Shën Theodhora Peloponeziane, murgeshën që u fsheh si burrë

Shën Theodhora ishte me origjinë nga Peloponezi, tokë që ka nxjerrë shenjtorë dhe heronj; për këtë arsye, nga disa quhet edhe Shën Theodhora «Peloponeziane». Për sa i përket vendlindjes së saj, krahinat më të mundshme duket se janë Arkadia dhe Mesenia. Ajo jetoi në shekullin IX pas Krishtit — sipas disa të tjerëve, në shekullin X — pra, në kohën e Perandorisë Bizantine.

Prindërit e saj ishin njerëz të varfër dhe të panjohur, por e donin Perëndinë dhe ua përcollën fëmijëve të tyre besimin në Krishtin. Që në moshë të vogël, Theodhora, ndryshe nga vëllezërit dhe motrat e saj, shfaqte një dashuri dhe prirje të veçantë për gjërat hyjnore. Ajo e donte Perëndinë aq shumë, sa dëshironte t'ia kushtonte Atij tërë jetën e saj. Ditë pas dite fitonte atë që Etërit e Shenjtë e quajnë «dashuri e zjarrtë për Krishtin».

Kur u rrit, vendosi të jetonte në një manastir dhe atje të kultivonte dashurinë e saj për Krishtin. Mirëpo, e pazakonta ishte se ajo nuk zgjodhi një manastir grash, por një manastir burrash! U paraqit si burrë, me emrin «Theodhor», në manastirin e «Panajicës», i cili ndodhet në kufirin ndërmjet krahinave të Arkadisë dhe Mesinisë. Nuk mund ta themi me siguri arsyen përse veproi kështu. Ndoshta dëshironte të zhdukej krejtësisht nga sytë e të njohurve të saj.

Në manastirin e burrave ku u vendos, nuk vonoi të bëhej shembull durimi, bindjeje dhe përulësie. Këto virtyte e çonin gradualisht drejt një përparimi të madh shpirtëror, i cili njihej si nga igumeni, ashtu edhe nga bashkëvëllezërit e manastirit. Etërit e manastirit, duke admiruar personalitetin dhe dhuntitë që e dallonin, i besuan punët e jashtme të manastirit. Në të vërtetë, në këtë shërbesë caktohen gjithmonë murgj ose murgesha me përvojë në jetën shpirtërore.

Në të njëjtën periudhë, në rajonin e gjerë të Peloponezit ra një zi e tmerrshme buke, aq sa populli dhe manastiri rrezikuan të vuanin nga uria. Të gjithë Etërit i kthyen sytë nga «Theodhori», si i vetmi që mund të ndihmonte në këtë gjendje kaq të vështirë. Dhe vërtet, «Theodhori» vizitoi shumë shtëpi të krishterësh, me qëllim që t'i mbështeste dhe, nëse ishte e mundur, të siguronte diçka edhe për vëllazërinë monastike.

Mirëpo, ndodhi diçka e tmerrshme! Një grua ngriti kundër tij një akuzë shumë të rëndë: — Ky murg më la shtatzënë! Lajmi u përhap me shpejtësi! Tashmë ishte ngritur një shpifje e rëndë. Prindërit e gruas shtatzënë, të zemëruar, u ngjitën në manastir dhe e urdhëruan me dhunë «Theodhorin» që t'i ndiqte. «Murgu», megjithëse e mohoi akuzën, nuk kundërshtoi që të shkonte me ta.

Më pas e gjykuan me procedurë të përshpejtuar dhe e shpallën fajtor. U dënua me dënimin më të rëndë: «vdekje me prerje të kokës». Megjithëse mund ta provonte pafajësinë e saj duke zbuluar trupin, parapëlqeu ta «mbante» mbi vete peshën e shpifjes! Si vend i martirizimit u caktua fshati Vasta, në krahinën e Arkadisë. Ekzekutuesi e çoi deri atje, ndërsa «Theodhori» e ndiqte «si qengj pa zë».

Pak më vonë, shpirti i Shën Theodhorës fluturoi drejt qiellit, në vendin e përgatitur për oshënaret virgjëresha martire të Kishës sonë. Ekzekutuesi dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët e kishin prerë kokën e martires, panë trupin e saj të zhveshur dhe, të penduar, kërkuan falje nga Perëndia. Ngjarja e mrekullueshme u bë e njohur kudo!

Igumeni dhe bashkëvëllezërit e manastirit, duke vajtuar, mbërritën në vendin e martirizimit dhe, duke lavdëruar Perëndinë, e varrosën trupin e saj në manastirin e tyre të shenjtë ose, sipas mendimit të disa të tjerëve, pikërisht në vendin e martirizimit. Thuhet se, përpara se t'i pritej koka, shenjtorja i kërkoi Perëndisë që trupi i saj të bëhej kishë, flokët e kokës së saj të shndërroheshin në pemë dhe gjaku i saj në lumë.

Dhe vërtet, mbi çatinë e kishës së ngritur në Vasta të Arkadisë mbinë 17 pemë, të cilat, në mënyrë të pashpjegueshme, qëndrojnë mbi çati dhe dëshmojnë se: «Atje ku dëshiron Perëndia, mposhtet rendi i natyrës.»

Një jetëshkrim të hollësishëm të shenjtores ka shkruar Mitropoliti i Gortinës dhe Megalopolit, z. Theofil. Së fundi, duhet të vërejmë se jetëshkrimi i kësaj shenjtoreje ka mjaft elemente të përbashkëta me atë të Shën Theodhorës së Aleksandrisë, kujtimi i së cilës kremtohet po në të njëjtën ditë.

Lexo gjithashtu

Shën Theodhora Peloponeziane, murgeshën që u fsheh si burrë

Jeta e shenjtores nga Peloponezi që u dënua me vdekje pas një akuze të rreme dhe preferoi ta mbante shpifjen mbi vete

Kisha Ortodokse kujton martirët Dhimitër dhe Efrosinin Kuzhinier

Sipas kalendarit ortodoks, sot kujtohen dëshmorët Dhimitër filozofi, Evantia dhe Dhimitriani, si dhe etërit e shenjtë Theodora dhe Efrosini Kuzhinieri.

9 Shtator: Kisha përkujton Hyjprindërit e Drejtë Joakim dhe Ana

Prindërit e Hyjlindëses Mari, shembull besimi, durimi dhe dashurie bashkëshortore për familjet e krishtera

Kisha Ortodokse përkujton më 7 shtator dëshmorin Sozoni dhe oshënaren Kasiania

Kalendari kishtar sjell sot kujtimin e martirit Sozoni dhe të himnografes Kasiania, dy figura që lanë gjurmë të thella në traditën ortodokse

Sekreti i një jete të lumtur familjare

Dashuria bashkëshortore shprehet përmes butësisë, mirësjelljes, fjalëve dhe durimit ndaj dobësive të njëri-tjetrit.

Kisha përkujton Profetin Moisi dhe Oshënare Hermiona

Kalendari kishtar përfshin gjithashtu Shën Petronin dhe Hierodëshmorin Vavilën.