëpinë e vet për të ndrequr shtëpinë e mikut të tij?

Ditën kur do të ndiesh dhembshuri për ndonjë njeri që vuan shpirtërisht ose trupërisht, atë ditë konsideroje veten martir; konsidero se ke vuajtur për Krishtin dhe se je denjësuar për pohimin e Tij. Sepse edhe Krishti vdiq për mëkatarët dhe jo për të drejtët.

Mendo sa i madh është ky virtyt. Vërtet, është virtyt i madh që dikush të ndiejë dhembshuri për njerëzit e këqij dhe t’u bëjë mirë mëkatarëve më shumë sesa të drejtëve. Këtë Apostull Pavli e përmend si diçka të denjë për admirim.

Nëse në të gjitha veprat e tua arrin ta ruash ndërgjegjen tënde të pastër, mos u përkujdes për të kryer ndonjë virtyt tjetër.

Në të gjitha veprat e tua le të paraprijnë dëlirësia e trupit dhe pastërtia e ndërgjegjes sate, sepse pa këto të dyja çdo virtyt tjetër konsiderohet i kotë përpara Perëndisë.

Dije se çdo vepër që kryen pa mendim dhe pa shqyrtim është e kotë, sepse Perëndia e vlerëson virtytin sipas dallimit shpirtëror dhe jo sipas veprimit pa dallim.

Shën Isaak Siriani

Shkrime asketike

Njerëzit sot.

Njerëzit sot, thoshte Jerond Filotheu, janë të papërmbajtur.

Këshilla shpirtërore!

Nga Shën Isak Siriani

Njeriu shpirtëror nuk ka hidhërime

Jetën tënde

Kur njeriu jeton pa Zot

Jeta e krishterë