Kisha e vjetër e Manastirit në Boboshticë u shemb pas dëmtimeve
Kisha qëndrore e Manastirit para se të rindërtohej.
Manastiri i Shenjtë i Fjetjes së Hyjlindëses në Boboshticë
Dr. Themistokli Bambulla
Teolog/Msc Pedagogji./Phd: Teologji Sociale dhe Kulturën e Krishterë
Manastiri i Shenjtë i Fjetjes së Hyjlindëses, në Boboshticën historike, ndodhet vetëm 7 km në jug të qytetit të Korçës. Sipas traditave vendore, ai u themelua në një periudhë të hershme, që nuk mund të përcaktohet me saktësi, fillimisht si një kishë e vogël pa ndërtesa të tjera shoqëruese.
Në vitin 1600, igumeni i atëhershëm, Serafimi, ndërmori rindërtimin e parë të rëndësishëm, duke ndërtuar disa dhoma përreth kishës. Pas tij shërbyen si igumenë Theofani, Josifi, Nikodhimi, Eusebi dhe Partheni. Ky i fundit u dallua për rindërtimin e kishës dhe të qelive gjatë periudhës 1600–1674.
Sipas Kodikëve të vjetër dhe Prothesit të Manastirit, ndër mitropolitët dhe mbrojtësit e parë të tij përmenden Polikarpi, Joasafi, Dionisi, Kozmai, Meleti dhe Neofiti, ky i fundit me prejardhje nga Gjirokastra. Nga viti 1674 deri në shekullin XX dokumentohen këta igumenë: Timotheu, Metodi, Paisi, Sotiri dhe, në një periudhë të mëvonshme, Hristo Ikonomi nga Bezhani.
Në të kaluarën, Manastiri zotëronte një numër të konsiderueshëm librash të vjetër dhe Kodikësh. Sipas dëshmisë së Ikonomit, atë Josifit, në vitin 1918, këto u morën nga ambasadori rus Ignatiev aty nga fundi i shekullit XIX. Shumë prej dorëshkrimeve dhe ikonave të ruajtura mbajnë data që shtrihen nga viti 1600 deri më 1674, si edhe data të periudhave të mëvonshme
Në periudhën e lulëzimit të Manastirit ndihmuan edhe bashkësi të tjera greko-orthodhokse të zonës, si Nikolica, Lofka dhe Linotopi, të cilat dhanë ndihmë ekonomike dhe materiale për themelimin ose fuqizimin e tij. Sot këto vendbanime i përkasin historisë dhe nuk ekzistojnë më, pasi popullsia e tyre e krishterë, me kalimin e viteve, u islamizua.
Dëshmi të rëndësishme për historinë dhe identitetin artistik të Manastirit përbëjnë mbishkrimet e ruajtura. Në absidën e kishës ndodhej një mbishkrim i vitit 1829, me nënshkrimin e ikonografit Mihal nga fshati Makarovë, në rrëzë të malit Perister, pranë Manastirit: «Lutje e shërbëtorit të Perëndisë, Vangjelit. Dora e Mihalit nga fshati Makarovë. Në vitin 1829, më 10 tetor».
Poshtë kryqit të ikonostasit të kishës ndodhet ky mbishkrim: «Lutje e shërbëtorit të Perëndisë, Efthim Gjergj Pisoderliut. Lutje e esnafit të hanxhinjve: Joani, Kostandini, së bashku me Jani Teli Dhimitrin, 1829». Mbishkrimi përmend esnafin e hanxhinjve dhe dëshmon lidhjen e ngushtë të shoqërisë vendore me Manastirin.
Në ikonën e Krishtit në ikonostas shkruhet: «Lutje e shërbëtorëve të Perëndisë: Gjergjit, priftit Anastas, Naumit, Vangjelit dhe Stefanit, nga vendi Katund, 1826». Ky mbishkrim pasqyron besimin dhe pjesëmarrjen e banorëve të krahinave të tjera në jetën e Manastirit.
Në Prothesin e kishës së vjetër dallohet skena e Zbritjes së Krishtit nga Kryqi. Poshtë saj, në dy kolona, ndodhet mbishkrimi: «Kujto, o Zot, Mihalin dhe për prehjen e Kostandinit»
«Kujto, o Zot, Anthimin, hieromurgun Damaskin, Gjergjin, Visarionin, hieromurgun Gavriil, Kozmain dhe Haritonin».
Gjatë viteve, banorët kanë përjetuar në Manastirin e Shenjtë të Fjetjes së Hyjlindëses shumë mrekulli, të cilat vazhdojnë të tregohen dhe të përcillen si tradita gojore.
Pranë kambanores, e cila daton në vitin 1872, siç dëshmon mbishkrimi: «Në kohën kur kryepeshkop ishte i Shenjti i Korçës, zoti Neofit, dhe igumen Timotheu, gjatë shërbimit të famullitarit…, u ngrit kjo kambanore me ndihmesën e igumenit dhe të të krishterëve besimtarë… Çagllari…, Zisi Papadhogjiu…, Sp. A. Gjermani, H. dhe K. Kuneshka…, Efth. Menu…, në vitin e shpëtimit 1872…», ndodhej edhe varreza e vjetër e fshatit.
Në këtë vend janë varrosur dy ushtarë grekë: njëri nga Lufta e Parë Botërore dhe tjetri, po ashtu i panjohur, nga Lufta e Dytë Botërore. Sipas traditës gojore, ushtari i Luftës së Parë Botërore ka shumë të ngjarë të ketë qenë Efthim Gjergj Gusho, i cili dha jetën gjatë Luftës Autonomiste të vitit 1914 dhe ishte bir i fshatit.
Gjatë Luftës Greko-Italiane, ushtarët grekë që qëndruan në fshat për rreth dy muaj, duke filluar nga 20 nëntori 1940, merrnin pjesë të gjithë së bashku në shërbesat që kryheshin në Manastirin e Shenjtë.
Në vitin 1938, Manastiri u vizitua dhe u fotografua nga poeti i shquar grek Jorgo Seferis, i cili më vonë, në vitin 1963, do të nderohej me Çmimin Nobel për Letërsinë. Në atë periudhë, Seferisi shërbente si konsull i Greqisë në Korçë dhe e vizitonte shpesh Boboshticën.
Nga viti 1967, Manastiri pësoi dëmtime dhe shkatërrime të shumta, ndërsa mjediset e tij u përdorën për qëllime të ndryshme. Fillimisht ato u shfrytëzuan nga Kooperativa Bujqësore e fshatit dhe, më pas, nga Ushtria Shqiptare.
Reparti ushtarak që u vendos aty kishte si detyrë kryesore ndërtimin e fortifikatave dhe të vendqëndrimeve për mitralozë (bunkereve) në vargmalin e Moravës. Të gjitha materialet e përdorura, si çimentoja, rëra dhe materiale të tjera ndërtimi, vendoseshin mbi varrezën e vjetër të fshatit, pranë kambanores. Kjo varrezë kishte dalë jashtë përdorimit rreth vitit 1950.
Pas largimit të ushtrisë, katholikoja, pra kisha qendrore e Manastirit, u shndërrua në stallë, ndërsa qelitë që kishin mbetur u përdorën si magazina për ushqimin e kafshëve.
Më 14 gusht 1990, me nismën e Sotir Bambullit, banorët pastruan plehrat dhe mbetjet e grumbulluara në kishë dhe, më 15 gusht, pritën besimtarët për kremtimin e festës së Fjetjes së Hyjlindëses, ditë në të cilën Manastiri kishte kremtuar historikisht dhe vazhdon të kremtojë me madhështi.
Në këtë mënyrë, ai u bë kisha e parë në Shqipëri që u hap dhe në të cilën u krye shërbesë fetare, ndërkohë që diktatura komuniste ende nuk kishte rënë plotësisht.
Kisha, e cila kishte pësuar dëmtime të konsiderueshme, iu nënshtrua herë pas here ndërhyrjeve mirëmbajtëse. Një kontribut të veçantë dha atë Nikolla Galileo, me origjinë nga Kosturi, i cili sot shërben në Lakia, në Bashkinë e Vasilikisë, pranë Selanikut.
Me ndihmën e tij ekonomike dhe punën e drejtpërdrejtë u rindërtuan muret perëndimore dhe jugore të kishës, të cilat rrezikonin të shembeshin.
Në vitin 1992, me nismën e këtij kleriku, në kishë u organizua pagëzimi i përbashkët i një numri të madh fëmijësh nga Boboshtica dhe fshatrat përreth, me kumbarë të ardhur posaçërisht nga Selaniku.
Në vitin 2014, për shkak të dëmtimeve dhe problemeve të qëndrueshmërisë statike, u shemb kisha e vjetër e Manastirit, ndonëse herë pas here në të ishin kryer ndërhyrje mirëmbajtjeje.
Megjithatë, u ruajt Prothesi i Hierores, i cili sot ndodhet në qendër të kompleksit manastirit, pranë kishës së re.
Përgjegjës i Manastirit është Ikonom Stavrofor, atë Mihal Sanellari, ndërsa ikonografi i kishës qëndrore të Manastirit është Sotir Doko.
Në të njëjtin kontekst kishtar,
Burimi: Themistokli Bambulla, Mitropolia e Shenjtë e Korçës: Zhvillimi historik – Gjendja e saj e sotme, disertacion Phd, Fakulteti i Teologjisë, Universiteti Aristotel i Selanikut, 2025, f. 246–250.
Bibliografi
[1] A.Q.Sh., F. 141, Mitropolia e Korçës, VII-417, fl. 3.
[2] A.Q.Sh., F. 141, Mitropolia e Korçës, VII-417, fl. 3.
[3] A.Q.Sh., F. 141, Mitropolia e Korçës, VII-417, fl. 3.
[4] Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 1998, f. 199.
[5] Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 1998, f. 199.
[6] Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 1998, f. 197.
[7] El. Karakitsios, «Ελληνισμός στην Μητροπολιτική Περιφέρεια Κορυτσάς», Selanik, 2012, f. 391.
[8] El. Karakitsios, «Ελληνισμός στην Μητροπολιτική Περιφέρεια Κορυτσάς», Selanik, 2012, f. 391.
[9] G. Bajraktaris, «Τα κατά τον Αγώνα της Ανεξαρτησίας της πόλεως της επαρχίας Κορυτσάς», Shtypshkronja P. A. Petraku, Athinë, 1916, f. 106.
[10] Sotir Bambulla, Këmbana e parë Orthodhokse pas Monizmit, Libraria Koti, Korçë, 2018, f. 9–10; El. Karakitsios, «Ελληνισμός στην Μητροπολιτική Περιφέρεια Κορυτσάς», Selanik, 2012, f. 345.
[11] El. Karakitsios, «Ελληνισμός στην Μητροπολιτική Περιφέρεια Κορυτσάς», Selanik, 2012, f. 345
Lexo gjithashtu
Kisha e vjetër e Manastirit në Boboshticë u shemb pas dëmtimeve
Historia e Manastirit të Fjetjes së Hyjlindëses, dëshmitë e ruajtura dhe hapja e tij për shërbesa në vitin 1990.
Rihapja e Kishës së Fjetjes së Hyjlindëses në Boboshticë më 15 gusht 1990
Banorët e Boboshticës, të udhëhequr nga mësuesi Sotir Bambulla, rihapën kishën e Fjetjes së Hyjlindëses më 15 gusht 1990.
Kisha kujton shpëtimin e Kostandinopojës nga rrethimi i persëve
Sipas traditës kishtare, ngadhënjimi mbi ushtritë perse dhe avare në kohën e perandorit Heraklit iu atribuohet ndërhyrjes së Hyjlindëses në kishën e Vlahernave.
Rrënojat e kishës së Asomatit në Velçë lidhen me peshkopatën e Shën Klementit
Studimet arkeologjike dokumentojnë dy faza ndërtimi, materiale të pasura dhe një hipotezë për përdorimin e kishës nga popullsia bullgare.
Boboshtica e Korçës në regjistrimet osmane të shekullit XVI
Dokumentet e viteve 1519, 1530 dhe 1570 dëshmojnë organizimin e krishterë të fshatit
Kryepeshkopi Anastas, kujtime nga ngjitja në fron e vitit 1992 në Tiranë
Autori Orfeas Betsis rrëfen episodin e vitit 1999 në Sarandë, kur Kryepeshkopi udhëtoi bashkë me Kostandin Karamanlis drejt helikopterit.