Shën Kozmai u martirizua në Kolkondash të Beratit

Shën Kozmai i Etolisë

Hierodëshmori dhe i barabarti me Apostujt (isapostullit)

Shën Kozmai kremtohet më 24 gusht nga Kisha Orthodhokse si hierodëshmor, mësues i shquar dhe predikues i palodhur i Ungjillit. Sipas burimit «Ημερολόγιον 2016: Αφιερωμένο στον Άγιο Κοσμά τον Αιτωλό», ai u arrestua dhe u martirizua në Kolkondash të Beratit.

Me veprën e tij hierapostolike, përkushtimin ndaj arsimit dhe fundin e tij martirik, ai u bë një nga figurat më të rëndësishme shpirtërore të shekullit XVIII.

Prejardhja dhe vitet e para

Shën Kozmai lindi në vitin 1714, në Megalo Dhendro të Apokurit, në Etoloakarnani. Emri i tij para se të bëhej murg ishte Kosta Anagnostis ose Dhimitriu. Prindërit e tij ishin me prejardhje nga Epiri dhe merreshin me endjen e pëlhurave. I ati vinte nga Grameno e Janinës, ndërsa e ëma nga Vrahori i Paramithisë.

Familja e tij, e detyruar të largohej nga vendlindja, ishte vendosur fillimisht, rreth vitit 1700, në Taksiarhis të Apokurit. Atje kishte lindur edhe vëllai i tij më i madh, Hrisanthos, i cili u bë dijetar dhe mësues i njohur. Ai kishte shkëlqyer në shkollën e Vrangianës, në Agrafa të Thesalisë, dhe më vonë ishte drejtues i një shkolle të rëndësishme, përpara se të jepte mësim në Konstandinopojë, Naksos dhe Paros.

Kozmai mori njohuritë e para nga prindërit dhe vëllai i tij. Në moshën tetëvjeçare shkoi në Segdica të Parnasidës, ku studioi për rreth dhjetë vjet pranë mësuesit Gerasim Litsika. Më pas vazhdoi një arsimim më sistematik në shkollën e Lobotinës, në Kravara të Nafpaktisë, nën drejtimin e mësuesit epirot Anania Dervisanos.

Nga viti 1732 deri më 1736 qëndroi atje fillimisht si nxënës dhe më pas si mësues, duke fituar një emër të mirë. Etja për dije e çoi, rreth vitit 1738, në shkollën e Vrangianës, në Agrafa. Kjo shkollë ishte një qendër e rëndësishme e dijes në vitet e vështira të sundimit osman.

Atje Shën Kozmai studioi teologji, gramatikë, logjikë, histori, aritmetikë, gjeometri, mjekësi, retorikë dhe astronomi. Studimi i mësimeve të tij tregon se ai zotëronte thellësisht edhe Shkrimin e Shenjtë.

Në Akademinë Athoniadha dhe në Manastirin e Filotheut

Kur në vitin 1749 u themelua Akademia Athoniadha në Malin e Shenjtë, Kozmai shkoi atje për të vazhduar studimet. Ndër mësuesit e shquar të Akademisë përmenden Neofit Kavsokaliviti, Panajot Palamasi, pasardhës i poetit Kostis Palamas, Evjen Vullgarisi dhe Nikolla Xharxhuli nga Mecova.

Shën Kozmai pati si mësues të dashur Evgjen Vulgarin, me të cilin ndante bindjen se padituria dhe mungesa e arsimit përbënin rrezik të madh për besimin Orthodhoks dhe për jetën shpirtërore të popullit.

Në vitin 1759 vendosi të bëhej murg dhe hyri në Manastirin e Filotheut, në Malin e Shenjtë. Atje mori emrin Kozma dhe më pas u dorëzua prift.

Megjithëse jeta e qetë e manastirit i ofronte kushtet e duhura për lutje dhe përparim shpirtëror, ai nuk mund të gjente prehje. Mendonte vazhdimisht për vëllezërit e tij që vuanin nga varfëria, shtypja dhe padituria. Vetë ai thoshte se zemra e tij brengohej dhe se dëshironte të dilte nga manastiri për t’i ndihmuar.

Në fund të vitit 1759, në moshën rreth 45-vjeçare, shkoi në Konstandinopojë. Me ndihmën e vëllait të tij, Hrisanthos, i cili jepte mësim në Shkollën Patriarkale, mori lejen e Patriarkut Ekumenik Serafim II për të udhëtuar dhe predikuar.

Udhëtimi i parë hierapostolik

Udhëtimin e parë hierapostolik Shën Kozmai e nisi në vitin 1760. Fillimisht predikoi në rrethinat e Konstandinopojës, më pas në Rumelinë Lindore, në Thrakë dhe në Maqedoninë Perëndimore. Kaloi nëpër fshatrat e Thesalisë malore dhe të Evritanisë, duke arritur në Etoloakarnani.

Në Vrahori, Nafpakt dhe Etoliko u përball me kundërshtime nga pronarë tokash, njerëz që kishin mohuar besimin dhe autoritete vendore. U përndoq, u keqtrajtua dhe më në fund u dëbua nga vendlindja drejt Manastirit, Bitolës së sotme.

Këto kundërshtime nuk e ndalën. Ai e kishte kuptuar se thirrja e tij ishte të qëndronte pranë popullit, të predikonte Ungjillin dhe të luftonte paditurinë.

Udhëtimi i dytë

Në vitin 1763, pasi leja e tij u rinovua nga Patriarku Samuel, Shën Kozmai nisi udhëtimin e dytë, i cili zgjati rreth dhjetë vjet. Fillimisht predikoi në Thrakë dhe në Maqedoninë Lindore. Më pas u kthye për pak kohë në Malin e Shenjtë dhe në Manastirin e Filotheut.

Në vitin 1765 u drejtua përsëri për në Thesali. Kaloi nga Skopelosi dhe Skiathosi, përshkoi rajonin e Magnisisë dhe predikoi në Velestino dhe në fshatrat e Agias.

Në Larisa u përball me kundërshtimin e sundimtarëve osmanë, të fajdexhinjve e ndërmjetësve tregtarë dhe të pronarëve që shtypnin fshatarët e krishterë. Ai i thërriste pronarët në pendim dhe në ndryshimin e mënyrës së jetesës, ndërsa dënonte çdo formë shtypjeje dhe mbronte barazinë ndërmjet njerëzve.

Predikoi në Tirnavo, Carican, Rapsani dhe në krahinën e Trikallas. Sipas biografit të Rigas Feraios, Kristofor Perrevos, kur Shën Kozmai shihte turma njerëzish të ardhur nga shumë fshatra për ta dëgjuar, qëndronte në atë vend dy ose tri ditë dhe i mësonte vazhdimisht.

Ai vazhdoi në fshatrat e Olimpit, në Elasonë, Servia, Grevena, Kozan dhe Siatistë, ku kishte pasur shumë raste të mohimit të besimit.

Më pas shkoi për herë të parë në Epir, duke kaluar nga Hasia e Thesalisë dhe nga fshatrat e Pindit. Në Mecovë dhe në fshatrat vllahofone të zonës së Aspropotamit u kërkonte banorëve të qëndronin të palëkundur në besimin Orthodhoks dhe të mësonin gjuhën e teksteve të Ungjillit dhe të shërbesave kishtare.

Vijoi në Sirako, në fshatrat e Argitheas dhe të Agrafës, si edhe në Manastirin e Koronës në Kardhicë, ku u përkul para lipsanit të Shën Serafimit, episkop i Fanarit.

Prej andej kaloi në shkollën e Vrangianës, në Evritani dhe në Etoloakarnani. Më pas shkoi në Qefalonia së bashku me shumë banorë të Etoloakarnanisë, të cilët ishin strehuar në Ishujt Jonianë për t’u shpëtuar plaçkitjeve, taksave të rënda dhe masakrave që pasuan kryengritjen e Orlovit.

Udhëtimi i tretë dhe veprimtaria në Epir e në Shqipëri

Në vitin 1775 Shën Kozmai mori për të tretën herë leje për të predikuar, këtë herë nga Patriarku Sofron II. Vizitoi Naksosin, ku takoi vëllanë e tij, i cili ishte drejtues shkolle, si edhe disa ishuj të tjerë të Cikladeve, të Dodekanezit dhe të Egjeut.

Më pas predikoi në fshatrat e Halkidhikisë, Selanikut dhe Imathisë. U drejtua përsëri në fshatrat vllahofone të Pindit dhe të Gramozit, duke vizituar Malakasin, Perivolin, Avdelën, Smiksin dhe Samarinen.

Në predikimet e tij theksonte se njohja e gjuhës së teksteve kishtare do t’i ndihmonte besimtarët të kuptonin më mirë Ungjillin dhe mësimin e Kishës.

Shën Kozmai kaloi edhe nëpër vendbanime ku jetonin të krishterë turqishtfolës dhe komunitete orthodhokse me prejardhje të ndryshme. Kudo përpiqej të forconte besimin dhe shpresën e njerëzve.

Ai vijoi drejt Kosturit dhe Korçës, duke u bërë thirrje të krishterëve që të mos i braktisnin dhuratat shpirtërore që u kishte dhënë Perëndia.

Në Voskopojë qëndroi për një kohë të gjatë, duke u dhënë zemër banorëve, të cilët ishin tronditur nga shkatërrimet e ndodhura pas kryengritjes së Orlovit. Nga dhjetëra mijëra banorë që kishte pasur dikur qyteti, shumë pak kishin mbetur, ndërsa pjesa tjetër ishte vrarë ose ishte larguar.

Gjithashtu dhe në Dardhë të Korçës predikoi pranë Kishës së Shën Gjergjit.

Në Himarë, Xhenicë, Muzinë, Drovjan, Prevezë, Hali, Papadates, Variades dhe Sirakates themeloi shkolla dhe, përmes letrave të tij, caktoi personat përgjegjës për mbarëvajtjen e tyre.

Në letrat e tij shpjegonte arsyen e themelimit të shkollave dhe u kërkonte të gjithë banorëve të kontribuonin për mirëmbajtjen e tyre:

“Erdha edhe në vendin tuaj dhe pashë se nuk keni shkollë, ku fëmijët tuaj të mësojnë pa pagesë. I nxita të krishterët dhe ata dhanë, secili sipas mundësisë dhe dëshirës së tij, për shkollën. Jam i detyruar t’i lutem Perëndisë së shenjtë, që i bekon të gjitha, të bekojë vendin tuaj, shkollën dhe fëmijët tuaj.”

Shën Kozmai vazhdoi themelimin e shkollave në Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Kurian, Plesivicë, Visan, Libohovë, Paramithi dhe Margarit.

Në Dhivër themeloi një shkollë të lartë të letërsisë së vjetër dhe të shkencave. Në Drovjan ngriti një shkollë të studimeve të larta për përgatitjen e mësuesve dhe të priftërinjve.

Në Manastirin e Theologut, në Derviçan, themeloi një shkollë klerikale dhe u kujdes për plotësimin me personel të shkollës së lartë pranë Manastirit të Drianos.

Duke vizituar Pargën, u tha banorëve se kishat e shumta nuk mjaftojnë për ta ruajtur besimin, nëse besimtarët nuk ndriçohen nga mësimet e vjetra dhe të reja:

“Besimi ynë nuk u forcua nga shenjtorë të paditur, por nga shenjtorë të urtë dhe të arsimuar. Prandaj, fëmijët e mi pargiotë, kujdesuni patjetër të themeloni një shkollë, nëpërmjet së cilës fëmijët tuaj do të mësojnë ato që ju nuk i dini.”

Prej Pargës kaloi në Sul, Artë, Theodhoriana, në Manastirin e Selcos pranë Pigjes, në Sarandë, Tiranë dhe Berat.

Në Berat drejtonte një shkollë nxënësi i tij, Zafelarios Hristodhulidhis. Vizitoi gjithashtu Durrësin dhe Krujën, ku mori ndihmë ekonomike për vazhdimin e veprës së tij.

Ai vazhdoi në krahinën e Ohrit, në Grevena dhe Trikalla. Vizitoi Kalambakën dhe fshatrat Krania, Pirra, Desi, Neraidohori, Drosohori, Athamania, Avra dhe Gardhiq, ku, sipas traditës, profetizoi për Ali Pashën.

Kur kaloi për herë të dytë në Zicë të Janinës dhe pa se shkolla që kishte themeluar ishte mbyllur, i qortoi murgjit dhe i nxiti laikët të shisnin sende prej argjendi dhe mëndafshi, me qëllim që të krijohej një fond i qëndrueshëm për funksionimin e shkollës.

Në shumë vende mblidhte para për mirëmbajtjen e shkollave. Në Drovjan, për shembull, mësuesit paguheshin nga interesat e shumës së mbledhur deri në vitin 1874.

Mësuesi i popullit

Shën Kozmain e ndiqnin tregtarë, ndërtues, ikonografë, mësues, priftërinj, murgj dhe besimtarë laikë, të cilët e ndihmonin në themelimin e shkollave.

Burra dhe gra, të prekur nga fjalët e tij, jepnin para dhe stoli për këtë qëllim të shenjtë. Ai i nxiste banorët e çdo fshati:

“Të mblidhemi të gjithë dhe të hapim një shkollë, që të mësojnë shkrim e këndim të gjithë fëmijët, të pasur dhe të varfër. Nuk duhet të ketë fshat pa shkollë. Nëse nuk mund të vendosni një mësues, le t’i mësojë fëmijët prifti.”

Shën Kozmai thoshte se dituria është stolia e njeriut dhe se vetëm me ndihmën e saj ai mund ta përmirësojë jetën e vet dhe t’u afrohet arritjeve të reja të njerëzimit dhe njohurive shkencore.

Shkolla, sipas tij, hap kisha dhe manastire, ushtron dhe ndriçon mendjen e njeriut dhe mëson virtytet.

Në shkollat e ngritura me nismën e tij mësoheshin para së gjithash fjalët dhe porositë e Krishtit, të cilat ai i quante “të pastra, të shenjta, të vërteta, të ndritshme dhe më të shkëlqyera se dielli”.

Sipas të dhënave që jepen në botim, Shën Kozmai themeloi dhe vuri në funksionim rreth 200 shkolla fillore, 10 shkolla të mesme dhe katër shkolla të larta. Me nxitjen dhe veprimtarinë e tij u ndërtuan edhe shumë shkolla të tjera.

Ai i nxiti gjithashtu manastiret që të kontribuonin me pasuritë e tyre për mirëmbajtjen e shkollave.

Veprimtaria e tij nuk kufizohej vetëm në arsim. Ai predikonte dashurinë, drejtësinë, bamirësinë dhe solidaritetin. Dënonte shtypjen, fajden, kërkesat e tepruara për pajë dhe trajtimin e gruas si një qenie më të ulët.

Kërkonte që pjesëtarët e komuniteteve të mbështetnin njëri-tjetrin dhe të jetonin në paqe.

Kur predikonte, mbante në dorë kryqin dhe e vendoste atë pranë vendit ku fliste, duke treguar se do të luftonte deri në fund me armën më të fuqishme të krishterimit.

Ngjitej mbi një stol të vogël, që të mund ta shihnin të gjithë, dhe u kujtonte dëgjuesve të tij se nuk duhej të harronin besimin dhe identitetin e tyre të krishterë.

Takimi me Ali Pashën

Nëpërmjet njohjes me Ali Pashën, Shën Kozmai i kërkoi atij që t’i donte dhe t’i mbronte të krishterët.

Ali Pasha mbështeti popullsitë e krishtera dhe ndihmoi në një farë mase zhvillimin e arsimit. Njohja e tyre kishte filluar në Tepelenë.

Kur Shën Kozmai përndiqej, gjeti strehë në shtëpinë e nënës së Ali Beut, i cili në atë kohë ndiqej nga Kurt Pasha i Beratit. Aliu ushqente respekt të madh për personin e Shenjtit.

Arrestimi dhe martirizimi

Një nga çështjet që shkaktoi kundërshtim të fortë ndaj Shën Kozmait ishte përpjekja e tij që tregjet dhe veprimtaritë tregtare të zhvendoseshin nga e diela në ditë të tjera.

Ai dëshironte që e diela të respektohej si dita e Zotit dhe që të krishterët të merrnin pjesë në Liturgjinë e Shenjtë.

Tregtarët hebrenj që humbnin nga ndryshimi i ditës së pazarit e paditën Shën Kozmain te Kurt Pasha i Beratit, duke e paraqitur si të dërguar të Rusisë dhe duke e akuzuar se udhëtimet e tij shkaktonin shpenzime për vendbanimet nëpër të cilat kalonte.

Shën Kozmai u arrestua të shtunën, më 24 gusht 1779, në fshatin Kolkondash të Beratit. Pa iu bërë e njohur ndonjë akuzë dhe pa u zhvilluar gjyq, u dënua me vdekje dhe u var.

Më pas i lidhën një gur në qafë dhe trupin e tij e hodhën në lumin Seman. Pas tri ditësh, prifti i Kolkondashit e gjeti lipsanin e Shenjtit, i cili, sipas traditës, qëndronte në mënyrë të mrekullueshme drejt mbi ujë.

Prifti e mori dhe e varrosi me nderim. Ali Pasha ishte ndër të parët që e nderoi zyrtarisht Shën Kozmain. Ai ndërtoi në Kolkondash një manastir kushtuar atij dhe vendosi kafkën e tij të shenjtë në një kuti prej argjendi.

Shën Kozmai i Etolisë u shpall zyrtarisht shenjtor më 20 prill 1961. Kujtimi i tij kremtohet çdo vit më 24 gusht.

Jeta e tij mbetet një dëshmi e fuqishme e dashurisë për Perëndinë dhe për njeriun. Me kryqin në dorë, me Ungjillin në zemër dhe me shkollën si mjet ndriçimi, Shën Kozmai udhëtoi pa u lodhur, forcoi të dëshpëruarit, mbështeti të varfrit, hapi shkolla dhe, në fund, e vulosi predikimin e tij me gjakun e martirizimit.

Burimi: Ημερολόγιον 2016: Αφιερωμένο στον Άγιο Κοσμά τον Αιτωλό (“Kalendari 2016, kushtuar Shën Kozmait të Etolisë”), botim i Shoqatës «Οι Φίλοι του Πολιτισμού» – “Miqtë e Kulturës”, 2016; pjesët «Ο Άγιος Κοσμάς» dhe «Το έργο του στις περιοδείες και το τέλος του», f. 10–21 dhe 46–58 të dokumentit. Përkthimi dhe përshtatja në shqip u përgatitën nga UGO.AL.

 

Lexo gjithashtu

Shën Kozmai u martirizua në Kolkondash të Beratit

Më 24 gusht, Kisha Orthodhokse kremton kujtimin e hierodëshmorit, mësuesit dhe predikuesit të Ungjillit.

Kisha Orthodhokse përkujton apostullin Tadeu dhe dëshmoren Vasa më 21 gusht

Më 21 gusht, kisha nderon kujtimin e apostullit të Shtatëdhjetëve dhe të martires Vasa së bashku me tre fëmijët e saj, Theogni, Agapi dhe Pisti.

Kisha përkujton Shën Andrea Stratilatin dhe 2593 dëshmorë

Përkujtimi i 19 gushtit sjell jetën, pagëzimin dhe martirizimin e shenjtorit Andrea Stratilati me shokët e tij, sipas materialit liturgjik.

Si ndikojmë tek të tjerët me mendimet tona

Sipas mësimit të Shën Porfirit Kavsokalivitit, mendimet dhe fjalët tona për të tjerët mund të bëhen shkak i së keqes ose i së mirës që u ndodh atyre

Kisha përkujton Florin e Laurin në Dardani më 18 gusht

Kalendari ortodoks kujton edhe oshënar Sofronin e Malit të Shenjtë, Arsenin në Paros, dëshmorët Polien dhe Serapion.

Kisha përkujton më 17 gusht Shën Mironin dhe martirët e Nikomedisë

Kalendari kishtar i ditës përfshin dëshmorin Mironi, martirët Stratoni, Filipi, Eftihiani, Qipriani, si dhe Pavlin, Julianën e oshënarin Egloni.