At Aleksandër Lipe – Martiri i Besimit dhe i Fjalës së Lirë
Martir i besimit dhe i lirisë së ndërgjegjes përballë çdo forme tiranie
Historia e Shqipërisë në shekullin XX është e mbushur me figura që u përballën me sprova të jashtëzakonshme për të mbrojtur besimin, dinjitetin dhe lirinë e ndërgjegjes. Ndër këto figura qëndron me madhështi prifti dhe patrioti At Aleksandër Lipe, një nga martirët më domethënës të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Jeta dhe vepra e tij përbëjnë një dëshmi të rrallë të qëndrueshmërisë morale dhe të guximit përballë tiranisë.
At Aleksandër Lipe lindi në janar të vitit 1895 në fshatin Kaludh të Rrëzës së Përmetit. Fëmijëria e tij u formësua në një mjedis të varfër, por të mbushur me ndjenjë të thellë për atdheun dhe besimin. Humbja e të atit në moshë të re dhe vështirësitë ekonomike e detyruan të emigrojë në Greqi, ku përveç punës për të ndihmuar familjen iu përkushtua edhe studimeve. Ai ndoqi gjimnazin e Velas dhe më pas Seminarin Teologjik në Selanik, të cilin e përfundoi në vitin 1922. Këto vite formimi e pajisën jo vetëm me dije teologjike, por edhe me një vizion të qartë për rolin e fesë dhe të arsimit në shoqëri.
Pas kthimit në atdhe, ai u vu menjëherë në shërbim të Kishës dhe të popullit. Mitropolia e Korçës e emëroi prift në disa zona të jugut të Shqipërisë, ndërsa më vonë shërbeu edhe në Përmet. Përveç detyrës së tij shpirtërore, At Aleksandri u dallua si mësues dhe edukator. Në vitin 1927 ai hapi me shpenzimet e veta një nga shkollat e para shqipe në vendlindjen e tij, duke dëshmuar se për të feja dhe arsimi ishin dy shtylla të pandara të emancipimit kombëtar.
Figura e tij nuk kufizohej vetëm në dimensionin fetar. Ai ishte një intelektual i angazhuar dhe një publicist i guximshëm. Në vitin 1938 botoi në revistën “Predikimi” shkrimin “Për ata që adhurojnë materien”, ku analizonte rrezikun e ideologjisë komuniste dhe paralajmëronte për pasojat që ajo do të sillte për lirinë shpirtërore dhe qytetare. Në këtë shkrim ai shtronte pyetjen provokuese: “A është Krishti komunist?” Duke u mbështetur në parabolat e Ungjillit, At Aleksandri argumentonte se mes mësimit të Krishtit dhe ideologjisë ateiste të marksizmit ekzistonte një hendek i pakalueshëm. Për të, Krishti ishte themeli i dashurisë dhe i lirisë, ndërsa komunizmi një doktrinë që synonte të shkatërronte shpirtin e njeriut.
Guximi i tij intelektual u shfaq edhe gjatë viteve të pushtimit fashist. Ai kundërshtoi hapur pushtimin italian dhe përpjekjet për të cenuar pavarësinë e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Për këtë arsye u internua në kampet dhe burgjet fashiste në Itali nga tetori 1940 deri në shtator 1941. Edhe në internim ai nuk heshti: ishte ndër iniciatorët e një kërkese drejtuar Papës së Romës për të drejtat dhe trajtimin njerëzor të të burgosurve shqiptarë.
as kthimit në Shqipëri, At Aleksandri u përfshi në jetën shpirtërore dhe shoqërore të zonës së Përmetit, duke mbështetur hapur rezistencën antifashiste. Por ndërsa lufta po përfundonte, ai kuptoi se një rrezik tjetër po afrohej: instalimi i regjimit komunist. Si një mbrojtës i fjalës së lirë dhe i demokracisë, ai refuzoi të pajtohej me ideologjinë e re që kërkonte nënshtrimin e ndërgjegjes njerëzore.
Qëndrimi i tij u bë veçanërisht i dukshëm gjatë zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945. Ndërsa propaganda komuniste kërkonte bindje absolute, At Aleksandri u bëri thirrje qytetarëve të votonin sipas ndërgjegjes së tyre. “Secili të bëjë sipas mendjes së vet”, ishte mesazhi i tij i thjeshtë, por thellësisht demokratik. Ky qëndrim përbënte një akt të rrallë guximi në një kohë kur frika dhe represioni po instaloheshin mbi shoqërinë shqiptare.
Kjo nuk mund të mbetej pa pasoja. Në shkurt të vitit 1946 ai u arrestua në Përmet dhe u dërgua në burgun famëkeq të Kalasë së Gjirokastrës. Pas tre muajsh hetimesh të shoqëruara me tortura dhe trajtim çnjerëzor, u organizua një gjyq farsë ku ai dhe bashkëpunëtorët e tij u akuzuan për sabotim, spiunazh dhe bashkëpunim me armiqtë e popullit. Në të vërtetë, “faji” i vetëm i tij ishte që kishte mbrojtur lirinë e ndërgjegjes dhe kishte kundërshtuar diktaturën që po lindte.
Më 13 qershor 1946 gjykata ushtarake e dënoi me vdekje. Në mbrëmjen e 4 korrikut të po atij viti, At Aleksandër Lipe u dërgua për ekzekutim pranë varrezave të Gjirokastrës. Ai refuzoi të qëllohej pas shpine dhe kërkoi të përballej me pushkët e skuadrës së ekzekutimit. Para se të jepte frymën e fundit, hoqi kalimafin, bëri shenjën e kryqit dhe u lut përpara Zotit. Me një qetësi të jashtëzakonshme ai u tha ekzekutorëve: “Trimat e presin plumbin në kraharor, jo nga prapa.”
Pas pushkatimit, trupi i tij u la për orë të tëra në vendin e ekzekutimit për të përhapur terror. Më pas u varros në fshehtësi dhe deri më sot vendndodhja e eshtrave të tij mbetet e panjohur. Kështu, martiri i Kishës dhe i fjalës së lirë mbeti pa varr, por jo pa kujtesë.
Jeta e At Aleksandër Lipes është historia e një njeriu që u përball me tri regjime represive – fashizmin, gjyqet partizane dhe diktaturën komuniste – dhe që në asnjë moment nuk hoqi dorë nga parimet e tij. Ai ishte prift, teolog, mësues, publicist dhe patriot; një njeri që përhapte besim, shpresë dhe dashuri për njerëzit.
Sot figura e tij qëndron si një simbol i rezistencës morale dhe i dinjitetit njerëzor. Edhe pse jeta e tij u ndërpre në moshën 51-vjeçare, trashëgimia që ai la pas është shumë më e gjatë se vitet që jetoi. Qiriu i jetës së tij u shua dhunshëm, por drita e veprës së tij vazhdon të ndriçojë historinë e Kishës dhe të kombit shqiptar.
At Aleksandër Lipe mbetet një dëshmi e gjallë se besimi, e vërteta dhe liria nuk mund të pushkatohen kurrë. Në kujtesën e historisë shqiptare ai do të qëndrojë gjithmonë si një martir i ndërgjegjes dhe si një nga figurat më të ndritura të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Autori:Lekë Tasi, intelektual dhe piktor