Kryepiskopi Joani predikoi për kryqin në Tiranë
Ai që nuk pranon kryqin, nuk mund të jetë i krishterë
Predikim nga Fortlumturia e Tij, Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, në të Dielën e Gjithë Shenjtorëve, në Kishën e Shën Gjerasimit dhe Gjithë Shenjtorëve, Tiranë, 7 qershor 2026.
Të Dielën pas Pentikostisë festojmë të Gjithë Shenjtorët. Kisha e ka caktuar të Dielën e Gjithë Shenjtorëve pas Pentikostisë, sepse shenjtëria lidhet me Shpirtin e Shenjtë, i Cili shenjtëron njerëzit. Ne nuk shenjtërohemi dot vetëm nga forca jonë. Kisha Orthodhokse beson që shpëtimi është një sinergji: Shpirti i Shenjtë edhe ne. Ne nuk mund ta realizojmë dot vetë shenjtërimin.
Prandaj, në Kishën e parë, Etërit e saj të shenjtë e mbrojtën me aq forcë hyjnishmërinë e Krishtit. Të gjitha herezitë që mohonin se Krishti ishte Perëndi i vërtetë, për Etërit e Kishës dhe për të krishterët e asaj kohe shikoheshin si rrezik i madh. Sepse ne nuk mund të shpëtojmë dot nga forca njerëzore, nëse nuk kemi hirin e Shpirtit të Shenjtë. Shën Pavli, në letrat e tij drejtuar Efesianëve dhe Romakëve, pikërisht këtë shkruan: që ne nuk shpëtojmë nga forca jonë. Ai u drejtohet atyre duke u thënë se shpëtimi vjen nga prania e hirit të Shpirtit të Shenjtë, jo nga veprat tuaja.
Po kur vjen Shpirti i Shenjtë tek ne? Shpirti i Shenjtë vjen tek ne kur përpiqemi të jetojmë sipas mësimeve të Zotit. Kur ne fillojmë të jetojmë sipas mësimeve të Zotit, dalëngadalë fillojmë edhe të ndryshojmë, sepse fillimisht kuptojmë dobësitë tona. Ata që nuk përpiqen seriozisht të zbatojnë porositë e Zotit, nuk i kuptojnë dobësitë e tyre.
Mendja krenare nuk e pranon dot që është e dobët, as nuk e pranon dot që zemra jonë shpeshherë nuk është e pastër. Vetëm ndriçimi që vjen nga përulësia e ndihmon njeriun të pranojë realitetin e tij. Ai njeri që i njeh dobësitë e tij është i përulur. Dhe njeriu i përulur tërheq hirin e Shpirtit të Shenjtë në veten e tij. Që të jesh i përulur, duhet të merresh me veten, jo me të tjerët. Prandaj pastrimi i zemrës është shumë i rëndësishëm për ardhjen e hirit të Shpirtit të Shenjtë. Hiri i Shpirtit të Shenjtë e bën njeriun të shenjtë.
Sot, ndërsa kujtojmë të Gjithë Shenjtorët, padyshim që duhet të na vijnë ndër mend fjalët e Shkrimit të Shenjtë, kur Zoti thotë: “Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë” (Lev. 11:44a). Çdo i krishterë është thirrur të shenjtërohet. Shpeshherë ekzistojnë disa pseudo-përulësi. Njerëzit bëjnë gabime të ndryshme dhe i justifikojnë ato, duke thënë që nuk jemi shenjtorë. Pa dyshim që nuk jemi të shenjtë, por jemi thirrur të bëhemi të shenjtë. Rruga drejt bashkimit me Krishtin është rruga drejt shenjtërimit.
Ungjilli i sotëm, në disa pjesë nga kapitulli i dhjetë i Matheut, na tregon se çfarë po u mësonte Zoti nxënësve të Tij. Fillimisht, Ai thotë se kushdo që do ta pohojë Atë përpara njerëzve, edhe Ai do ta pohojë përpara Perëndisë, Atit të Tij qiellor, dhe kushdo që do ta mohojë Atë, edhe Ai do ta mohojë. Këto fjalë janë shumë të rëndësishme për gjithsecilin nga ne.
Çfarë do të thotë të pohojmë Krishtin? Fillimisht do të thotë që besojmë në Krishtin dhe nuk e mohojmë Atë me fjalë. Por vetëm kjo nuk mjafton, sepse mund ta pohojmë me fjalë, por ta mohojmë me vepra. Ne kemi edhe një detyrim tjetër përpara Kishës dhe para të gjithë njerëzve: të dëshmojmë për mësimin e Krishtit edhe tek të tjerët. Madje shpeshherë dëshmia më e madhe nuk është thjesht me fjalë, por është me vepra.
Në Librin e Etërve të Shkretëtirës, Paterikon, tregohet një histori. Një shenjtor i madh i shkretëtirës i tha një nxënësi të tij që të nesërmen do të shkonin të predikonin në Aleksandri. Kështu, nga shkretëtira e Anitrisë shkuan atje, duke shitur tërë ditën shporta dhe duke bërë punët që kishin për të bërë. Në mbrëmje, shenjtori i tha nxënësit që të ktheheshin në shkretëtirë. Dhe nxënësi i tha: “Aba, por a nuk më the që do të predikonim?!” Ati iu përgjigj: “Po pse, çfarë bëmë tërë ditën? Mënyra si folëm, mënyra si ecëm, mënyra si i shitëm shportat, mënyra si ndihmuam të tjerët, ky është predikimi më i madh”.
Pra, shembulli është predikimi më i madh. Predikimi me fjalë është më i lehtë, por nëse jeta jonë nuk reflekton mësimet e Krishtit në përditshmërinë e saj, ne nuk dëshmojmë për Krishtin, nuk e pohojmë Atë para njerëzve.
Së dyti, Krishti na thotë se ai që do nënë a babë më shumë se Atë, nuk është i denjë për Të. Po të njëjtën gjë thotë edhe për prindërit: nëse duan bir a bijë më shumë se Atë, nuk janë të denjë për Të. Çfarë do të thotë kjo? Njerëzit shpeshherë nuk e kuptojnë këtë gjë dhe e keqinterpretojnë. Të duash Perëndinë nuk do të thotë që të mos i duash prindërit. Madje, ai që e do Perëndinë, i do edhe prindërit.
Sot nuk i duan as prindërit, pikërisht sepse nuk duan as Perëndinë. Njerëzit janë larguar nga dashuria e Perëndisë dhe, si rrjedhojë, janë larguar edhe nga dashuria për njëri-tjetrin, nga dashuria për prindërit dhe për fëmijët. Vetëm duke dashur Perëndinë, ne mund t’i duam edhe të tjerët.
Kujtoni episodin që ua përmend vazhdimisht: përpara se Zoti t’i jepte Pjetrit një detyrë shumë të rëndësishme, që të dëshmonte jo vetëm besimin, por edhe të kishte kujdes për grigjën e Tij, e pyet tri herë me këto fjalë: “Simon, biri i Jonait, a më do më shumë sesa këta të tjerët?” Dhe pasi ai i thotë: “Po, o Zot”, atëherë Ai i thotë: “Kullot shqerrat e mia”.
Ne nuk mund të kujdesemi dot për të tjerët, nëse nuk kemi së pari dashurinë për Zotin. Historia e gjatë e jetës shpirtërore të Krishterimit tregon që vetëm njerëzit që duan Perëndinë, vetëm ata i duan edhe njerëzit e tjerë. Prandaj Zoti na kërkon që ta duam Atë më shumë se të gjithë të tjerët, sepse duke dashur Perëndinë, do t’i duam edhe të tjerët.
Zoti na thotë që duhet të marrim kryqin tonë. Çfarë do të thotë të marrim kryqin? Ne kemi folur shpeshherë për kryqin, sepse ka shumë rëndësi të kuptohet misteri i tij. Kryqi nuk është ai që e shikojmë ne sot pas 2000 vjetësh. Kryqi i Krishtit në atë kohë ishte një shenjë poshtërimi. Vetëm kriminelët, skllevërit dhe ata që nuk ishin qytetarë romakë kryqëzoheshin. Ligji romak e ndalonte të kryqëzohej një qytetar romak, sepse ishte një shenjë poshtërimi. Megjithatë, Zoti zgjodhi pikërisht këtë instrument, poshtërimin dhe vdekjen, për ta kthyer atë në instrumentin e jetës.
Nga leximet e Apostullit të ditës, nga Letra drejtuar Hebrenjve, tregohet për shenjtorët që u përndoqën, jetuan nëpër vrimat e dheut dhe ishin të veshur me lëkura kafshësh.
Përse këta njerëz vuajtën kaq shumë? Nuk i donte Perëndia ata? A nuk i donte Perëndia të gjithë shenjtorët, martirët e mëdhenj, shën Gjergjin që u torturua në mënyrë çnjerëzore, shën Dhimitrin dhe mijëra shenjtorë të tjerë? Po, i donte, dhe nëpërmjet kryqit ata u shenjtëruan. Siç thotë një fjalë e urtë e vjetër, jo çdo gjë e keqe vjen për të na dëmtuar.
Një lutje shumë e bukur e Shën Nikolajit të Ohrit titullohet: “O Zot, beko armiqtë e mi”. Në veshët tanë ndoshta mund të duket pak e habitshme të lutemi që Zoti të bekojë shenjtorët dhe armiqtë tanë. Por nëse do ta lexojmë të gjithë lutjen, do të fillojmë të kuptojmë diçka më tepër. Në lutje ai thotë shumë gjëra, por unë do të përmend vetëm disa prej tyre:
“Sa herë që më kapte mendjemadhësia dhe e ngrija veten lart, armiqtë e mi më ulnin poshtë në tokë.
Sa herë që mendoja që mund të realizoja vetë shumë gjëra, përndjekja e tyre, shpifjet dhe gjithçka që thoshin kundër meje, më bënin që të strehohesha tek Ti.
Ashtu si kafshët kur ndiqen nga të tjerët mundohen të gjejnë diçka tjetër për t’u strehuar, edhe unë strehohesha te Zoti.
Në të vërtetë e kam të vështirë ta them se kush më ka bërë më shumë mirë dhe kush më ka bërë më shumë keq në botë: miqtë apo armiqtë”.
Asgjë nuk na dëmton ne, nëse e duam Perëndinë, sepse siç thotë shën Pavli, çdo gjë bashkëvepron për mirë për ata që e duan Perëndinë (Rom. 8:28). Problemi ynë nuk është jashtë nesh. Problemi është brenda nesh. Nëse ne jemi në paqe brenda nesh, nëse jemi me Zotin, atëherë asnjë sulm nga jashtë nuk mund të na dëmtojë. Dhe jo vetëm që nuk mund të na dëmtojë, por ai na ndihmon edhe për t’u shenjtëruar.
Ne përqendrohemi te gjërat jashtë, sepse kemi krenari brenda nesh. Kështu, duke mos pasur përulësi, kujtojmë se faji ndodhet gjithmonë te njerëzit që janë rrotull nesh. Shenjtorët e kuptuan këtë gjë dhe morën kryqin. Kjo është të marrësh kryqin tënd, sepse nuk ka Krishterim pa kryq. E përsëris shpeshherë këtë, sepse është e rëndësishme: Ai që nuk pranon kryqin, nuk mund të jetë i krishterë.
Shën Damaskini shkruan që kryqi është i çuditshëm. Ai thotë se nëse ti e merr atë me dëshirë për hir të Krishtit, ai kthehet në çelës të artë që hap dyert e parajsës. Nëse ti e kundërshton kryqin, ai kthehet në çelës ferri që hap për ty dyert e ferrit. Prandaj, marrja e kryqit është shumë e rëndësishme në rrugën tonë drejt shenjtërimit. Ne nuk mund të shërohemi, nëse nuk e marrim mjekimin kur jemi të sëmurë. Mjekimi është i hidhur, por shërimi është i ëmbël. Edhe kryqi mund të jetë shumë i vështirë, por shenjtërimi do të jetë jashtëzakonisht i mrekullueshëm për gjithsecilin nga ne.
Prandaj, le të mundohemi të ndjekim modelin e shenjtorëve, siç na mëson edhe shën Pavli: “Bëhuni imituesit e mi, ashtu siç unë jam imituesi i Krishtit” (1 Kor. 11:1). Krishti mbetet gjithmonë figura orientuese për ne. Ai e mori kryqin e Tij për ne. Duke qenë pa asnjë faj, Ai e dha jetën e Tij për mëkatarët. Siç thuhet në Shkrimin e Shenjtë, te letra e shën Pavlit, shumë njerëz ndoshta mund të japin jetën e tyre për miqtë dhe për njerëz të mirë, por Zoti e dha atë për ne mëkatarët nga dashuria e madhe që kishte për ne (shih Rom. 5:7-8).
Prandaj, le të mundohemi ta marrim kryqin që na vjen, sepse duke marrë kryqin do ta ndjekim pas Krishtin. Kryqi nuk është destinacioni përfundimtar. Destinacioni ynë është Ngjallja. Ngjallja është qëllimi kryesor dhe ajo do të thotë shenjtërimi. Kryqi është mjeti. Dhe gjithçka tjetër që ne hasim janë mjete që na ndihmojnë, ashtu si mjekimi është mjeti, nuk është qëllimi. Qëllimi është shërimi.
Le t’i lutemi të Gjithë Shenjtorëve që të ndërmjetojnë për ne, për familjet tuaja, fëmijët, prindërit dhe për Kishën tonë, që të na mbrojnë dhe të na shenjtërojnë. Amin.
Lexo gjithashtu
Kryepiskopi Joani predikoi për kryqin në Tiranë
Predikim në të Dielën e Gjithë Shenjtorëve në Kishën e Shën Gjerasimit dhe Gjithë Shenjtorëve
E Diela e Gjithë Shenjtorëve u kremtua në Mitropolinë e Shenjtë të Korçës
Në Katedralen "Ngjallja e Krishtit" morën pjesë edhe të rinj orthodhoksë nga Selaniku, anëtarë të Vëllazërisë "Apolytrosi".
E Diela e Gjithë Shenjtorëve u kremtua në Mitropolitën e Shenjtë të Elbasanit
Meshën liturgjike e udhëhoqi Hirësia e Tij Andoni, Mitropolit i Elbasanit, me leximin e Ungjillit nga Mateu 10.
Kisha Orthodhokse e Shqipërisë mori pjesë në Konferencën IV Kombëtare të Kampeve Kishtare në Greqi
Pesë përfaqësues të Kishës sonë ndanë përvojat dhe perspektivat e veprës edukative rinore me drejtues kampesh nga të gjitha Mitropolitë e Greqisë.
Kryepiskopi Joan kryesoi Liturgjinë e të Dielës së Gjithë Shenjtorëve në lagjen Kombinat të Tiranës
Kryepiskopi theksoi se shenjtëria është fryt i drejtpërdrejtë i veprimit të Shpirtit të Shenjtë dhe se asnjë njeri nuk mund të arrijë shenjtërimin vetëm me forcat e veta.
Grupet e katekizmit nga Follorina vizituan Mitropolinë e Korçës
Vëllazëritë e Krishtera greke "Agapes" dhe "Elpides" takuan Mitropolitin Anastas dhe kujtuan bashkëpunimin katekitik të nisur pas periudhës së monizmit.