Rihapja e Kishës së Fjetjes së Hyjlindëses në Boboshticë më 15 gusht 1990

Manastiri i Fjetjes së Hyjlindëses sot. Foto : UGO.AL

Kisha e Fjetjes së Hyjlindëses në Boboshticë të Korçës zë një vend të veçantë në historinë e ringjalljes së besimit ortodoks në Shqipëri. Në ditët kur regjimi komunist po shfaqte shenjat e fundit të dobësimit, banorët e fshatit, me në krye mësuesin Sotir Bambulla, morën guximin të hapnin përsëri dyert e kësaj kishe për besimtarët. Kisha, e cila dikur kishte qenë pjesë e një kompleksi manastiror, gjatë periudhës së diktaturës ishte përdorur nga kooperativa bujqësore si stallë për bagëtitë. Megjithatë, më 14 gusht 1990, vetëm një ditë përpara festës së Fjetjes së Hyjlindëses, një grup banorësh dhe ish-nxënësish të Sotir Bambullës e pastruan dhe e rregulluan atë, duke e kthyer sërish në një hapësirë lutjeje. Të nesërmen, më 15 gusht 1990, kambana e kishës së Boboshticës jehoi përsëri. Ishte një tingull që nuk ftonte vetëm në kremtimin e festës së Hyjlindëses, por paralajmëronte edhe fundin e një epoke të gjatë persekutimi ateist dhe fillimin e ringjalljes së jetës kishtare në vend.

Hapja e kishës së parë në Shqipëri

Ngjarjet e atyre ditëve përshkruhen nga vetë Sotir Bambulla në librin e tij Këmbana e parë Orthodhokse pas Monizmit. Dëshmia e tij, e redaktuar lehtë, është kjo:

Më 13 gusht 1990, në vegim m'u shfaq e Tërëshenjta Mari, e cila më ngarkoi me detyrën që të rregulloja çatinë e Kishës së Shën Marisë dhe të pastroja plehun e dhive, pasi kooperativa e kishte kthyer kishën në stallë. Më porositi gjithashtu t'i bija kambanës dhe të prisja njerëzit më 15 gusht, ditën e panairit.

>

E Tërëshenjta më tha: "Mos ki frikë, erdhi dita e Zotit!"

>

Të nesërmen lajmërova një shokun tim, Jovan Jocon, dhe i tregova vegimin. Ai u gëzua. Morëm një shkallë, hipa dhe fillova të rregulloja çatinë e shkatërruar. Kooperativistët nisën të talleshin me mua dhe të thërrisnin: "Sotir Bambulla luajti nga mendtë!", por unë vazhdova punën.

14 gusht 1990

Atë ditë erdhën shumë të rinj, ish-nxënësit e mi: Fredi Niço, Thomaq Greço, Konstandin Xhoxhi, si edhe gruaja besimtare Vasilika Napoloni dhe Thoma Tasho.

>

Të rinjtë hoqën plehun, ndërsa Thomai leu muret me furçë dhe mbuloi zhgaravitjet e bëra me thëngjij. Përgatitëm kandile me vazot e salcës pesëlekëshe dhe kështu e kthyem përsëri ndërtesën në një kishë të vërtetë.

>

Çudia e parë ndodhi duke u gdhirë 15 gushti. Në murin e Ajodhimës, meqenëse nuk kishim arkë, njerëzit vendosnin lekët, të cilat ngjiteshin në mur sikur ai të ishte magnet.

>

Atë natë qëndruam atje: unë, Sotiri, Jovan Joco, Koço Xhoxhi, Thomaq Greço, Fredi Niço dhe nipi im dhjetëvjeçar, Themistokli Bambulla. U shtrimë mbi çimento dhe fjetëm.

>

Duke u gdhirë dita e shenjtë e Fjetjes së Hyjlindëses, në kodrën në jug të kishës kishin ardhur të rinj, të cilët kishin ndezur zjarre dhe e kaluan natën duke kënduar.

15 gusht 1990

Në orën 7:00 erdhi çasti solemn. Djemtë i ranë kambanës, e cila lajmëroi humbjen e komunizmit dhe Ngjalljen e Jisu Krishtit.

>

Në orën 20:00 më thirrën në zyrën e këshillit. Atje ndodheshin sekretari i Partisë së Kooperativës së Bashkuar të Drenovës, Valter Çili, sekretarët e Partisë së fshatit dhe ata të brigadave të punës. Dëshironin të më kritikonin, por në fund u larguan të mundur.

>

Valteri më tha: "Ti nuk e di se mbi të gjitha është Partia?!"

>

Unë iu përgjigja: "Kur linda unë, nuk kishte Parti. Atëherë ishte Zoti dhe nga zemra ime nuk mund ta hiqni Zotin!"

>

U bë zhurmë. Më kërkuan paratë e mbledhura. Nga jashtë, i riu Koço Xhoxhi shtyu kanatin e dritares dhe thirri: "Paratë i kam unë!"

>

Atë ditë, së bashku me dhjetëra njerëz nga fshati dhe qyteti, kremtuam me lutje dhe predikime. U mblodhën 14.000 lekë dhe si arkëtar caktova nxënësin tim, Aristotel Tasho.

>

Atë natë, bashkëshortja ime Arkondi pa në ëndërr sikur unë mbaja një flamur me kryq dhe mijëra njerëz më ndiqnin pas. Ëndrra e saj më forcoi edhe më shumë në besim. Që nga ajo ditë nuk shqetësohesha më për jetën time; dëshira ime e vetme ishte që kishat të hapeshin përsëri.

Dëshmia e Sotir Bambullës përçon jo vetëm kujtimin e një ngjarjeje historike, por edhe guximin e njerëzve të thjeshtë, të cilët, pas dekadash përndjekjeje, u bënë nismëtarë të ringjalljes së jetës fetare. Kambana që ra mëngjesin e 15 gushtit 1990 në Boboshticë u kthye kështu në simbol të rikthimit të besimit, të shpresës dhe të lirisë së ndërgjegjes.

Burimi: Sotir Bambulla, Këmbana e parë Orthodhokse pas Monizmit, f. 5–8. Autori ishte kryetari i parë i këshillave kishtarë të ngritur pas diktaturës.

 

Lexo gjithashtu

Rihapja e Kishës së Fjetjes së Hyjlindëses në Boboshticë më 15 gusht 1990

Banorët e Boboshticës, të udhëhequr nga mësuesi Sotir Bambulla, rihapën kishën e Fjetjes së Hyjlindëses më 15 gusht 1990.

Kisha kujton shpëtimin e Kostandinopojës nga rrethimi i persëve

Sipas traditës kishtare, ngadhënjimi mbi ushtritë perse dhe avare në kohën e perandorit Heraklit iu atribuohet ndërhyrjes së Hyjlindëses në kishën e Vlahernave.

Rrënojat e kishës së Asomatit në Velçë lidhen me peshkopatën e Shën Klementit

Studimet arkeologjike dokumentojnë dy faza ndërtimi, materiale të pasura dhe një hipotezë për përdorimin e kishës nga popullsia bullgare.

Boboshtica e Korçës në regjistrimet osmane të shekullit XVI

Dokumentet e viteve 1519, 1530 dhe 1570 dëshmojnë organizimin e krishterë të fshatit

Kryepeshkopi Anastas, kujtime nga ngjitja në fron e vitit 1992 në Tiranë

Autori Orfeas Betsis rrëfen episodin e vitit 1999 në Sarandë, kur Kryepeshkopi udhëtoi bashkë me Kostandin Karamanlis drejt helikopterit.

Butrinti ruajti rolin e qendrës peshkopale mesjetare

Qyteti u përfshi në strukturat kishtare bizantine, u rindërtuan bazilika dhe selia peshkopale u zhvendos në Gliki më 1318.