9 Shtator: Kisha përkujton Hyjprindërit e Drejtë Joakim dhe Ana

2826
08:59
1
9 Shtator: Kisha përkujton Hyjprindërit e Drejtë Joakim dhe Ana

Prindërit e Hyjlindëses Mari, shembull besimi, durimi dhe dashurie bashkëshortore për familjet e krishtera

Shenjtorët Joakim dhe Ana janë prindërit e Hyjlindëses Mari. Ata u denjësuan nga Perëndia të sillnin në jetë Nënën e Zotit, nëpërmjet së cilës do të përmbushej plani hyjnor për shpëtimin e gjinisë njerëzore. Joakimi i drejtë rridhte nga gjaku mbretëror i Davidit. Edhe bashkëshortja e tij, Ana, shquhej për prejardhjen e saj fisnike, por, mbi të gjitha, për fisnikërinë dhe pastërtinë e shpirtit.

Joakimi ishte njeri i pasur dhe i përkushtuar ndaj Perëndisë. Ai u ofronte vazhdimisht dhurata të bollshme Tempullit dhe kujdesej për të varfrit. Të dy ishin të stolisur me virtyte. Ishin plot mirësi, butësi dhe durim. Jetonin me përkushtim dhe me frikë Perëndie, respektonin Ligjin hyjnor dhe dalloheshin për përulësinë, dëlirësinë dhe shenjtërinë e jetës së tyre. Besonin me gjithë zemër te Perëndia dhe i drejtoheshin Atij vazhdimisht me lutje të sinqertë. Për këtë arsye u denjësuan të bëheshin paraardhësit e Krishtit, Mbretit të mbretërve dhe Krijuesit të qiellit e të tokës.

Dhimbja e mungesës së fëmijëve

Megjithatë, mbi jetën e tyre qëndronte prej vitesh një re trishtimi. Ana nuk mund të lindte fëmijë. Perëndia kishte lejuar që kjo grua e virtytshme të provohej përmes privimit nga mëmësia. Joakimi dhe Ana vuajtën për shumë vite jo vetëm për shkak të dëshirës së paplotësuar për të pasur një fëmijë, por edhe për shkak të përbuzjes së njerëzve. Dhimbja e tyre ishte e dyfishtë: nga njëra anë përjetonin zhgënjimin e brendshëm, mendimet e padenjësisë dhe turpin; nga ana tjetër përballeshin me paragjykimin, dënimin dhe përjashtimin shoqëror.

Në atë kohë, mungesa e fëmijëve konsiderohej nga shumë njerëz si ndëshkim hyjnor për mëkatet dhe sillte pasoja të rënda shoqërore. Njeriu pa fëmijë shihej si i përbuzur dhe i turpëruar përpara Perëndisë dhe njerëzve. Kur shkonte në Tempull, qëndronte në vendin e fundit, ndërsa dhurata dhe oferta e tij pranohej pas ofertave të të tjerëve.

Joakimi dhe Ana kishin arritur tashmë në një moshë të thyer. Megjithatë, nuk e humbën shpresën dhe nuk reshtën së luturi. Ana e shenjtë iu lut Perëndisë të shikonte përulësinë dhe dhimbjen e saj dhe t'i dhuronte një fëmijë. Ajo nuk e kërkonte atë vetëm për veten. Premtoi se, nëse Perëndia do t'i falte një fëmijë, do t'ia kushtonte plotësisht Atij. Edhe Joakimi qante dhe lutej me zjarr, ashtu si bashkëshortja e tij.

Perëndia, i Cili e do krijesën e Tij, pa lotët, dëgjoi psherëtimat dhe iu përgjigj lutjeve të tyre. Ndërsa Joakimi po lutej në mal, Perëndia dërgoi tek ai Kryeengjëllin Gabriel. Engjëlli i lajmëroi se jo vetëm do të lindnin një fëmijë, por se ai fëmijë do të nderohej në mbarë botën. Në të njëjtën kohë, Ana po lutej në kopshtin e shtëpisë së saj dhe mori edhe ajo lajmin e gëzueshëm.

Lindja e Hyjlindëses Mari

Kështu, Ana e moshuar dhe shterpë solli në jetë një vajzë. Sipas Traditës së Shenjtë, në atë kohë Joakimi ishte tetëdhjetë vjeç, ndërsa Ana shtatëdhjetë vjeçe. Perëndia lejoi që këta prindër të dëlirë dhe të virtytshëm të sillnin në jetë atë që ishte zgjedhur përpara shekujve ndërmjet të gjitha brezave: të Tërëshenjtën Mari, prej së cilës do të lindte Zoti ynë Jisu Krisht. Kjo Vajzë e shenjtë u përgatit që të bëhej Tempulli i gjallë i Perëndisë, banesa e shenjtë në të cilën do të trupëzohej Shpëtimtari i botës, Personi i dytë i Trinisë së Shenjtë.

Në historinë e shenjtë gjejmë edhe raste të tjera në të cilat gra që nuk mund të lindnin u bekuan nga Perëndia me fëmijë: Sara lindi Isakun, Ana lindi profetin Samuel dhe Elisabeta lindi Joan Pagëzorin. Këto ngjarje dëshmojnë se aty ku fuqitë njerëzore mbarojnë, hiri dhe fuqia e Perëndisë mund të bëjnë të pamundurën të mundur.

Pas viteve të gjata të vuajtjes, për Joakimin dhe Anën erdhën ditë gëzimi të papërshkrueshëm. Lutjet e tyre të dhimbshme u shndërruan në lutje falënderimi, ndërsa lotët e trishtimit u bënë lot gëzimi dhe mirënjohjeje ndaj Perëndisë. Hyjprindërit e drejtë morën nderin e madh të bëheshin prindërit e vajzës së vetme që do të ishte Nëna e Shpëtimtarit të botës. Ata e quajtën Mariam – Mari, emër që lidhet me kuptimet "Zonjë", "Mbretëreshë", "dhuratë" dhe "shpresë".

Shën Nikodhim Agjioriti thekson se Joakimi dhe Ana morën një fryt të pakrahasueshëm dhe më të lavdishëm se çdo fryt tjetër njerëzor. Ata ishin të lumur për jetën e tyre të virtytshme dhe hyjdashëse, por u bënë edhe më të lumur për hirin e pashoq që morën: prej bijës së tyre, Virgjëreshës së përhershme Mari, pranoi të lindte Biri i Perëndisë. Lindja e Hyjlindëses ishte një dhuratë e madhe jo vetëm për prindërit e saj, por për të gjithë gjininë njerëzore, sepse ajo përbënte paralajmërimin dhe fillimin e shpëtimit të botës.

Përmbushja e premtimit ndaj Perëndisë

Kur Maria mbushi tre vjeç dhe u nda nga gjiri i së ëmës, prindërit e saj përmbushën premtimin që i kishin dhënë Perëndisë. E çuan bijën e tyre në Tempull dhe ia kushtuan Zotit si një dhuratë të pastër dhe të panjollë. Besimi i Anës ishte vërtet i madh. Ajo pranoi të ndahej nga vajza që kishte kërkuar prej Perëndisë me aq shumë lot dhe lutje. Dashuria e saj për Perëndinë ishte më e madhe se dëshira për ta mbajtur fëmijën vetëm pranë vetes.

Pjesën tjetër të jetës së tyre, Prindërit e shenjtë e kaluan me agjërim, lutje dhe lëmosha ndaj të varfërve. Ata ia dorëzuan në paqe Perëndisë shpirtrat e tyre të drejtë dhe trashëguan të mirat e përjetshme, sipas fjalës së Zotit:

"Ndërsa të drejtët do të shkojnë në jetën e përjetshme" (Matth. 25:46).

Sipas Traditës, Shën Joakimi fjeti tetë vjet pas Hyrjes së Hyjlindëses në Tempull, në moshën nëntëdhjetë e dy vjeç. Shën Ana fjeti njëmbëdhjetë muaj pas tij, në moshën tetëdhjetë e tre vjeç. Në atë kohë, e Tërëshenjta Mari ishte njëmbëdhjetë vjeçe dhe jetonte në Tempullin e Jerusalemit.

Mbrojtës të familjes së krishterë

Joakimi dhe Ana përbëjnë çiftin e shenjtë që u bë shembull i besimit, durimit, dëlirësisë dhe dashurisë bashkëshortore. Ata nuk janë vetëm mbrojtësit e çifteve që nuk kanë fëmijë, por edhe të të gjithë prindërve, bashkëshortëve dhe familjeve të krishtera. Dëlirësia e tyre, dashuria e pastër dhe jeta e mbushur me Perëndinë janë një shembull i përhershëm për çdo familje. Ata na mësojnë të mos dëshpërohemi gjatë sprovave, të mos e humbasim besimin dhe të presim me durim përgjigjen e Perëndisë.

Kisha i nderon vazhdimisht Hyjprindërit e drejtë. Në fund të çdo Liturgjie Hyjnore, prifti përkujton:

"Të shenjtorëve dhe Hyjprindërve të drejtë Joakim dhe Ana..."

Me ndërmjetimet e Hyjprindërve të shenjtë Joakim dhe Ana, o Krisht Perëndi, mëshirona dhe shpëtona. Amin!

Autor i shkrimit burimor: Avraam E. Nikolaidhis

Përshtati në shqip: UGO.al

Burimi: Enomeni Romiosyni

Nëse vëreni një gabim, zgjidhni tekstin e nevojshëm dhe shtypni Ctrl+Enter ose Dërgo një gabim për ta raportuar tek redaktorët.
Nëse gjeni një gabim në tekst, zgjidhni atë me mousen dhe shtypni Ctrl+Enter ose këtë buton Nëse gjeni një gabim në tekst, theksoni atë me mousen dhe klikoni këtë buton Teksti i theksuar është shumë i gjatë!
Lexo gjithashtu